Atë çfarë i bëri njerëzimi natyrës, sot natyra po na e kthen ne.

Nga Lindita Kokaj

Këto foto të realizuara këtë të dielë në malin e Shëngjinit, janë një dëshmi e qartë se cfarë dora e njeriut i ka shkaktuar natyrës, një masaker mjedisore.

Zjarret e rëna në veren e 2016-ës dhe të 2019-ës shkrumbuan të gjithë kuroren e gjelbërt. Trungjet dhe rrënjët e pishave të djegura tashmë rënkojnë me kujë, për të na zgjuar e prekur ndërgjegjen tonë.

Çdo prill-maj pjalmi i pishave zverdhonte ballkonet, dhe aroma dëgjohej në tërë qytetin. Tashmë edhe sytë nuk ndeshin më gjelbërim. Pyjet i shkatërruam, me zjarre, prerje të paligjshme, duke dëmtuar edhe pritat e gurta. Natyren e bukur të fshatrave malor e braktisëm, dhe rendem drejt zonave urbane në tym dhe smok, e ndërsa sot të gjithë ëndërrojnë të jenë pikërisht tek ato kulla ndër male e fshatra, ku edhe kulmet janë shembur, të pinin ujin e kulluar të gurrave, dhe jo atë të shisheve plastike të marketeve. I braktisëm tokat bujqësore, duke i lënë djerrë nga pamundësia apo dhe faktorë të tjerë dhe ushqehemi me produkte importi, të rritura me hormone e të stazhonuara për vite në kushte frigoriferike.

Bagëtitë ushqeheshin bio me barin e malit e të fushës, e ndërsa sot mjafton një injeksion me hormone apo koncentrat dhe e sevirim në tavolinat tona. I ndotëm ujrat e lumenjve, detrave dhe oqeanëve me plastikë dhe mbeturina të tjera. Shkatërruam në mënyrë makabre floren dhe faunen, betonizuam të babëzitur zonat e mbrojtura natyrore, brezin e rërës madje dhe në brendësi të detit. Gjatë gjithë këtyre viteve u treguam të pamëshirshëm me natyren, dhe sot natyra po tregohet e pamëshirshme me ne.

Nuk do të kishte ndoshta sot as Covid 19 apo ndonjë tjetër virus, që do ta gjunjëzonte njerëzimin, nëse ne do të ishim treguar me zemërbutë me Nënen Natyrë Ç’të mbjellësh, do të korresh, dhe kështu realisht ka ndodhur edhe me ne të babëziturit dhe të pamëshirshmit NJERËZ.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *