Nisma “Rron tradita në Malësi të Madhe”

Nga Rita Kalaj Shkurtaj

Nisma “Rron tradita në Malësi të Madhe” i bashkoi sërish bijtë dhe bijat e kësaj ane.

Koncerti “Folklori, pasuri që duhet mbajtur gjallë” dhe panairi “Art dhe Zej” për të parën herë veshën Koplikun me petkun e traditës. Pas disa javë përgatitjesh, provash, diskutimesh e mbi të gjitha emocionesh që injektojnë shpirti i garës, nën moton “Rron tradita në Malësi të Madhe” u finalizua projekti “Folklori, pasuri që duhet mbajtur gjallë”, i ideuar nga Klubi Letrar i Gjimnazit “Sherif Hoxha” Koplik dhe i realizuar me një përkushtim tëpër të veçantë nga mësuesja udhëheqëse e këtij klubi znj. Merita Curri.

Me iniciativën e këtij klubi u bë e mundur që sheshi i qytetit të Koplikut si kurrë më parë të shpaloste bindshëm për publikun kostumografi, traditë, folklor, kulturë e mbi të gjitha rijetësim të trashëgimisë kulturore ndër breza. Përkushtimi i tyre bëri të mundur mbarvajtjen e kësaj veprimtarie si dhe nxiti frymën e bashkëpunimit me Zyren Arsimore Malësi e Madhe dhe kordinimin me projektin gjithëpërfshirës të panairit “ART” dhe “ZEJE” të ndërmarrë me shkollat dhe gjimnazet e qarkut të Malësisë së Madhe.

Falë këtij “Klubi”, veçanërisht mësuese Meritës u bë e mundur të ishin të pranishëm edhe mjaft këngëtarë e rapsodë si Jonuz Delaj e Pretash Nilaj, të cilët përformuan për gjeneratat e reja pjesë nga repertori i tyre i pasur folklorik, të shoqëruar edhe me tingujt e lahutës, instrumentit të identitetit tonë me gen malsor. Të dy këto veprimtari të sinkronizuara me njëra-tjetren sollën në ato pak orë shumë çka nga vlerat më të larta të trashëgimisë kulturore të Malësisisë së Madhe, ku veç publikut të gjërë morën pjesë edhe mjaft autoritete dhe drejtues institucionesh vendore, si dhe përfaqësues nga mediat lokale e kombëtare, të cilat i dhanë vëmëndjen e merituar kësaj ngjarje.

Ajo që vlen të theksohet si mjaft e arrirë ishte materiali skenik, hartimi i të cilit ishte ilustruar me shprehi e magji fjalësh nga mësuese Merita Curri, e të interpretuara me mjaft profesionalizëm nga prezantuesi i mirënjohur nga Shkreli, Silvestër Durgaj dhe dy shoqërueset e tij, nxënëset Rigersa Hasmujaj dhe Ankita Delaj, të cilët me dhuntinë e zërit brilant dhe paraqitjen skenike, zgjuan emocione tepër të veçanta në zemrat e të pranishmëve. Një koncert i vërtetë i realizuar me nuancat e një festivali folklorik ku dominuan veshjet e krahinës ÇAKÇIR e XHUBLETA, në të cilin, secila nga shkollat pati mundësi të performonte një material skenik folklorik, që nga kënga majë krahu e deri tek instrumentalet, ku spikati djali 10 vjeçarë nga Thethi, Emanuel Suka, i cili interpretoi mjaft bukur me lahutën e tij për të pranishmit. Këngë, valle, elegji, ninulla, vaje, legjenda e log mejdani u pa të interpretohej nga nxënësit e Malësisë, çka bëri të frymonin edhe njëherë plot gjallnim rrënjët dhe degët e Malësisë për identitet.

Në këtë koncert spikatën Gjimnazi i Koplikut me këngën e besës, elegjinë për rapsodët dhe dueli me shpata. Gjmnazi i Bajzës me legjendën e Shpellës së Frashnit. Shkolla e Gruemirës me legjenden e “Gruas s’mirë”, por nuk mbetën pas as shkollat e Hotit, Pjetroshanit, Tamarës etj, me paraqitjen e tyre dinjitoze. I gërshetuar edhe me projektin arsimor “Art” dhe “Zeje” një nismë e ndërmarrë nga Drejtoria Rajonale Arsimore e Veriut me qëndër në Lezhë dhe e shtrirë si një thirrje gjithëpërfshirëse në të gjithë juridiksionin e saj, bëri që të angazhohej edhe Zyra Arsimore Malësi e Madhe, e cila pati efekt mjaft frytdhënës në angazhimin e mësuesve dhe nxënësve të shkollave të Malësisë, të cilët në shenjë solidariteti për fëmijët e Ukrainës sollën për panairin e hapur produkte nga më të ndryshmet, të punuara me art e dashuri, që nga ushqimet me gatime tradicionale e deri tek punimet e zejtarisë, si një nga degët më të vjetra të ekonomisë në Malësi të Madhe.

Punime druri, guri, metali, pëlhure, qëndistarie, lëkure etj, me qëllim shitjen dhe mbledhjen e fondeve të luftës në ndihmë të fëmijëve të Ukrainës. Ky panair i realizuar me kushte optimale u mundësua nga kujdesi i veçantë i përgjegjësit të monitorimit të kurrikulës pranë Zyrës Arsimore z. Ëngjëll Kalaj, i cili në këtë aktivitet kishte edhe rolin e kordinatorit mes këtij institucioni dhe shkollave, çka mundësoi edhe promovimin e këtyre produkteve në mënyrën më të mirë të mundshme me kushte bashkkohore. Falë këtyre organizatorëve gati modest, por pasionant për punën, si kurrë më parë Koplikun e pamë të pushtuar nga ngjyrat dhe veshjet tradicionale, të zbukuruar dhe shtruar me prodhimtari artizanale dhe të tejmbushur me malësorë të gëzuar që shijonin me ëndje gjithçka ofrohej në atë shesh të transformuar nga Rilindja Urbane, e cili mori formën e sofrës bujare që priti e pëcolli bijt e saj, me bukë e me zemër të bardhë.

Në këtë aktivitet nuk mund të mungonte prezenca dhe bashkëpunimi me Shoqatën Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” e cila mundësoi një pjesë të madhe të fondit të veshjeve origjinale të Malësisë së Madhe, për të cilën si gjithmonë nuk munguan as falenderimet. Me urimet dhe gëzimin e mbarvajtjes së kësaj veprimtarie, organizatorët vullnetmirë mësuese Merita Curri dhe kordinatori Ëngjëll Kalaj, u kujdesen edhe për sistemimin e bazës materiale çka la të kuptohej se qytetaria dhe përgjegjsia është etikë dhe jo thjeshtë një detyrë. Populli thotë: “Kush punon mirë ka shumë për t’u mburrur” ndaj edhe puna e tyre foli me zë të lartë për këta njerëz modest e të pa lodhur.

Maj 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *