Roman autobiografik
Ramadan Pasmaçiu
-1938- 2021-
Pjesë të zgjedhura
Përgatitur për botim,
nga Agim Xh. Dëshnica
Fati i mbrapsht i gjeologut.
Mezi sa e gjeta zyrën gjeologjike. Ajo nuk ishte në komitetin ekzekutiv, por te disa baraka jashtë Burrelit, në drejtim të Klosit. Eca në këmbë gjer atje. Dhe rruga nuk ishte aq e shkurtër, por ndonja dy kilometra e ca. Kapërceva një xhade makine të tatëpjetë me kthesa të forta. Pastaj rashë në terren të sheshtë e me gropa. Siç më kishin treguar, do të më duhej të ngjisja edhe një malore me baltë. Të djeshmen, dukej, kishte rënë shi. Toka e butë në atë bërryl të epërm, e rrahur nga rrotat e makinave dhe nga këmbët e njerëzve, ishte shndërruar në një brumë që mezi sa i shqiteshe. Por, as që desha t’ia dija. Isha i vendosur ta gjeja patjetër Ahmetin, edhe sikur ta dija se do të mbetesha atë natë në Burrel! Mjaft që të mësoja a ishte mirë.
Pas pak, i kisha barakat e gjeologëve jo më larg se pesëdhjetë e ca metër. Muzgu po binte. Një muzg i zymtë nën qiell të vranët. Konturet e kodrave përreth, plot shkurre e bimë të shkurtra të gjelbra, po humbisnin. Dhe ja, tek përshkënditi një llampë elektrike me dritë të zbehtë në hyrjen e njërës prej barakave! Sa iu afrova asaj, thirra. Nuk m’u përgjigj kush. Thirra prapë, i bindur se ai që do të dilte i pari në prag, do të ishte Ahmeti. Se, domosdo, do të ma kishte njohur zërin. Sa do të habitej dhe sa do të gëzohej, kur të më shihte! Prita, duke nxjerrë paqetën të ndizja një cigare. Ndërkaq shquajta një trup të gjatë me një mushama të verdhë gjer te këmbët e me një kapele kasketë në kokën e thinjur.
– Bujrum, shok! – më tha. – Mirë se vjen!
– Mirë se të gjej! – ia ktheva dhe e pyeta: – A je i gjeologjisë ti?
– Po, si urdhnon! Shërbej si roje këtu, por edhe si kuzhinier. U baj djemve me hangër.
– Bukur fort! Po vij nga Tirana unë. Jam shok i vjetër i Ahmet Bregut. E pata një punë këndej. Sapo e mbarova, thashë ta takoj sa për pak e pastaj të kthehem.
– Jo, bre! – ma ktheu i habitur, duke lëvizur mbi njërën këmbë. – Je lodhë kot, besa! S’mundesh me e takue këtu as sojt e as mot!
– S’po të marr vesh!
– Eja, eja mbrendë! Ulu e çlodhu nji fije! Po ta baj nji çaj e po të kallzoj!
U preva. “Ç’do të më kallzonte!?” Një parandjenjë e keqe më përfshiu të tërin, por s’e dhashë veten. E ndoqa nga pas.
Si më vuri çajin përpara, roja më pyeti:
– Me taman je shok i vjetër me inxhinier Ahmetin, a?
– Qysh jo! E kemi bërë bashkë shkollën e mesme, në Kuçovë.
– Ç’ka thue!?
– Posi, posi!
Ai lëshoi një psherëtimë të gjatë.
– Ah, rrezikziu!
Mendova se ishte rrëzuar në ndonjë rrëpirë e ishte vrarë, gjë që ndodhte ndonjëherë me gjeologët, kur ngjisnin shkrepat e maleve.
– Pse, çfarë i paska ndodhur!? – e pyeta rojen me një frymë.
-Si me ta thanë? – m’u përgjigj i dëshpëruar. – Erdhën para nji jave dhe e arrestune këtu, kur ishte tue fjetë, tre policë dhe dy oficera nga ata të Degës. Morëm vesht ma mbrapa se paska dashtë me u arratisë në Jugosllavi!
– Jo, mor, jo!
– Po, or, po!
– E pastaj?
– Ça dij gja vetë! Prandej, ma mirë ik tash, e as mos i tako gjeologët, që janë kah vijnë! Pula s’ke, ç’ka të lypet me ia ba ish!
Kishte të drejtë. Dukej njeri i patëkeq. U ndava me ’të dhe u nisa drejt Burrelit nëpër terr.
“I shkreti Ahmet! – thoshja hap më hap. – Ia paska kurdisur vjehrri, kolonel i sigurimit se ia kishte ndarë të bijën -grua e përdalë e kapur befas në takim me një tjetër, Pra. Ahmetin e paskan rrasur në ndonjë qeli dhe kushedi se në ç’kamp! Do të vuajë kushedi sa vjet si i burgosur politik! Do të dërrmohet e sakatohet, edhe pse i pafajshëm, si sa e sa!”
I rritur jetim Ahmeti! Prej vitesh – edhe pa baba! I vetëm tashmë në këtë botë! E kush do të kujdesej për ‘të! Kush do t’i çonte një paqetë cigare tek ishte!
“Zoti e ndihmoftë!” – pëshpërita, gati të shpërtheja në lot.
Gjeta më vonë një makinë vetëshkarkuese, nga ato me karroceri metalike, që shkonte në Milot. Hipa në kabinë me shoferin. Ishte goxha burrë dhe donte muhabet. Po ku qeshë në gjendje unë! As që e kisha mendjen në vend! U shtira sikur më vinte gjumë. Dhe ai s’më trazoi. Lëkundesha gjatë tërë rrugës me kokën mbi bërrylin e mbështetur në anë të sediljes.
Te kthesa e Laçit makina ndaloi. Gjysmë ore, si pata zbritur prej saj, erdhi e më mori një skodë gjer në Fushë – Krujë. Lëre! Copa – copa udhëtova gjer në Tiranë. Arrita në shtëpi pas mesnate.
Nisin shqetësimet për revistën e fëmijëve.
Pati kaluar ndonjë muaj e ca nga dita e vdekjes së Enver Hoxhës dhe shumë vetë ndiheshin më të qetë me një shpresë të vagët për ndryshim. Kisha folur me sekretarin e parë të partisë të Burrelit. Prisja ndonjë të re nga Astriti. Më kishte thënë se do të më merrte vetë në telefon. Po ku ishte!? Pse nuk ndihej!? Ndaj edhe në ato çaste me mendjen tek ai po rrija. As që më jepej të punoja. Më dilte në sy motra që vuante dhe torturohesha, pse nuk po mundesha të bëja dot gjë për ’të.
Kur, erdhi një shok tek unë dhe më lajmëroi se më priste drejtori, por jo ai i pari, se kishte dalë në pension. Në vend të tij kishin caktuar Masarin, një të ri edhe nga mosha, që kishte ardhur në institutin tonë disa vite pas meje. Ishte tërheqës në pamje dhe i zgjuar. Kur qe thjesht punonjës shkencor, më afrohej shumë. I pëlqente shoqëria me mua. Më tej, më fliste, madjé, për intimitete dashurore. Unë e dëgjoja dhe i thoshja se gënjente. Ai më betohej e stërbetohej. “Ah, ti je kot fare, për sytë e ballit!” – ia ktheja më në fund. Nuk fyhej, por shkrihej së qeshuri, se më donte dhe besonte.
Ndërsa ngjisja shkallët për tek Masari, vrisja mendjen të gjeja se përse më kishte thirrur.
Sa hyra në zyrën e tij, ulur në kolltukun përballë derës, më zunë sytë shokun Andrea, inspektorin e drejtorisë së shtypit e të propagandës të komitetit qëndror. E admiroja atë, sidomos pas asaj ngjarjes vite më parë me Lilikën, kolegen e vet, e cila u prir të më bënte gjëmën, se paskësha botuar në revistë një fotografi fëmije të një familjeje të deklasuar! Po edhe ishte tip babaxhani Andrea, që s’i mbahej kujt më të madh. Iu drejtova i qeshur, duke i zgjatur dorën:
– Ooo, mirë se erdhët! Si jeni?
Vuri buzën në gaz edhe ai, u ngrit e u takua me mua si me një mik.
– Po ç’kemi?
– Punë! – i thashë dhe zura vend përbri, duke parandjerë diçka jo të mirë, se pa shkak nuk do të kishte ardhur. Dhe, për më tepër, pse te drejtori, e jo drejtpërdrejt tek unë!? Asgjë s’e lidhte me ’të, përveçse me mua, që nxirrja një organ shtypi!
Më hodhi njërën dorë mbi shpatull, filloi të më shikonte për një kohë ngultas, pa e ndërprerë buzëqeshjen, dhe vazhdoi të më pyeste për shëndetin, për njerëzit e shtëpisë, ç’thoshte revista, si shkoja me krijimtarinë… Dukej, donte të dilte diku. Pas pak, si ia hodhi sytë kalimthi drejtorit, që zhgaraviste kot më kot me kokën ulur mbi një copë letër të bardhë, m’u kthye sërish:
– Dëgjo, seriozisht të pyes: a je gati të shërbesh ku ka nevojë partia?
Një si korrent më përshkoi zemrën tej e tej dhe ma pengoi për një çast frymëmarrjen. Megjithatë, nuk iu shfaqa. Buzëqesha paksa dhe ia ktheva:
– Ç’është kjo pyetje, shoku Andrea! Kuadër i ri jam unë!? E kam dhënë përgjigjen qysh se mora diplomën e universitetit, para më shumë se një çerek shekulli! Apo mos ka lindur ndonjë problem dhe duhet të flasim hapur?
– Po, mirë thua! Çështja është se partia jua vlerëson punën dhe aftësitë, ndaj ka menduar, nëse s’keni kundërshtim, t’ju vëjë në dispozicion për një detyrë më të lartë.
E qartë fare! Donin të më largonin që andej dhe shpejt. Të gjitha të tjerat ishin fjalë në erë. Po cila të qe arsyeja!?
Heshta për pak dhe i thashë shokut Andrea:
– Të jeni të bindur se ju respektoj shumë, ndaj dhe ju flas sinqerisht! Po e latë në dëshirën time, unë nuk dua të lëviz nga puna që kam. Jam në profilin tim, tashmë me përvojë të gjatë këtu, qysh nga numri i parë i revistës, së cilës edhe emrin ia kam vënë vetë, dhe mendoj se asgjë nuk më shkon keq. Ndryshe është të caktohem diku gjetkë, tek do të më duhet ta nis gjithçka nga fillimi…
Ai më ndërpreu:
– Po përgatitja juaj e tanishme është tjetër. Detyra e re, më e rëndësishme, tek padyshim do ta keni edhe pagën më të madhe, ju takon!
U ngrita në këmbë.
– Jo! Nuk e dua! Ju lutem!
U ngrit edhe ai.
– Në rregull! – tha. – Mbaroi! Unë isha i ngarkuar t’ju merrja thjesht mendimin!
U drejtua nga dera. Masari iu vu pas. Ai iu kthye e i vuri njërën dorë mbi sup:
– Jo, jo, rri ti, drejtor! – Dhe më hodhi krahun mua. – Le të më përcjellë “shefi”!
I zbritëm shkallët ngadalë. Andreas i qeshnin sytë e i qe bërë qejfi nga përgjigjja ime! Kërkoi që ta shoqëroja një copë rrugë.
– Më the qëparë se ke respekt për mua, – ia nisi ai përsëri, sa dolëm nga instituti, – po edhe unë të dua, se të njoh, kupton? Ndaj mbamë vesh! S’mund t’ia hiqja kapakun tenxheres në sy të drejtorit, se ti je yni, ti je i shtypit, jo ai! Kupton? Me atë në mes fola zyrtarisht dhe i detyruar, se megjithëqë je në numenklaturën tonë, në organikë të ka ministria e arsimit. Pra, me ty, vetëm për vetëm, do të flas si shoku me shokun. Dhe ja, si është puna! Po ta them, po mos ia zër në gojë njeriu! Ke dëgjuar mbase që po bëhen shkurtime edhe lart, tek ne. Na ka gjetur belaja me atë shoqen Lilika, na ka ngecur sharra në gozhdë, dhe s’po dimë nga t’ia mbajmë. Është vendosur të largohet nga drejtoria jonë, jo veç si e tepërt, po edhe si e paaftë. Dhe e kanë pyetur se ku dëshiron të shkojë. Kryetare e organizatës së grave të Tiranës nuk do! Kryeredaktore në revistën “Shqiptarja e re” nuk do! Sekretare kolegjiumi në gazetën “Puna” nuk do! Ka ngulur këmbë si mushka që të vijë e të zëjë vendin tënd, se thotë që paska talent për t’u marrë me letërsi për fëmijë! Ke parë kështu!? Hajde dhe gjeji mendjen! Prandaj erdha. Të të pyes në pranon, po të të gjendet një punë më e mirë. Se kështu është porosia, që po të mos pranosh ti, hiç mos të të luajnë!
Iu përgjigja i çliruar:
– E, ashtu, nuk pranoj, nuk!
-Dakord! Rri i qetë tani! S’të lëviz dot kush me zor, se kanë mendim të mirë për ty ata të mëdhenjtë!
E ndoqa me sy tek largohej. I hidhte hapat të mëdha. Era që frynte nga veriu ia shtynte pantallonat e gjera djathtas.
Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në institut, veç jo te zyra e drejtorit, por drejt e tek unë.
– Prapë më dërguan të të pyes, – më tha, – se ajo s’do që s’do të heqë dorë! Pra, a pranon ta lësh revistën, në rast se të gjendet një vend më i mirë?
– E thashë një herë! Kështu, vullnetarisht, jo! Me urdhër, është tjetër gjë! S’kam ç’bëj! – iu përgjigja.
– Ke hakë! – ma ktheu. – Je rehat këtu, hiç mos luaj! – më dha dorën dhe u largua.
Kaluan dy javë e ai nuk po dukej më. Por, a mund ta flija mendjen? Kurrsesi! Lilika kishte në dorë edhe gurin edhe arrën. Qe tinzare. Një lloj Dhorke! Dinte të ta lëshonte ujin nën rrogoz. Nga ajo gjithçka mund të prisje. Dhe s’kishe ku të ankoheshe. Ishte si të të vinte e keqja nga kadiu. Kush do të ta bënte gjyqin?
Dhe erdhi një ditë, kur e pashë atë në institut. Isha duke dalë nga zyra ime, në korridorin e katit të parë. Kaloi para meje serioze, me një çantë prej lëkure të hollë nën sqetull. U duk që nuk e priste të më ndeshte aq papritur, se ndërroi në fytyrë. Sikur u zu ngushtë e s’dinte ç’të bënte. Më përshëndeti vetëm duke luajtur lehtë kokën, dhe ngjiti shkallët për te drejtori. Ishte me një palë pandofla të sheshta, të lehta, prej gome, si të donte të mos i ndiheshin hapat, njëlloj si hajdutit. Dhe vërtet në atë rast ajo s’i linte gjë mangut atij. A nuk po vinte të më vidhte punën? Jo! Qeshë i vonuar në gjetjen time. Ajo ma paskësh vjedhur e përlarë, e unë as që e dija! Madjé, ditë më parë qenkësh njoftuar edhe drejtori, Masari, se ajo ishte rekomanduar kryeredaktore e revistës, por siç doli më vonë, ai s’kishte pasur gojë të ma thoshte, po edhe kishte shkuar me shpresë se atë gjë do të mund ta prapësonte ministria!
Vetëm pas dhjetë minutash, unë e Lilika ishim të dy në zyrën e drejtorit. Ai, ashtu siç kishte bërë edhe në takimin me shokun Andrea, rrinte me kokën ulur, pa më vështruar drejt. Kishte një pamje vërtet të zymtë dhe i mbante buzët të shtrënguara.
– Me shoqen Lilika njiheni, besoj? – më pyeti pas pak.
– Po! – iu përgjigja shkurt.
Ajo rrinte ulur dhe këmbë përmbi këmbë në kolltuk, me një copëz letër të bardhë sipër çantës e me një stilolaps në dorë, si e gatshme të shënonte çdo fjalë tonën, për ta raportuar diku. Flokët e saj të drejtë e të dredhur paksa nga fundi, të lyer në një gështenjë të çelur, lëkura e hollë e dritëzbehtë e fytyrës, rrudhat ndonëse të cekta nëpër grykë dhe gusha disi e varur, tregonin se kishte hyrë me kohë në gjysmën e dytë të jetës. Ndërsa sytë kafe, të mëdhenj e të lëvizshëm dhe qafa enkas e ngrehur, sikur ngulmonin të shfaqnin me zor vitalitetin, që po i shuhej, dhe përpjekjen e dëshpëruar për të mbajtur si me dhëmbë joshjen femërore, që po i rrëshqiste.
– Është një çështje, që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me ju, prandaj nuk mund të mos ju thërrisja! – më tha drejtori aty për aty. – Shoqja Lilika qenka rekomanduar kryeredaktore në revistën tonë për fëmijë!
Ajo e ndërpreu sakaq:
– Aaa, jo, shoku Masar! S’është fjala për rekomandim këtu, po për emërim!
Ai hapi duart anash dhe iu kthye:
– Unë ju kuptoj. Juve ju pëlqen të vini tek ne. Dhe, si të thuash, është nder që kolektivi ynë të ketë në gjirin e vet një kuadër me përvojë pune në aparatin e komitetit qëndror. Por, nuk dua të më keqkuptoni! Problemi është se kryeredaktori nuk na mungon! S’mund të jenë dy të tillë në një revistë! Prandaj, do të bisedoj me eprorët e mi. S’kam kompetencë t’ju pranoj, pasi edhe shoku…. – shtoi, duke më treguar mua, – nuk është vartës imi i drejtpërdrejtë, por në numenklaturë të dyfishtë, të Ministrisë së Arsimit e të Shkencës, si punonjësi ynë, dhe të Aparatit të Komitetit Qëndror, si gazetar titullar.
– Ç’është kjo!? – u hodh përpjetë e habitur Lilika. – Unë ju thashë se emërimi im është firmosur nga një anëtar i byrosë politike, personalisht nga shoku Foto Çami, kurse ju seç ngatërroni!
– Ju lutem, unë s’ngatërroj asgjë! Ju kërkoni ta zgjidhni këtë problem me mua dhe verbalisht. Gabim! Në është fjala për shkresa nga lart, ato dërgohen në ministri dhe prej andej – tek ne, thjesht për njoftim! Pra, duhet të prisni! Dhe, që të jem i sinqertë, po ju them se për këtë çështje do të paraqisim edhe ne mendimin tonë, nëse do të na kërkohet, sigurisht! Kaq është e gjitha, hë për hë!
Lilika u ngrit shumë e pakënaqur. I zgjati dorën me përtim drejtorit, pastaj mua, dhe doli nga zyra nervoze e gojëkyçur.
Sa mbetëm vetëm, drejtori tundi kokën dhe tha gjysmë duke qeshur:
– S’e marr vesh si bëhen këto punë! Si duan të na e lënë në derë një grua afërsisht plakë, që vetëm pas dy a tre vjetësh mezi do të ecë rrugës, e jo më të lëvizë gjithandej për të nxjerrë revistën!
Tunda kokën.
– Unë kam hallin tënd! – shtoi ai.
E besova. Kishte mbetur shok i mirë. Vërtet shqetësohej për mua, por qe i pafuqishëm të më ndihmonte.
Zyrtarë të pafuqishem.
Të nesërmen ministri lajmëroi drejtorin të paraqitesha tek ai me urgjencë. Shkova. Ndonëse nuk e kisha takuar kurrë herë tjetër, se sapo ia kishin dhënë atë detyrë, u ngrit menjëherë në këmbë dhe më doli përpara i qeshur e krahëhapur. Më shtrëngoi dorën, më përqafoi lehtë dhe më ftoi të ulesha përballë tij.
– Jua kisha dëgjuar emrin, – më tha, – dhe ja tani më vjen mirë, që po njihemi nga afër. Më kanë folur me superlativa për ju, ndaj gëzohem sinqerisht që ju shoh dhe ju uroj për konsideratën që keni, si në drejtorinë e institutit, po ashtu edhe në kolektiv!
E falënderova sa për mirësjellje, e disi i habitur. Ç’synim kishte që më lavdëronte!?
Më mbeti vështrimi mbi të.
Një shtatshkurtër mbi të tridhjetë e pesat, që lëvrinte edhe tek rrinte! Çudi! Në atë moshë me ato vetulla të trasha gjithë lesh, si të Brezhnjevit! Flokët të drejtë, të zesë sterrë, të dendur e qimeegër, të ndarë me vijë të hollë anash! Kokën mu si ndonjë pjepër dimërak e fytyrën vezake, në raport të drejtë me trupin. Hundën – të mishtë e të rrumbullt mbi flegrat e gjera. Faqet – të trasha e të ngjeshura. Sytë – të butë e gjithnjë me një të qeshur të dyshimtë si të një të djallëzuari. Buza e poshtme – me shumë tul. Megjithëse e rregullt, si nga forma e ngjyra, i shpërvilej pak si tepër kur fliste, e ia zbulonte krejt ata dhëmbë të vecërr e aq të shëmtuar, si kokrra kafeje të pjekura, të brejtura prej minjve, e ngaherë të veshur me shkumë pështyme. Ç’lloj njeriu të qe, vallë? Mos ndoshta finok dhe e kishte në praktikën e vet t’i lante e t’i lyente të tjerët, t’i ngopte me lugë të zbrazët?
– Dje ishte tek unë shoku Masar! – shtoi aty për aty. – Folëm bashkë për problemin që ju ka dalë. Ai, si drejtor, është kryekëput kundër lëvizjes suaj. Por edhe unë kundër jam, si s’jam! Dhe nuk marrë vesh fare se si bëhen këto gjëra! Sikur s’figurojmë ne këtu! Të mos na pyesin hiç! Ja, më kanë dërguar një shkresë. Më njoftojnë për atë shoqen e asgjë më! Po ku e vura, ku e vura, ta hajë dreqi!? E kërkova edhe qëparë dhe nuk e gjeta. – Ai u ngrit e u përmbys mbi tryezën e tij të punës. Nisi të kërkonte nëpër një mori letrash të shpërndara në mënyrë të çrregullt mbi tërë syprinën. – Jo, s’do që s’do të dalë tani! Po ç’na duhet! Unë do t’u përgjigjem prapë atyre! Por, t’ju them të drejtën, nuk di në do t’ia arrij! Sidoqoftë, si kuadër i yni, ju do të jeni gjithmonë nën mbrojtjen tonë! Pra, do të bëhet siç ju ka thënë shoku i dërguar në institut nga Aparati. Po, po! E tillë është edhe porosia, që përmbahet në shkresë. Theksohet atje që t’ju gjendet një vend, sipas meritave e aftësive. Dhe kështu do të bëhet, ndonëse unë ende s’e konsideroj të përfunduar çështjen tuaj. Kemi prapë shpresë.
Ai vazhdoi të më thoshte se ky qe qëllimi që më kishte thirrur e se do të takoheshim përsëri bashkë. Ndërkohë, do të ishte mirë, – më porositi tek po më përcillte, – që edhe unë të mendoja se ku dëshiroja të shërbeja, nëse do të duhej ta lija revistën.
Tek kthehesha në institut, rikujtoja thuajse fjalë për fjalë ç’më kishte thënë ministri i ri. Dhe nuk isha aspak entusiazt nga pritja që më kishte bërë. Ngrohtësia e mirësjellja e tij m’u dukën të shtirura dhe po më ngacmonte fort ndjenja e dyshimit se ai nuk qenkësh treguar i sinqertë ndaj meje! Sikur kishte ngulmuar të më urtësonte, që të mos protestoja, e ca më shumë, që të mos më shkonte mendja për t’u ankuar diku lart, nën arsyetimin se asaj pune i thoshnin: “Çohu prift, të ulet hoxha!”
Dhe koha tregoi se i kisha rënë në të.
Zv. ministër pa kulturë.
Pas nja dy ditësh më kërkoi në takim zëvendësi i ministrit, Bajrami. Ishte një fytyrë e shpëlarë me ngjyrë meiti. Me një të qeshur false të pandërprerë. Të linte përshtypjen se diçka e padukshme ia mbante buzët të shtrira si llastik, që t’i mbeteshin dhëmbët jashtë, ata dhëmbë të verdhë, të mëdhenj! Ndërsa sytë si të xhamtë, në ngjyrën e ujit të ndenjur, nuk i shprehnin kurrfarë ndjenje afërsie. Pamja e përgjithshme, gjer edhe lëvizjet e pakuptimta të duarve, sikur s’dinte ç’të bënte, e tregonin njeri tepër inferior, (sikurse ishte në të vërtetë), të pakulturë e të papërgatitur për detyrën që i kishin dhënë. Cili sharlatan, vallë, dhe për ç’arsye të errët e të pamoralshme ta kishte propozuar për në atë vend!? Ku ai e ku shoku Sokrat! Ane Shan, ane Bagdad!
U çudita, kur pashë se qenkësh në orarin e pritjes! Të mos paskësh gjetur dot një kohë tjetër për mua!? Sapo e lajmëruan se kisha mbërritur, doli shpejt te dera, më ftoi brenda dhe u tha të gjithëve të prisnin, se tani do të ishte i zënë me shokun gazetar!
Isha më i lirshëm me Bajramin, jo si me ministrin.
E pata njohur ca vite më parë në një vendbanim të vogël industrial, përpara se ta bënin instruktor partie dhe ai më mbante mend për bukuri. Kisha shkuar atje i dërguar nga Lidhja e Shkrimtarëve, me rastin e muajit të letërsisë, për takim me lexuesit. Ishte pasdite me shi. Në orën e caktuar hyra në Shtëpinë e kulturës, po nuk gjeta gati asgjë. As njerëz ishin mbledhur e as sallën e kishin rregulluar. Kërkova të takoja drejtorin. Më treguan njërin mbi të tridhjetat, të veshur me pantallona të gjera doku blu e me një këmishë të kuqe mëngëgjatë, të mbërthyer edhe te brima e fytit. Ai lëvizte shpejt tutje – tëhu, duke sjellë karrige tok me nja tri – katër të tjerë. Ishte me ca flokë të verdhë të palarë, të shtruar si me pështymë. Thoshje se ia kishte lëpirë lopa. M’u afrua me ngut dhe, duke buzëqeshur si i zënë në faj, më tha majë buzëve:
– Mirë se na erdhët dhe do të na falni, se tani sa arrita nga një fshat, tek kishim një aktivitet! Ju lutem të mos mërziteni, se ju siguroj që njerëzit do të mblidhen brenda dhjetë minutave dhe do të fillojmë pa vonesë! – Ai fliste, fërkonte pëllëmbët, dhe herë – herë më vinte butë – butë njërën dorë mbi shpatulla, si të donte të më merrte me të mirë.
Kishte qenë mësues në një fshat të largët, po e kishin vënë drejtor të Shtëpisë së kulturës, se i jepej, siç filloi të më thoshte, për punë organizative, po edhe se e qante harmonikën. Pati bërë shkollën e mesme pedagogjike qysh gjashtë – shtatë vjet më parë, po ama që nga viti i kaluar vazhdonte me korrespondencë institutin pedagogjik dyvjeçar të Shkodrës!
-Po si ke dalë në provimet?” – e pyeta.
-Mirë, mirë, po… helbeté, njeri i gjallë – hesapi, edhe mbetemi në ndonjë lëndë, se na ka rrëshqitur ca koha, ç’të bësh!
-Jo, jo! Kohën e ke tamam! Ndaj të takon t’u shtrohesh mësimeve! Madjé, s’është keq që t’ia hysh edhe katërvjeçarit!
-Poooqysh! – qeshi ai. – Ku kam kokë unë për më tej.
… Pas ca vjetësh, e hasa Bajramin te shkallët e brendshme të Ministrisë së Arsimit, kur po ngjitesha për në gazetën “Mësuesi”. Ai po zbriste nga lart. U ndal përpara meje dhe vuri buzën në gaz, duke më zgjatur dorën.
– Më mbani mend?
– Si jo! – i thashë. – Je ti, drejtori i Shtëpisë së kulturës në Qerdhashtë!
– Unë jam! Më njohët, hë!?
– Ç’thua! Qysh mos të të njihja! Po kur paske ardhur? Ç’kemi andej? Si venë punët me kulturën?
– Hëhë, s’më lanë shumë atje. Më vunë instruktor partie në rreth!
– Epo, të paska prirë! Dhe atë dyvjeçarin me siguri do ta kesh mbaruar!
– Ouu, posi jo! Edhe universitetin, biléz!
– Bukur fort! Të thashë edhe unë atëherë.
– Posi, posi! Më thatë ju, po edhe partia më kishte thënë më parë! Ndryshe, s’ka si ecën përpara një kuadër! S’thotë kot shoku Enver në veprat e tij largpamëse, që pa arsim s’bëhet gjë!
– Tamam! Po në ministri pse ke ardhur? Mbase të ndihmoj!
– Ndakord, ndakord, po nuk është nevoja, se më kanë sjellë këtu tani!
– Po me ç’punë?
– Zëvendësministër!
Mbeta pa mend.
– Vërtet!?
– Po, për idealin e partisë!
– Kur kështu!?
– Ja, tani! S’më janë bërë as tri javë!
– Çudi, si nuk paskam marrë vesh! Po, nejse! Urime!
Ai vuri një letër të bardhë përpara e me një stilolaps në dorë më tha se donte të dinte prej meje çfarë mund të bëhej tjetër, që revista tek punoja ende të dilte më e mirë, më interesante.
E pashë në sy i habitur.
– Shoku zëvendësministër, – i thashë, – po të dija ç’mund të bëja më shumë, s’e kisha lënë pa bërë!
Ai më nxori shpejt nga habia. Më tha troç:
– Juve s’ju fsheh dot gjë, se njihemi prej kohësh. Pra, ja si është puna! Ministri më njoftoi se do ta kem unë në ngarkim revistën! Por, me thënë të drejtën, nuk marr vesh nga ai krah! Prandaj ju thirra, që të më tregoni nja dy gjëra, sa për orientim! Dhe, po e mori ajo shoqja punën tuaj, të mos i dukem ministrit dy kokrra në majë të degës.Buzëqesha lehtë, teksa kuptova se largimi im nga revista qenkësh i bitisur!
Firma e anëtarit të Byrosë politike.
Një paradite, aty nga ora njëmbëdhjetë, erdhi tek unë shoqja Lilika. Çështja e saj ishte përfunduar. Urdhrin me firmën e anëtarit të byrosë politike të komitetit qëndror, për t’u emëruar tek donte, s’e shpërfillte dot kush.
Isha në zyrë tok me Skënder Balën, një letrar – drejtor shkolle, djalë i mirë dhe shok me mua prej më se dhjetë vjetësh. I sinqertë e besnik! Simpatik në pamje e me trup elegant. Gjithmonë – me një nënqeshje të lehtë të syve. Me një dashuri të thellë, por të përmbajtur, që kurrë nuk dinte ta shfaqte me fjalë.
E para herë që heshtnim të dy aq gjatë. Sikur na ishte qepur goja. E dija se kishte ardhur të ma largonte disi mërzitjen. A mbase që të delnim e të uleshim diku. Por, si njeri me edukatë e me natyrë të heshtur, si më i ri nga mosha, e që më respektonte në mënyrë të ndërgjegjshme, s’guxonte të ma thoshte i pari. Kurse unë, përpiqesha më kot të shtiresha i qetë, se s’arrija kurrsesi ta fshihja gjendjen time të vërtetë shpirtërore. Isha krejt tym. Skënderin, herë – herë, e shihja thuajse turbull! Dhe si asnjëherë e ndieja të ftohtë gjithçka, që më rrethonte! Të ftohtë dhe në ngjyrë plumbi! Muret e zyrës, tryezën e punës, dollapët, raftet e librave, dosjet… Gjer edhe vizoren e lapsat – në prekje! I ftohtë dhe në ngjyrë plumbi ishte, madjé, edhe ajri, ndonëse i një prilli. Ai, veçanërisht, më rrihte ballin, i cili – si të më qe veshur me një cipëz të padukshme akulli! Po edhe bari i harlisur në sheshin para dritareve, ngjyrë plumbi më dukej! Edhe tjegullat e shtëpive – të ftohta e të plumbta! Edhe tarracat prej betoni të pallateve! Edhe rrezet e diellit! Vetë dielli i ftohtë e i plumbtë ishte atë ditë për mua!
Ajo hyri, më përshëndeti si me zor dhe më tha se kërkonte t’i bëja dorëzimet.
– Pse jo! – iu përgjigja. – Urdhëro e ulu!
Ma ktheu shkurt, në këmbë e me njërën dorë mbi mbështetësen e karriges:
– Të dalë përjashta ai shoku!
– Jo! – ia prita i prekur. – Është bashkëpunëtor i revistës, po edhe s’na pengon! Dhe, më kryesorja, këtu ende komandoj unë! Asgjë pse kjo do të zgjasë edhe fare pak kohë! Kur të kemi mbaruar punë bashkë, kur të ta kem lënë në dorë zyrën dhe çelësat e derës, atëherë – po, do të dalim ngadalë të dy, në qejfin tonë, domethënë!
I thashë Skënderit:
– Mirë je, aty ku je!
Ai – tip i zgjuar. Më pa në sy i heshtur e nuk u tund.
Lilika mblodhi buzë e vetulla.
Sapo filluam, se kush trokiti.
– Hyr! – thashë me zë të lartë, si të doja t’i tregoja Lilikës se vërtet isha ende unë zot.
U hap dera dhe u duk në prag Jonuz Paleshi, nënoficer në degën ushtarake, me një tubo letrash në dorë.
– Ju uroj shëndet! – tha duke buzëqeshur. – Kam shkruar ca vjersha mbrëmë dhe erdha që të m’i shihni, po edhe, kuptohet, që të vini pak dorë mbi ’to, si usta që jeni!
Ishte një nga burrat që pillnin njëri – tjetrin.
Nënqesha e i tregova se nuk merresha dot më me të. Më kishin lëvizur nga ajo punë. Dhe, duke treguar Lilikën, shtova se ja, atë çast po bëja dorëzimet!
Hapi sytë si guak! Goditi gjurin e majtë me tubon e letrave.
– Si kështu, dreqi e mori! – foli si me vete dhe psherëtiu. – Qenkam lodhur kot, domethënë!? Po këto të shkurtra janë, sikur t’u hidhje një sy dhe t’i dërgoja te revista “Fatosi”!
M’u bë se fytyra i mori sakaq pamjen e një derri.
– Atëherë, shko t’ia hedhin syrin atje! – i thashë.
– Po pse!? Unë nuk ju pengoj shumë, vetëm pesë – gjashtë minuta! Ja, t’i marrim leje edhe kësaj shoqes!
Ai sikur po më nxiste t’i bërtisja, por nuk mund të mos përmbahesha.
– Jonuz, na lejo të vazhdojmë punën! – i thashë me zë disi më të ngritur.
– Mirë, mirë, po shkoj! – ma ktheu qejfprishur. Mblodhi buzët, mezi u shkul dhe doli, fytyrështrembëruar.
Shfryva me vete.
Erdhi radha t’i dorëzoja Lilikës nja gjashtë – shtatë materiale të faqosura e të ilustruara, të gatshme për t’u dërguar në shtyp në numrat e mëpasshëm.
– Jo, jo! – ma priti me kryeneçësi. – Nuk më duhet asgjë e tillë! Kam idera të reja. Do ta filloj gjithçka nga e para!
Ndërsa, për makinën e shkrimit u ndal.
– Pse nuk është shënuar numri i kësaj në inventar?
– Pa numër ma kanë dhënë! – ia ktheva i qetë. – S’ka ndonjë rëndësi kjo!
– Si s’paska! Po sikur të jetë ndërruar?
E pyeta, duke e vështruar ngultas:
– Në erë flet!?
E uli zërin.
– Jo, jo, por dua të jem e rregullt në çdo gjë!
U ngrita sakaq në këmbë.
– E po, bashkë mbaruam! Vazhdo me sekretaren! E ke lart, në katin e dytë! Edhe çelësat e zyrës tek ajo do t’i gjesh! Dalim tashti!
Dola siç kisha thënë, ngadalë – ngadalë me Skënder Balën, si e vura Lilikën përpara.
Mbeti si e ngrirë në korridor, pas shpinës sime. E gjora! E sëmurë nga trutë! Kishte ardhur me pushkën e jevgut dhe me fantazira si të Don Kishotit!
Sapo ajo u ngjit përpjetë shkallëve, ktheva kokën vetiu dhe vështrova rrëshqitas pragun e zyrës sime. Më rrahu zemra fort. M’u përqeth trupi e u drodha. Buza e poshtme më regëtiu si gjethe…
Ishin emocione.
Dhe aq të fuqishëm!
Aspak të jashtëzakonshëm!
Njerëzorë dhe të natyrshëm!
Se nuk do ta kaloja më atë prag, që e kisha kaluar tetëmbëdhjetë vjet, qysh se revistës, që pritej të lindte, nuk i ishte gjetur ende emri!
Kur as që i sillej dot para syve fytyra!
E, pra, unë kisha qenë pagëzuesi i saj!
Unë vetë – edhe krijuesi!
Tetëmbëdhjetë vjet punë aty!
Sa shumë net pa gjumë më ishin dashur! Sa shumë lodhje e mundim!
Kisha pritur e përcjellë qindra! Njerëz me tru e fyla! Shkrimtarë të vërtetë dhe pseudo! Gjer edhe një detashment me burra që pillnin!
U kisha dhënë fëmijëve e prindërve mbi dyqind e njëzet numra reviste! Secili – i mezisapritur!
Tetëmbëdhjetë vjet!
E kisha kapërcyer atë prag së pari herë tridhjetë e dy vjeç.
Qeshë atëherë, kush më mban mend e di, një flokëzi tërheqës gjithë kaçurrela!
Dhe tani s’isha veçse një pesëdhjetëvjeçar i thinjur plotësisht!
Po largohesha mes një heshtjeje të thellë mbytëse!
Pa një përgëzim! Midis një korridori shurdh, të zbrazët, të ftohtë!
Si njeri pa njeri, që gjendet i vdekur befas brenda shtëpisë dhe nxirret jashtë shpejt – shpejt, me një funeral shkel e shko, për t’iu lëshuar banesa një tjetri, që kurrsesi nuk i takon!
Ç’e padrejtë!
Dhe revista, tamam si ndonjë fëmijë që mbetej jetim, e ndarë përdhunshëm nga prindi, po lihej pa kokëçarje në dorë të njerkës!