Trashëgimia/ Fakte të reja për historinë e Apolonisë, copëza që qarkullojnë në epokën dixhitale si libra të plotë, por të panjohur për mjedisin e shkencës shqiptare; bibliotekave tona u mungon vepra e plotë e antikitetit ilir; përditësohet me të dhëna të reja qëndrimi në Apoloni për studime i perandorit romak, nipit të Jul Cezarit, Oktavian Augusti
Ilirjan Gjika
Deri tani, në botimet historike për Apoloninë e Ilirisë apo Apoloninë e Jonit, siç e quanin dikur, është shkruar dhe folur shumë. Midis tyre kemi edhe një sërë dëshmish të shumë autorëve antikë, të cilët na tregojnë mbi studimet që ka kryer atje, Oktavian Augusti. Të tillë janë Suetoni, Apiani, Velei Paterkuli, Plutarku, Nikolla i Damaskut etj. Të gjithë së bashku ata na dëshmojnë rreth qëndrimit të Oktavianit në Apoloni. Ndërsa pasazhe të gjera dhe interesante janë ato tek libra të tillë, si: “Mbi jetën e Perandorëve” të Suetonit, “Jetët Paralele” të Plutarkut, “Historia e Romës” e Apianit, “Jeta e Augustit” e Nikollës së Damaskut, “Historia e Romës” e Velei Paterkulit etj.
Të gjithë këta na citojnë faktin se Oktaviani erdhi në Apoloni në moshën 19 vjeçare, i dërguar nga i ungji, Jul Cezari, për t’u stërvitur rreth fushatës së ardhshme ushtarake që Cezari do të organizonte kundër Parthëve.
Pasi ishte njohur që më parë me sistemin arsimor të Apolonisë, kur kishte qëndruar aty gjatë periudhës së luftës civile me Pompeun, Cezari, vendosi që Oktaviani, nipi i tij, të studionte në Apoloni. Nga autorët e mësipërm dhe shkrimet e tyre mësojmë se mësues i tij i retorikës dhe stilistikës ishte Apollodori nga Pergami. Po kështu, Oktaviani ishte në këtë qytet duke studiuar, kur në Romë ndodhi vrasja e Cezarit nga komplotistët republikanë.
Por, autori që na jep të dhëna më të plota rreth qëndrimit të Oktavianit në Apoloni është Suetoni. Midis të tjerave ai përshkruan fragmente të ndryshme episodesh, tek libri i tij “Mbi jetën e Perandorëve” ( Lib II, 2, LXXXIX ), duke na thënë: “Oktaviani ishte i interesuar për studimet greke, në të cilat shkëlqeu shumë. Mësuesi i tij i oratorisë ishte Apollodori nga Pergami, të cilin ai e mori me vete nga Roma në Apolloni…”. Dhe, diku më poshtë tek Libri II, pasazhi 12, midis të tjerave Suetoni shton “Gjatë qëndrimit në Apoloni, Augusti u ngjit një ditë me Agripën në studjon e astrologut Theogen…” ( Grup autorësh. Ilirët dhe Iliria tek Autorët Antikë”, Tiranë 1964. Fq 217 ).
Pikërisht nga ky fragment i Suetonit dhe nga disa fragmente të tjera të përkthyera nga autorët e tjerë, të cilët i përmendëm më sipër, është ndërtuar edhe një pjesë e e historisë së Apolonisë, e cila tashmë është shkruar nga autorë të kohës së sotme përgjatë shekullit të fundit. Por, problem qëndron se në këta libra historie shkruhet se, Oktaviani erdhi në Apoloni i shoqëruar nga miku i tij Agripa dhe Apollodori i Pergamit. Gjithashtu në to është shkruar seiastrologu Theogen, njeriu që i përcaktoi Oktavianit, fatin e ardhshëm, ishte apoloniat për nga origjina.
Ndërkohë që, një tjetër e dhënë na vjen rreth këtij fakti por tanimë nga një tjetër autor modern. Është italiani Karlo Nardi, i cili tek libri i tij i botuar në Milano në vitin 1939, midis të tjerave thekson në ligjëratë të drejtë se: “Cesare, per dargli tole preferenza, doveva aver ben conosciuto te doti del nipote, che quindi mandava a rangiungere le truppe che radunava nell’ Illiria e nel Macedonia. Ottaviano infatti, per prendere contatto con le truppe e inprantichirsi nelle armi sensza interrompere gli studi, sulla fine del 45 partiva per Apollonia ( Vallona), insieme con il giovane amico Agrippa, Qunto Salvidieno Rufo, con retore Apollodoro di Pergamo e l’atrologo Teogene ( Carlo Nardi. AUGUSTO. S.A. Fratelli Trveves Editori. Milano 1939. Pg 21 ).
Që në shqip, Karlo Nardi thotë midis të tjerave se: “Çezari për t’i dhënë preferencë të atillë, nipit, për të njohur vlerat e tij, duke e dërguar të arrinte trupat e mbledhura në Iliri dhe Maqedoni. Oktaviani në fakt për të marrë kontakt me trupat u bë pjesë e armatës dhe për t’u praktikuar pa ndërprerë studimet e tij, në fund të 45 niset për Apolloni (Ëalloon), së bashku me mikun e tij të riun Agripa, Qunto Salvidieno Rufo, me rektorin Apollodor të Pergamit dhe astrologun Theogene”.
Kështu, Karlo Nardi na jep një të dhënë tjetër që, së bashku me Oktavianin dhe Agripën në Apoloni erdhi edhe miku tjetër i tyre Qunto Salvidieno Rufo. Ndërsa “shpurën” e shoqëronte përveç Apollodorit të Pergamit edhe astrologu Theogen. Pra në qoftë se do të citojmë Nardin, duhet të korigjojmë faktin e origjinës së Theogenit dhe të shtojmë se, për t’u “trajnuar”’ në Apoloni erdhi edhe Qunto Salvidieno Rufo.
Ndërkohë që tek Karlo Nardi vërejmë edhe një problem. Ai nuk na tregon burimin ku e ka marrë këtë të dhënë, sepse libri i tij, rëndom si shumë botime të kësaj natyre, referencat nuk i vendosin. Por, kjo nuk na pengon të bëjmë aludimin e mësipërm sepse ai si autor diku është mbështetur. Ndoshta patjetër në një burim alternativ të antikitetit, të cilin na duhet që ta gjejmë gjatë gjurmimeve tona në të ardhmen.
Kritika që mund të bëjmë në këtë rast është se, përkthimet e autorëve antikë për Ilirinë dhe për historinë e saj duhet të jenë më të plota, me qëllim që historianët ta shkruajnë me saktësi dhe në mënyrë më të hollësishme historinë. Një gjë e tillë mund të thuhet edhe për historinë e Apolonisë, nga ku edhe krishtërimi i hershëm përbën një kapitull të historisë së saj. Dhe, le të qëndrojmë këtu pasi kohët e fundit ka patur indikacione të reja në këtë drejtim.
Ndërkohë duhet thënë se akoma edhe sot në bibliotekat tona mungojnë vepra të aplota të autorëve antikë për Ilirinë. Një vepër e tillë është edhe “Kozmografia e Anonimit të Ravenës dhe Gjeografia e Guidonit” (Ravennatis Anonymi Cosmographia et Guidonis Geographica: Ex libris manu scriptis ediderumt M. Pinder et G. Parthey. Açedit Tabula 1860 G 113 540 ), e cila egziston e shkruar në gjuhën latine. Ndër të tjera, ky libër, përpos të dhënave për trojet ilire na jep të plotë edhe persekutimin e Ibasit nga Athina dhe mbështetësve të tij, ngjarje e ndodhur dikur në Apoloni.
Rreth saj kanë shkruar një sërë autorësh modernë, që nga Leon Rei, i cili e citoi i pari këtë fakt në revistën e tij arkeologjike “Albania”, si edhe të tjerë autorë të sotëm shqiptarë . Biles njëlloj si Rei dikur edhe një pjesë e tyre, kanë patur meritën që, ta sjellin të përkthyer pasazhin nga Guidonis Geographica 113, 51-59, ku flitet për jetëshkrimin e Ibasit. Ndërkohë që, sot në epokën dixhitale çdo studjues e gjen këtë libër në google books, mjafton të klikosh aty.
Ndërkohë që arkeologu i shquar francez na jep edhe një dëshmi tjetër rreth krishtërimit në Apoloni. Në ditarin e tij ai na tregon se, diku nga fundi i viteve 1920, kur kishte nisur të organizonte fushatat e gërmimeve në Apolloni, e lajmëruan në mënyrë konfidenciale se, në bibliotekën e Manastirit të Ardenicës ishte një kodik i vjetër, që fliste për hitorinë e Apolonisë.
Kodiku, tregon Leon Rei në “Hyjnitë kishin të drejtë”, botuar në Tiranë nga Shtëpia Botuese Dituria, përbëhej nga 60 faqe të shkruara më dorë, që ishin mbështjellë nga dy kapakë lëkure.
Në faqet e para trajtoheshin probleme fetare. Vetëm në faqen e 50-të nis të flitet për hitorinë e Apolonisë. Kodiku ishte shkruajtur nga murgu Ciprian, i cili midis të tjerave tregonte për një eremit të antikitetit të vonë, Polianin, i cili jetonte në një shpellë aty pranë dhe faltoren e tij e kishte ngritur në vendin ku ngrihej dikur tempulli antik i Apolonit.
Dhe, kështu fare mirë përveç Ibasit, dëshmorëve të Apolonisë dhe peshkopit të parë Marinit, në sajë edhe të dëshmisë të Leon Reit, ne, mund ta “rikonstruktojmë” tashmë më të plotë historinë e qytetit antik.
Ndërkohë që ditari i Reit na shërben që të bëjmë dhe një tjetër refleksion mbi një tjetër temë të historisë së Shqipërisë. Atë të martesës së skëndërbeut me Donika Arianitin, të cilët e kryen ceremoninë e martesës në 23 prill 1451 në kishën e manastirit të Ardenicës. Për këtë ngjarje kemi një tjetër dëshmi të ngjashme me atë që na jep Leon Rei. Bëhet fjalë për italianin Giovanni Lorenzoni, professor i Universitetit të Firences. Në vitin 1930 ai vizitoi njëlloj si Rei, manastirin e Ardenicës dhe pati fatin të shihte një tjetër kodik ku ishte regjistruar edhe akti i martesës së heroit tonë kombëtar. Dëshminë e tij ai e botoi në librin “La questione agraria Albanese”, botuar në Bari në vitin 1930.
Por, ky dokument së bashku me atë që na citon Leon Rei dhe të tjera libra dhe dokumenta u dogjën me bibliotekën e manastirit në vitin 1932.
Ndoshta ky është një problem tjetër dhe le të kthehemi tek historia e Apolonisë. Citimi nga ana e Leon Reit e “Kodikut të munguar të Ardenicës”, na “meson” se ka ekzistuar një tempull i Apolonit, ekzistencën e të cilit arkeologët e kanë mohuar deri më tani në Apoloni. Gjithashtu ai na kumton se monakizmi ose jeta e murgjëve ka nisur në truallin tonë qysh në antikitetin e vonë dhe nuk është huazuar siç thuhet deri më tani si një traditë e ardhur nga lindja. Ndërsa ajo më e rëndësishme është se, historisë së krishtërimit në Apoloni do ti shtojmë edhe atë të murgut Polian dhe komunitetit të tij . Ndoshta fillimet e manastirit të Shën Marisë së Apolonisë janë “produkt” i punës së këtij murgu. Jo më kot një mitropoliti i Beratit në vitet 1855-1887, Anthim Aleksudhi, një dijetar i shkencave hitorike, hodhi i pari hipotezën se manastiri i Apolonisë është ngritur mbi ish tempullin antik të Apolonit. Mbase edhe ai kishte patur fatin të lexonte këtë “kodik të munguar të Ardenicës”, manastiri i të cilës ishte nën juridiksionin e Mitropolisë së Beratit.
Le të vijojmë kështu, në këtë mënyrë, që në çdo kohë dhe në mënyrë përiodike të japim ngacmime dhe ide të reja mbi historinë tonë. Shkenca është e gjatë por jeta është e shkurtër, thotë një proverb latin që ka qarkulluar dikur edhe në Apoloni. Në këtë mënyrë, të japim edhe ne kontributin tonë. Shpresojmë që sadopak të ndikojmë në këtë drejtim…
Na mungojnë veprat e antikitetit ilir
Kritika që mund të bëjmë në këtë rast është se përkthimet e autorëve antikë për Ilirinë dhe për historinë e saj duhet të jenë më të plota, me qëllim që historianët ta shkruajnë me saktësi dhe në mënyrë më të hollësishme historinë. Një gjë e tillë mund të thuhet edhe për historinë e Apolonisë, nga ku edhe krishtërimi i hershëm përbën një kapitull të historisë së saj. Dhe, le të qëndrojmë këtu pasi kohët e fundit ka patur indikacione të reja në këtë drejtim.
Ndërkohë, duhet thënë se akoma edhe sot në bibliotekat tona mungojnë vepra të plota të autorëve antikë për Ilirinë. Një vepër e tillë është edhe “Kozmografia e Anonimit të Ravenës dhe Gjeografia e Guidonit” (Ravennatis Anonymi Cosmographia et Guidonis Geographica: Ex libris manu scriptis ediderumt M. Pinder et G. Parthey. Açedit Tabula 1860 G 113 540 ), e cila ekziston e shkruar në gjuhën latine. Ndër të tjera, ky libër, përpos të dhënave për trojet ilire na jep të plotë edhe persekutimin e Ibasit nga Athina dhe mbështetësve të tij, ngjarje e ndodhur dikur në Apoloni.
Shkolla apoloniate e arteve
Apolonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apoloniate e arteve të bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Në momentin kur në Romë, gjatë një komploti në Senat u vra Jul Cezari, nipi i tij Oktavian Augusti studionte oratorinë në Apoloni. Kronikat romake tregojnë sesi ai me të marrë vesh lajmin e vrasjes së Cezarit u nis me një anije nga Apolonia dhe kur, pas disa kohësh vetë Oktaviani u bë Perandor, e ruajti mirënjohjen për qytetin ku kishte studiuar duke e liruar Apoloninë nga të gjitha taksat.