Julian Çefa dhe dy festat e 30 shtatorit

Julian per kopertineNe foto: Julian Çefa

 

Nga Pjetër Jaku

 

Me 30 shtator 2017, Julian Çefa mbush plot 80 vjet nga dita e lindjes dhe 50 vjet nga ardhja ne  Vendin e  Lirisë, Amerikë! Janë këto dy festa që Juliani i feston përherë së bashku.

Modestia e Julianit i bie në sy gjithëkujt që e njeh sadopak. Në afro 20 vjet që e njoh, nuk e dëgjova njëherë të mburret, ose sëpaku të flas për vete, e pra, kishte  për çfarë të fliste, pse jo, dhe t a thoshte veprimtarinë, pa menduar aspak se po e tepronte. Erdhi në Amerikë  30 vjeç, pasi emigroi nga kufiri në shërbimin ushtarak që e kryente në Korçë. Fillimisht në Jugosllavi dhe më pas në Austri, ku u njoh dhe me bashkëshorten e mirë Sllavica, me origjinë nga Kroacia, edhe ajo një emigrante e vuajtur dhe pa nënë, të cilët së bashku krijuan familjen, duke menduar Amerikën, vendin e ëndrrave.

 

Juliani ne konferencen per Hotin, Nentor 2013Julian Çefa me bashkëshorten

 

Koinçidenca e të shkelurit në tokën e premtuar bash në ditëlindjen e 30- të, Julianit i dha një rast më tepër për t’u shënuar në biografinë e tij të pasur.Edhe pse në moshë të re, Julianit iu dha mundësia të mbante fjalën e rastit, në përkujtimin e parë të Kryengritjes së Malësisë, këtu në Detroit, e cila u shëndërrua në festë të përvitshme nga shqiptarët e këtij komuniteti vital. I apasionuar pas historisë, Juli kishte lexuar për herë të parë për Kryngritjen e Malësisë së Madhe dhe ngritjen e Flamurit Shqiptar në Bratilë të Hotit në vitin 1911, tekstin “ Historia e Shqipërisë”, botuar në Shkodër në vitin 1917, me autor Dom Ndoc Nikaj si dhe shumë shkrime të tjera historike rreth kësaj ngjarje. Vasel Ujkaj, një aktivist i njohur i Komunitetit Shqiptar të Amerikës, të flet për veprimtarinë e Julit, shumë ma tepër se vet Juli, i cili si përherë, më  maturinë qe e karakterizon, përpiqet t’i thotë punët e tij me shumë pak fjalë. Sapo erdhi në Amerikë, Juli,- siç e thirrin për shkurt, u aktivizua në të gjitha aksionet komunitare, dhe veçanërisht në Degën e Vatrës. Në një aktivitet të Panfederatës “Vatra” që u mbajt në New York, me datat 28 , 29 dhe 30 Nandor të vitit 1969, në Hotel “Americano”, në përvjetorin e 60 të Gazetës “ Dielli “, u njoh përsonalisht me dy koloset e Letërsisë Shqipe, Profesor Ernest Koliqin dhe Profesor Doktor Martin Camaj, botimet e të cilëve i kishte marrë dhe më parë, sidomos revisten e njohur “ Shejzat” të Ernest Koliqit. Edhe pse kishte miqësi dhe takime të shpeshta me vëllezrit e Ernestit, Lecin dhe Guljemin, që jetonin në Cleveland të Ohios. Juliani e kujton këtë aktivitet me shumë saktësi, deri në detaje. “ Udhëtonim me Kolec  Pikolinin, një aktivist i njohur nga Shqiptarët e Amerikes, kur në mes të rrugës filloi një dëborë e dendur. M’u desh të drive vet gjysmën e rrugës në vajtje dhe  gjithë kthimin. Nuk mbaj mend ndonjë aktivitet më model se atë përvjetor të Diellit, ku merrnin pjesë shqiptarë nga  5 kontinentet, përveç Shqipërisë, vendit prej nga vinim, këtu në fund të botës. Kishin ardhur edhe rreth 75 arbëreshë nga Siçilia, në mes tyre dhe priftërinj e përsonalitet të tjerë të njohur të kultures e letërsisë. Grupi artistik interpretoi disa kangë të njohura shqiptare, që po shkonin drejt harresës si dhe disa valle tradicionale. Këtu, pikërisht, u takova dhe njoha me Ernest Koliqin dhe Martin Camaj, me të cilët ruajta letërkëmbime të vazhdueshme. Si shkrimtarë i kisha njohur shumë më parë, por mundësia e takimi m’u dha veç me atë rast.”

Juliani, në më shumë se dhjetë raste është ngarkuar nga Komisionet Organizatore në përkujtim të Ditës së Flamurit të mbaj fjalën e rastit, dhe kurrë të pranishmit nuk janë bezdisur, siç ndodh rëndomë, vetëm se ai kujdesej shumë ta ruante masen e  të foluritt shkurt dhe saktë, gjithëherë me argumenta bindës dhe me fakte të reja, pa e përsëritu veten asnjëherë.

Juliani i ka pritur disa herë në shtëpinë e tij këtu në Detroit, Martin Camaj, Ernest Koliqin, Dom Simon Jubanin, Pjetër Arbnorin e disa përsonalitetë të tjerë, të kultures dhe letërsisë shqipe. Prej këtyre njohjeve përsonale Julianit i ka mbetur vetëm një letër nga disa të tilla, e ajo është letra që Martin Camaj i shkruante me 12 Nëndor 1988, me të cilen i rrëfente miqësisht për librin e tij, më të fundit “ Karpa” si dhe për shqetësimet në përgjithësi të ngjarjev në shqiptarët e Diasporës, me vrasjen e Dom Lazrit në New York, por, edhe për ndalimin e librave të tij në Kosovë. “ Ao, vetëm nga Amerika, mund të mbrrinin në Kosovë, theksonte në letren e tij, shkrimtari dhe përsonaliteti i njohur i letrave shqipe, Martin Camaj.” Në një letër pak më të vonë, por shumë afër nga largimi nga kjo jetë, Martini i shkruante Julit, siç kujton ky i fundit: “ Ndjehem mirë që ia mora vdekjes edhe katër vjet  jetë, të cilat mu deshen aq shumë për të kryer disa punë. E, për këtë, meritë të veçantë ka Erika.”

Nga viti 1984 deri në vitin 1996, qe në Bordin e Radios “ Zëri i Komunitetit Shqiptar në Detroit, ku në dy vitet e fundit edhe e drejtoi atë. Më së shumti mbuloi rubriken historike, ku edne sot e kujtojnë malsorët e etur për fakte të panjohura historike, që Juliani ua sillte çdo të dielë më një përzgjedhje shumë të kujdesëshme. “ Puna që bante, drejtuesi i kësaj radio,Gjon Lulgjuraj, -kujton Juli, – ishte me një përkushtim shumë atdhetar dhe me një nivel kulturor për tu theksuar.”

Juliani punoi dhe vazhdon të punoj me komunitet fetare, saqe  ka gëzuar dhe gëzon respektin e të tri komuniteteve më të njohura këtu, katolikëve, muslimanëve dhe ortodokseve. Gjatë kohës që ka punuar me radion, sidomos në vitet e fundit të saj, kur Shqipëria ishte hapur, u bë e vështirë mbajtja e saj. Baba Rexhepi, – kujton Juli, – na thirrte çdo vit për të na ndihmuar, pa iu paraqitur ne asnjëherë. Përgadiste një zarf, brenda të cilit kishte 500 dollarë dhe na thonte; “ Merreni bijtë e mij. Kaq mundemi t’u ndihmojmë. E dimë se puna juaj s’ka të paguar”!  Ishin dhe janë të rrallë ata që e ndihmojnë një program kulturor, biles, ndodh që në shumë raste edhe i përgojojnë, çka është vërtet një pengesë e madhe për këdo.

Tani Juli, edhe pse po bënë 80 vite, është ende shumë aktiv. Eshtë Nënkryetar i Degës së Vatrës në Michigan, e përpiqet vazhdimisht për të ndihmuar, në çdo rast që i kërkohet.

I urojmë Julit, sa më shumë vite të shëndetshme dhe mbarësi në jetën e tij plot vitalitet!

 

 

Foto te letres se Martin Camaj, qe e ruan Juliani:

Juliani2

Juliani1

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *