1
Shqipfolja nëpër botë është e vjetër, e pamoshë. Përtej Formulës së Pagëzimit. Përtej Kastriotëve, Gazullorëve e Barletit. Përtej Arbëreshëve. Kuvendarët shqiptarë folën shqip gjatë Mesjetës, në kuvendet e këtushme dhe ato ndërballkanike, ashtu si dhe në shkollat e para shqipe, fëmijët e tyre. Nga mesi i shekullit XIX, për disa dhjetëvjeçarë, kombi shqiptar ishte duke u përlindur dhe iluminizmi e romantizmi ishin boshti politik e poetik i kohës, ndaj kemi aq shumë shkolla shqipe gjatë Rilindjes dhe disa vjersha himnizuese kushtuar gjuhës shqipe, nga Naimi, Mjeda, Fishta, Lasgushi etj. Por sot, pas njëqind vjetësh të shtetit shqiptar, është e udhës të pyesësh, jo vetëm sa shqiptarë flasin në gjuhë të huaj, por dhe sa të huaj e kanë mësuar shqipen nëpër botë? Sa gjuha jonë u është dashur atyre? A botohen libra dhe gazeta shqip në vende të tjera? Çdo shqiptar do të lakmonte e uronte që gjuha e tij amtare të shkruhej e folej në mediumet e qytetërimit bashkëkohor. Ashtu siç qe shkruar shqip qysh me 1555 në Europë “Meshari” i Buzukut. Apo “Kuvendi i Arbnit” me 1703. “Flamuri i Arbërit” i De Radës e “Albania” e Konicës një shekull më vonë. “Dielli” e “Vatra” e Bostonit. E sa stacione të tjera historike kësisoj të shqipfoljes e shqipshkrimit nëpër botë. Derisa të mbërrihej te “margaritari i kurorës”, botimi vite më parë, nga “Fayard” -Francë, i veprës së Kadaresë në shqip e frëngjisht, si një lartësi e gjuhës shqipe në kohë moderne.
Por ndoshta, krahas lavdisë së mosbjerrjes së shqipes në shekuj, do të trishtohemi pak në ditët e sotme, pasi ka shqiptarë në tokë të huaj që disi e kanë “harruar” shqipen, ani se duke u ndjerë mbase më shumë evropianë, amerikanë, australianë etj. Ndërkohë që kombe dhe qeveri të huaja përpiqen ta shtrijnë sa më shumë hartën e të folurit së tyre nëpër botë, ku jo rastësisht ka mbretërim të anglishtes, ditë të frankofonisë, ngarendje të spanjishtes, nxitim të kinezishtes etj. Jemi padyshim për t’u bërë pjesë e qytetërimit të botës, por duke shkuar andej me të dyja këmbët, autoktonen dhe gjithësoren. Do të ishte bukur nëse do të mund të thoshim me krenari se sa përpara e kemi çuar ëndrrën rilindase për këtë gjuhë të perëndisë, siç e quante Fishta. Mes të tjerësh, sa frytdhënëse i kemi shkollat shqipe në Greqi, Belgjikë, Itali, Zvicër, Angli, Amerikë për fëmijët e emigrantëve? Sa efikase kanë qënë këto mote katedrat e gjuhës shqipe në: Palermo, Kozencë, Napoli, Vjenë, Mynih, Shën Peterburg, Bukuresht, Pekin etj, në gjurmë të albanologëve të mëdhenj europiane të dy-tre shekujve të fundit. Apo vetëm dy-tre sosh ndihen, kurse të tjerat janë shuar, kanë mbetur si kujtime e natyrisht dhe si arkiv?
2
Kemi një model unik të ruajtjes së shqipes, atë të arbëreshëve të Italisë, në pesëqind vjet, ku dhe sot e kësaj dite vazhdon të gjallojë arbërishtja e tyre e pabjerrë. Ata sa herë i merrte malli dhe sa herë iu kërcënohej gjuha dhe identiteti kthenin kryet këndej nga Arbëria që iu kujtonte se “na të huej jemi te ky dhé”. S’bëhet fjalë për paralele, pasi rrojmë në tjetër epokë dhe në kohë integrimesh të gjithëmbarshme, ama nuk mjaftojnë kremtimet familjare a komunitare të emigrantëve me flamurin kombëtar dhe pak fjalë shqipe me fëmijët pas punës, ashtu si në vrap, për ta mbajtur gjallë e kultivuar shqipen ne emigracion. Vetëm pesëdhjetë vjet duhen që dikush me prindër shqiptarë, i trojeve shqiptare, ta quaje veten turk, amerikan, kinez dhe shqipen e prindërve të tij ta ketë si gjuhë të dytë. Kjo do të ishte një shqipbjerrje e ngadaltë, e frikshme, që nuk do të na falte i pari Gjon Buzuku. Ta themi sot këtë merak. Vetes po ia themi, që ta kemi vëth në vesh, mbrotjen e shqipes tonë nga të gjitha tallazitjet e fillim-mijëvjeçarit të tretë. Ndaj dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hartuar një strategji për mbrothësinë e shqipes në emigracion, me programe digjitale të posaçme, teskte në gjuhën shqipe për fëmijët e emigrantëve etj. Për më tepër “në çastin kur vendet ku jetojnë emigrantët tanë do të lejojnë futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në kurrikul, atëherë qasja jonë do të jetë tjetër”, është thënë nga ministri Tafaj, duke shtuar se “tashmë një praktikë e tillë zbatohet për emigrantët italianë në Gjermani dhe në shumë vende të tjera.” Teksa është miratuar abetarja mbarëkombëtare dhe plani mësimor për fëmijët e diasporës, botimi i librave për ta, shpërndarja e tyre etj.
Problemi i shqipes së emigracionit është i dyfishtë, si për fëmijët që vazhdojnë të mësojnë atje, ashtu dhe për ata që tashmë janë kthyer. Duke qenë se në vitin 2012 janë regjistruar mbi 2700 fëmijë, të cilët kanë rinisur mësimet në shkollat shqiptare, organet e arsimit kanë hartuar një plan kombëtar veprimi, për t’u ardhur në ndihmë atyre, që të aftësohen në shqipen e folur e në drejtshkrim, përmes kurseve verore etj. Por mosbjerrja e shqipes në emogracion është një sipërmarrje më e gjerë se ajo shtetërore, jemi të gjithë që mund të luajmë një rol në këtë mes. Ashtu siç “Top Channel” i kushton vëmendje herëpashere kësaj problematike, përfshi dhe njërin nga emisionet e mëngjesit pak ditë më parë. Apo dy prindër të rinj, që e kishin sjellë te të afërmit në Shqipëri djalin e tyre (të lindur në Itali), një vit përpara se të fillonte klasën e parë, që të përshtatej me shqipen që në kopsht dhe të mos kishte vështirësi kur të niste abetaren.
Bjerrja e shqipes së emigracionit shpesh i ka “rrënjët” këndej, kur të rinj shqiptarë analfabetë nga zonat malore mbërrijnë deri në Suedi, Belgjikë e Angli për të kërkuar azil prej “gjakmarrjes”, por që nuk dinë të flasin e shkruajnë gjuhën e tyre. Ata kërkojnë të integrohen në Europë si individë, por dhe një shoqëri e tërë siç jemi ne, e kemi të vështirë integrimin qoftë dhe prej analfabetizmit, që vërtet nuk është kronik si ai i viteve ’30 të shekullit të kaluar, por jo për t’u shpërfillur, pasi sot më shumë se kurrë ballafaqohemi me botën, teknologjinë, qytetërimin europian. Gjuha pëson krisje dhe për një presje e për shkronjë të keqpërdorur, siç ngrinte zërin këto ditë gjuhëtari i njohur, Akademik Gjovalin Shkurtaj, ku dhe fjala nënë në emërtimin e QSUT “Nënë Tereza” ishte shkruar gabim, me e në vend të ë-së. Ka vite që gjuhëtarët tanë “bërtasin” për mirëpërdorimin e gjuhës e ne nuk i dëgjojmë, si të jenë duke folur për një “gjuhë të vdekur”.