Kohë më parë ndodhen zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi në të cilat muarën pjesë edhe katër lista shqiptare. Që në fillim duhet thënë, pak si tepër, duke pasur parasyshë numrin e shqiptarëve në këtë mikro shtet ballkanik, gjë që ishte fatale për numrin e përfaqësusve të fituar. Në vend të tre të mundshmëve, vetem dy. Po ashtu, që në fillim duhet thënë së gishtat e vetë në këtë qull i përzien edhe disa individë që pretendojnë të paraqiten si përfaqësues të diasporës shqiptare, edhe pse ata në fakt nuk janë. Si një student malësor në shtetin e New York-ut, por edhe si pjesë e disaporës shqipetare në SHBA nuk po mund të hesht e të mos shkruaj disa fjali mbi këto zgjedhje dhe ndikimin e tyre mbi pozitën e asaj toke nënë, që e quajtën Malësi. Kjo që del si pasojë e këtyre zgjedhjeve legjitimon mendimin se sot në Malin e Zi ushtrohet ligji Jim Crow (diskriminim që mbështetet në ligje) kurse prezenca e shqiptarëve brenda sistemit, në sytë e ndërkombëtarëve, vetëm e legjtimonë atë sepse e paraqet situatën me të mirë se çështë. Pra, këto zgjedhje treguan te vërtetën mbi këtë diskriminim, por dëshmuan edhe ndihmesën që disa shqiptarë po ia bëjnë të njëjtit. Po t’u kishte thënë dikush se diaspora mund të ndikojë në zgjedhje, me siguri se do të kishit dyshuar. Por ja që keto zgjedhje parlamentare na japin një pjatë plotë me fakte se diaspora ka ndikuar, madje në shumicen e rasteve negativisht. Normalisht se këtu nuk duhet perfshi e gjithë diaspora, por vetem ata persona, nji numër i vogel, te cilet tentuan të “zgjedhin” deputetin, të preferuarin e tyre edhe pse e kishin të qartë se, falë ligjit diskriminues, një gjë e tillë është e paarritshme. Të dashur, duhet te kuptojmë qe vota eshte e shenjte, eshte mjeti me i fortë në sistemin demokratik, prandaj përzierja e tillë direkte në vendimarrjen e pothuaj secilit votues malësor, është e papranueshme. Me influencen e ketyre personave natyrisht se nuk u prodhua deputeti, këtë ata e dinin paraprakisht, por me djegjen e atyre 200 e ca votave ata ndoshta e arritën qëllimin e vet, djegjen e një deputeti tjetër. Paraqitja e këtyre të vetshpallurve “përfaqësues të diasporës” në media, lenë përshtypje sikur ata e dashkan Malësinë më tepër se populli i cili jeton atje. Vellezër, nuk mundeni ju ta doni më shumë Malesinë se ata që jetojnë e vepronjnë atje, se ata që kanë lindur dhe rritë femijet atje. Me siguri malli është më i madh te të gjithë ne që jetojmë jasht vendlindjes, por ajo nuk na jep të drejtë që ne t’u zgjedhim përfaqësuesit e tyre, sepse jo vetem se nuk do të arrijmë dot, por dëmi është i pakëpërcyeshëm. Kështu kishte ndodhur edhe në zgjedhjet e fundit, kur me ndikimin e disa individëve nga dispora, pothuaj të të njëjtëve, njerëzit në Malësi edhe ishin keq mes vedi, pastaj më vonë u bë vështirë që të mirreshin vesh. E ne jetojmë ketu, kurse ata jetojnë atje dhe duhet t’i ndihmojmë që të jenë së bashku, si zgjedhje më e mirë, e jo të kundërtën. Pra, interesimi ynë për atë vend dhe malli që kemi për të, nuk guxon tu jap të drejtë ca personave të kontrollojnë me jeten dhe te vendosin për politiken e atyre atje. Nartyrisht se nuk dua të krahasoj SHBA me Malësinë tonë, sepse është një gjë e pa krahasueshme, por nga praktika amerikane mund të nxjerrim një mesim. Natyrisht jo vetëm një, por këtë herë për zgjedhjet! Në Amerikë jetojnë rreth 300 milionë qytetarë të regjistruar dhe, në shumicën e rasteve, në zgjedhje dalin vetëm dy parti, kurse në anën tjetër në Malësi me diçka mbi 6 mi votuesë të regjistruar, ka 6 parti apo subjekte të tjera shqiptare dhe 3 joshqiptar, por që të gjitha i ndajnë ato pak vota. Kjo për mua, si student i drejtesisë, flet shum. Mbi të gjitha, më flet se deri te ky copëzim vihet për interesa personale të liderëve, pasiqë shumica e politikanëve lokal kërkon vetëm postin per vete dhe nuk e shikojnë interesin e popullit, por ajo s’do të thotë se ne duhet tua bëjmë përzgjedhjen midis tyre, të rreshtohemi pas njërit apo tjetrit, e për aq më pak të ndikojmë në keqësimin e raporteve midis tyre. Derisa në Amerikë genjeshtra mund ta shëmbin një kanditat apo edhe një president, si ne rastin e Nixonit apo Carterit, atje genjeshtrat sigurojnë votën dhe ajo nganjëherë po ndihmohet prej këndej, pra nga njerëz që e kanë të njohur realitetin amerikan. Kështu, një vend që e thërrasim nane, një vend ku të gjith jemi te një gjaku, ne vend qe te ndihmojmë e ruajmë njeri tjetrin, te luftojmë per te drejtat tona të përbashkëta, edhe prej këndej, spontanisht po ndihmojmë sindromin Jim Crown në Malin e Zi. Rezultati i gjithë kesaj do të na kushtoj shumë. Kjo do t’i ndihmojë pushtetit që të na asimiloj me shpejtë. Si një i ri që e dëshiron të ardhmen e vet në atë vend, mbetem me shpresë së nuk do t’ia arrijnë qëllimit.
Dhe në fund: Jam i vetdishëm se do të ketë të tillë që këtë shkrim do ta shohin si të pa vlerë, e madje duke qenë bir i personit që merret me veprimtari publike (për ata që e dinë) do të ketë edhe të till që do të bien në pyetje autorsinë e këtij shkrimi. Por, edhe pse u rrita dhe u edukove si biri i një personi (në shkollë isha i biri i filanit, sidomos kur më dënonin) e jo me emrin që kam, pra isha nën hijen e një emri publik, kjo nuk më bën që të hesht dhe të fsheh mendimet e mia. Përkundrazi, edukata e tillë më ka armatosur me bindje se nuk duhen hesht gjërat. Ndoshta ato nuk mund të ndryshohen me fjalë, por për aq më pak me heshtje. E gjithë kjo më bën që sot, si 20 vjeçar që studion ne New York, më lirshëm të marr guximin të shprehi mendimin dhe bindjet e mia.