Poezi në kujtim e nderim të poetit e dijetarit të përsekutuar Vexhi Buharaja, me rastin e lindjes, me 12 maj 1920, në Berat.

Vexhi Buharaja u njoh në botën letrare  qysh më 1939, me poezitë “Përpara Tomorit,” fituese e çmimit të parë, “Zemrës“, “O fletëz e Zambakut”, “Shiu”, “Eja të vemi gjer në burim”, “Një ditë e një natë”, “Loti i nënës” e shumë të tjera. Krahas krijimeve e studimeve shkencore, ai njihet si përkthyes i vëllimeve “Endërrimet” dhe “Katër Stinët” nga persishtja të Naimit, dramës “Besa” të Samiut nga turqishtshtja dhe qindra dokumenteve e mbishkrimeve arabo-turke, me të cilat bënë emër e fituan grada të tjerët, kurse emri  i tij u fsheh në arkiva.

Si zotërues i disa gjuhëve të huaja Vexhi Buharaja, u shqua sidomos me përkthimet e kryeveprave të letërsisë persiane e botërore, si “Beharistani” të Xhamiut, “Gjylistani e bostani” të Saadiut, “Shahnameja” të Firdeusiut etj.

Vexhi Buharaja i burgosur dhe i persekutuar mizorisht nga diktatura komuniste, u vlerësua nga poeti i madh lirik Lasgush Poradeci dhe dijetarët prof. Eqrem Çabej, Sami Visoka, Mykerem Janina, orientalisti gjerman Franc Babinger etj.

Vetëm pas shembjes së regjimit komunist, Vexhi Buharaja u nderua më 1994 nga presidenti i parë demokrat Sali Berisha me titullin “Mësues i Popullit” dhe Biblioteka e qytetit të Beratit u përurua me emrin e tij. Më 2008 Akademia e Shkencave e Shqipërisë e përkujtoi në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

 

Berati,  kur sapo  bie mbrëmja

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PERENDIM BERATI DHE ZGJIMI I POETIT

Kushtuar poetit Vexhi Buharaja                                                          

 

Nga Agim Xh. Dëshnica

 

 

Shkoi dita pas Shpiragut,

nëpër re tretet e humbet.

Hijet  ulen, shtrihen mbi qytet.

 

Lumi  zbret e nget, uturin,

e nën hone shtrohet,

murmurin.

Lundra dergjet përmbys në zall,

hëna psherëtin përmbi valë,

dhe xhindet-peri  në Sarajë,

kërkojnë zambakun e majit

 

Rrapet lëshojnë lot e gjeth,

kujtim trokitjesh

shpirtin rrënqeth.

 

*

Heshti kambanë e Shëndëllisë,

u mbyllën portat e Xhamisë!

Rrafsh Sahati- koha ngriu!

Ndihet në muzg zëri Vexhiut:

“Bukuri këputur qiejsh,

mbi Tomorin sonte bie…

………………………….

Duro zemër të durojmë,

se pas natës vjen agimi….”

 

Shkrepin dritat, bri për bri,

hark mbi hark, çati më çati,

mbi urë vargjet me fenerë.

Zbardhin malet tej në terr.

Dhe ja, si puhizë  e detit,

zgjohen tingujt, shpirti i poetit,

kthen ngadalë dhe hijeshia,

mes vezullimesh ndrin rinia,

sy e ngjyra, thirrje e drita

e pse pas Shpiragut bie dita.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *