DYZETË VITE PUSHTET! SI ENVERI!

Antiestablishment!

Mailinda Zeneli

Ndërsa diktatura e proletariatit na mbajti 45 vite të bindur ndaj partisë dhe Enverit, establishmenti i sotëm na kërkon (si Enveri dikur) t’i bindemi vullnetit të hekurt për PUSHT-et edhe për gjatë dekadës së katërt. Plot 40 vite pusht-et! Si Enveri!

Berisha mbetet shylla më përfaqësuese e establishmentit politik, që për pushtetin e vet, në mënyrë ciklike, i ka vënë këmbën në fyt demokracisë për ta rrënuar në themel. Në dy muajt e parë kam qenë ndjekëse e rregullt, madje entuziaste e shpresëplotë e foltoreve të Berishës.

Por racionaliteti politik që përcjellin në analizat e tyre intelektualët antiestablishment apo antiBashistët e grupimit fraksionist, “Demokratët tradicionalistë”, po nxjerr prej kohësh në dritë problemin e madh të PD -së dhe të krejt demokracisë shqiptare, mbajtjen peng të tyre, jo vetëm prej sorosistit Basha, por edhe peng i establishmentit Berishist.

Rezistenca antiestablishment betejen e demokracisë e shikon te kaloje nëpër dy kauza të ndërvarura e të njëkohëshme, në betejën antiestablishmetit politik në bllok dhe antiglobalizmit (antisorosizmit), një betejë e dyfishtë që ka për “bibël” konservatorizmin tradicional.

Establishmenti, veçanërisht ai Berishian, e ka të refuzuar në ADN misionin e demokratizimit real të PD-së dhe të vendit. Ndryshimet e kobshme kushtetuese të 2008 janë treguesit më flagrant i pazareve pragmatiste të Berishës me “kundërshtarin” e vet të madh, me Ramën sorosist, për të goditur së bashku në zemër Kushtetutën, me të edhe demokracinë, gjithçka në shërbim të përjetësimit të pushtetit të vet. Zgjedhjet e lira dhe të fshehta, autokrati Berisha i “shkërrmoqi” frikshëm lehtësisht, ndërsa asfiksoi demokracinë dhe bëri Kushtetutën të pa sens. 18 vitet e demokracisë së brishtë u hodhën në kosh. Vota e lirë dhe e fshehtë u zëvendësua me listat e kryetarëve të partive. Tiranía e establishmentit u konsolidua, ndërsa demokracia “ra përmbys”. Establishmenti dhe globalizmi marshuan së bashku fitimtar! 140 deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, personalitetet e dikurshme të dijes dhe politikës, pas kobit kushtetues të Berishës në 2008, u zhdukën, për t’u zëvendësuar me klonët preferencial të autokratit Berisha dhe kryetarëve të partive të tjera.

Berisha i foltoreve të sotme, i kuvendit të “frymës” dhe “optimizmit”, i “primareve” të orientuara e të diktuara sërish nga pushteti Berishist, me tiranínë e vet antikushtetuese të 2008, mbetet përgjegjësi kryesor i zhdukjes së klasës politike në këtë vend, të përfaqësuar më vonë vetëm me kryetarët e partive, më saktë e përfaqësuar vetëm me dy “mbretërit” e partive më të mëdha. Por Soros, jo Basha, u tregua “besëprerë”, që nuk e vlerësoi Berishën, vrasësin misionar të demokracisë shqiptare.

Të dyja krahët e establishmentit, Rama sot, veçanërisht Berisha dje, kanë investuar fort pushtet korruptiv dhe presion, veçanërisht me dosjet e ish-sigurimit të shtetit, ndaj sistemit të drejtësisë dhe gjithë strukturave të shtetit, për t’i kontrolluar dhe komanduar ato për interesat e tyre.

Në 10 korrik të 2014 iu bashkova protestës së të burgosurve politikë të diktaturës para Parlamentit, ku gjuajtëm me domate, edhe pse të penguar nga policia, makinën e Erion Velisë, ministrit të ndihmës sociale. Skënder Tufën, kryetarin e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë e kisha njohur pak muaj më parë në godinën e të Përndjekurve, ku shkova për të kërkuar ndihmën për punësim tim edhe jashtë arsimit, të refuzuar egër prej shumë vitesh. Me Skënderin, Gëzimin nga Elbasani, si dhe Perikliun, të gjithë të burgosur politikë të diktaturës, shkuam në shtëpinë e Perikliut, një shtëpi me dyer të hapura tej për tej, që ishte në shërbim të të vobektëve të rrugës, të cilët të uritur vinin për të marrë tasin e supës së hollë. Në një bisedë me zotërinjtë, ndërsa gjerbnim supën e hollë me pak bukë, Perikliu i ndjerë dhe Skënderi më treguan për grevën e famshme të 2012 dhe për Lirak Bejkon, shokun e tyre që u vetdogj. Gjatë rrëfimit, Perikliu tha: “Edhe në ’91-shin, Berisha e mori me forcë PD-në, vetëm për pushtet. Komunistit Berisha nuk ia ndiente për demokracinë! Nuk na mbështeti kurrë! Bëri çmos të na largonte nga PD-ja që në ’91-shin, se e dinte që ne të burgosurit politikë nuk shiteshim, do mbronim demokracinë me çdo çmim. Është komunist i pandreqshëm!”

Antiglobalizmi është ekzistencializëm!

Ndërsa shekulli i kaluar përballoi dy betejat të rënda, kundër nazizmit dhe bllokut komunist, shekulli i XXI përballet me sfidën ekzistenciale të antiglobalizmit. Përballja globale është përballje ideologjike: Konservatorizmi përballë globalizmit neoliberal!

E djathta jonë e marrë peng nga establishmenti Berishian, pavarësisht fasadës dhe përbetimeve antisoros, e ka të tradhëtuar betejën e antiglobalizmit (antisorosizmit). Antiglobalizmin e përfaqëson dhe e përballon vetëm konservatorizmi. Establishmenti Berishist, me pasionin e pakontrolluar për pushtet, e ka konservatorizmin “fake”, fasadë. ADN -ja “e thyer” e establishmentit, pa kurrfarë parimesh, ngjizur në gjithfarë pazaresh, ka një mision të vetëm, përmbushjen e etjes së panginjur për pushtet.

Pa konservatorizëm nuk ka antiglobalizëm! Antiglobalizmi është ekzistencializëm!

Konservator lind, nuk bëhesh!

Për fat dreqi, globalizmi, në epokën e tij më dënoi me burg të gjatë (edhe pse me dyer të hapura) dhe më bëri të përndjekurën e vet “politike”. Ky “shkollim” tmerri më bëri të “lind konservatore”, pa “lëçitje” filozofësh. I njëjti sigurim i zi, si ai i diktatruës, madje dhe më kob, se ka “shkollën” naziskine të CIA-s globaliste, si dhe të shërbimeve sekrete antishqiptare, të ulura “këmbëkryq” në këtë vend, më shkruan në ADN: Konservatorizmi Vlerë Ekzistenciale!

Berisha dhe establishmenti që përfaqëson nuk kanë kurrfarë lidhje jo vetëm gjenetike, por as formale me konservatorizmin, i gjithë pragmatizmi politik mbi 31 vjeçar i tij është antidemokraci e antikonservatorizëm.

Rusell Kirk, teoricieni i shquar amerikan i konservatorizmit tradicional, në librin e vet, “Mendja Konservatore”, në analizën e njërit prej parimeve konservatore, autori shkruan: “Konservatori vendos kufizime të matura mbi pasionin njerëzor për pushtet. Kufizimet kushtetuese, kontrollet dhe ekuilibrat politikë, zbatimi adekuat i ligjeve, rrjeti i vjetër i kufizimeve mbi oreksin për pushtet – këto konservatori i miraton si instrumente të lirisë dhe rendit.”

Në gjithë barbarinë e ndryshimeve kushtetuese ndër vite, duke përfshirë edhe shkallmimin kob të 2008-ës, Berisha dhe establishmenti i tij nuk iniciuan kurrë, edhe formalisht, kufizimin kushtetues të zgjedhjes së presidentit, kryeministrit apo kryetarit të partisë. E gjithë kjo për t’i shërbyer në një kohe si kjo, ku në vend të pensionimit të tij politik, kërkon njëherësh, kryetarin e partisë dhe kryeministrin.

Pretendimi se gara e ardhshme brenda PD-së do të jetë demokratike është propagandë e pështirë. Gjithkush e di se Berisha që nga ’91-shi i largët, me teknikat e ish-sigurimit të dikurshëm, por dhe të SHIK-ut të tij të famshëm, ndali me dorë të hekurt konkurrencën dhe meritokracinë në karrierën politike, duke lënë terrenin politik të zbrazët, pa asnjë alternativë të vetme, për ta ruajtur për veten në një ditë të tillë si kjo e “non gratës”.

“Konservatori i përmbahet zakonit, traditës dhe vazhdimësisë. Është zakoni i vjetër, tradita, që u mundëson njerëzve të jetojnë së bashku në paqe; shkatërruesit e zakonit prishin më shumë sesa dinë ose dëshirojnë.” -analizon Kirk, parimin e traditës, ndoshta më i rëndësishmi i konservatorizmit tradicional.

Në korrik të 2009-ës, në konkurrencë të egër me Ramën, beniaminin e Soros, që rrezikonte seriozisht pushtetin e tij, Berisha paraqiti në parlament projektligjin për martesën e pederastisë. Ky vendim që synonte “fortifikimin” e pushtetit të tij, surprizoi Perëndimin, pasi martesat e gejve ligjërisht njiheshin vetëm në Spanjë. Të parët jo vetëm në rajon, por edhe në Europë!

Etja për pushtet e Berishës goditi në zemër konservatorizmin, traditën, vlerën përbashkuese të familjes dhe shoqërisë. Antireforma të tilla “rrufe”, ku nuk pyetet askush, sollën anarkinë sociale, por konsoliduan aleancën pragmatiste të establishmentit me tiranínë sorosiste. Ky i fundit, në heshtje të rëshqitshme ka mbërritur sot në kontrollin e plotë të shtetit dhe pushtetit.

“E keqja më e vogël”

Lufta kundër establishmentit është luftë për demokraci!

Establishmenti dhe demokracia janë dy vektorë paralelë, pa asnjë pikëtakim. Dorëzimi i kauzës për demokraci te establishmenti (edhe ai Berishist) është riciklim i pafund i autokracisë, diktaturës. Demokracia është antiestablishment! Ajo mban nën kontroll çdo vullnet tiraník që kërkon sundimin.

Beteja antiestablishment është edhe antiglobalizëm (antisorosizëm)!

Dy kauza në një betejë të përbashkët. Nëse do të neglizhohej njëra nga dy kauzat, establishmenti apo sorosizmi do kërkonin sërish rrugë të reja bashkëpunimi mes tyre. Soros dhe sorosizmi ka vite që bashkëpunon me establishmentin tonë politik të të gjitha krahëve kundër armikut të tyre të përbashkët, demokracisë. Demokracia është sa antiestablishment, aq edhe antiglobalizëm!

Thirrja e foltores, së fundi edhe e “shtëpisë së lirisë”, se aleanca e ricikluar e establishmentit, LSI + PD-ja Berishiste, janë “e keqja më e vogël” përballë “të keqes më të madhe”, aleancës tjetër të establishmentit: rilindje + PD-ja zyrtare (të përzgjedhurit e Soros), është tërësisht e përbuzëshme për rezistencën antiestablishment, që udhëhiqet prej parimeve, vecanërsiht ato të konservatorizmit dhe jo prej taktikash koniukturale.

Asgjë nuk i dallon të gjitha krahët e establishmentit! Dallimi i vetëm është te Soros, i cili ka për të preferuarit e vetë esadistin Rama dhe “kolonën e pestë”, “Luljetën” dhe “Gazmendën”, liberalët e LGBT-së.

Me gjithë “pazarin” bujar të Berishës me Soros në 2005, për dorëzimin e pushtetit te Basha, si dhe përbetimet “duarshqiponjë” dhe më pas takimet me Aleks Soros, të Metës, Soros i flaku në hiç dy shtyllat e establishmentit.

Për tri dekadat e kaluara e merituam plotësisht gurin e Sizifit, me të cilin establishmenti ynë na mbajti “urtë” dhe nën kontroll. Kemi hyrë në dekadën e katërt dhe sot, të njëjtat figura, në vend të ndëshkimit po rehabilitohen, madje si heronj. Nëse elita e sotme, me gjithë kusuret e veta, nuk del nga facebook-u drejt protagonizmit politik (jashtë sqetullës së establishmentit), rreziku është i madh, që mjerimi pa horizont i fatit të Sizifit të na ndjek edhe për dekadën e katërt.

6 shkurt 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *