Diaspora Shqiptare për Maqedoninë së shpejti me lëvizje kundër politikës diskriminuese të shqiptarëve
Ata kërkojnë aktivizim më të madh kundër diskriminimit ndaj shqiptarëve, mungesës së demokracisë si dhe aktivizim të ndërgjegjes politike
Elida Zylbeari
Aktivizohet më fuqishëm Diaspora Shqiptare për Maqedoninë (DSHM) për të mbrojtur interesant shqiptare në shtet. Sot para gazetarëve ata prezantuan projektin e tyre të ardhshëm “Maqedonia, opsioni shqiptar” që nënkupton ringjallje të shoqërisë shqiptare për të treguar kërkesat reale të tyre në Maqedoni. Ata kërkojnë aktivizim më të madh kundër diskriminimit ndaj shqiptarëve, mungesës së demokracisë si dhe aktivizim të ndërgjegjes politike dhe demokratike për një aktivizëm qytetar kolektiv të vendosur i cili do të demaskojë politikat anti-shqiptare.
“Duke konstatuar se jeta politike shqiptare në Maqedoni ka degjeneruar në një udhëkryq që ka komprometuar dhe diskredituar keqas aktorët e politikës dhe të demokracisë në shoqërinë shqiptare. Duke konstatuar se ky degjenerim politik është bërë gati “normë” e sjelljeve politike të aktorëve të politikës dhe mënyrë e ardhjes dhe mbetjes së tyre në pushtet dhe faktin që shqiptarët janë në krizë politike, këshilli drejtues i Diasporës shqiptare për Maqedoni vendosi për të vënë në lëvizje platformën qytetare “Maqedonia, opsion shqiptar” i cili parqet projekt i shoqërisë civile për një mobilizim të ri politik dhe demokratik të shqiptarëve në Maqedoni” tha mes tjerash kryetari DSHM-së, Xhevat Sherifi.
Koordinatori i projektit është kryetari i Organizatës së veteranëve të luftës në Maqedoni, Besim Hoda. Ai tha se aktivistët e DSHM-së në periudhën që vjen do të flasin me të gjithë aktorët e shoqërisë civile duke mos lënë anash as përfaqësuesit politik.
“Do të konsultohemi me të gjithë, do të zhvillojmë biseda me sektorin civil dhe do të mbledhim mendime për kërkesat reale të shqiptarëve në Maqedoni dhe mënyrën si ata duhet të prezantohen në këtë shtet i cili8 është i tyre por që nuk i përfill. Do të bëjmë një platformën të përbashkët me këto kërkesa dhe do tua prezantojmë partive politike, nëse ata nuk pajtohen me kërkesat tona të cilat në rend të parë do ta mbrojnë interesin shqiptar, ne do ta demaskojmë politikën e tyre dhe do të ndërmarrim masa të tjera ” tha Hoda.
DSHM është organizatë ndërkombëtare joqeveritare e shoqërisë civile në diasporën shqiptare në Amerikë , Kanada dhe Evropë formuar në vitin 2012 në Chicago të Amerikës. /PortAlb