Në njivjetorin e Jonuz Ndreut – 3 prill 2021

Gjon Buçaj

E nderueme Desi dhe e gjithë familja e Jonuz Ndreut,

Me rastin e njivjetorit të kalimit në jetën e amshueme të njeriut tuej të dashtun, ju përshëndes me pak fjalë të përzemërta solidariteti, tue marrë pjesë  bashkë me ju në dhimën dhe krenarinë e kësaj dite.

Miqtë e Jonuzit, të pranishëm ose nga larg për rrethana të veçanta kufizimi, ia kujtojnë virtytet me të cilat ishte i pjisun në familjen famëmadhe që e rriti dhe Ai i ruejti të pastra gjatë jetës.

Besa, bujaria e trimnija dhe ndershmënia që bashkë me përbuzjen e hipokrizisë, përbajnë burrninë e shqiptarit të traditës, ishin vetitë morale të Jonuz Ndreut, Në jetën e tij janë shumë ngjarje që i xjerrin në pah këto veti, të cilat kam pasë nderin me ia njoftë edhe unë qyshë kur u njoftëm së pari në Kuvendin e Bashkimit Demokrat Shqiptar në shtator të vitit 1974 në  Firenze.

Atë parti naciomaliste që kryesohej nga i vllaj, atdhetari  filantropist Isa Ndreu, e sollën në Shqipni mbas ramjes së komunizmit dhe, logjikisht, e lëshuen në dorë ta drejtojshin ata që vuejtën gjatë gjithë kohës së diktaturës.  I forte ishte zhgënjimi por edhe dizaprovimi i Jonuzit kur mori vesh se kryetari i saj ishte ulë më tavolinë bisedimesh me Edi Ramë dhe me Skender Gjinushin, në vend që ti luftonte si kundërshtarë politikë. Shto edhe dëshprimin prej faktit se atë përson Jonuzi e kishte në fis.

Jonuz Ndreu ka qenë i respektueshëm në sjellje me të tjerët, por me disa tek të cilët ka gjetë sinqeritet në bashkëpunim dhe në marrëdhanje shoqnore, ka pasë miqsi të ndërsjelltë. Prej shumë rastevet që kam pasë kënaqsinë me vrejtë, po përmendi vetëm dy të viteve të fundit.

E ruej me përmallim nji fotografi ku shihen tue u përshëndetë Jonuzi dhe Agim Karagjozi, në nji darkë të përkujtimit të pavarësisë, ku Jonuzi ishte sjellë me karrocë dhe ku Agimi nuk vinte shpesh për shkak të moshës.

Në dhetorin e vitit 2019, e vizitova Jonuzin në shpi të vet dhe u shmalluem në nji bisedë të përzmërt. Më pyeti për Zef Përndocaën, mikun dhe bashkëpuntorin shumëvjeçar që ishte në shtrat i paralizuem. Më kërkoi adresën e tij. “Do të më çojë dikush me makinë, due ta shoh edhe nji here”, më tha. Për Vatrën shtoi: “Jam kështu me karrocë e nuk mund të ndimoj gja, por thueju ene shokëvet se unë jam qindpërqind me Komisionin”.

I përkushtuem, besnik e bujar deri në fund, Jonuz Ndreu ishte optimist, shtyllë suksesi në çdo punë.  Shembulli i jetës së Tijt asht frymëzues për ne dhe për ata që vijnë mbas nesh. Nuk mund të bahemi si Ai, por ia kemi borxh mirënjohjen dhe respektimin e qëndrimeve dhe rrugës së tij.

Uroj t’ju vijmë në tubime gëzimesh në t’ardhmen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *