Poezi nga Mehdi Dashi

 Poezi nga Mehdi Dashi

 

ARDHJA E FËMIJËVE KOSOVARË

 

Lozin e qeshin fëmijët,

Siç dinë vetëm ata të qeshin,

Me zërin e tyre sa kupa e qiellit.

Dhe është luftë…

 

Në emrat e tyre,

Është SHQIPËRIA,

Berat,

Shkelzen,

Milot,

Vlora,

E Drilon.

Lumenjtë,

Malet e qytetet,

Ngarkuar mbi shpinat e vogla

Të nënave.

 

Lozin e qeshin,

Ani se është luftë.

 

Të shpërndarë në të gjithë

Shqipërinë.

Ata po gjenin emrat e tyre.

 

 

MË MUNGOJNË

-gruas-

 

Më mungojnë. . .

Shumë vite të tuat,

Gabimet në abetare,

Lodrat me shoqet e vogla.

 

Më mungojnë

Disa gjëra të tuat,

Prandaj i dua shumë

Të dyja vajzat.

 

 

TEK VARRET E PRINDËRVE

 

Prapë s’janë larg.

Të lodhur,

Ato buzëqeshje të derdhura

në mermer

Se ku i kanë gjetur.

 

Vij herë pas here

Tek varret tuaja,

Por në qiell,

Nuk vij dot pa urdhër…

 

 

GJERGJ SKËNDERBEU

 

Pak metra shtëpisë

Ku linda,

Varri,

Pa vdekjen e heroit.

 

Faleminderit,

Fëmijëria ime,

Që më njohe me njerëzit,

Që nuk u mjaftonin dy emra.

 

 

QIELL PA YJE

(Kujtimit të Ndoc Gjetjes)

 

Disa nga

Të vrarët

E luftës së fundit,

Ishin dhe janë

Në emra rrugicash,

Shkollash.

 

Kurse Manushin

E njëzet e tetë ditë  torturash,

Jetimin,

Në gjallje dhe në

vdekje,

Ma këmbyen lirë.

 

 

Më vjen keq për qiellin

Më vjen keq për yjet.

 

 

VJESHTË E NDEZUN

 

Asht ndezun vjeshta.

Piktorët nguten me e derdh

në korniza,

Përvathi, mrekullisht

Po e shëtit

Nëpër ekspozita.

 

Asht ndezun vjeshta.

Ditët me diell

Të verës së gjatë,

Kanë mbetun

Nëpër degët e hurmave.

 

Asht ndezun vjeshta.

E unë, me frikë,

Pres

Shiun,

që don

me ma fikë

syrin .

 

 

TEK STUDENTËT

 

Në qytetin

Që, për vite me radhë,

Ëndërrova,

Tani vij shpesh,

Me çanta,

Ushqime

dhe libra,

Pi kafe

Me moshatarët e fëmijëv të mi.

 

S’më qenka plakur ëndrra.

 

 

GUSHTI I ATDHEUT

 

Në gusht do e bëj dasmën.

Këtë muaj do i rregulloj çatinë e babes…

Nga të gjitha anët hyjnë ata,

Dhe rrugët ngushtohen.

Nga malli,

Atdheut,

Po i merret fryma…

 

 

PLANETI VRET VETEN

 

Kur Tolstoi ikte i vetmuar nga kjo botë,

Krishti kish kohë që ishte kryqëzuar,

Muhameti qe gjuajtur me gurë.

 

Planeti çdo ditë vret veten.

 

 

 

MARRIA

 

Me britma,

Poshtë tribunave,

Joshëm

Hitlerë,

Debilë,

Fashista

dhe komunista…

 

Marria rri lirisht,

Në rradhët e ngjeshura

Të turmave.

 

 

NË SEMAFORIN E FB-së

 

Mëngjezeve,

Darkave,

Me topa gjelbërimi

Më vijnë miqtë në ekran.

 

Lumturohem

Si fëmijë.

Qenkan mire shokët,

Edhe sot…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *