Historinët maqedonas nuk e pranojnë të vërteten historike të shqiptarëve në territorin e Maqedonisë
Në kohën e fundit diplomacia shqiptare me shtetet fqinje po tregon një aktivitet politik mjaft të theksuar. Për një afat kohor të shkurtër, Republikën e Maqedonisë e vizituan dy personalitete të politikës shqiptare, Ministri i Punëve të Jashtëme dhe Kryetarja e Parlamentit Shqiptar. Këto vizita sigurisht konsistojnë edhe me përkeqësimin e raporteve në mes dy etniteteve më të mëdha në këtë shtet multietnik, SHQIPTARËVE dhe MAQEDONËVE. Nga këto vizita, vemendjen e opinionit maqedonas e më gjerë, e tërhoqi vizita e kryeparlamentares shqiptare. Ajo, pos takimeve politike që i pati me krerët e shtetit, mbajti edhe një fjalim në Pralamentin e Maqedonisë. Në fjalimin e saj,veç të tjerave, ajo foli edhe mbi të vërtetën historike të popullit shqiptar e atij maqedon në këto hapësira.
Në fakt, të shohim për çfar bëhet fjalë. Ajo çka e tërhoqi vëmendjen e opninionit të përgjithshëm edhe atij shkencor në Maqedoni, është kur ajo përmendi kontributin e popullit shqiptar në çlirimin e tokave shqiptare të cilat sot ndodhen në territorin e Maqedonisë dhe pastaj, vjetërsinë historike të tyre në këto hapësira. Kjo pjesë në fjalimin e saj nga ana e opinionit maqedonas u prit me një indinjatë mjaft të thellë. Shpejt reagoi shtypi maqedonas, ndërkohë pati reagime të menjëhershme e të ashpërta nga ana e historianëve maqedonas.
Në Parlament ajo përmendi këtë të vërtetë historike: “Shkupi, Dibra dhe Manastiri ishin bërë qendra të lëvizjes shqiptare”. Madje, në vazhdim përmendi edhe këtë: “…ndodhi pikërisht në shkurt të vitit 1844, kur 10 mijë kryengritës në udhëheqjen e Dervish Carës e kishin çliruar Shkupin dhe shtruan kërkesën për autonomi. Nga kjo kohë, Shkupi, Manastiri dhe Dibra ishin disa prej qendrave të lëvizjes shqiptare për çlirim. Lëvizja patriotike shqiptare është zhvilluar paralelisht me kryengritjen maqedonase të Ilindenit në 2 gusht 1903, ku në Manastir ishte përkrahur edhe nga popullata shqiptare, e cila ishte aktive për krijimin e republikës së Krushevës, ku Këshilli i udhëhequr nga shqiptari Vangjel Dino ishte përbërë nga përfaqësues të maqedonasve, shqiptarëve dhe vllehve”. Kësaj deklarate të nxehtë, historianët maqedonas iu përgjogjën shumë ashpërt. Sipas tyre, “Ajo që e flet Topalli është thjeshtë politikë dhe jo shkencë. Kryengritësit as që e kanë çliruar Shkupin, as që ka pasur 10 mijë ushtarë, as që ka pasur kërkesë për autonomi. Këto pohime të Topallit nuk janë në asnjë dokument turk, ose të shkresave diplomatike franceze ose britanike”, theksojnë historianë maqedonas. Më tutje historianët maqedonë shtojnë se Shkupi përkurdoherë ka qenë qytet i maqedonasve, kurse Republika e Krushevës ka qenë një angazhim i plotë vetëm i kryengritësve maqedonas dhe jo i të tjerëve, siç pretendojnë autorët e huaj (këtu aludohet për historianët shqiptarë). Forcimi i tezave ku pretendohet se Shkupi ka qenë qendër e shqiptarisë (Dardanisë), qenka ndonjë strategji me të cilën ata (shqiptarët) dashkan të prezentohen (nuk tregojnë parakujt?!) si autoktonë në këto hapësira (mendojnë për M. Perëndimore) me tendencë për shtetformim, ose në instancën e fundit këputje dhe bashkim me Shqipërinë e Madhe. Historianët maqedonë paskan qenë të mendimit, por jo me fakte histoerike te vërtetuar, se aty u bëka fjalë për sulme të papritura, por kursesi për çlirimin e Shkupit. Për periudhën e Perandorisë Osmane, sipas tyre, nuk mund të thuhet se prej çfar strukture etnike pat qenë popullsia, sepse për atë nuk paska kurfarë të dhëna? Sulmet e papritura paskan qenë vetëm si shprehje e moskënaqësisë së popullit (ndoshta mendojnë vetëm për shqiptarët, se të tjerët qenkan ngritur edhe për pavarsi e liri kombëtare!) ndaj Perandorisë. Reagimet e këtilla siç shihet, janë vetëm fjalë boshe të pa përkrahura me kurfarë argumentash historike ose dokumentash arshivore, ndaj dhe nuk kanë kurfarë baze shkencore.
Mirpo, megjithatë, edhe autorët maqedonas, përfshirë edhe ata serbë, kanë bërë studime në këtë drejtim, bile në kohën e fundit, duke mbledhur “fakte historike e arshivore” për shqiptarët, me një analizë të posaçme të tyre, ata “zbuluan të vërtetën” mbi shqiptarët. Studimet e tyre kanë qenë në fushën e antropogjeografisë (Pasi i kam lexuar personalisht veprat e tyre, ata në studimet e kësaj natyre kanë përdorur ekskluzimivisht metoda deskriptive cvijiqjane pa iu referuar ndonjë dokumenti arshivor ose ndonjë statistike zyrtare. Të dhënat i kanë mbledhur në terren duke i anketuar të moshuarit) në Maqedoninë Perëndimore, posaçërisht në rajonin e Sharit ku është koncentruar numri më i madh i shqiptarëve, vetëm me të njëjtin qëllim që t’u tregojnë qarqeve shkencore e atyre politike, se shqiptarët aty janë të ardhur e nuk kanë kurfarë arsye që të quhen autoktonë, siç pretendojnë ata. Megjithatë, këta studiues “harojnë”se lëvizjet popullative që mund t’i ketë patur edhe aty (si çdokund tjetër) që kryhen brenda territoreve të veta, janë të njohura si lëvizje metanastazike (për lëvizijet metanastazike shih më gjerë J. CVIJIQ: BALLKANSKO POLLUOSTRVO I JUZHNOSLLOVENSKE ZEMJE- Osnovi antropogeografije, kn.I-II, Beograd 1966.Ose për popullsinë dhe vendbanimet e Pollogut, shih J. Trifunoski: Polog- antropogeografska prouçuvanja, Beograd 1978. J. Trifunoski: Albansko stanovnishtvo u SR Makedoniji, Zemlja i ljudi, sv.12, Beograd 1982).
Nga ky reagim i ashpert i njerëzve të shkencës maqedonase, mund të shihet se ata ose nuk e kuptojnë të vërtetën historike mbi shqiptarët, ose nuk duan ta kuptojnë. Duket se tek ata ekziston kjo e fundit. Se ekzistojnë dokumenta historike ku mund të shihet prezenca e shqiptarëve në trojet ku jetojnë sot në Maqedoni dhe qëndresa aktive e tyre në të gjitha luftërat për çlirim dhe pavarsi kopmbëtare nuk ka dyshim, ngase kjo është një dëshmi historike e pakontestueshme.
Në vazhdim të këtij shkrimi do mundohem që të nxjerr para kexuesit disa konstatime shkencore nga studimet e bëra në territorin e Maqedonisë mbi prezencën e shqiptarëve në këto hapësira dhe pjesëmarrja aktive e tyre në ndodhitë e të kaluarës historike.
Prezenca e shqiptarëve në hapësirën perëndimore
të Maqedonisë është një fakt hisorik
Duke u bazuar në të dhënat arkeologjike, dokumentave dhe burimeve të ndryshme arshivore, mund të vihet në përfundim të pakontestueshëm për autoktoninë e shqiptarëve në trojet ku ata sot jetojnë me shekuj.
Të dhënat historike vënë në dukje se udhëheqsi ynë legjendar i mesjetës, Skënderbeu, rezistencën kundër okupuesit osman e pat bërë edhe në Maqedoninë Perëndimore (kujtojmë se në atë kohë nuk kanë ekzistuar kufij politikë sikur sot, që ta ndanin popullatën shqiptare pasi ajo ka qenë kompakte në vendin e jetesës). Në këtë anë të Maqedonisë, në këtë kohë, kanë jetuar edhe sllavomaqedonë (alloktonë) të përzjerë me shqiptarët. Historianët shqiptarë konstatojnë se luftërat Skënderbeu i pat bërë vetëm në territoret ku kanë jetuar shqiptarë. Për ekzistencën e shqiptarëve në këto troje, A. HANXHIQ, thotë se ata përmenden edhe në kohën e mbretërisë së Serbisë mesjetare të Stefan Vlladisllavit. Madje i përmend kristobulat e gjetura të manastirin të Shën Nikollës (1942) në Krajinë, në kristobulën e mbretëreshës Jelena (1280) e të njëjtit manastir, në kohën e mbretit Millutin (1296) në manastirin e Vranicës, pastaj edhe në kohën e Stefan Dushanit, në manastirin e Shën Mihajllit dhe Gavrilit (1348-13530, si dhe në Kanunin e Dushanit.
Në toponomastikën shqiptare mund të shihet se shumë emra të fshatrave kanë origjinë iliro-shqiptare. Kështu, për shembull, me këtë prejardhje janë fshatrat Arvat, Kurbinovë, Stenjë e Shtërbovë në rajonin e Prespës, në jugperëndim të Maqedonisë. Ekzistojnë edhe në vendet e tjerë të Maqedonisë. Po i përmendim disa prej tyre: fshati Arbanashka (në Manastir), Shutovë (në Kërçovë), fshati Lica- Lika ( në Shkup), Likovë (në Kumanovë), Turanis (një mbisjhkrim i gjetur në Shkup), Turanica (ara, lugina), Bard-Bardh, Bardulis-Bardhyl, Bigor-Bigjur-mbi gur e tj. Siç shihet këto toponime flasin se aty kanë jetuar iliro-shqiptarët e jo sllavët e ardhur. Në literaturën shkencore mund të gjendet edhe një fakt historik me rëndësi: Car Dushani kur e okupoi Epirin (Çamërinë) dhe Thesalinë në vitin 1348 në hordhitë e veta ushtarake kishte shumë shqiptarë. Një autor bullgar thotë se në shekullin e 14 në Pollog, në mes popullatës sllave ka pasur edhe shqiptarë, të cilët janë marrë me blegtori. Në fshatin Karpinë të Tetovës prej sh.15 në vakëfin e Kejbir Mehmed Çelebisë, përmenden emrat e banorëve shqiptarë, Gin (Gjin), Gon (Gjon) e tj.
Rast me rëndësi shkencore që dëshmon prezencën e shqiptarëve në trojet e Maqedonisë Perëndimore, mund të shihet në veprën studimore të dr. A. Selmani, POPULLSIA E MAQEDONISË. Sipas këtij studiuese të dalluar në fushën shkencore në Maqedoni, në regjistrimet osmane të sh. 15, në defterin Top-Kapi muzesinin arsivi defter, nr.7933mund të shihet emri “Mahalla Arnavut” në qytetin e Kërçovës. Kjo është koha e sundimit të Sulltan Pajazit II ku është bërë një regjistrim sipas përkatësisë kmbëtare. Po i përmendim disa emra shqiptare në mëhallën e përmendur, e cila ka qenë e banuar me shqiptarë të krishterë: Gjuro, i biri Vlatkos, Vlojko, i biri Gjonit, Dimjo , i biri i Gjeorgjios, Juvani, i biri Pejos, Petko, i biri Ninës (Nina), e tj. Gjithsej kjo mëhallë shqiptare në sh. e 15 ka numëruar 52 shtëpi (shih më gjerë në veprën e dr. A. Selmani, POPULLSIA E MAQEDONISË, Shkup, 2004.). Nga faktet që i përmendëm më lartë dhe nga ato që do t’i përmendim më poshtë të disa autorëv të hujë, historianët maqedonas mund të shohin (s’janë të detyroar të binden) se në territorin e M. Perëndimore kanë jetuar, së pari shqiptarët e pastaj sllavët, përkatësisht sllavomaqedonët (nocioni sllavomaqedon përmendet edhe në shkrimet e autorëve maqedonë. Shih M Panov: GEOGAFIJA NA SR MAEONA, Skope 1976) dhe përkatësitë e tjera etnike.
Autorët e huaj mbi ndodhitë historike në hapësirën e Maqedonisë
Duke u nisur nga fakti se territori i Maqedonisë përkurdoherë ka qenë vend etnikisht i përzierë (multietnik), nuk mund të thuhet se të gjitha kryengritjet që janë shkaktuar në këtë hapësirë kanë qenë pa pjesëmarrjen e etniteteve të tjera, posaçërisht pa pjesëmarrjen aktive të shqiprtarëve, kur dihet fakti se ata me maqedonët kanë ndarë fatin e njëjtë dhe me numër kanë qenë pas tyre. Më poshtë po i japim disa shikime të drejtpërsëdrejta të një gazetare angleze e cila në fillimin e sh. 20 e pat vizituar Ballkanin dhe pat qen prezente në kohën kur popujt e robëruar u ngritën në luftë kundër okupatorit shumëshekullor (turk) për çlirim dhe pavarsi kombëtare.
Në fund të sh. 19 dhe në dekadat e para të sh. 20, paraqiten mjaft autorë të huajë të cilët me një vemendje të posaçme i patën përcjellë ngatërresat që patën ndodhur në Ballkanin e trazuar e të okupura me shekuj. Në vazhdim do t’i përmendim shikimet e gazetares angleze, Edith DURHAM.
Kjo gazetare, veç ngatërresave të tjera që i pat përcjellë në rajonet e tjera të Ballkanit, një kujdes të posaçëm ju pat kushtuar edhe atyre në hapësirën maqedonase. Në këtë vend, në fillim të sh. 20 plasën disa kryengritje të cilat patën për qëllim çlirimin nga Perandoria Osmane. Sipas historianëve maqedonas, këto kryengritje i organizonin dhe merrnin pjesë vetëm maqedonët, të tjerët anashkalohen, kurse shqiptarët edhe pse kanë marrë pjesë në çdo kryengritje, nuk përmenden fare. Kryengritja e Ilindenit në 2 gusht 1903 nuk përbëhej vetëm prej maqedonasve, por krah për krah me ta luftonin edhe shqiptarët, të cilët më vonë dhanë ndihmesën e tyre në krijimin e republikës së Krushevës. Për këtë kryengritje ja seç thotë E.DURHAM: “Kryengritja maqedonase e 1903 ish një lëvizje thjesht bullgare”, pastaj vazhdon “… ajo ish e përgatitur keq, fshatarët të pastërvitur dhe fuqira të çrregullta nuk mund t’ua dalin kurrë gjer në fund trupave të rregullta”. Sipas saj, ky qe shkaku që ajo qe e destinuar që të dështojë.
Në këtë kohë për shkak të rrezikut që iu kërcënohej fshatarëve, mijra refugjatë qenë hedhur në Bullgari, ku ndërkohë zhvilloheshin edhe ndjenja kombëtare. Nga këta refugjatë formoheshin çeta komitësh të cilat hynin në Maqedoni dhe zhvillonin luftë guerile kundër forcave okupuese osmane. Kjo kryengritje nuk qe e ndihmuar nga vendet fqinj (Serbia ose Greqia), edhe pse sipas fesë qenë vëllezër ortodoksë dhe si fuqi më të mëdha. Bile asnjë prej popujve të Ballkanit s’ka dashur të çlirojë, siç thotë ajo, “vëllezrit e krishterë”, por veç ka pritur rastin pas largimit të okupuesit shumëshekullor, t’i aneksojë. Kështu grekët e serbët, nënvizon Durham, organizonin çeta komitësh të armatosur dhe i dërgonin në Maqedoni jo për të ndihmuar kryengritësit, por për të ndihmuar turkun për të shtypur “vëllezrit e krishterë”. Në këtë rast kryengritjes së kësaj kohe ndihmesën e pakyrsyer ia patën dhënë vetëm shqiptarët të cilët së bashku me maqedonët dhe vllehët luftonin për pavarsi.
Për përbërjen etnike të disa vendeve që i pat vizituar ja seç thotë: “Këtu do prek vetëm çështjen që u përkasin racave”. Në kohën kur e viziton Manastirin me qëllim që të blejë disa libra serbisht, për përbëjen etnike thotë se aty ndodhej një popullatë e madhe greke, pastaj në mes tyre një popullatë vllehe. Për numrin e shqiptarëve thotë se është mjaft i konsiderueshëm, në qytet dhe në fshatrat përreth. Për prezencën e etniteteve të tjera në këtë qytet dhe rrethirë, thotë se janë sllavë. Në këtë kohë, me rastin e një feste fetare, ajo ftohet që ta viziton edhe qytetin e Ohrit. Aty banonte një popullatë e përzjerë, nënvizon ajo. Më tepër se gjysma ishin myslimanë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Kurse prej të krishterëve, pjesën më të madhe e përbënin bullgarët, pastaj edhe një numër i vogël vllehë. Numri i serbëve ishte shumë i vogël.
Me këtë shkrim nuk kam patur ndonjë qëllim që të nxjerr në dritë të vërtetën historike të shqiptarëve që sot jetojnë me shekuj në territorin e Maqedonisë perëndimore e më gjerë sepse ajo ekziston, por t’u bëhet në dije edhe një herë qarqeve shkencore maqedonase për të vërtetën historike të shqiptarëve në trojet e veta dhe kontributin e tyre të përbashkët me maqedonasit në luftërat për çlirim territorial e kombëtar.