SHQIPËRIA PËRTEJ TABUVE

NDUE DEDAJ

1

Ka hyrë mijëvjeçari i tretë dhe ti druhesh ta quash vendin tënd, Shqipërinë, me ndonjë epitet madhërues, se mos bën gabim… politik. Natyrisht mund të thuash Shqipëria etnike, Shqipëria natyrore, ashtu si ajo ishte në shekullin XIX, por nuk mund të thuash, bie fjala, Shqipëria e Madhe, edhe pse në shqipen tënde të kulluar përdorën aq dendur: Udha e Madhe, Ara e Madhe, Maja e Madhe, Malësia e Madhe, Dibra e Madhe, gjithnjë për t’u dalluar nga një më e vogël gjeografikisht. Ky epitet nuk lejohet vetëm për Shqipërinë, pasi tingëllon keq për veshët e dikujt, si me thënë nacionalistçe, edhe pse ti nuk ke kurrëfarë ndjesie dhe qëllimi të tillë. Ti thjesht mediton, në të drejtën tënde historike të origjinës (ashtu si dhe një francez, gjerman a rumun që ka një përkatësi të vetën etnike), rreth Shqipërisë së vjetër, asaj të përplotës, kur ende shtetet fqinje me luftë, apo Fuqitë e Mëdha me paqe, nuk kishin vënë dorë mbi hartën e saj territoriale. Të vjen ta mendosh tokën tënde ashtu siç e ndjen shpirtërisht, me të gjitha trojet arbnore në ndërlidhni, harmoni e bashkëpunim, aspak si ndonjë “supërfuqi” në Ballkan, por një Shqipëri normale, as të madhe e as të vogël, siç e kishin stërgjyshërit në tapi, që e kalonin Këlmendin, Qafën e Prushit a Prespën pa tra kufiri mes të vetëve.

Ta mendosh Shqipërinë kësisoj, u(et)nike, nuk do të thotë se ke fshirë kufijtë e shteteve, se ke ndonjë mision politik kufindërrues, që sakaq të të shpallin nacionalist dhe fill të tërheqë veshin Brukseli a Uashingtoni, duke të kujtuar se rron në një shoqëri moderne, të hapur, multietnike etj. “Se po u hap kjo puna e shteteve etnike, shtojnë kancelaritë, dihet që do të bëhen lëmsh kufijtë e rajonit ballkanik, madje dhe ato të Europës, do të plasin konfliktet që hajde pastaj t’i mbyllesh.” Por ti as që do t’ia dish për të gjitha këto qasje gjeopolitike, ka institucione që merren me to, thjesht nuk ndihesh mirë kur flamurin që ti ngre lirisht në Tiranë e Prishtinë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, vëllezërit e tu të një gjaku në Tuz, Tetovë, Preshevë mund ta ngrenë vetëm me lejen e shtetit ku janë, çka nuk u lejohet fare në Prevezë, dhe se këto vende janë shqiptare, por në shtete jo shqiptare. A nuk iu preket një e drejtë themelore këtyre shtetasve, që të kremtojnë me flamurin e të parëve? Natyrisht pa i rënë ndesh flamurit zyrtar të shtetit ku rrojnë. A nuk duhet të mësojnë ata të njëjtën abetare me ne këndej? A nuk ka ardhur koha që të mos ketë kurrëfarë dogane për librat shqip, këngët shqipe, kudo në trojet etnike shqiptare? Ke qenë këto ditë në një shtet fqinj dhe nuk ke gjetur asnjë libër shqip në qytetin vetëm dhjetë kilometra matanë Hanit të Hotit, dhe pse popullsia aty është shqiptare(!) Nuk e kupton pse mund të quhesh nacionalist, nëse mendon se ajo pupullatë duhet të ndihet në një mjedis amëtar, që shqifolësit si ti ta kenë shqipen jo si gjuhë të huaj, çka do ta dëshiroje dhe për fëmijët shqiptarë të disporës.

2

Ti e di historinë e vendit tënd, që të parët e tu kurrë nuk kanë sulmuar askënd nga fqinjët, nuk kanë patur koloni ndokund, kur ka qenë puna kanë mbrojtur qytetërimin perëndimor, të rrezikuar nga orienti, deri në portat e Vjenës. Pra në genin tënd prej shqiptari nuk ka pasur asnjë dozë nacionalizmi a shovinizmi, pasi ti nuk e njeh urrejtjen për fqinjin si i tillë. Ti, po, e ke luftuar pushtuesin sa ke mundur, kur ai të ka shkelur tokën, trojet, të ka rrënuar vatrat, tempujt, nderin. Askund, në asnjë rresht të memories kombëtare, nuk gjen as idenë, as emrin Shqipëria e Madhe, as si metaforë, teksa përreth teje ka gjallëruar historikisht ideja e “Serbisë së Madhe”, “Megalidheja” greke etj. Keni dëgjuar që ndonjë parti shqiptare kërkon të shtrijë ekspansionin në ndonjë cep të Ballkanit? Përkundrazi ndonjë parti greke (vend i BE-së) propagandon autonominë e të ashtuquajturit Vorio-Epir, kur është e ditur shkencërisht se Korça dhe Gjirokastra janë shqiptare qysh se i ka rënë dielli tokës. Ushtarët shqiptarë asnjëherë nuk kanë kënduar këngë nacionaliste, pasi ata nuk kanë të tilla. Sportadashësit tanë nuk kanë rrahur tifozët e huaj në asnjë stadium. Asnjë lloj histerie nacionaliste nuk ka të regjistruar ndër ne. Ndërkohë që në Plavë, që është jotja për nga etnia, shqiptare në çdo fije floku e gur mali, ti ende duhet të shkosh me lejen e shtetit malazez, edhe për të kënduar e kërcyer shqip, edhe për të blerë xhubletën tënde autentike. E megjithatë ambasadorët e nderuar dalin dhe thonë se thirrjet (elektorale) për nacionalizëm të disa liderve shqiptarë, kohët e fundit, i shërbejnë destabilitetit në rajon e më gjerë. I mirëkupton ambasadorët dhe se beson se nuk ka ndonjë agjendë nacionaliste të qeverisë, apo partive shqiptare, paçka retorikës së tepëruar dhe ndonjë gjesti të pamotivuar e “karizmatik” të ndonjërës sosh.

…E vazhdon të rrëfehesh shqip para vetes, rreth asaj Shqipërie që ambasadorët e 13-ës, pa u merakosur aspak, e bënë më të vogël se të një viti më parë, paçka se pati shpallur Pavarësinë prej Mitrovice në Artë. Ndaj dhe sot e gjithë ditën, për të bërë dallimin mes asaj se ç’ka qenë e ç’është Shqipëria, me të drejtë thuhet: para dhe pas Shqipërisë së 13-ës. Po nuk është si të thuash para dhe pas lindjes së Krishtit. Me 1913 asgjë nuk ka lindur, përkundrazi ka “vdekur” Shqipëria e plotë, ajo që mund të quhej e madhe, pa thënë asgjë tjetër ky epitet, pos gjeografisë shqiptare cep më cep, çka nuk është nacionaliste. Padyshim që Shqipëria e 13-ës është më e vogla e mundshme, ani se na merret për keq po të themi Shqipëria e Madhe, qoftë dhe vetëm duke patur parasysh Shqipërinë e 12-ës, që ishte dhe ajo e Isa Boletinit etj. Kurse një vit më pas, Bacës së trojeve të epra shqiptare i thuhet se nuk ishte gjë ajo puna e Pavarësisë që berë ti me Ismail Qemalin, se na dolën Fuqitë e Mëdha dhe na e bënë Shqipërinë shtet pa Kosovën e Çamërinë. Prandaj, i madhi Isë, bëj si bëj me këtë Shqipërinë e cunguar (shqip: copëtuar), se ajo e madhja që na la Skënderbeu ishte e “gabuar”, atë, për paradoks, nuk mund ta kemi më as si hartë në muzeume, vetëm përkrenaren dhe armët e tij si kujtim, po.

Fundja e gjitha kjo që po thua është veçse mendimi yt i pavarur, që nuk do ta mbajnë shënim askund, pasi nuk je kryetar shteti a diçka tjetër në superstrukturën qeverisëse, por një individ që e do tokën tënde dhe poetikisht, ndaj nuk ka pse të mos vazhdosh me atë Shqipërinë përtej tabuve politike dhe epiteteve keqkuptuese, i bindur se nuk po stis asnjë mit shqiptaromadh. Se, ja, dikur Tivari ishte një qytet fund e krye shqiptar, me një ipeshkvi shqiptare, kurse sot të merr malli të dëgjosh atje dy fjalë shqipe. A thua prej nacionalizmit shqiptar ka ndodhur ky asimilim? Drejt një belbezimi shqip po shkon dhe Shkupi, që gjithashtu ishte një qytet pastërtisht shqiptar e që tash është kryeqyteti i një shteti fqinj. Edhe ky sigurisht që nuk është nacionalizmi yt, por i tjetërkujt, që e ka shtrirë veten (maqedonase) përtej se ç’është. Pa i hyrë historisë me themel për t’i kërkuar gjurmët e tua shqiptare deri në Nish, prej nga ishte Justiniani, perandori i madh me gjak ilir. Çfarë do të thoshte bashkësia europiane për kontekstin gjeopolitik shqiptar në Ballkan, nëse aspak si subjekt letrar, do të mblidheshin një ditë në Bruksel për punë parlamentarie gjashtë persona, të gjithë shqiptarë për nga përkatësia etnike (prej trojesh shqiptare, si Tirana, Prishtina, Ulqini, Presheva, Ohri, Preveza), por që vinin nga gjashtë shtete të ndryshme ballkanike: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Greqia? Pa medyshje që liderët e Europës së Bashkuar do të nxitonin të argumentonin se është koha e integrimit e jo e kthimit në kufijtë etnikë, se nuk janë vetëm shqiptarët kështu, por dhe të tjerë popuj të gadishullit rrojnë ndaras si “vëllezër” dhe bashkë si nënshtetas.

3

Në të vërtetë ti asgjë nacionaliste nuk po thua, nëse dëshiron që ajo që quhet “Rruga e Kombit” të shkojë deri në Nish, se kështu do të përfitonin dhe serbët, apo që në Guci, Bujanovc e Çamëri të shkohet pa vulë në pasaportë. Thënë ndryshe, që kufijtë e padrejtësisë historike të zhbëhen, jo me anë të gjakut të nxehtë e patetikës shterpë, por të një “shengeni” ndërshqiptar: pa doganë për mallrat, programet arsimore, kulturore etj. Pse jo, të ndodhë kjo jo vetëm me shqiptarët e përndarë nga pikëpamja etnike, po dhe me kombësitë e tjera me histori të ngjashme, apo minoritetet. Veçse që të ndodhë kështu Europa duhet ta ketë zgjidhur problemin e muranave serbe në Mitrovicën shqiptare, për më tepër në qindvjetorin e 13-ës. Kur “Fuqitë e Mëdha” të sotme t’i fshijnë dallimet apo dhe paragjykimet lidhur me nacionalitetet në Ballkan, dëshira për ta parë kombin tënd në vendin e merituar, nuk do të përkthehet si nacionalizëm. Çështja kombëtare shqiptare është mbi të gjitha çështje dinjiteti historik, përderisa dy të tretat e territorit të Shqipërisë u qenë dhënë vendeve të Ballkanit dhe një dinjitet i tillë nuk është vetëm krenari e ligjshme për atë çka je, por dhe për atë që të përket, si trashëgimi shpirtërore, kulturore e pronësore. Jo gjithmonë duhet të jenë të tjerët që të shqiptojnë postulate diplomatike se si duhet të jetë e ardhmja e bashkëkombasve të tu, por dhe vetë ata, sigurisht brenda standardeve demokratike ndërkombëtare dhe asesi si rroposje kufijsh përmes shpërthimesh nacionaliste.

Për t’u kthyer dhe njëherë te termat tabu, mos kini frikë, ka patur Fuqi të Mëdha, që kanë vendosur fatin e saj, por nuk ka patur ndonjëherë Shqipëri të Madhe që të kërcënojë fqinjët dhe rajonin, çka nuk do të ketë as nesër. Majfton të shohësh se si shqiptarët janë sjellë në këto njëzet vjet demokracie në rajon, si faktor i qëndrueshëm prosperiteti e stabiliteti.

 22 dhjetor 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *