Në Teqen Bektashjane të Baba Rexhepit festohet Sulltan Nevruzi

Në Teqen Bektashjane  të Baba Rexhepit festohet Sulltan Nevruzi

Pjetër Jaku

Me datën 24 mars 2013, ditën e dielë nga ora 4:00 Pm deri afer ores 8:00 Pm besimtarë bektashjanë jo vetëm nga Detroiti, festuan  Ditën e Sulltan Nevruzit.

Këtë festë që bie njëkohshëm me Ditën e Pranverës, ose Ditën e Luleve, në Teqen Bektashjane të Baba Rexhepit në Detroit, e vetmja Teqe në Amerikë, u  mblodhën më shumë se  pesëqind besimtarë besktashjanë dhe miqtë e tyre nga besimet e tjera. Baba Rexhepi, një ndër ish klerikët më të njohur në Amerikë, i cili shërbeu për më shumë se 50 vjet në këtë Teqe, është kleriku i parë dhe i vetëm që gëzoi respektin e të gjitha besimeve,  jo vetëm në Komunitetin Shqipitar të Michiganit por, edhe te gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Amerikë. Vendvarrimi i Tij, tashmë është bërë vend i njohur peligrinazhi, jo vetëm në ditë festash, por, pothuajse në të gjitha ditët e vitit. Në këtë festë u fol më së shumti për bashkëjetesën ndërfetare, ku shembujt konkret nuk mungonin dhe nuk munguan as në këtë ditë. Pjesëmarrja e Kryetarit të Shoqatës “ Kastrati”, Nikollë Vneshta, Kryetarit të LDK-së Dega Michigan Nikollë Pepës, aktivistëve vatranë Pal Rakaj, Lush Popaj e Marjana Popaj, Kryesisë së degës së Vatrës për Michiganin etj e tregoi këtë.

Kryetari i Këshillit të Teqes, aktivisti dhe biznesmeni i njohur, Konsulli i Nderit, Ekrem Bardha e hapi dhe e drejtoi festën. Fillimisht ia dha fjalën Baba Arshiut ( 107 vjeçar ) që për dekada të tëra punoi në këtë Teqe me Baba Rexhepin. Baba Arshiu foli shkurtimisht për historikun e  kësaj feste, ku më pas u plotësua edhe nga Dervishi, tashmë i njohur Elidon Pashaj.

Famullitari i Kishës “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, Dom Ndue Gjergji përshendeti në emër të dy famullive Katolike të Michiganit, Kishës së Shën Palit dhe Kishës së tij, pasi Don Franit iu desh të udhëtonte për Kanada. Në përshëndetjen e tij ra në sy bashkëpunimi ndërfetar dhe, sidomos në kohën e  Baba Rexhepit, Don Prenk  Ndrevashës dhe Imam Vehbi Ismailit, çka nënvizoi folësi duhet vazhduar edhe më tej në ditët e sotme dhe në  kohët që do vijnë.

Më pas, Kryetari i Degës së Vatrës  për Michiganin, “ Pishtari i Demokracisë” dhe  Editori i Revistës “ Kuvendi”, Alfons Grishaj përshëndeti të pranishmit me shprehjet paqësore dhe rrugët që duhet të ndjekin klerikët e sotëm për një bashkëpunim në të mirë të komunitetit dhe të besimtarëve në përgjithësi.

Aktivisti i njohur Kujtim Qafa, me nota shumë prekëse solli kujtime të bashkëpunimit me Baba Rexhepin dhe mirësinë që sillte fryma e tij në komunitetin shqiptar të Amerikës. Ai, – tha Kujtimi,- është edhe sot këtu, midis nesh e po feston me ne, sepse fryma e Tij ka qënë dhe është e përjetshme.

Dervish Elidon Pashaj lexoi më pas letrën përshëndetëse që kishte dërguar Ambasadori Shqiptar në Amerikë, Gilbert Galanxhi, ku dhe ai e theksonte më të madhe frymën e  bashkëpunimit ndërfetar, çka është dallimi favorizues dhe dukshëm frytëdhënës në vendin prej nga vijmë.

Profesori i Universitetit “ Marmara” të Stambollit, Dr. Prof. Mehmet Ali Balkanologiu, veç përshëndetjes , foli edhe për historikun e kësaj Feste, duke filluar me Mekën dhe Baba Aliun, për të ardhur të misticizmi i njohur që e dallon këtë fe dhe që e bënë shumë më të pranueshme  se shumë fe e sekte  të tjera.

Baba Arshiu bekoi darken, ndërsa Ekrem Bardha edhe njëherë bëri thirrje për bashkëpunim dhe  mirëkuptim ndërmjet njëri tjetrit, për harmoni e paqe, që sa më shumë të afrohemi e të kuptohemi larg ekstremiteteve dhe nxitjeve të panevojshme. Nëse nuk duam Zotin, – tha folësi,- s’kemi si ta duam as njëri tjetrin.

Foto nga festa realizuar nga Lush Popaj:

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *