Washington, u zhvillua ceremonia e përkujtimit të Viktimave të Komunizmit

Nga Washington D.C, Beqir SINA

 

Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld u nderua me “Medaljen e Lirisë Truman-Reagan” gjatë një ceremonie që u zhvillua në para Memorialit të Viktimave të Komunizmit në Capitol Hill

 

Washington, DC – Për të përkujtuar 100 milionë viktimat të masakruar nga, Kim Jong Il, Mao Ce Duni, Josif Stalini, Fidel Kastro, Enver Hoxha, Robert Mugabe,Teodoro Obiang Nguema, Çaushesku, Jaruzelvski, e të tjerë, dhe si për të kujtuar të gjithë ata që u përndoqën politikisht, gjatë sundimit komunist, jo shumë larg Capitoll Hill – është ngritur një statujë bronxi tre metra e lartë në qendër të kryeqytetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Washington, DC.
Fondacioni Memorial i Viktimave të KOMUNIZMIT është themeluar nga një Akt i Kongresit me qëllim të ndërtimit të një memoriali në qendër të Uashingtonit për të përkujtuar më shumë se 100 milion viktimave të komunizmit, nën kujdesin personal të ish Presidentit Georg W. Bush më 12 qershor, 2007.
Lee Edwards, është Kryetari i Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, i cili ka deklaruar se ngritja e këtij Fondacioni dhe e Permendores së Memorialit të Viktimave të KOMUNIZMIT është fruti i mbështetjes nga anëtarët e Kongresit dhe të trupit diplomatik . Më shumë se dhjetra vende nga kombet dhe popujt e botës kanë qenë të përfaqësuar gjatë ngjarjeve të kaluara vjetore, në nderim dhe përkujtimoret që janë organizuar në 12 Qershor të më shumë se 100 milion viktimave të komunizmit.
Në Washington, më shumë se njëqind vetë u mblodhën dje për të përkujtuar 5-vjetorin e ngritjes së përmendores kushtuar viktimave të komunizmit. Në ceremoni u fol edhe për Shqipërinë, si vendi që përjetoi një ndër regjimet më të egra komuniste në botë. Disa ish të burgosur politikë dhe anëtarë të familjeve të presekutuara gjatë regjimit komunist, bënë thirrje që shoqëria dhe politikanët shqiptarë të tregojnë më tepër ndjeshmëri ndaj viktimave të komunizmit.

Ambasadorët dhe diplomatët nga vendet ish-komuniste, erdhën në këtë ceremoni së bashku me disa nga udhëheqësit e amerikan, grupe të ndryshme politike anti komuniste, përfaqësues (të arratisur) nga disa prej vendeve ende-komuniste si Kuba, Kina, Vietnami, Koreja e Veriut dhe Tibeti, aktivistë dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut, dhe vendosën kurora me lule . Ata ndoqën në fund të ceremonisë një dokumentarë me titull “Gulagët”, me një forum të vogël që u zhvillua në mjediset ndërtesës Fondacionin Heritage, ku u fol për nevojën e edukimit të të rinjve me mësimet që duhen nxjerrë nga kjo pjesë e historisë totalitare.

Në këtë ceremoni ish sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld ka marrë Medaljen e Lirisë Truman-Reagan, dorëzuar nga vetë Presidenti i këtij Fondacioni Lee Edwards me motivacionin për “përkushtimin e tij ndaj kombit Amerikan, për kundërshtimin e tij gjatë gjithë jetës ndaj komunizmit, dhe për angazhimin e tij të madh për lirinë dhe demokracinë në botë”.

Pas marrjes së medaljes, Rumsfeld në emër të SHBA, së bashku me Ish-ambasadoren amerikane në Estoni, diplomaten Aldona Wos, e cila ofrojë historin e familjes së saj – si një ndër viktimat e komunizmit, vendosi një kurorë e para bazamentit të Statujës “Perëndeshë e Lirisë”.

Pas kurorës së ish zyrtarve të lartë amerikane, ishte një procesion i gjatë, me vendosjen e kurorave me lule nga përfaqësues të vendeve që kanë vuajtur nën komunizëm, nga e kaluara e tyre dhe e tashmja, dhe organizatave që punojnë për të luftuar komunizmin në botë. Ish të përndjekur politikë të Evropës Lindore të Azisë Qendrore, Amerikës së Jugut, Afrikës, dhe të tjerë, u mblodhën për të kujtuar së bashku viktimat e komunizmit nga e gjithë bota.

Një kurorë me lule të freskëta – në emër të të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri, vendosën në këtë ceremoni, edhe Ambasada e R.Shqipërisë si dhe Organizata “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro – Amerkiane”, me qendër në Washington
Në mesin e të pranishëmve në ceremoninë e pesëvjetorit kishte ardhur dhe një grup veprimtarësh të komunitetit shqiptarë:Luan Isufi, Mustafa Xhepa, Grigor Nosi, Agim Aliçka, Zef Balaj, Prelë Dedaj, dhe Presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane Joseph J. DioGuardi dhe Shirli Cloyes DioGuardi- Këshilltare e Çështjeve Ballkanike.
Disa ish të burgosur politikë nga Shqipëria, kishin udhëtuar nga New Yorku dhe New Jersey; Rajmond Sejko, i lindur në Tiranë, i internuar dhe i burgosur politik, i biri i Teme Sejkos, i pushkatuar; nëna e tij gjithashtu është vrarë, vëllai gjithashtu është pushkatuar nga komunizmi; dy xhaxhallarë po ashtu janë pushkatuar dhe Pëllumb Lamaj, i cili ka vuajtur 12 vjet në burgun famëkeq të Spaçit, ish i burgosuri politik i cili qysh në moshën më të re, 19 vjeçare, do të provonte vuajtjet e tmerrshme të burgjeve politike të Enver Hoxhës në atë kohë.
Medalja e Lirisë Truman-Reagan nga Fondacioni i Memorialit i viktimave të komunizmit të cilën kësaj radhe iu dorëzua ish Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld – është dhënë për individët të cilët janë dalluar në kundërshtimin që i kanë bër ata, komunizmit dhe tiranisë. Familja Lantosh përkatësisht e veja Annette, e pati pranuar katër vejt më parë këtë medalje në vitin 2008, në emër të burrit të saj, të ndjerit Kongresistë Tom Lantos. Marrësit të tjera të mëparshme të kësaj medalje, prestigjoze, kan qenë edhe lideri historik polak Lech Valesa, ai çek Vaslav Havel, Elena Bonner, Papa Gjon Pali II, William F. Buckley Jr, senatorin Henry “Scoop” Xhekson, senatori i ndjerë Jesse Helms, senatori Joseph Lieberman dhe Kryetari i grupit parlamentar të pakicës në Senat, Steny Hoyer.
Folësi kryesor ishte Annette Lantosh, e veja e Tom Lantos. Zonja Lantosh sulmoi komunizmin si “një ideologji që mund të mbahet vetëm me anë të frikës, frikësimet dhe indoktrinimit si dhe hiporkizisë , duke shtuar se Komunizmi i shkatërroi gjithëçka atyre njerëzve që dëshironin demokracinë dhe lirinë, ai u shkatërroi atyre njerëzve edhe shpirtin.”
“Unë mendoj se ne të gjithë që kemi jetuar në një shoqëri si komunizmi e dimë mirë se ai sistem nuk kishte prosperitet, ai nuk ishte në dispozicion për të gjithë, dhe se pabarazia e madhe dukej në varfëri, uri, dhe marrjen e pasurisë tha ajo. “Por, idealet e këtij sistemi të pafe e qeverisë krejtësisht – me angazhimin komunist për të privuar njerëzit nga ajo që është më e vlefshme, dhe e vetmja gjë që është e natyrshme, demokracia jonë: liria jonë e mendimit, e veprimit, e besimit, dhe të zgjedhjes. ”
Ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, i tha Zërit të Amerikës se kjo është një luftë që vazhdon: “Më ka lënë përshtypje puna që është bërë për t’u kujtuar njerëzve tragjedinë e tmerrshme njerëzore që shkaktoi komunizmi kudo në botë gjatë dekadave. Ka rëndësi që njerëzve t’u kujtohet kjo dhe jam i kënaqur që ndodhem këtu.
Ndërkohë, që gazetës Bota Sot në pyetjen ” Si e kujton ai regjimin komunist në Shqipëri? ai i tha se :” Unë kam qenë për një kohë të gjatë në shumë prej këtyre vendeve komuniste, kur kam qenë ambasador për NATO-n gjatë viteve 1970. Mbaj mend që ato regjime ishin të fortë, të egër, dhe të vendosur që të përjetësojnë veten në ideologjinë e tyre. Shqiptarët, tha ai kanë një dëshirë të zjarrtë e të natyrshme për të qenë të lirë. Ne kemi parë në të gjithë botën të gjithë regjimet komuniste se si kan rënë një nga një dhe njerëzit arritën të gjejnë mënyra për të jetuar me sistemet e lira demokratike, sistemet e lira politike dhe sistemet e lirë ekonomike në dobi të tyre, përfshirë Shqipërinë”.

Në fjalimin e tij në ceremoni, zoti Rumsfeld tha se tani është e qartë se çfarë i shkaktoi ideologjia totalitare njerëzimit:Komunizmi është përgjegjës për vdekjen e më shumë qënieve njerëzore se çdo lëvizje tjetër në historinë e njerëzimit.

“Ne nuk duhet të harrojmë miliona njerëz rreth globit që janë ende preh e tiranisë, ende në sundimin komunist por që shpresojn, dhe ende në kërkim për ne”, tha Rumsfeld gjatë fjalës së tij pas marrjes medaljes. “Mund që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë gjithmonë një fener i dritës në botë dhe mund të jemi të bekuar me udhëheqësit tanë që e kuptojnë atë dhe që e vlerësojnë atë.”
Tre folës të tjerë në këtë ceremoni të përvjetëshme, folën mbi të keqen e komunizmit, traumat, si në kaluarën dhe tek tashmja, e të miliona njerëzve të përvuajtur nga komunizmi.

Anhthu Lu, një anëtare kjo e Bordit të viktimave të komunizmit Memorial Foundation, e cila u arratis prej regjimit brutal komunist të vendit të saj, si një nga pjestaret e të ashtuquajturës ” Vietnamese Boat People”, foli për përvojën e saj të fëmijërisë dhe të dhjetra e mijërave bashkëvujtësve të saj të cilët humbën jetën duke u përpjekur për të shpëtuar nga deti. Lu gjithashtu prezantojë një ekspozitë të veçantë në pavionet e muzeumit Memorial of Victims of Communism duke e akuzuar me prova të rënda atë regjim.

Më pasë zonja Reggie Littlejohn, themeluese dhe presidente e të Drejtave të Oraganizatës së Grave “Rights Without Frontiers, ” foli në lidhje me luftërat e vazhdueshme kundër shtypjes komuniste në Kinë.
Joseph DioGuardi, ish kongresisti New Yorkut, ish kandidati për në Senatin amerikan, i cili është njëkohësisht dhe Presidenti dhe themelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, lobit të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, ka qenë për shumë vite ka qenë zëri dhe avokati i shqiptarëve në Washington, foli në lidhje me vuajtjet e shqiptarëve gjatë një nga diktaturat më të egra komuniste të botës, atë që hoqën shqiptarët nga Enver Hoxha dhe regjimi i tij dhe për atë se çfarë kaluan shqiptarët nën sundimin sllavo – komunistë të Titos dhe Millosheviqit.
“Unë dua të falënderoj udhëheqësit e Fondacionit të Memorialit të Viktimave të Komunizmit tha ish kongresmeni republikan i New Yorkut, Joseph DioGuardi, veçanërisht, Dr Lee Edwards dhe Ed Priola, në emër të të gjithë shqiptarëve, atyre që duan lirinë e njerëzve kudo, atyre që kanë ardhur për të përkujtuar viktimat e komunizmit.

Unë gjithashtu dua të falenderoj mikun tim të mirë Kongresmeni Dana Rohrabacher, i cili ka mbështetur këtë memorial që nga fillimi, së bashku me Tom Lantosh. Gruan time, Shirley Cloyes, një studiuese njohur e Çështjeve të Ballkanit, e cila ka shkruar një artikull kushtuar kësaj ngjarje “Mohimi i Kujtesës: Është koha që Shqipëria të përballet me të kaluarën e saj komuniste.”
Më lejoni gjithashtu të paraqesë Pëllumb Lamajn dhe Rajmond Sejko,, tha DioGuardi të mbijetuarit që kaluan vite në një nga burgjet më brutale në Shqipërinë Komuniste, i quajtur Spaçi.
“Annette Lantosh, njëzet e dy vjet më parë, burri i saj Tom Lantos, dhe unë kemi qenë zyrtarët e parë amerikanë në pesëdhjetë vjet për të hyrë në shtetin e Shqipërisë,theksoi DioGuardi, atëherë ende nën bagazhin e komunizmit. Ne shkuam në Shqipërinë komuniste, me një mesazh të fortë, pasi kaluam kufirin nga Kosova, e cila ishte nën okupimin brutal të regjimit komunist serb. Ne i tham diktatorit komunist në atë kohë Ramiz Alias, se Muri i Berlinit ishte rrëzuar në tetor (1989), dhe se ishte koha e Shqipërisë për të shemb perden e hekurt Komuniste që ende e ndante Shqipërinë dhe popullin shqiptar nga demokracia, me Evropën, dhe pjesën tjetër të botës .

“Qëllimi i Enver Hoxhës, ceku në fjalën e tij DioGuardi, ishte që të vriste shpirtin liridashës të popullit shqiptar dhe për të shkatërruar shpirtin e tyre, për ndërtimin e një shteti totalitar nën sundimin e Partisë së tij Komuniste. Regjimi i Hoxhës, sipas DioGuardit, ishte për të futur terror në çdo familje me anë të frikës së të huajve, nga frika e autoritetit, madje edhe frika e tradhtisë nga familja, miqtë dhe fqinjët, nga ata që kërkoninë favorin e e tyre me zyrtarët komunistë. Regjimi i Hoxhës krijoi një mungesë çnjerëzor të besimit në të gjithë dhe gjithçka. Sa që bashkëshortët nuk mund të besonin gratë e tyre, prindërit fëmijët e tyre, dhe vëllezërit e motrat njëri-tjetrin, duke thyer nderin e lashtë shqiptare dhe kodin besimit e të BESËS,”
Në emër të viktimave të komunizmit në Shqipëri, Z. Ambasador (Ambasadori i Shqipërisë në Washington, Gilbert Galanxhi), unë jam këtu tha Joseph DioGuardi, ish kongresisti New Yorkut, ish kandidati për në Senatin amerikan, i cili është njëkohësisht dhe Presidenti dhe themelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, për të apeluar në qeverinë tuaj për të sjellë demokracinë e vërtetë në Shqipëri, për të kërkuar falje zyrtarisht për viktimat e komunizmit dhe familjet e tyre, dhe për të ngritur një komision të së vërtetës dhe pajtimit, dhe në fund për të hapur arkivat komuniste për të gjithë dhe për t’i parë ato, në mënyrë që në Shqipëri të fillojë një proces i gjatë, i cili do të shërojë plagët dhe do të rivendosë besimin në qeveri dhe udhëheqësve të saj.

Më pasë DioGuardi, kujtojë se edhe gruaja e tij – Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare e Çështjeve Ballkanike Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, shkroi një artikullin në tetor 2011, me titull “Rënia e zgjatur e komunizmit ne Shqipëri”: ku thuhej se “Ajo kishte ardhur në përfundim kohët e fundit se gabimi më i madh në Shqipërinë post-komuniste ishte se kriminelët e kohës së Hoxhës, nuk u sollën në gjyq dhe se vendi nuk krijoi një komision të nxjerrjes së vërtetës dhe pajtimit ….

“Varrosja e së kaluarës komuniste shqiptare, sipas tij nuk ka sjellë as drejtësi as shërim e plagëve të atyre që pësuan. Nëse ndonjë gjë ka ndryshuar pak, shprehet ai ajo ka vazhduar vuajtjet e tyre. Kjo më kujton të mbijetuarit hebrejë të Holokaustit, vijojë DioGuardi, duke shtuar se të cilët ishin të detyruar të vuajnë në heshtje për vite me rradhë derisa Izraeli kërkoi që plotësisht të zbulojë trashëgiminë traumatike të nazizmit dhe për të shokuar ndërgjegjen e botës, e nisi me anë të me kapjes dhe gjykimit në vitin 1961 të Adolf Eichmann , një nga arkitektët kryesorë të planit të Hitlerit për të shfarosjen e çifutëve evropiane.

Në Shqipëri, tha DioGuardi unë besoj se ne kemi nevojë për të filluar procesin e shërimit të plagëve të dhimbjes së kaluarës (a kaluara që është shumë e gjallë sot) me marrjen nga qeveria shqiptare si kontabilitetit të plotë sa të jetë e mundur të kohës së Hoxhës. Emrat e atyre që kanë persekutuar, burgosur dhe ekzekutuar gjatë regjimit të Hoxhës duhet të jenë të hapura për si për publikun shqiptar dhe komunitetit ndërkombëtar. ”

 

 

2 thoughts on “Washington, u zhvillua ceremonia e përkujtimit të Viktimave të Komunizmit

  1. Amerika vazhdon të bëj lodra me shqipëtaret.

    NË KËRKIM TË SË Vërtetës

    Ka libra që lexohen me ëndje, në të cilët jeta rrjedh e qetë në larminë e saj të përditëshme, në të cilët lexuesi njëjtësohet me personazhet, ka përshtypjen se ato ngjarje i ka jetuar apo dëgjuar dhe kur arrin në fund ka përtypur në vetvete gjithshka. Ai e mbyll librin, e arkivon atë në kujtesë i bindur se nuk do t’i kthehet më leximit të tij. Ka të tjerë që të mbërthejnë, që nuk i lëshon dot nga dora, mbasi ritmet e leximit janë shumë të larta e ankthi apo kureshtja për vijimin e ngjarjeve, apo përfundimin e tyre marrin një ngarkesë të tillë që, në mbarim të librit, duket se ajo është bërë pjesë përbërëse e vetes. Këta lloj librash nuk mbyllen për të mos u hapur më, tek ata rikthehet sërish lexuesi, mbasi përsiatjet rreth ideve apo ngjarjeve të librit mbeten gjithmonë nxitëse.

    Një libër i tillë është romani “Odiseja e një dedektivi” i shkrimtarit Agim Hamiti. Si nëntitull ai shënon “ngjarje të jetuara”. Ky i jep një karakter të veçantë veprës, që anon më shumë nga dokumentari se sa nga filmi artistik, nëse do të përdornim gjuhën e kinematografisë.

    Romani fillon me kapitullin e parë që titullohet : Spaçi. Është një përshkrim i bukur i mjedisit natyror e njerëzor të një kampi pune të detyruar në Mirditën e gjysmës së dytë të viteve 70. Është kampi ku më 1973 u zhvillua e para kryengritje në një burg komunist shqiptar, edhe se në formën e saj parake. Emri Spaç është binjakëzuar me kryengritjen e majit 1973 dhe me ekzekutimin barbar të tre të dënuarve (Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani e Vangjel Lezho) “Për dy letra adresuar pushtetit qëndror në Tiranë, ku denoncohej veprimtaria antikombëtaree diktatorit Hoxha”. Për revoltën, siç e quan autori, “Çmimi me të cilin u pagua ajo qe tepër i shtrenjtë. Katër të pushkatuar dhe 86 të ridënuar me një shumë të përgjithshme prej 1400 vjet burg (14 shekuj jetë njeriu!)”. E gjithë kjo mynxyrë për tri ditë mosbindje policëve e ngritjen e një flamuri pa yll nga disa pjestarë të një bashkësie njerëzish të dënuar në kundërshtim me të gjitha normat juridike të një ligjëshmërie normale. Madje këtyre u duhet shtuar, për detyrë kronike edhe varja e një qeni, besoj një dukuri e panjohur në gjithë historinë botërore të shtypjes së kryengritjeve….

    Në këtë kamp famëkeq dërgohet për të kryer dënimin prej dhjetë vjetësh për “agjitacion e propagandë” një djalë 31 vjeçar nga Dukati i Vlorës, Sazan Diksi. Jeta e tij, e përshkruar shkurt, na paraqet një stereotip, atë të shumicës dërmuese të bijve të familjeve “të prekura”, t’ashtuquajturit armiq të klasës. Ata rriteshin pa baballarë, sepse këta ishin nën tokë, në burg ose në mërgim. Rriteshin me njëqind sakrifica nga nënat apo gjyshet në kampet e pafund të internimit, në vënde të ndryshme të Shqipërisë. Në më të shumtën e rasteve këta fëmijë ishin të parët e klasës, nxënës t’etur për dije e që mundoheshin të mësonin ndonjë gjuhë të huaj, për t’a zgjeruar atë. Ata i priste kazma që në moshën 16 vjeçare, sepse dyert e universitetit e, ndonjë herë edhe të shkollave të mesme, ishin të mbyllura për to. Kur arrinin moshën i përlante shërbimi ushtarak, pa kapur armë me dorë, në repartet e punës. Ishte preludi i viteve të punës së papaguar që më vonë do të kryenin në burgjet politike. Ata ishin gjithmonë nën vërejtjen e pandërprerë të “ëngjëjve projtës”, “heronjve të heshtur”, kriminelëve të Sigurimit të shtetit, pjesa më parazite e një shoqërie që kishte në themel të saj dhunën dhe varfërinë. Strategjia e tyre e zakonshme synonte një trysni të pashembullt, të gërshetuar me premtime joshëse, për t’u vënë në shërbim të tyre. Kur kjo nuk funksiononte “pinjojtë e klasave të përmbysura” viheshin në listën e arrestimeve, për t’u dënuar e dërguar në kampet e punës së detyruar pa shpërblim, ku ridënoheshin, vriteshin, torturoheshin e, në rastin më të mirë, dilnin të gjymtuar e bëheshin klientë të përhershëm të spitaleve.

    Kështu fillon edhe kalvari i Sazan Diksit. Mbas pesë vitesh qëndrimi në Spaç, ai shpërngulet në Qafë Bari, një tjetër emër kampi, i lidhur me një t’ashtuquajtur kryengritje, shtypja e së cilës, përsa i përket mizorisë së dhunës, shënoi rekorde planetare. Këtu dukatasi fjalëpak u njoh me një gjirokastrit, në frontin e punës së zbrazjes së vagonëve të mineralit. Kolegu i burgosur quhet Hamit Meli dhe vjen nga një përvojë krejt tjetër nga ajo e Sazan Diksit.Hamiti është bir i një partizani të brigadës së parë, një invalid lufte që mban ende në kokë ciflat e predhës, të cilat bëhen shkak i vdekjes së tij të parakohëshme n’operacionin për t’i nxjerrë. Simbas nënës së Hamitit i shoqi “më shumë duhet të ketë vdekur për shkak të brengave, se nga operacioni”. Ai porosiste djemtë që asnjë të mos bëntë shkolla ushtarake e shpesh thonte :”derdhëm gjak për t’i sjellë një mënxyrë këtij populli…”. Ishte njëri nga të shumtit e zhgënjyer nga socializmi i Enver Hoxhës e që dëshmonte jo vetëm objektivitet gjykimi, por edhe ndershmëri karakteri.

    Këto dy veti të çmuara i trashëgonte dhe i biri, Hamiti, që e kishte filluar veprimtarinë në rradhët e DSJ (drejtoria e sigurimit të jashtëm), organi më besnik e më i zgjedhur i diktaturës, që në moshën 19 – vjeçare, si student i vitit të tretë në shkollën e posaçme të kuadrove të saj. Ja si e përshkruan, me pak fjalë, autori i librit parabolën e rrufeshme të karierës së personazhit të tij :

    “ Kishin mjaftuar vetëm tre vjet veprimtarie në DSJ që Meli të shpallej unanimisht si detektivi më i mirë i shërbimit sekret shqiptar. Pas pesë vjetësh emri i tij do të regjistrohej në librin e artë të rekordeve botërore të detektivëve që e kalonin shifrën 100 të misioneve të realizuar me sukses….. . Barra e misioneve të kryer për interesat e diktaturës i rëndonte tashmë në ndërgjegje. Rekordet në shërbim të së keqes përbënin një famë lënduese për të….. Pa i plotësuar të 28 vjetët – moshë në të cilën shumica e detektivëve të botës fillojnë karrierën e tyre – Meli hoqi dorë përfundimisht nga veprimtaria e detektivit…… Gjithshka kishte qenë anormale në karrierën e Melit : fillimi i hershëm, ritmi i lartë i zhvillimit si detektiv cilësor, martesa e ndaluar nga ligji, përfituesit e fruteve të veprimtarisë së tij si detektiv [Inteligjencë Servici britanik], pendesa e thellë e Melit, burgu dhe, sidomos, ofertat e refuzuara në kampin e Qafë-Barit për rifillimin e karrierës së ndërprerë befasisht….”

    Do t’i mjaftonin këto pak fraza lexuesit për të hyrë në botën e mbrendëshme të personazhit e për të kuptuar dramën e tij. Mes Hamitit dhe Sazanit lind një miqësi e fortë, që buron jo vetëm nga prania në të njëjtin ambient të vuajtjes, por edhe nga një këndvështrim i përbashkët i të vërejturit të botës, nga një përceptim pothuaj i njëjtë i problemeve të Vendit të tyre. Kështu veçoritë e jetëve të tyre nga lindja, stilet e ndryshme, prejardhjet jo të njëjta, shkrihen e sheshohen në vetëdijen e përbashkët të të qënit viktima të një diktature, që ka çuar në kasaphanë dhjetra mijra qytetarë e në mjerim një popull të tërë n’emër të idealeve të paqëna. Në bazën e lidhjes së tyre është respekti e besimi i ndërsjelltë. Ky shfaqet më parë tek Hamiti që, në një çast të vështirë për të, i ndërgjegjshëm për rrezikun që i kanoset çdo ditë, ka nevojë për një shok që t’i hapë zemrën, të ndajë me të shqetësimet, ankthin, pasigurinë. Të gjithë ata që, fatkeqësisht, kanë kaluar përvoja të tilla e dijnë mirë se sa vlen një shok i vërtetë n’ata kushte.

    Sazani befasohet nga rrëfimi i Melit. Natyrshëm në fillim shtanget, por shpejt kupton se tek tregimi i Melit nuk ka hije provokacioni apo prapamendimi të keq e i beson. Shoqëria e tyre forcohet çdo ditë e përballon prova skajore, paralel me ngjarjet e pazakonta në të cilat bëhet pjesëmarrës Meli. Këto ngjarje e futin lexuesin në botën e mistereve, të hafijeve, të të fshehtave, të prapaskenave të paimagjinueshme, që përbëjnë sekretet e pazbulueshme të një regjimi, të një shteti, të pushtetit të një kaste. Jemi të pranishëm në një botë sureale ku në një kamp pune të detyruar, në një nga burgjet më mizore të diktaturës enden ndërmjet të burgosurve, të veshur me uniformën e tyre, kuadro të larta të DSJ që i njeh vetëm një oficer i komandës, kartelisti. Vijnë për të takuar ish detektivin Meli drejtori i DSJ, Dofemi, alias Ilir Enver Hoxha, në shoqëri të funksionarëve shumë të lartë të Sigurimit të KQ, të Inteligenc Servisit britanik, të CIA-s amerikane. Galeria e personave të fuqishëm, që kërkojnë të bindin Melin për rifillimin e veprimtarisë së detektivit, secili në rradhët e tij, është marramendëse, pothuaj e pabesueshme. Ato takime janë përshkruar me imtësi, me data e me orë.

    Pa hyrë në përshkrimin e hollësishëm të tyre, edhe se zënë pjesën kryesore të lëndës së rrëfimit, ajo që del nga këta takime ka diçka sa të pabesueshme, aq edhe të llahtarëshme. Fatet e njerëzve ndërthuren me fatet e popujve në një lojë të fshehtë, të shumfishtë që mbetet e panjohur për shumicën dërmuese të njerëzimit, në rastin tonë për shqiptarët. Është loja e shërbimeve të fshehta që përcaktojnë dhe politikat e qeverive, ajo e interesave që shqelmojnë parimet e ideologjitë, ajo e aleancave të padukëshme, të panjohura, të pabesueshme, që mbeten mundësi vendimarrje e pak njerëzve “të zgjedhur”, shpesh herë e një njeriu të vetëm që i jep vetes atributet e një perëndie, që vendos gjithshka mbi vartësit e tij, mbi një popull të tërë. Në këtë xhungël të dëndur interesash, në të cilën papritur Hamit Meli zë një vënd qëndror, atij i zbulohen fakte që përmbysin krejtësisht botën e tij të deriatëhershme. Kështu ai merr vesh se në më shumë se njëqind misione vrastare në të cilat ka marrë pjesë, me përjashtim të dy të parave, gjithë të tjerët i kanë shërbyer Inteligjenc Servisit britanik, zyrtarisht armik i tij dhe i Vëndit të tij, e në sajë të tyre sot ka një llogari rrjedhëse në një bankë angleze e rezulton i ngritur edhe në gradë.

    “ Midis qeverisë sonë dhe partisë suaj ka ekzistuar gjithmonë një aleancë e fuqishme, e cila, për të qënë efikase, është lypsur të mbahej sekrete. Kjo aleancë ka lindur qysh në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur, si aleatë me njeri-tjetrin, ne luftonim nazi-fashizmin.” Zinxhiri i zbulimeve të të fshehtave që gëlonin në marredhëniet Enver Hoxhës e të komunizmit shqiptar me anglezët dhe amerikanët është një varg i gjatë episodesh, ndodhish e pohimesh marramendëse që e futin lexuesin në një botë të cilën mund t’a konsiderojë fantapolitike, pjellë e një fantazie të ndezur e të prirë për romanet policorë. Kështu lexuesi mëson për luftën mes CIA-s dhe Inteligjenc Servisit për të patur në zotërim fatet e Shqipërisë, me miratimin e “udhëheqësit legjendar” të saj, për oficerët e DSJ të vrarë nga anglezët sepse donin të mbështeteshin tek CIA, për të ndryshuar jo vetëm vartësinë por edhe sistemin me dënimin e tradhëtisë së Enver Hoxhës, për vizitën tepër sekrete të këtij të fundit në Londër në tetor 1983, në një nga misionet e fundit të veprimtarisë 40 – vjeçare në shërbim të zbulimit anglez.

    Lexuesi njihet edhe me të tjera dukuri të mistershme, të pashpjegueshme, që zënë fill nga mbas lufta e kanë të bëjnë me veprimtarinë kundër komuniste të të mërguarve shqiptarë. Është fjala për dhjetra misione desantësh që binin në dorën e Sigurimit, sapo zbrisnin në tokën shqiptare, e që janë motivuar me tradhëtinë e Kim Filbit, për të cilin përgjegjësi i CIA-s për Evropën, në një pasazh të romanit shprehet kështu : “ Un jam gati të vë bast, se dekorata që i ka akorduar në heshtje Kim Filbit Inteligjencë servisi me këtë rast, është dy herë më e madhe nga kjo që i ka dhënë KGB-ja. Në ambientet e CIA-s në Amerikë tashmë thuhet nën zë, se Kim Filbi është një nga agjentët e dyfishtë më të suksesshëm të historisë së shërbimeve sekrete.”

    Në një tjetër fragment të veprës zbulohet një tjetër dukuri e pashpjeguar për shumë prej të mërguarve politikë shqiptarë. Bëhet fjalë për 100 vetë që punonin për CIA-n e që “kishin shprehur në formë të hapur protestën ndaj qeverisë amerikane, për qëndrimin dashamirës që mbahej ndaj regjimit komunist të Tiranës.” Të gjithë këta, në pak kohë, vdiqën në rrethana aksidentale e jo bindëse. Ndërmjet tyre ishte dhe i ati i Sazanit, për të cilin detektivi i kërkon shpjegime shefit të seksionit evropian të CIA-s, prej të cilit merr këtë përgjigje : “ Babai i shokut tuaj ka tradhtuar interesat e shtetit amerikan, të cilit i shërbente.” Një fund tragjik kanë edhe të gjithë ata t’arratisur, të lidhur me operacionin e Maltës, për të cilët dëshmon edhe plaku kolonjar i mërguar që erdhi nga Nju Jorku n’Athinë, për të tërhequr dy bijtë e tij që ishin arratisur nga Shqipëria. Ai ruante si një relike të shenjtë librin “ Të tradhtuarit” dhe fjalët që i kishte thënë një djalosh, më i riu i Oeracionit të Maltës : “ Ruaje si kujtim të hidhur këtë libër vrastar, në emër të të cilit u zhdukën të gjithë ata që ëndërronin të luftonin e të vriteshin për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi.”

    Rrjeshtova këtu disa prej fakteve dhe pohimeve të romanit, të gjitha rrëfime të detektivit Meli autorit, që ka përmbushur amanetin e shokut të tij për t’i shkruar këto “ngjarje të jetuara”. Ai na ka dhënë një vepër në të cilën spikasin dy linja : burgjet e diktaturës komuniste, si shprehja më e përsosur e “luftës së klasave”, në tërë mizorinë e tyre, dhe prapaskenat e politikës s’asaj diktature në marredhëniet me armiqtë – miq anglo-amerikanë në më shumë se një gjysëm shekulli.

    Linja e parë është shtjelluar shkëlqyeshëm. Stili i të rrëfyerit është shumë tërheqës e i kursyer, autorit nuk i pëlqen uji i tepërt dhe ai e shmang atë. Personazhet portretizohen më së miri, përshkrimi i mjediseve dhe ngjarjeve është një riprodhim i saktë e cilësor i realitetit. Përsiatjet e autorit dëshmojnë thellësi mendimi e citatet në krye të kapitujve erudicionin e tij. Në këtë drejtim është një nga veprat më të realizuara në gjininë e saj, duke zënë një vënd të nderuar në letërsinë e mbas diktaturës. Linja e dytë rrok një problematikë tepër të ndërlikuar, pasqyron një botë të padukshme, që nuk sheh dritën e diellit, që ka për model urithin, që mbetet e panjohur për shumicën dërmuese të njerëzve. Por aq sa është larg përfytyresës së përgjithëshme, po aq është pranë fateve t’atyre që pësojnë historinë. Libri na jep një tabllo që i ngjan një tërmeti të fuqishëm që rrafshon gjithshka : bindje, opinione, besime, ideale, botkuptime, ideologji, parime, të vërteta të kthyera në tabu. Mbi gërmadhat e tyre, mes shumë luhatjesh, mosbesimesh, dyshimesh ngre krye një kult i ri, që është ai i mashtrimit, i hipokrizisë, që mbulojnë interesa marramendëse, leva të fuqishme që lëvizin jetë kombesh si t’ishin lodra fëmijësh e që në të folurit diplomatik merr termin “real-politikë”.

    Në rastin tonë, ajo që del në dritë, simbas autorit, është një aleancë e fortë mes regjimit komunist shqiptar të Enver Hoxhës dhe demokracive të mëdha të Perëndimit, konkretisht të Anglisë dhe të SHBA, një dukuri që cik absurden, po të mbahet parasysh historia zyrtare e marredhënieve mes tyre, e shënuar nga një armiqësi proverbiale. Lexuesit ndahen në dy pjesë : disa, që u besojnë më shumë dogmave të antikomunizmit të sinqertë të Perëndimit, apo të tjerë besnikërisë ndaj komunizmit të Enver Hoxhës e idhtarëve të tij, më të paktë këta të fundit, e hedhin poshtë romanin si një shpikje apo delir të autorit. Të tjerë, mendoj shumica, duan të gjejnë të vërtetën. Ajo mund të jetë shumë e hidhur, por duhet pranuar si e tillë, cilado qoftë pamja e saj.

    Që këtu lind kërkesa, sa e drejtë aq edhe ligjëshme, që ata që drejtojnë shtetin shqiptar të kenë kurajon e burrerinë të hapin arkivat e të nxjerrin prej tyre të vërtetën. Nuk është më e pranueshme që të gjitha sekretet e diktaturës të vazhdojnë të ruhen si të tilla, duke e mbajtur ende shoqërinë tonë robe të së shkuarës, sepse pa u zbardhur mirë e shkuara nuk mund të hidhet shikimi tërësisht në t’ardhmen. Në një demokraci të vërtetë, dyshime të tilla kaqë të rënda nuk mund të mbahen pezull në ndërgjegjen e një kombi, apo të trajtohen me logjikën e diktaturës si “trillime” të një shkrimtari apo të mikut të tij detektiv. Nëse janë të tilla Agim Hamiti apo Hamit Meli duhet të japin llogari para opinionit publik apo ligjeve të shtetit, në të kundërt dikush duhet të japë shpjegime.

    Mendoj se këto shpjegime i takojnë më shumë shtresës së luftuar egërsisht nga diktatura. Kemi jetuar gati gjysëm shekulli nëpër kampet e internimit e burgjet e komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, kriminelit më të madh të racës shqiptare. Kemi shpresuar tek “forcat e së mirës”, të personifikuara në përfytyresën tonë nga “bota e lirë”, nga demokracitë e Perëndimit, nga SHBA së pari. Kemi besuar në to, jemi përndjekur, jemi vrarë, jemi gjymtuar me ato bindje në mëndje, në një Vend në të cilin Perëndimi dhe sistemi i tij i demokracisë ishin “të këqijat absolute”, “varrmihësit e lirisë së popujve”, “imperializmi agresiv”, “neofashizmi”, “xhandari ndërkombëtar” e sa e sa epitete të tjera, njëri më i keq se tjetri. Mbijetuam, kufoma të gjalla, në një botë që lavdi Zotit u ndryshua me shpejtësi, por që për ne solli pak ndryshime. Na hoqi telat me gjëmba e na dha mundësi të marrim rrugët e globit në kërkim të një jete të re, duke filluar nga zeroja. Besuam se Perëndimi i “ëndërruar” do të kishte një qëndrim më dashamirës, humanizmi i shoqërive të tij do t’ishte më bujar me plagët tona e më mikpritës ndaj shpresave tona. Qe një tjetër zhgënjim. Në pjesën më të madhe të tij, Perëndimi qe indiferent karshi nesh, i shurdhët ndaj dëshmive tona, madje shumë më mikpritës ndaj xhelatëve tanë.

    Tani ky roman merr përsipër të zbulojë një realitet që, po të vërtetohet nga dokumentat, shpjegon domethënien e shumë dukurive të habitëshme. Uroj me gjithë shpirt që dokumentat t’a përgënjeshtrojnë, sepse nuk dua që ajo godinë, thellë në veten time, që ka strehuar një jetë të tërë ëndrrat, shpresat, iluzionet në të mirën njerëzore, në botën e lirë, të kthehet në një gërmadhë që do të zinte poshtë dhe vetë qënien time. Ka 11 vjet që është botuar ky libër, por asnjë nga pyetjet që shtron nuk ka gjetur përgjigje. A ka qënë Enver Hoxha spiun i Inteligjenc Servisit deri në fund të jetës së tij ? Nëse ka qenë, si është e mundur që Anglia, demokracia më e hershme e historisë njerëzore, s’ka bërë asgjë për të zbutur instiktet e tij kriminale e për të ndihmuar sado pak shqiptarët të ndërtonin një shtet të së drejtës, pa dhunën e terrorin karakteristik të tij? A ka përgjegjësi shteti amerikan, apo ndonjë segment i rëndësishëm i tij, për qindra antikomunistë shqiptarë, të vrarë nga Sigurimi i shtetit shqiptar këtu, apo nga “rastësitë” në vënde të ndryshme të botës? A ekziston një prirje e admninistratës amerikane për të favorizuar ish komunistët gjatë këtyre viteve të tranzicionit e si motivohet ajo? Cili është fati i oficerëve shqiptarë që punojnë në CIA dhe pse nuk kthehen në Shqipëri për t’a vënë në shërbim të Vendit të tyre përvojën e vyer?

    Këto janë disa nga pyetjet që dalin nga leximi i romanit të Agim Hamitit. Nuk më duket me vënd heshtja dhe bojkotimi që i bëhet këtij libri, nuk më duket një shenj i mirë. Librat nuk bojkotohen, nuk digjen, nuk ndalohen, përvojat e tilla na kthejnë në faqet më t’errta të historisë së njerëzimit. Librat diskutohen, idetë e tyre rrihen në kuvende, në faqe gazetash, në libra të tjerë. Ato mund të miratohen ose të kundërshtohen, por nuk mund të vihen para plotoneve t’ekzekutimit. Ky është mësimi i madh që na jep leksioni i demokracisë së mirëfilltë, së bashku me trasparencën, thyerjen e tabuve, dënimin e së keqes, zbulimin e së vërtetës, asaj historike të së shkuarës, asaj të këtyre njëzet vjeteve të mjegullta të demokracisë. Është një mësim që duhet t’a përvehtësojmë nëse duam të shkojmë përpara, duke pastruar rrugën tonë nga “shpendërat, hithrat, ferrat” e së shkuarës, siç thonte më shumë se njëqind vjet të shkuara poeti ynë kombëtar. Këtë mision i ka vënë vetes edhe ky libër.

    Eugjen Merlika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *