Ne Kullen e Arian Bajraktarit ne Belgjike

Kulla e Arian Bajraktarit në Belgjikë një oaz tejet e pasur me kulturë dhe tradita shqiptaro – belge.

Shkruar nga Rita Shkurtaj

Në impaktin e parë ne shqiptarët në shenjë respekti dhe zemërgjersie e kemi zakon të japim dhe marrim sa më shumë afrimitet me njëri – tjetrin, duke shkëmbyer kështu edhe diçka nga jeta private apo gjendja aktuale familjare.

E tillë ishte edhe njohja, vizita dhe bisedat e herë pas hershme, në ato pak ditë nëntori me pjestarët e familjes Bajraktari nga Hoti i Malësisë së Madhe në Namur të Belgjikës. Një familje e shëndosh, e pasur gjenetikish, me fëmijë të mirëedukuar dhe mirëshkolluar nga dy prindër autoritar me virtyte të rralla malsorësh që të mbushin me ndjesi krenarie, sa të bëjnë ti marrësh edhe shembull për mirë, si modele familjare që në ditët e sotme takohen shumë rrallë.

Mjaftoi një tryezë e shtruar enkas për ne dhe një bisedë tejet e ngrohtë rreth saj, sa të besoje se kishim një jetë që niheshim me njëri – tjetrin edhe pse shumica prej nesh takoheshim për herë të parë.

Aty për aty arritëm të depërtonim në jetën dhe përditshmëritë e njëri – tjetrit sikur qanim hallet, diskutonim mbi sfidat dhe lumturoheshim me gëzimet dhe sukseset e secilit, sidomos fëmijët tanë thuajse bashkëmoshatar.

Bujari që reflektohej në tryezë, në respekt dhe në ngrohtësinë e fjalëve të cilat e zonja e shtëpisë Bukurie Bajraktari i kishte si manual shpirtmadhësie me të cilin ushqente edhe fëmijët e saj për të qënë sa më mikpritës, si të parët e tyre dikur motit atje në Han të Hotit.

Aty për aty arritëm të kuptojmë edhe unitetin familjar për të ndërmarrë punë të mëdha në të mirë të komunitetit shqiptar me banim në Namur të Belgjikës, e jo vetëm, pasi e gjithë familja vepronte si një trup i vetëm jo vëtëm në projektin e aktivitetit të organizuar nga Shoqata “Nënë Tereza” për nder të Festës së Flamurit dhe datëlindjes së Adem Jasharit, të cilin e prezantuan motër e vëlla, Denajda dhe Deli Bajraktari në gjuhën shqipe dhe atë vendase, por ata kujdeseshin edhe për mbarvajtjen e Shkollës së vetme Shqipe në të cilën prej disa vitesh u mësojnë shqip fëmijëve shqiptar apo edhe atyre vendas (të interesuar).

Po aty mësuam se Arian Bajraktari ishte drejtori i shkollës shqipe të pagzuar me emrin e Patriotit të Madh “Faik Konica” në të cilën me një përkushtim të jashtëzakonshëm familjar kishin arritur ta ngrejnë këtë shkollë në tre nivele, me një program të mirfillt mësimor, të hartuar dhe miratuar në bashkëpunim me ministritë e diasporës së dy shteteve tona Shqipërisë dhe Kosovës. Program dhe plan i mirfilltë mësimor ku aktualisht përbëhej nga pesë klasa për të vegjlit dhe dy klasa për të rriturit.

Tjetër sukses që lidhej drejt për drejt me këtë familje dhe vlerat e saj ishte posti drejtues që mbante vajza e madhe e tyre Denajda Bajraktari si Kryetare e Lëvizjes Studentore të Shqiptarëve në Belgjikë të shqipëruar me emrin “Vlera”, e cila tashmë ishte e konsoliduar si një organizëm zâ plot në interes të kësaj gjenerate aktive, brenda komunitetit shqiptar me banim në Belgjikë. Dhe sa më shumë bisedoje me ta aq më shumë kuptoje se me sa kujdes ishin mbrojtur etika dhe edukata në kulturën e atyre fëmijëve që nga humanizmi e deri tek kontributi personal, pa pritur asgja në këmbim për çka ne malsorët duhet të jemi edhe më shumë mirënjohës për ardhmërinë e tyre, pasi familje me të tillë fëmijë nderojnë veten, na nderojnë ne dhe të gjithë Malësinë e Madhe.

Të gjithë lindim të vegjël me ambicje për tu bërë një ditë të mëdhenj, por të lindurit në Kullat e Mëdha kanë edhe më shumë sfida për ta ruajtur dinjitetin dhe emrin e kullës, gjë që familja e Arian Bajraktarit nga Hoti i Malësisë së Madhe po ja del me sukses ta kultivojë me dinjitet genin fisnik që trashëguan nga të parët e tyre në shekuj.

Dt. 05.12.2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *