Kjo ishte Nëna e vuajtjeve…

Kjo ishte Nëna e vuajtjeve…
Nga Tomë Mrijaj
Krishtlindja, është festa tradicionale e lindjes së Jezusit fëmijë, i cili, me madhështi përkujtohet nga e gjithë bota.
Po këto ditë të mëdha të ardhjes në jetë të Krishtit, u nda nga jeta nëna e vuajtjes Hëna Sina, që kaloi vuajtje, sikurse Krishti, në kalvarin e diktaturës antifetare e antinjërëzore të  shtetit komunist.
Përballë  kësaj situate shokuese për mua, menjëherë mu kujtua filmi “Pasioni i Krishtit”, ku, jepen torturat që kaloi Ai.
Ne në Amerikë, kemi dëgjuar dhe lexuar shumë histori nga shqiptarë të arratisur, në lidhje me masakrat komuniste, mbi persekutimin dhe torturat çnjerëzore, që nuk mund t’i imagjinoi mendja e njeriut.
Babai i gazetarit të mirë njohur të  komunitetit tonë Beqir Sina, fort i ndëruari e respektuari Rasim Sina (një vit më  parë u nda nga jeta), ishte një intelektual i përgatitur dhe njohës shumë i mirë i historisë dhe traditës shqiptare.
Një ditë ai, me një guxim dhe trimëri shembullore, kishte kaluar perden e herkut me shumë shokë  antikomunistë.
Mbas disa kohe, me të ardhur në  Amerikë, integrohet si një aktivist i palodhur i çështjes atdhetare merr pjesë në grupet antikomuniste, që  vepronin jashtë Atdheut.
Duke parë zgjuarësinë dhe talentin e tij, sëbashku me bashkë punëtorin e ngushtë Hysen Mulosmanin, u zgjodhën nga organzata e tyre antikomuniste si zë dhënës të radios shqiptare “Zani i Atdheut” në New York, ku, si drejtor përgjegjës kishin ushtarakun e karrierës Kolonel Xhemal Laçin.
Për këtë shkak të mirëfilltë politikë, jeta e familjes së tij në vendlindje, si gruaja Hëna Sina dhe tre fëmijët, u vunë në  shenjestër, duke kaluar mbi shpinën e tyre kalvarin e pashëmbullt të persekutimit dhe syrgjenimit deri në vitin 1990, kur demokracia trokiti në  Shqipëri…
Në jetën time, kam parë  dhimbjen, që burojnë nga thellësia e shpirtit, për humbjen e njerëzve të  dashur të familjeve.
Por, e veçanta e kalimit në amshim të Nënë  Hënës, ishte se ajo ishte dhe mbeti vetë vuajtja ose sikurse e kam titulluar recensionin tim: “Vuajtja e vuajtjes tek femrat shqiptare”, mbi librin “Dhimbje” (Tiranë, 2008), ku, përshkruhet jeta mizerje në kampet e përqëdrimit dhe burgjet e shumta të nënave dhe motrave shqiptare, gjatë viteve 1944-1990, përshkruar me shumë nota origjinale dhimbjeje nga ish e persekutuarja shkodrane Fatbardha Saraci (e bija e Qazim Mulletit).
Kjo gjë më ndodhi edhe mbrëmë, tek lexova në fytyrën e mikut tim të  dashur, gazetarit të palodhur të komunitetit tonë z. Beqir Sina, brengën, që e kishte pushtuar nga humbja e nënës së tij të dashur.
Dhimbja e tij, ishte dhimbja e madhe e të gjithë nënave dhe motrave shqiptare, që kanë vuajtur kalvarin e persekutimit në shtetin burg të Shqipërisë komuniste askohe.
Bashkëshortja e Beqirit, një grua fisnike, bëri shumë për nënën e burrit të saj. Ajo u tregua e gatshme si një nënë e mire, duke lënë punën në një kompani private për t’i shërbyer nënës së bashkëshortit, që e donte shumë.
Miku im i dashur Sina, tregonte shenjat e dhembjes së madhe për humbjen e nënlokes së shtrenjtë, ku, me buzë të thara nga forca e kujtimeve të hidhura të së kaluarës plot vuajtje, përshpëriti këto fjalë: “Kjo ishte Nena e vuajtjeve…”.
U trondita shumë, sepse menjëherë si në një sekuencë filmike mu shfaqen kujtimet e shumta mbi kalvarin e vuatjeve të përgjakshme, persekutimeve, braktisjes, anatemimit në mediat komuniste, shpërfilljes, përbuzjes dhe urretjes së madhe për këtë shtresë antikomuniste, internimeve pambarim, që kisha dëgjuar dhe lexuar shumë dekada më parë, kur jam takuar me njerëz, që ishin arratisur mes sakrificave të mëdha nga kampet e përqendrimit komunist, rrethuar me tela me gjemba dhe bunkere lufte, plot roje me mitraloza të rëndë,  ndodheshin në disa burgjet të sketerrit komunist, në disa zona të humbura ose të pabanuara të Shqipërisë.
U emocionova shumë, mbasi njihja në detaje historinë plot dhimbje dhe brengë, që ka kaluar familja fisnike dribane Sina.
Në ato momente mu mbyll goja, nuk kisha zë t’i them diçka mikut tim të  shtrenjtë, për atë  dhëmbje… por i shtrëngova fort dorën me trup të rrënqethur, dhe me mend i thashe: “Qëndro mik i dashtun, se ti po e përcjell Nënën e dhimbjeve të mëdha të familjes tuaj, në këtë ditë të  madhe, e ajo në parajsë do të lutet për djalin e saj, që e kishte si dritën e syve të ballit. Mos u merzit mik i dashtur Beqir, se nënën tuaj po e percjell si nje mbretereshe, me një  pjesëmarrje shumë të madhe të  miqve dhe dashamirëve tuaj nga gjithë trojet etnike shqiptare… Nënlokja pushoftë në paqe, e i lehtë  i qoftë dheu i kë saj toke të  bekuar, e ju familjarisht Zoti, ua priftë mbarë  në çdo hap të  jetës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *