“Vjehërr amerikane” e autores Albana Melyshi (Lifschin)

Nga Gjon MARKU
“Vjehërr amerikane” e autores Albana Melyshi (Lifschin)
Gazetarja e televizionit shtetëror në pesëmbëdhjetë vite
Albana Melyshi (Lifschin) pasi ka mbaruar fakultetin e gazetarisë pranë Universitetit të Tiranës në vitin 1973 punoj për pesëmbëdhejtë vjet në televizorin shtetëror të Shqipërisë. Prej vitit 1992 ndodhet me banim në Nju Jork(Neë York). Në vitin 2001 u diplomua në universitetin e Nju Jorkut. Aktualisht punon për një zyrë avokatie dhe merret me problemin e emigrantëve.
Është autore e disa librave në poezi dhe prozë si:
* “Kafe Shkodra e Nju Jorkut”, Tregime,1999.
* “Children Of Kosova – Stories of Horror” 1999.
* “Fundjavë në Hillsajd” Tregime dhe novela 2000.
*”Poezi” nën pseudonimin Blerta, Tirana, 2000.
* “Zëra nga larg” antologji e të rinjve në megrim, 2000.
*”Udhëtim në historinë amerikane” 2003, ribotuar 2006.
* “Takim me të papriturën” , Tregime dhe novella, 2006.
* “Yesterday I cut my hair”, Vëllim poetic, 2007.
* “Ura mbi oqean”, tregime 2008.
* “Magjia e një zëri” Tregime dhe novela, 2008.
* “Ka gjithmonë diku”, përmbledhje me poezi, 2010.
* “Vjehërr Amerikane” , novelë, 2010.
Autorja me mjeshtëri e tërheq dhe e mban fort lexuesin nëpër ravën e veprës së saj, duke e familjarizuar me të hap pas hapi, falë stilit, gjuhës së zgjedhur, të rrjedhshme e të figurshme të përdorur. Pasioni i saj buron natyrshëm e mbështetet në një taban të fortë falë shkollimit në degën e gazetarisë, pa lenë kurrsesi menjanë përvojën e jetës së dendur, e të larmishme dhe plot emocione. E kjo së pari vjen ngaqë autorja është poete. Duke qenë një publiciste e afirmuar prej kohësh, Albana Melyshi në qindra faqe të botuara nëpër gazeta të ndryshme, në mijëra fjalë të transmetuara në radio dhe televizion, si edhe në veprat e saj, karakterizohet, nga kapja e nervit jetësor të vëzhgimit dhe nga ai parashtrim i thjeshtë e i vërtetë i gjërave më të zakonshme, që sjell në dritë në krijimtarinë e saj. Ajo është vetvetja në çdo varg e fjalë në çdo rresht e shkronjë.
Natyrisht këtu unë nuk do të ndalem në tërë veprën e saj të gjërë pse kjo do të ishte e pa mundur.
“Vjehërr amerikane” e autores Albana Melyshi ( Lifschin)
Nëse do të ndaleshim posaçërisht në novelën “Vjehërr Amerikane” dalë në qarkullim kohët e fundit, nuk mund të lëmë pa thënë se që në titull vihesh në mendime: e menjëherë shtron pyetjen vetes se çfarë ka dashur të sjellë autorja për lexuesin e gjërë e aq më tepër çfarë i intereson lexuesit një vjehërr amarikane indjane apo kineze qoftë kjo. Por kur e lexon veprën kupton se më se tepërmi kemi të bëjmë me një ballafaqim interesant idesh, mendimesh e realitetesh të ardhura nga dy kampe të ndryshme. Që në momentin e parë ballafaqoheshim me luftën e brendëshme midis asaj që pritet dhe që ndodh në realitet.
Në qendër të kësaj novele është njeriu, me natyrën e tij, me të mirat dhe me komplekset e tij.
Brenda kësaj novele lexuesi prek një tjetër botë, gati të panjohur, dhe pse qasja e parë e autores duket se ka një realitet të prekshëm, një realitet i përditshëm i jetuar me detaje në përditësinë e vet, ku kanë pozicionin e tyre edhe vjehrra me konceptet dhe karakterin e saj apo teze Toti që Zoti si kishte dhënë mundësinë të bëhej nënë por që përkujdesej për gjithçka biles dhe për ditën e fundme të jetës së saj në këtë botë. Autorja duket se qëllimisht nuk e anashkalon veten e saj. Biles ndalet veçmas në luftën e brendëshme midis asaj se si autorja që në rastin konkret duket si përsonazh i vepres së vet e përfytyronte bie fjala ditën e nënës apo ditëlindjen e saj dhe si ajo është në realitet në një vend si Amerika ku ajo ka zgjedhur të jetoj dhe punojë.
Me mënyrën e të shtjelluarit e mbi të gjitha me origjinalitetin e të trajtuarit të detajeve dhe momenteve (si Letër në adresë të vjehrrës, ditëlindja e saj, sekretet e moshës, në shtëpinë e pleqve etj.,) autorja ka arritur të shkruajë një vepër autentike për nga stili, të qartë dhe të këndshme gjatë leximit, në një kohë që me mjeshtëri ka shmangur gjithçka të panevojshme. Kështu vepra përshkohet nga, ngrohtësia, sinqeriteti, por dhe drama e ankthi.
Autorja hulumton vazhdimisht në mënyrën e të shkruarit duke përsosur në maksimum gjuhën e shprehjes artistike.
Nëse novela ka në qendër përshkrimin dhe sendërtimin e jetës në një realitet si amerika, autorja këtë e gërsheton me jetën e jetuar në kohën e izolimit në vendet BSSS. Ajo e vë përballë realitetin e dy superfuqive të mëdha koncepteve dhe ideve të ardhura nga goja e një krushke ruse dhe në anën tjetër realiteti dhe nënvleftësimi i një gruaje amerikane e cila nuk e kapërdin dhe nuk e përtyp dot atë realitet të lodhshëm që sjell një zonjë ruse.
Duket sikur brenda pështjellimeve të pandërprera që ndodhin në qenien e personazhit kryesor, nëse mund të merret si i tillë vetë autorja, kemi herë-herë dhe daljen e saj jashtë vetvetes, e kjo më së shumti bie në sy ditën e ditëlindjes së saj gjithnjë në funksion të zbërthimit të karakterit.
E po në funksion të kësaj ajo sjell edhe një realitet tjetër interesin e kthyer në forcë dominuese të një pjese të personazheve të saj.
Ku kemi personazhe kompleksi i cili jeton botën e vet, që sakrifikon për jetën e tyre e që duan të përfitojnë nga pasuria e të tjerëve dhe pse në jetën reale kanë pasur një ftohtësi dhe s’kanë dashur t’ja dinë se si kanë jetuar e si kanë vdekur të afërmit e tyre por që nuk ka të njëjtën mungesë interesi pasuria e lënë prej tyre.
Kur e lexon këtë libër, me mbrujtje filozofike, vëren se autorja ka forcën e logjikës së antitezës. Para teje shfaqet një botë e tërë ku bashkëjetojnë lufta për ekzistencë, idealizmi, kundërshtia, ankthi, përpëlitjet dhe kacafytjet gjithfarëshe po ku megjithatë ndihet progresi. Autorja në të gjithë përmasën e novelës së saj i jep shpirt gjithçkaje që prek dhe trajton, dhe kësisoj natyrshëm rrëmbehesh e bëhesh pjesë e një jete të vrullshme, por dhe e zhgënjimit të këtyre njerëzve që trokasin në portë dhe pyesin se kujt ja la pasurinë pa pyetur se si vdiç dhe si u varros.
Pikërisht atëhere kur kujton se autori e ka thënë edhe fjalën e saj të fundit dhe nuk ka se çfarë të thotë më në lidhje me kuadrin që ajo është duke shtjelluar, befas zbulon hapësira të tjera të parrokura, zbulon diçka të re të pa thënë, por të domosdoshme. Kështu personazhet e novelës “Vjehër Amerikane” në fakt nuk udhëhiqen nga një i vetëm dhe kështu nuk kemi në thelb një personazh kryesor si bije fjala vjehrra apo autorja e cila e trajton veprën e vet në vetën e parë por disa personazhe, ku secili në vetëvete përbën një karakter të caktuar funksional, i gërshetuar natyrshëm me personazhet e tjera të librit.
Autorja ka mundur të mbajë në një lidhje unike lëndën e librit të saj dhe ta sjellë si një të tërë veprën e vet letrare, me nivel artistik të lakmueshëm ku me një gjuhën e zgjedhur, jepet dinamika e jetës jo vetëm në Amerikë por shpesh e ballafaquar me jetën në lindje. Pasi e ke lexuar veprën të bije në sy aftësia e pazakontë për t’u nëntekstuar kundërshtitë e brendshme, krahas shpalosjes së vizioneve të reja.
Në këtë novelë mund të thuhet se, me të thënat e të nënkuptuarat, në mënyrë shënjuese artistike, gjendet e shtjelluar jeta shqiptare e djeshme apo më mirë ajo e lindjes, parë në optikën e sotme e mbi të gjitha e ballafaquar me realitetin amerikan si një botë dhe mendësi tjetër. Ku vjen si produkt dhe mjedisi social nga vijmë, ku shpirti i njeriut mbart vuajtjet dhe mundimet e një jete që s’e shmangim dot…
Lexuesi i vëmendshëm, në këtë novelë me stil vetjak e frazë të ngjeshur gjen të ngërthyera kohë të ndryshme madje dhe mendësi të ndryshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *