MARTIN CAMAJ, POETI I ARRATISUR DREJT LIRISE

 Foto e Martin Camaj

 Shkruar nga: Agim Xh. Deshnica

 

Në këtë 100 Vjetor të Pavarësisë, gjithkush natyrshëm përkujton me nderim njerëzit e shquar të kombit tonë të cilët me veprën e tyre, megjithëse jashtë atdheut, i shërbyen me përkushtin kulturës shqiptare. Para kthimit të demokracisë shumë vetë kishin dëgjuar në radiot e huaja  të flitej për një poet e lektor shqiptar në Gjermami, me emërin Martin Camaj. Shpesh atë profesor të panjohur e përfytyronin vetëm me disa të dhëna të vagta. Mbi të gjitha vlerat ia shtonin qenia e tij në Universitetin e Mynihut. Asnjë gazetë, apo revistë, as radio, a televizion në Tiranë, nuk njoftonte publikun shqiptar për këtë bashkëkombas të talentuar, i cili aso kohe i shërbente vendit të vet me krijimtarinë letrare e studimet shkencore, ku shprehej dashuria dhe malli për atdhe. As në vitin 1983 emëri e vepra e tij nuk u cek në librin “Historia e letërsisë shqiptare”, kur fama për të ndihej me të madh në Kosovë, Itali, Gjermani e SHBA. Dihej gjithashtu, se në Itali në gazeta e revista, me shkrimtarët Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Namik Resuli e Mati Logoreci,  bashkëpunonte edhe Martin Camaj, kurse larg në SHBA,  jetonte e krijonte Arshi Pipa. Katër të parët ishin larguar nga atdheut para mbarimit të luftës botërore, dy të tjerët u arratisën për t’i shpëtuar terrorit komunist. Të gjithë këta shkrimtarë patën fate të ndryshme: Koliqi, Gurakuqi, Resuli, Logoreci dhe Camaj, nuk mundën të ktheheshin kurrë në atdhe, ndërsa Arshi Pipa i lumtur e pa të lirë nga sundimi  komunist. V.etëm vepra e tyre pati po një fat. Qysh në vitet e para të demokracisë ajo u kthye e gjallë e ngadhënjyese nga mërgimi i gjatë, e mirëpritur në duart e lexuesve shqiptarë.

Po  kush ishte ky poet e profesor?

Martin Camaj tashmë njihet në botën letrare e kulturore shqiptare, si njeri me ndjenja atdhetare, profesor, poet e shkrimtar modernist, novelist, romancier, dramaturg, eseist, studjues në fushën e albanologjisë dhe folklorit. Ai u lind në Temal të Dukagjinit, më 21 korrik 1925. Mësimet e para i mori në Kolegjin Severian në Shkodër.  Pas luftës punoi mësues në shkolla fshati, Aty nga viti 1948 pas kryengritjes së Postribës u arratis nga Shqipëria përmes  maleve dhe u vendos në Beograd, ku mundi të studionte për romanistikë e ballkanologji. Në vitet 1953 -1954 në Prishtinë botoi dy vëllime me poezi: “Një fyell ndër male“ dhe “Kanga e vërrikut.“  Krijimet e përfshira aty, me motive nga malësitë e veriut, të kujtojnë për nga stili e metrika poezitë e draditës  shkodrane, sidomos të Ndre Mjedës. Në verën e vitit 1956 e la Jugosllavinë dhe shkon për studime në Itali. Në Universitetin e Romës mbron doktoratën për gjuhë e letërsi. I pajisur me kulturë të gjerë punon lektor për gjuhën shqipe në universitet, ndërkohë bashkëpunon me Koliqin në revistën “Shejzat”, si kryeredaktor i saj. Këtu u njoh më nga afër me komunitetin arbëresh. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Mynih të Gjermanisë. Në Universitetin e këtij qyteti mbron doktoratën për albanoligji. Po aty pranohet pedagog për letërsinë shqiptare.  Më pas krijon katedrën e gjuhës e letërsisë  shqipe  dhe e drejton deri në fund të jetës.

 

Shfaqja e një shkrimtari  të ndryshëm nga shumë të tjerë.

 

Duke bashkëpunuar me shkrimtarët e shquar Ernest Koliqi  e  Karl Gurakuqi,  Camaj u shfaq me një mënyrë të re shkrimi, me prirje moderniste, siç janë, metaforat e shumta, hermetizmi, simbolet e zhveshja nga rregullat e ngurta të traditës. Mesa dukej leksionet e poetit modern Ungereti, patën  ndikim të qartë  në poezinë e tij, por me një dallim, sepse tek Camaj ndihej prejardhja e kultures, me zanafillë nga vendlindja, Buzuku, Bogdani dhe edukata e marrë nga Fishta e Kolegji Severian. Në poezitë e tij vlon malli e dhimbja për lirinë e humbur të atdheut e veçanërisht për Shkodrën: “Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra./E të thirrën qytet me kunora/e të hodhën përkrye gur/ e hekurat e para.”

Ky ndryshim apo largim shkallë-shkallë nga tradita drejt modernizmit, u pa në një seri veprash letrare të botuara në Romë, si “Djella”, roman lirik bashkë me disa poezi 1953 dhe “Legjenda”, poezi 1954. Vite më vonë në Mynih: “Lirika mes dy moteve”-poezi, “Njeriu më vete e me të tjerë”, poezi, “Shkundullima- pesë proza dhe një dramë”, të tre më 1967; “Rrathët”, roman 1978; “Dranja-madrigal” e “Poezi 1953-1957”-1981; “Karpa”, roman -1987. Me titull “Poesie”, në Palermo-del libri “Njeriu më vete e me të tjerë”-1985, përkthim në italisht nga Francesco Solano. Në Nju Jork botohet:“Selected poetry”-1991, përkthim nga Leonard Fox. Njëkohësisht në Nju Jork e Mynih më 1991: “Palimpsest”, poezitë e fundit të kijuara nga Camaj, përkthimi nga Leonard Fox. Po atë vit në Mynih, botohet në gjermanisht vëllimi “Gedichte”, përkthim nga Hans-Joachim Lanksch. Disa prej dramave janë “Loja e pasdrekës” dhe “Kandili argjandit.”  Përveç tyre, Camaj ka botuar shkrime kritike, reçensione në revista, si “Shejzat”, “Zjarri”, “Albania”, “Jeta e re”, “Südost Forschungen” etj

 

Camaj për albanalogjinë e folklorin shqiptar.

 

Gjuha e Camajt është një standart i përkryer verior, një ndërthurje e gjuhëve të autorëve shkodranë, pothuaj afër standartit të gjuhës-1972, me pasuri fjalësh burimore, plot zanore të kumbueshme që mungojnë tek “Fjalori i sotëm i gjuhës shqipe”. Për më tepër paskajorja e pranishme dendur, i jep krijimtarisë së tij hapësirë  e lirshmëri në poezi e prozë.  Kjo shihet menjëherë vetëm nga leximi i dy copëzave të romanit “Diella”: “Natë. Shiu kishte pushue para gjysmë ore.Nga pullazi cirkoshin vetëm pikë. Dy mësuesit e shkollës fillore të fshatit të Ndërsanës rrijnë para llampës me vojguri ashtu si para një shekulli varë në mur mbi tryezën e vrashtë, dy krena një e bardhë e tjetra e zezë.” Ose: “ Ajo verë në  vendin e të parëve në Malësi  më mbeti në kujtesë sepse u lidh me përjetime të pashlyeshme.  Po mos të kisha takue atje  për të parën herë Sosen, edhe ajo kohë do t’u kish përngja verave tjera, kalue në male qysh prej fëminisë, në fillim me prind  e ma vonë pa ta.”

Camaj u shqua si albanolog sidomos me punimet e veta për gjuhësinë shqiptare gjatë tërë viteve të jetës studimore. Ndihmesa e tij me vlerë, me studimet kushtuar Buzukut e Bogdanit i shërben historisë së gjuhës shqipe. Ndërkohë për çështjen në fjalë  ai i kushtoi një vemendje të veçantë  studimit e të folmeve në provincat arbëreshe me anën e të cilave botoi,”La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino, Firence 1961; “Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza”, Mynih 1977, si dhe  me një seri shkrimesh për dialektet italo-shqiptare, si “Zur Albanischen Mundart von Barile in der Provinz Potenza”, Mynih 1971, “Il bilinguismo nelle oasi linguistiche albanesi dei Italia meridionale”, Piza 1974; “Sprahreste des albanischen Mundart von villa Badersa in der provinz Pescara, Mynih 1975; “Per una tipologia dell’arberesh,” Palermo 1982; “Albanian Grammar”, Wiesbaden 1984.

Martin Camaj la vepra me vlerë edhe për folklorin shqiptar me studimin rreth një këngë kushtuar Skenderbeut, “Edu ital-albanischen-Lied aus dem Skanderbeg Zyklus” Mynih 1970; me vëllimin tregime popullore, “Rocconto popolari di Greci e di Barile” 1972, dhe sidomos me vëllimin me përralla shqiptare, “Albanischen Märden” Dyseldorf më 1974.

Pra, gjithë kjo pasuri e rrallë kulture, fshihej e mbahej në heshje gjatë gjithë kohës së diktaturës komuniste.

 

Kthimi  i veprës  letrare në Atdhe.

 

Në mars 1992, nga Lenggries, një javë para se të ndahej nga jeta, Martin Camaj gazmor për rikthimin e demokracisë, do të dërgonte një mesazh të përzemërt: “Të dashun miq e vëllazën Shqiptarë, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë që keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për nji gjysmë shekulli, unë jami jueji dhe ju jeni të mijt.” Në letrën e bashkëshortes, Erika Camaj, 1 dhjetor 1996, ndër të tjera lexohet: “…Kam kënaqësi të falenderoj me këtë rast Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, që me dekretin  e datës 25. 5. 1996  përfshiu në programin e saj dhe mori përsipër financimin  e veprës letrare të Martin Camajt…”

Më së fundi  vepra letrare e Martin Camaj doli në dritë  më 1996  në Tiranë  me pesë vëllime. Mbulesat e saj në ngjyrë gri e të zezë, ndoshta ishin diçka si përzitje për poetin e munguar. Në të ardhmen pritej, botimi më i plotë në nëntë vëllime, i  këtij  poeti  të lirisë, sigurisht me ngjyrë blu të çelur, por sipas një kronologjie pas vitit 1997 Martin Camaj nuk botohej më në Shqipëri. Nuk dihet as shkaku përse në vitin 1998 çmimi Penda e Artë, i miratuar nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve, u tërhoq befasisht një ditë para mbledhjes solemne.  Gjithësesi po atë vit botohej në Mynih “Palimpsesti”, i përkthyer në gjermanisht nga albanalogu prof.Wilfried Fiedler. Një vit më vonë  në Klagenfurt, me titulll “Weibgefiedert wie ein Rabe”, del në gjermanisht vëllimi “Njeriu më vete e me të tjerë,” përkthyer nga Hans- Joachim Lanksch. Në vitin 2000  në Pejë, botohet  më i plotë vëllimi ‘’Lirika”  me poezi, redaktuar nga Rexhep Smajli.

Shumica e kritikëve të sotëm bashkohen në një mendim, se  Camaj  megjithëse nuk botoi  shumë, ai u bë i njohur me trajtimin e çështjeve të  artit e shkencës; punoi me përkushtim, pa harruar vendin e të  parëve, në kohë e hapësirë si një intelektual me ndjenja fisnike, me nderim e krenari për heronjtë mitik të lashtësisë ilire, pa përbuzur bukurinë e këngëve të trashëguara nga rapsodët tanë. Dhe mbi të gjitha, ai u shqua  me larushi gjinish në letërsinë  e gjuhësinë shqiptare. si askush tjetër

Me rastin e një përvjetori të poetit, muzikologu i paharruar Ramadan Sokoli, do të shkruante: “pas katër dhjetëvjeçarësh u zgjuam nga një ankth i lemerishëm dhe u ça akullnaja e heshtjes që pat rrethuar shumë autorë shqiptarë, po shtohet dita-ditës kureshtja jonë për veprat e tyre, të botuara në mërgim e të ndaluara këtu prej asaj zgjedhe që na ndau nga bota e na ndryni si në varr, për së gjalli, duke dëmtuar rëndë artin, kulturën dhe përparimin tonë. Vallë, cili popull i qytetëruar mund të ketë tradita aq të pasura, t’i gjymtojë e t’i mohojë pa keqardhje siç ndodhi këtu te ne? Kush mund t’i flakte vlerat e dala nga gjiri i popullit tonë përveç një mendësie dogmatike të çmendur?”

 

Disa nga krijimet e Martin Camajt.

 

GJAKMARRJA

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë  nuk lòt.

Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mal e vrrî.

 

 

NJI POETI TË SOTËM

Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme
të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
por për rrasa guri e ballë njerzorë
me rrudha shum e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,

zemra
ndonëse nën shtatë lëkura
akull,

akull
ndonëse nën shtatë lëkura.

 

MOTIV I VJETËR NË KTHIM

Shtatë vasha u çuen peshë
kur ngjyra e korbit fluturoi
përmbi shtyllën e jetës:
sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u çuen peshë
e u turrën vrap me funda
në duer sa qethi mbas korbave
e vetëm me za i tretën si plafa të murmë
nën karmat e vendit tim.

Po s’erdhët ju, vasha,
kur të zbardhen pusat e ujit
në lumë përpara agimit,
ngurzohen edhe duert e foshnjeve
në palaré.

 

DRENI PLAK

Barijtë tradhtisht e lanë shkret bjeshkën
për ngrohësinë e vërrijeve.
Dirgjen shtigjeve tue folë me za të naltë
punë grash e qeshin
me ujin e prronit zhgrehshëm tue u derdhë,
prej pusi në pus.

Dreni plak çoi kryet prej dheut të djegun,
e vrejti gjethin e zverdhun. Mandej
shkoi e u kap me të bijtë për punë
drenushash.

I thyem e la edhe ai bjeshkën e ndoqi
gazin e prronit teposhtë, shigjetë zjarmi
mërgues për vendet e vuta e bar dimni
që kurr nuk ka me e prekë!

Kur e vranë, barijtë i hapën qepallat
e i panë ndër bebza
shum drej tue pi currila uji.

 

VRASJA E POETIT

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

 

ATY SI TASH PARA SE ME ARDHË FISET

Aty si tash para se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.

U zgjove e përgjakun sa herë
e u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
t’lumejve dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.

 

DALLËNDYSHA

Krahët e zez i rrah
mes flokëve të borës
mbi alpe dallëndysha
mërguese e vonueme
për Jug.
Lufton me flatra gjethi
të vjeshtës së vonë
kundra rrymave t’erës
kah qafa ma e naltë.

Çdokush ka dy shtigje para
e dallëndysha nji:
me u ba e bardhë.

 

FORMULË MËNGJIE

Lejthia lejthia lejthia
njimijë ngjyra në këtë dhé
faqja e kuqe e grues së bardhë
me lythin e zi në mollëz
nuk më do nuk më do
e kaptë dhimba e kresë
le të vijë e të thotë:
ma largo ma largo!

Lejthia lejthia lejthia
andrrat e mia andrrat e mia
i lumi unë për ty
më le shteg me folë:

Peni u kuq në rremb
e liga larg trupit tand
shkëndija shkëndija në gurë
zemra i plastë sy-grizhës
shkëndija shkëndija n’unur.

Natë e vetmia plastë
mbi malin e thatë
mbi andrrën e keqe!
Lejthia lejthia lejthia
e liga ndër leqe!

 

SOSJA E VETMISË NË VAPËN E DITËS

Vapa m’zuni te rranxa e qytetit
në shkamb që sos me pallat në maje.
Vetmia shkallave guri ngreh hap mbas hapi
korpin me avull përpjetë
e nuk mbaron kurr.

Qentë mbas dyerve gërvishtin drunin
e ciasin për t’i lirue dikush kërcllatjesh
telash të ndryshkun në shtrat.
Në mende të pangjashme përlyhen
linjat e ndeme për m’u terë n’ballkone
kryq e tërthoraz.

Shì në maje, te pallati i lashtë,
vetoi ndër rreze faculeta e bardhë
në krye të saj
e krisi nji hap grueje n’shkamb
me jehonë në parzmin tim.

 

MBAS KRYQËZIMIT TË ZOGJVE

Erret nata e fundit e dashunisë
nisë si për lojë:
ai ec në shputa të larme
shpendësh dimnues në Veri
nëpër banesën shum-dritaresh.
Zogëza mat trollin me kambë të zeza
para se me u nisë për Jug:

zanet e jashtme të botës ushtojnë
dhe rruga asht e ndame dyshë,
gjysma akull e gjysma diell.

 

TRAJTA

Petk i endun prej nji dore
fund e krye, trajta,
e kandshme për sy e veshë.
Trajtë e thjeshtë e lindun
ndër mundime prej guri,
e përshkueme shtigjesh të parrahuna
me kambë ose patkoj.

Pendël e lehtë në dukje
po e randë hekur në peshë,
tingull ose ngjyrë
e kthjellët deri në dritë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *