Drita që la pas për ne Ali Podrimja

( Mbresa rreth poezisë e takimeve me poetin )

Shkruar nga Raimonda MOISIU

“Njeriu nuk duhet të jetë vetëm human.Ai sigurisht duhet të jetë i urtë e i ditur”(Konfuci).

Ndjeja trysninë ndjesore dhe emocionale, krejt të vecantë mes përjetimeve konkrete, origjinale, simbolikën e tyre në atë shprehje dhe bëja analogjinë me potretin e poetit Ali Podrimja. . Ishte hera e dytë që takoheshim brenda asaj pranvere të bukur, dhe për më tepër në disa javë. Herën e parë u takuam në Pejë, në “Takimet Letrare të Azem Shkrelit.” Ashtu me atë shtatin e tij mesatar, qëndronte ulur pranë me poeteshën e pikturisten e shquar kosovare Miradije Ramiqi, në sallën e teatrit “Istref Begolli” të Pejës, dhe ndiqte me interes e vëmendje cdo varg që recitohej nga poetë të vjetër e të rinj që cfaqeshin në skenën e teatrit. Po atë Podrimje human, i urtë, i heshtur, paqësor, i mëncmë, modest, plot dije e vargje pambarim, e pashë të ulur në një nga tavolinat e tarracës së restorant “Sejko” buzë Jonit, në “Ditët poetike Joniane”Sarandë. Meditonte poeti teksa binte muzgu dhe dita ngrysej,mes thjeshtësisë së shpirtit, madhështisë së vetmisë, ëmbëlsisë dhe etjes për jetën,rebel i heshtur dhe ngjyrimeve të vdekjes, që poeti e dinte fare mirë – fenomene jetësore e njerëzore që munden të shpëtojnëë vetëm përmes artit. Në të gjitha këto e tërhiqte tradita se si ajo përqëndrohet vetëm në atë moment kur fjalët e poetit fillojnë të jetojnë pas vdekjes së tij. Podrimja e kuptonte këtë proces të jetës pas poetik, proces që ndodh krejtësisht brenda historisë.Gjiithkush vazhdon të kujtojë fjalët e poetit , të jetojë në botën e të kaluarës, se ajo ndodh edhe në të tashmen. Dhe kështu mënyra e vetme për poetin është të nderojë të vdekurit, të shkruajë poezi në lidhje me të tashmen. Podrimja bisedonte me Kosovën e tij që e deshi aq shumë: Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,/balli dhe emri im i shkelur,Zgjohu, Kosovë!…/Sonte vetëm mbeta e në derë të oborrit askush s’po më troket,/askush më, thua vdekur jam e harruar,/Në këto troje e suka gjaku./Thua më është shkrimbur hisja/e mbyllur dera e konakut…../Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit timt`pëlcitur./Bota në ty le të kallet! Poeti Ali Podrimja ishte idealist, besonte në idealin e lirisë. Podrimja ishte patriot, dhe më forcën e idealit dhe dashurisë për atdheun, dinte shumë mirë ta ndante politikën nga krijimtaria e tij letraro-artistike. Podrimja e dinte shumë mirë se shkrimtari apo artisti duhet të kapërcejë politkën, për të fituar lirinë dhe mendimin e pavarur.Shkrimtarët nuk janë partizanë të politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror.Një shkrimtar mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar.Shkrimtari duhet të jetë vetvetja , brenda brishtësisë së individualitetit të tij. Podrimja e dinte se gjithkush përballet me kufizime të shumta në shoqëri dhe është zhytur ose në kakofoninë e turmës ose mbizotërohet nga ligjërimi i pushtetit.Kjo është sfidë e frikëshme për të shprehur pikëpamjet e dikujt në rrethana të tilla, një individ konfirmon ekzistencën e tij nëpërmjet një sfide të tillë nga mjedisi i tij.Duke e shikuar nga ky këndvështrim Podrimja e dinte se letërsia nuk është armë për kritikë, por një dëshmi për ekzistencën.Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Podrimja e dinte se letersia, vargjet e tij poetike ishin më reale se historia, e cila është shkruar e shkruhet nën ndikimin e pushtetit politik.Dhe pena e Podrimjes bëri kompromis vetëm me idealin e lirisë, patriotizmit e dashurisë.Podrimja ka një histori të dhimbëshme të poezisë elegjike, vargje të shkruara kur Kosova po kalonte rrethanat e vështira politike të viteve ’60 –të, dhe vdekja e djalit të poetit- Lumit- do të linin gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij, dhe vargjet elegjike më të bukura deri më sot i përmblodhi në veprën “Thirrje”, që janë sonetet – simbol epoke brenda traditës dhe të shtrira përgjatë traditës, në kontekstin e një dialogu të imagjinuar me Lumin, me njerëzit e dashur e të shtrenjtë, me hallet e sakrificat, kalvarin e dhimbjes, që përjetonte Kosova “ Në një natë nga ato netët pagjumë”, martirizimin e kombit nën thirrjen; ”Zgjohu nëna ime e dashur Kosovë! /balli dhe emri im i shkelur,/”

Bisedonte me trojet shqiptare në cdo cep të Ilirisë, me Camerinë , bisedonte me Lum Lumin, bisedonte me të kaluarën, qartësonte të tashmen, i hapte udhë të ardhmes. Podrimja shkruante për pikëllimin e jetës së kësaj bote në familje me një gjuhë të rrallë: “ A thua është dita jote e fundit në spital/do t’i biem deri në fund a thua/edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes./Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë/vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë./Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët./Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.(Poezia Lum Lumi). Kjo është ajo që ai bëri poezi., mishërimi i të vërtetës,rrahjet e zemrës , rebelimi i heshtur brenda tij, dëshmi të shpirtit që tërheqin vëmendjen në vetvete e zëri i poetit triumfoi mbi dhimbjen, dëshpërimin e pikëllimin, -Lumi do të jetojë përgjithmonë në vargjet e tij. Kjo është elegjia, -kompromisi i artit me shpirtin, për një poet të madh! Ali Podrimja ishte qënje njerëzore i përzëmërt, dashamirës i komunikueshëm, me një humor të mprehtë e të hollë, të ruajtura këto në karkterin e penës së tij poetike, për të sfiduar e bashkëvepruar me të, një raport që ai gjithmonë i frymonte dritë për të krijuar me të, -ai ishte njeriu dhe artisti model, konstruktiv e i drejtë, ndaj kritikave të veprave të tjerëve , duke iu inkurajuar ndjekjen e hipotezave alternative, në vecanti ndaj talenteve të reja për poetët e ardhmërisë, i dobishëm për idetë dhe formulimin e tyre të saktë, me një pasuri enciklopedike të forcës së mendimit filozofik, artistik e inteligjent, në varësi të rrethanave.Me një durim të admirueshëm dëgjonte të gjitha llojet e hipotezave alternative poetike, edhe pse mund të ishin jo cilësore, jo artistike, mediokre, nën nivelin mesatar, ai gjente mënyrat për të sugjeruar dhe ndrequr ato, pa i dekurajuar autorët e tyre , por ai vështirë se ndonjëherë këmbënguli që ata t’i bëjnë ato sipas stilit të tij, edhe pse ai e dinte se disa prej tyre ishin kokëfortë për të mos i kuptuar të metat e tyre.Ai mundohej të pasuronte idetë e dikujt , duke iu lënë sa më shumë hapësirë për të kuptuar vetveten. Udhëtimet ishin synimi i tij objektiv, ishte shumë e vështirë për poetin të qëndronte në të njëjtin vend , ai solidarizohej në xhunglën e halleve dhe melankolisë mbytëse, heshtjes së trishtë e gëzimit të plogët, pasionit e dëshirës së pazakontë mes vargjeve dhe muzikalitetit, serenitetin, liriken dhe përjetimin nga motivi i sinfonisë emocionale që ato mëshironin në një strukturë harmonike. Vargu i Podrimjes ishte vazhdimisht në progres; rivalizonte , për të qënë i barasvlershëm me realitetin brenda veprës lirike –baladike që do të vazhdonte të rridhte në përjetësi, ku cdo varg fiton vlerën , bëhet i kuptueshëm e ndjesor. Një nga gjërat mbresëlënëse në llojin e Podrimes si intelektual e më pas si poet, ai besonte në bashkëjetëesën plotësuese të qasjeve , të konceptuarirt të realitetit e rrethanave, në vlerësimin e tyre me mënyrat më të sofistikuara përkundrejt një kompleksi të vazhdueshëm inferioriteti. Poeti iu kushtonte vëmendjen e duhur , pra nga një temë specifike në atë të përgjithshmen, me të mirat e të metat e përvojave jetësore mes të bukurës e të përditshmes njerëzore. Ai dinte fare mire se cilat aspekte të këtyre alternativave mund të integrohen në harmoninë tërësore , simbolikës së figurave letrare, metaforës , fuqisë shprehëse dhe aftësitë e tij në kërkim të frymëzimit dhe një art poetik të spikatur , të moduluara këto bukur e me artin e të shkruarit në strukturën artistike, lirike, baladike e filozofike, zhbirimin e laibirintheve shpirtërore të ndjenjave të poetit, të ndodhive e dukurive që hasim cdo ditë me dimensionet e tjera të jetës sonë.Teksa bisedonim të dy me Podrimjen në ato ditë të bukura pranvere qershori buzë kaltërsisë së Jonit, apo kur hëngrëm drekën në Greshicën e vogël në kthim, ai më ka prekur shumë me modestinë e tij dhe vëmendjen që tregoi ndaj poezisë sime dhe librit tim me poezi “Lulëkuqja e Egër”, të cilin këmbënguli që t’ia dhuroja , sapo unë mbarova së recituari poezinë time në orën letrare poetike buzë Jonit! Më impresionoi me gatishmërinë, dashamirësinë, ngrohtësinë e fjalëve të tij, enthusiazmin e shijen që i pati lënë poezia ime lirike “…kurthi i mëkatit…”. Kishtë një mënyrë të vecantë stimuluese e të sinqertë si e shprehte enthusiazmin e tij për ide të mira , për të thënë të bukurën e të vërtetën.Edhe këtë cast akoma ndjej ngrohtësinë e dorës së tij në shpatullën time, butësinë e zërit të tij, teksa unë e kolegët e mij, poetët durrsakë Agim Bajrami, Alma Alpina Begaj, Vladimir Muci dhe bashkëshorti i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, -Fitimi- këndonim serenatat korcare. Enthusiazmin e poetit e pashë në fytyrën e tij që dlirësohej , buzëqeshjen e ngrohtë dhe fjalët e tij që kurrë nuk i harroj : “Monda ti nuk je vetëm një poete e talentuar e dashurisë, por ti je edhe një korcare e bukur që këndon serenatat e dashurisë po aq bukur”, dhe më përqafoi. Poeti Ali Podrimja ka qënë dhe mbetet i vecantë për të gjithë ne. Ai bën pjesë në ata emra që janë simbol epoke, që i dhanë tonin dhe ngjyrën letrave shqipe, përmes fjalës së tij artistike, vargjeve elegjike, duke u shëndrruar ; -Patriarku e vragjeve lirike shqiptare! Falenderoj Zotin dhe kohën që më dhanë shansin e bukur historik për ta njohur, takuar e biseduar nga afër më këtë Korife të letrave shqipe. Lajmin se miku e kolegu ynë, poeti i madh i vargjeve lirike shqiptare , Ali Podrimja, kishte humbur në Francë e përjetova dhimbshëm dhe kam shpresuar se do të ketë pasur ndonjë gabim në lajmet. Por kur me sytë e mij pashë homazhet dhe arkivolin të mbuluar me lule, largimi fizikisht i poetit Ali Podrimja nga kjo botë, më ka prekur shumë jo vetëm mua, por ka prekur në mënyrë më të konsideruieshme dhe të dhimvbëshme tërë komunitetin e poetëvë,shkrimtarëve e artistëve, -botën e artit –shpirtërisht, me pënën e vargjet e tij ai do të jetë i pranishëm në mesin tonë për vite e vite, që vijnë e ikin. Trashëgimi e tij intelektuale, letraro-artistike dhe kulturore janë mbresëlënëse dhe drita që la pas për ne poeti i madh i vargjeve lirike shqiptare-Ali PODRIMJA!

Prehu në PAQE, miku im!

Të qoftë dheu i lehtë, mik i shtrenjtë!

I përjetshëm kujtimi e vepra e e tij!

 

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA

Korrik 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *