– Perëndia do ta kthejë në gëzim çdo lot… nga sytë e tu të bukur.
Ia fshiva me buzët që më dridheshin.
– Do të të falë…
Më shtrëngoi fort.
– Dhe, e shkuara… le të mbetet atje. Në antijetë.
Skënderi ndez cgaren dhe ulet në kolltukun mbështetur në shtyllën e gjerë që ndan zyrën tonë në dy pjesë. Hotel Skampa. 1992. Është kthyer nga takimi… E thërriti Golja, kamerieri. Ishte i tronditur, kur ia tha nën zë se e kërkonte… e priste te shkallët. Një grua e thinjur.
Me Skënderin jam bërë mik, që kur u vendos bashkë me familjen te lagjja “Banesa”: e ndërtuar enkas për të padëshiruarit e sistemit. Ishte shquar si futbollist i talentuar, për aq kohë sa e lanë “çlirimtarët” të luajë. Me të pushtuar vendin, antinjerëzit i kishin pushkatuar babanë dhe burgosur mamanë. Ç’kishin bërë prindërit e gjorë? Ëndërruar Shqipërinë të zhvilluar si mikja përtej detit. Italia. Tre fëmijët e mitur, dy dejm dhe një vajzë, ishin rritur mes vuajtjesh të pafundme. Vetëm. Një ditë u trondita thellë, kur mësova se edhe nga “Banesat” i dëbuan. Internuan.
– Erdhën. Njëri prej tyre më njihte. Ishte dashamir futbolli dhe sillej i rezervuar. Mblodhëm ato pak gjëra që kishim vënë me gjak, punë të rënda bashkë me vëllanë, Xhixhin dhe filluam t’i ngarkojmë në karrocerinë e kamionit. Vajza, bebe, filloi të qajë pa pushuar. E ëma vuri kujën me fjalë. “Ku do të mbytemi tani? Skënder…”! “Shko te prindërit e tu komunistë”! E urdhëroi fytyra pa gjak. Krimineli. Përgjegjësi. Dhe e mbërtheu nga krahu.
Skënderi fshin lotët.
– Më fal.Djegin.
Kalon një gllënjkë ujë, dhimbjeje.
– Iu hodha në grykë ta shqyej. Mamaja e sëmurë, zemra, e mbledhur mes plaçkave, më lutej ta lëshoja.
Shtator. Instituti Pedagogjik Elbasan. Skënderi ngjiti rrugën për në shtëpi. Tek hyrja e institutit dy studente e ndoqën me sy djaloshin elegant, veshur me pulovër të huaj e pantallona të prera bukur.
– Është Skënder Leka, futbollist i Elbasanit. Të të prezantoj. Është mik i familjes sime.
Studentja e brishtë, me tipare të holla, që dukej se mund të të përthyej ndër duar nëse nuk e mbaje me kujdes, i buzëqeshi shoqes me aprovim. Atë mbrëmje, te një stol i parkut “Rinia”, dy të rinjtë do të nisnin udhën e shenjtë të dashurisë. Shumë shpejt çifti do të gëzohej me fëmijë. Vajzë, të bukur si drita.
– Iku te prindërit.
Zëri i lotohet.
– Jeta ime, e kontrolluar nga anitinjeriu, s’kishte të ardhme. Tani është tepër vonë. Perëndia më hodhi me njërën dorë, por më priti me dorën tjetër. Gruan që kam.
Sytë i qeshin. Lot… gëzimi.
Ne foto : Skënder Leka dhe Muç Xhepa