Përpjekje për të rehabilituar Diktatorin

 

Nga Romeo Gurakuqi

Është pjesëza e radhës e ndërhyrjes politike në shkencë, pjesë e mungesës së seriozitetit dhe diletantizmit me të cilin segmente të caktuara të politikës e kanë marrë procesin e rishkrimit shkencor të historisë. Nisma e zotërisë që përmendët ju, është pjesë e frymës zhbalancuese joliberale, jodemokratike që po mbizotëron në mënyrën e radhën e vlerësimit të figurave të historisë kombëtare, është pjesë e një linje për të ripozicionuar në histori ata që vranë shqiptarë të ndershëm, të atyre që vranë udhëheqësit e revolucionit nacional të viteve 1909-1912, të firmëtarëve të pavarësisë të viteve 1912-1921, dhe të lidershipit përparimtar të viteve 1921-1924, të atyre që vranë intelektualët më në zë të vendit, klerikët më të ndritur, pjesë e frymës që po sundon në një pjesë të republikës sonë të paarrirë. Kur e dëgjova pjesën e parë të ligjërimit të udhëheqësit të mirënjohur të së majtës aktuale politike, mendova se bëhej fjalë mbi nevojën për të rishkruar Historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, rishkrim i cili nuk është bërë mbasi ne operojmë ende me shabllonet e historiografisë së ndërtuar dhe frymëzuar nga diktatori më gjakatar i vendeve të Europës Lindore, i quajtur Enver Hoxha. Por pjesa e dytë e fjalisë nuk lë aspak dyshim: bëhet fjalë për një përpjekje tipike për të rehabilituar Diktatorin dhe me këtë rast, edhe ata që i shërbyen atij dhe padronëve të tij titistë dhe stalinistë, në procesin e ndalimit të rrugës europianizuese të popullit shqiptar në vitet 1940 dhe procesin e shkëputjes së dytë të Kosovës nga Shqipëria në rrjedhën e pesë muajve të parë të vitit 1945.

Në pikëpamje shkencore, nevoja e rishkrimit të historisë dhe veçanërisht të thelbit e përmbajtjes së periudhës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri është më se evidente dhe kjo nuk mund të mohohet. Vetëm një studim i çliruar nga komplekset e përkatësisë në krahët e Luftës Civile të Shqipërisë së viteve 1941-1944, bazuar mbi kriteret shkencore dhe mbi një metodologji të qartë, do t’u mundësojë shqiptarëve të kuptojnë dhe vlerësojnë përgjithësisht, realitetin konfliktual shqiptar të kësaj periudhe, shkatërrimin institucional dhe përçarjen e thellë civile të krijuar në Shqipëri si rezultat i konvergimit të disa faktorëve: pasojave fatale politike të pushtimit fashist dhe nazist; fuqizimit abuziv në terrenin e varfër social shqiptar të forcave të majta të lidhura me strukturat politiko-ideologjike komuniste titiste dhe staliniste; pafuqisë dhe paqartësisë të forcave patriotike për t’u orientuar qartë në realitetin kompleks shqiptar dhe gjeopolitik ndërkombëtar.

Në pikëpamje të vlerësimit politik të periudhës, përmbajtja e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, më shumë sesa një karakter nacional-çlirimtar, ka pasur të thellë dhe të qartë komponentin e Luftës Civile, mes forcave që e shikonin Shqipërinë të orientuar nga krahu perëndimor i Aleancës Antifashiste dhe forcave partizane të komanduara nga komunistët jugosllavë, vegël e të cilëve ka qenë lidershipi i Partisë Komuniste i drejtuar nga Enver Hoxha. Dje, historinë dhe monumentet i vendosën fitimtarët  kuqalashë. Sot, në një Shqipëri të lirë dhe të çliruar nga tabutë, forcat politike që kanë në dorë paketën kontrolluese të vendosjes së monumenteve, duhet të përpiqen të rivendosin me një radhë meritash të vërtetën në vend. Nderimi më i parë në këtë 100-vjetor duhej të bëhej duke filluar nga pionierët e një Shqipërie të lirë, Konstitucionale, Liberale, Demokratike dhe të orientuar drejt strategjikisht nga Perëndimi që në fillesë të shtetit, pa i lënë hapësirë drejtimit nga një rend vlerësues selektiv dhe me kapërcime të dallueshme. Në vend që të mendohej një nderim i posaçëm edhe për vizionarët më të mëdhenj të së ardhmes: për Luigj Gurakuqin, Dom Nikoll Kaçorrin, Ded Gjo’ Lulin, Mehmet Konicën, Fan Nolin, Faik Konicën, Riza Bej Gjakovën, Sotir Kolean, Stavri Vinjaun, Atë Gjergj Fishtën, Imzot Luigj Bumçin, Avni Rustemin, Gani Kryeziun etj., sepse ata i dhanë shtysën e plotë indipendentiste dhe ideuan Shqipërinë e Lirë, të Bashkuar, Konstitucionale, Demokratike, Liberale dhe Europiane, çuditërisht lihet hapësirë të mendohet që mund të rivlerësohet diktatori dhe mjeruesi i Shqipërisë, Enver Hoxha.

Shqiptarët kanë ditur dhe do të dinë të nderojnë pa kontestim kujtimin e bijve të vet, gjakun dhe sakrificat e atyre mijëra idealistëve që dhanë jetën dhe rininë për një shoqëri më të mirë shqiptare, për të nderuar figura të tilla simbol të djalërisë dhe mençurisë të së majtës shqiptare, pjesë e universit politik të këtij vendi, si Qemal Stafa, Vojo Kushi, Mustafa Matohiti, Manush Alimani, e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, duke respektuar faktin e pamohueshëm të ekzistencës së një disponimi dhe angazhimi antifashist civil, intelektual, krejtësisht të ndryshëm në ambicion nga ligësia e uzurpatorit komunist Enver Hoxha, dhe për të provuar se dënohet çdo krim që individë shqiptarë kanë bërë ndaj djemve idealistë partizanë e komunistë.

Por nga ana tjetër, sot, nga lartësia e gjykimit historik, vërejmë se, duke filluar nga data 29 nëntor 1944, në Shqipëri në përgjithësi dhe në Shqipërinë Veriore në veçanti, u instalua një regjim dhunues makabër, që do t‘i kushtonte këtij vendi humbjen e bijve dhe të bijave më të mirë të tij, ndërsa kryeqendrës së Shqipërisë, Shkodrës, 29 nëntori do t’i sillte shkatërrimin e plotë të institucioneve dhe trashëgimisë kulturore shkencore, edukative, fetare dhe qytetare, eliminimin gradual të primatit moral, kulturor, ekonomik dhe shpirtëror të Shkodrës në skenën shqiptare. Në krye të këtij procesi urdhërdhënës ka qenë diktatori Enver Hoxha. Vetëm një fakt sot në veprim dua të kujtoj: në Shqipëri dosjet e ish- Sigurimit mbahen ende të mbyllura, ndërsa të njëjtat dosje të Sigurimit famëkeq shqiptar janë të hapura dhe të aksesueshme lirisht për publikun, 2000 milje larg Tiranës, në National Archives në Londër. Urdhrat për vrasje pa gjyq, arrestime, survejime, përndjekje, grabitje (sekuestrim) të pronësisë, dëbime dhe internime, emrat e agjentëve të infiltruar, urdhra për nxjerrje forcërisht nga shtëpitë, të nisura nga Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha, ose nga ministrat e Brendshëm, Koçi Xoxe e Mehmet Shehu, drejt të gjitha Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, me emra dhe mbiemra, për periudhën 1944-1948, si dhe dosjet e sjelljes së po këtyre personazheve gjatë Luftës së Dytë Botërore, i keni të hapura në Londër dhe çdo vit që kalon, hapet një vit dosje më shumë. Shërbimet e inteligjencës së vendeve perëndimore kanë interceptuar çdo gjë nga mekanizmat vulnerable të komunikimit të shërbimeve tona “krenare” e të ”pathyeshme”. Kushdo që mendon se duke zhdukur rekordet e brendshme, dhe duke hedhur teza në rrëmujën rivlerësuese do të arrijë t’i shmanget rishkrimit të historisë dhe humbjes së përgjegjësisë nesër, gabohet. Çdo sjellje e brendshme politike, çdo bashkëpunim me forcat titiste, staliniste, fashiste dhe naziste, çdo shmangie që i është bërë së drejtës, çdo abuzim me pushtetin, çdo grabitje dhe shndërrim i pronësisë, ka qenë i regjistruar përjetësisht në kancelaritë me përfaqësi në Shqipëri. Dhe aty dosjet janë të hapura dhe të padëmtuara.

Shqipëria nuk ka arritur të bëjë pastrimin (lustracionin) e politikës dhe administratës së lartë nga bashkëpunëtorët e Sigurimit, nga veprimtarët agresivë të PPSH, nga Vullnetarët e Enverit të Ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme dhe të frymëzuarit prej tyre. Shqipëria është vendi tipik brenda grupimit të vendeve të Europës Lindore, i cili nuk po arrin të vendosë në veprim Ligjin mbi hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, duke mbetur prapa edhe Serbisë së post Millosheviçit. Dhe kjo ka ardhur për shkak të mungesës së njësueshmërisë politike për distancim me të djeshmen, për shkak të përzierjes në forcat politike liberale edhe të nostalgjikëve të Ancient Régime. Në një vend demokratik është shumë i rëndësishëm uniteti i forcave kryesore politike që ndërrohen në pushtet demokratikisht, në mbështetjen e disa shtyllave kryesore zhvillimore. Dënimi i krimeve të djeshme, në rastin e vendit tonë me përmasa të atilla krimi diktatorial, duhej të ishte, së paku, njëra nga shtyllat politike që pozitat dhe opozitat në vite do të duhej të ishin marrë vesh, për ta bërë Shtetin të besueshëm me Publikun dhe me partnerët tanë strategjikë perëndimorë. Vendi ynë (pavarësisht përpjekjeve pozitive të bëra në vitet 1992-1996 dhe 2005-2010), për shkak të mungesës së këtij unitetit, jo vetëm nuk arrin të hapë, por nuk ka arritur të bëjë asnjë studim serioz për të bërë matjen zyrtare të së keqes, vlerësimin e sistemit dhe të gjerësisë së dosjeve që duhen hapur, dhe impaktit të pritshëm social në rast të një hapjeje të mundshme. Pyetja që ngrihet është: Pse vendi ynë, anëtar i NATO dhe me një aplikim për anëtarësi në BE, pra një vend që priret të integrohet demokratikisht dhe të perëndimizohet, nuk hap dot dosjet e ish policisë së fshehtë, pra ka frikë të pastrojë ndërgjegjen e vet politike dhe sociale? Përgjigja është se në këtë vend, një pjesë e së djeshmes është ricikluar ”demokratikisht”, pa u filtruar ideologjikisht, kulturalisht dhe politikisht. Dhe kjo pjesë e së djeshmes zotëroi një zonë të hapësirës politike dhe institucionale të vendit, për shkak se në momentin e llogaritjes të së vërtetës, më 20 shkurt 1991, u përzje tinëzisht, si pjesë e huaj, në vrullin e një populli që kërkonte ndryshim të vërtetë. E ndërruar formalisht, kjo pjesë e së djeshmes vazhdon të mbahet në këmbë dhe të godasë sistemin, vazhdon t’i imponohet sistemit, vazhdon të çrregullojë sistemin, tashmë pa friken e viteve të hovit popullor demokratizues, me të njëjtat metoda intolerante të arkitektëve të diktaturës në Shqipëri. Përfaqësia e së djeshmes arriti në një moment të caktuar të pengojë juridikisht, në çastin e fundit, procesin lustrativ ligjor, pa një argument të qartë politik dhe pa një bazueshmëri të besueshme juridike. Pengimi i lustracionit do të rëndojë gjithmonë si një sjellje diskredituese mbi aktorin kryesor që e mori përsipër frenimin e procesit të shpalljes së ligjit, mbasi është një indikacion i ndërlidhjeve me fijet e padukshme  të organeve të errësirës diktatoriale.

Shqipëria nuk është një vend me ndërgjegje të qetë qytetare, pasi nuk arriti të ndajë disidencën e vërtetë intelektuale e patriotike (që u vra, u burgos, u internua, e në fund, ajo që mbeti, u detyrua të syrgjynosej larg atdheut për të mos u lejuar asnjëherë të kthehej), nga viktimat komuniste të diktaturës, nga veprat penale ordinere; nuk u interesua asnjëherë institucionalisht për kthimin në atdhe dhe punësimin e fëmijëve të elitës disidente shqiptare, dhe nuk u kujtua kurrë për krijimin e Regjistrit Nacional të Emigracionit Shqiptar të periudhës: 29.11.1944- 20.02.1991.

Shteti shqiptar kishte për detyrë dhe e ka ende, të rivendosë në vendin nga ku forcërisht e shkulën më 29 nëntor 1944, atë çfarë ka mbetur nga trashëgimia e elitës dhe qytetarisë politike e kulturore të djeshme, ta kompensojë moralisht, pastaj në pronësi dhe materialisht në mënyrë të plotë për jetët e shkatërruara. Sot nuk shtrohet rivlerësimi i figurës së Enver Hoxhës, por matja e shkallës së krimit të tij ndaj popullit shqiptar, matje që do të duhet të vlerësohet së paku shkencërisht nga pikëpamja historike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *