E quaj fat marrjen pjesë në një nga ngjarjet më të mëdha të Haikut në Japoni…ngjarje që përfaqëson emrin e Matsuo Basho,poeti më i njohur në historinë e Japonisë.Për nder të tij çdo vit në qytetin e tij të lindjes, Iga Ueno me 12 Tetor zhvillohet Festa e Haikut, me pjesëmarrjen e poetëve më të njohur te Japonisë dhe fituesit e çmimeve të Haikut të vitit më parë
Eshtë kaq emocionale…kaq bukur kur një njeri i vetëm përfaqëson një vend e një popull të tërë,vetëm pse disa vargje të tij përcjellin fuqinë e artit, kulturës së vendit, kur vija e kufirit personal shpall nevojën dhe e shtyn më tutje këtë kufi, në më shumë eksperienca për ta çuar në tërësinë e artit si ekzistencë.
Përjetova momente, kur njeriu sillet shumë seriozisht me veten, me gjithëcka ç’far mendon e duhet të mendojë më mire, momente të çastit e mbase, mbase më tutje,kur vetja të duket fillestar edhe në artin që njeh mire, në atë art që nga dashuria të ngjan me njeriun, në atë art,ku dëshiron të dëgjosh emrin e vendit nga je dhe jo të vendit nga vjen.
Nuk doja të prezantoja stil e kulturë Amerikane dhe pse 20 vjetet që banoj atje janë mjaft për ta përvehtësuar mire, doja të isha e gjitha Shqipëtare, të shpija kulturën e gruas shqipëtare, kulturën që kam marrë nga vendi im, ku si akt biologjik, njoha veten si individuale. Kur njeriu ndihet mirë për vendin e tij, kjo nuk cënon, nuk dëmton askënd.Thjesht jemi një version intelektual,ku forca e fjalës nga subjekt përbën objektin…ku vetëm një fjalë e vetme sjell një tjetër gjë të madhe e me vlerë e, për këtë, merr me vete si shkëmbim më shumë autoritet,vlerësim,dashuri prej njerzve të një vendi tjetër,një kulture tjetër e shto këtu një kontinenti tjetër,ku ndofta vendi yt nuk njihet fare. Identiteti nuk diskutohet shumë,kur shumica janë të huaj,por është i rëndësishëm. Në natyrën e tij, njeriu e ka të zhvilluar ndjenjën e vlerësimit,dëshirën për të parë si respektohet,si dëgjohet nga të tjerët.
Qyteti ku zhvillohej ngjarja e Haikut Basho ishte vetëm 20 min nga Hiroshima. Anglishtja ime nuk ndihej më komode në afërsi të këtij qyteti zhdukur nga bombardimi, kur nga spikeri i trenit dëgjova stacionin Hiroshima. Hiroshima të drithëronte si një nga eksperiencat më të shëmtuara për njeriun.
Qytetarët e artit te Bashos ishin mësuar me pritjet madhështore të poetëvë të Haikut, ishte viti i 72-të i ngjarjes,dhe po aq ishin mësuar dhe me turistët e shumtë që vizitonin këtë qytet për origjinën e artit Ninja (ninxha )…arti i Ninia.Organizimi i kësaj ngjarje ju ngjante rregullave e disiplinave strikte në bashkime kimikatesh,për të krijuar sinteza të rëndësishme. Gjithëçka e qartë,e përpiktë,e mundshme. Në çdo karrige ku uleshin poetët kishte letra me shpjegime.Në programin dërguar secilit një natë më parë jepeshin udhëzime për çdo moment e akt veprimi.Në kodin e veshjes cilësohej prezantimi serioz,klasik…në veshjet dekolte të grave nuk duhej të dukej ndarja e gjinjëve a krahët jashtë, këpucët të ishin të mbyllura edhe në thembër.Statuja e Bashos,zbulohej e bëheshin homazhe vetëm njëherë në vit,në këtë ditë feste.Festa fillonte në orën 8:30 të mëngjesit me ceremoninë në varrin Basho,ku ishin vetëm flokët e tij sjellë nga dishepulli personal,trupi i tij ishte djegur.
Në orën 9:30 ishte ceremonia e çajit,ku servirnin firmat më të njohura të Çajit Jeshil me gota e paisje të sofistikuara. Vazhdonin përshëndetjet,fjalimet dhe në fund ngjiteshin fituesit e Haikut një nga një në qendër të tempullit, para Bashos statujë,ku duhej të vendosje lule e të nderoje me mënyrën e tyre të përkuljes.
Në kohën e pushimit,në dhomën e ceremonisë të çajit,vjen mesazhi nga Muzeumi Basho për temën e Haikut qe do shkruhej nga poetët e që do prezantojë këtë ngjarje vitin tjetër.Tema ishte :
“Hëna tipari më i mirë i vjeshtës”.
Basho ishte i dashuruar me atmosferën e hënës.Sigurisht çdo poet do përdorte fjalë të tjera për këtë subjekt dhe koha për këtë ishte gati 90 minuta. Kishte disa grupe ku poetë të caktuar mblidheshin e zhvillonin mënyra të tjera konkursi Haiku.Gjithëçka ishte e organizuar e shumë komode për të marrë pjesë në këto konkurse. Nuk kishte vend për asnjë gabim,a një Haik të përgatitur më parë.Letra ku do shkruaje Haikun kishte shënim nga Libraria Basho dhe, pranë emrit të poetit duhej të vije një vulë nga 5 vulat që ishin mbi tavolinë,të përdorura nga Maestro Basho(sigurisht ato nuk ishin origjinalet ). Inteligjenca e Japonesëve dhe idetë e tyre gjithmonë krijojnë supriza që i kupton vetëm kur të lind pyetja e të duhet zgjidhje.Në hyrje të Kështjellës Basho kishte disa distinktiva që gjithë poetët i vendosnin mbi veshjen. Pupla e kuqe që unë mbaj në fustan dhe gratë e tjera në foto me mua,të krijonte mundësinë të shkruaje një Haik për puplën.
Dhomat e çajit ku konkurojnë Haiku janë shumë të njohura në traditën e Haikut. Poetët e Haikut, gjatë formimit të poezisë në grup, ishin tepër të përqëndruar, punonin veç e veç,por dhe bashkëbisedonin,ndanin idetë, gjithësekush krijonte një varg,tjetri vazdonte vargun tjetër,për të krijuar tekstin e një Haiku të vetëm.Grup tjetër Haiku ishte që, tre-katër poetëve u lexohej i njëjti Haik dhe, secili duhej te ngrinte idenë e tij ndryshe mbi këtë Haik, për një kohë të caktuar. Këto quheshin Grup Pune Me Kohë. Në grup zgjidheshin poetë me të njëjtin nivel apo sukses dhe luftonin gjatë deri sa gjenin diçka të rëndësishme për sekretin e Haikut,te goditja-prerje e dy imazheve, supriza në mbyllje me një Uha…aaa !!!
Unë, sigurisht shkrova Haikun dhe, për temën e dhënë, për Puplën e Kuqe që mbaja në fustan. Përshtypja mbi Haikun Shqiptar ishte gjetja e temave dhe erotica, kaluar në mënyrë tangente edhe kur trajtohen akte trupi, prekje a epshi. Haiku me një varg që unë shkruaj dhe Haiku erotik shpjegohen si më të vështirët, nuk e kanë të sigurtë suksesin dhe është më i mundshëm dështimi, ku edhe poetë të sukseshëm kanë dështuar!
Poetja Japonese e Haikut erotic, Aoorashi Miminashi Ymano u shpreh:
“ Është kaq e vështirë,se si mund të arrish të mos paguash për një faturë erotike,të mos ngatërohesh aspak me direkten,me vulgaren,vetëm sepse ke ditur të luash mençur me mendimin e thellë dhe nuk ke përfituar aspak nga fjalët ndihmuese.”
Mbas shprehjes së saj,kuptova se gjithëçka kisha bërë për poezinë,gjithë mundimi e netët pa gjumë meritonin të njiheshin,pikërisht atje midis poetëve te Haikut, atje në vendin e Haikut. Kam studjuar e shpenzuar kohë për këtë formë të mençur poetike,duke marrë borxh orët e gjumit me të nesërmet plot lodhje-lëvizje, punë në Hollivudin e zhurmshëm,gjithë stres e trafik.Kam shkruar këtë vit, kam shkruar shumë, më shumë poezi se Haiku, pa më ngacmuar idea e botimit.Kjo flet për një marëdhënie më të mirë me poeten brenda meje e pretendimin ndaj poezisë. E gjitha ç’far prisja nga progresi i shkrimeve,ishte të lija ndjenjën e përshtypjes dhe kjo më shumë te vetja se te të tjerët, takimi që kisha me Haikun Japones në Japoni,të kthehej në ngjarje për veten. Sigurisht e dija se ajo lumturi nuk do zgjaste shumë…gratë e artit,me pretendime e kërkesa për veten, për fëmijët, njohuri e detyrime ndaj të tjerëve,nuk bëhen dot të lumtura. Ato nuk do jenë asnjëherë pa rrëmujën,mungesën e kohës. Vështirë për to të dorëzojnë mërzitjet e tyre mediocre, mërzitjet gjenerale!
Gjithmonë luftoj të jem një grua tepër korrekte, tepër e djeshme, tepër e nesërme.
Në Japoni ndërtova një realitet të kapshëm për Haikun, për poezinë, për poeten.U ktheva me një ton pyetje e detyra për veten,fillova të kërkoj më shumë rregulla e kode,të dalloj e vlerësoj mirë forcën personale të vetes,forcën e prezantimit,të mendimit,të zërit të gruas që dëgjohet mire, kur ka njerëz që dinë të dëgjojnë.
” Natyra ime nuk është rreth të qënit në rregull apo gabim,ështe diçka më tej…rreth ngacmimeve,sinjaleve të brendëshme që përcaktojnë qëllimin e gjërave,karakterin e tyre te unë “.
Jemi qënie vibruese.Informacioni brenda nesh nuk është i ngurtë,ai lëviz,bëhet ide,llogjikë,dëshirë,filozofi,pretendim dhe nga qëllimet,marëdhëniet me to përcaktohet karakteri personal.
Takimi me artin e madh te Haikut,me poetët e njohur të Haikut ishte një ndikim,motivim ndryshe.Kultura,respekti,fisnikëria e tyre,bënin të ndjeheshe e rëndësishme,kur gjithëçka rreth teje ishte e rëndësishme.Haiku në Japoni nuk ndihej më shumë si një karierë arti,por një mënyre e të jetuarit me art.Haiku është i tillë.Kur njihesh mirë me të, nuk ndihesh asnjëherë vetëm,asnjëherë i lirë,gjithmonë je në bisedë konkrete me diçka për rreth,me kohën që po kalon mbi ty, majtas apo djathtas, gjithmonë ke ide mbi botën, dhe ve re mirë elementët qe ndikojnë mbi të.
Haiku
arsye drite
mbetur peng
në një hije
*********
në shtrat
dy trupa
vallzojnë epshin
**********
vetja dhe unë
nuk dimë akoma
cila është- cila ?
*********
pagjumësi
dora mbi gjinj
është e imja
*********
banket ngjyrash në horizont
*********
afër njëri tjetrit
përkëdhelen e shpohen keq
dy iriq
*********
prostitutë
asgjë e gjallë
midis kofshëve
*********
një molekulë oksigjeni nuk po lidhet dot
*********
maternitet
në koridor hedhur
një prezervativ
*********
symfoni drite
mbi qoshe diamanti
luan veten
**********
kompozitor i vjetër
me shkop drejton
dhe ecjen e tij
*********
grua me zakone drite
**********
edhe në pallat
arrixhiu udhëton
nga dhoma në dhomë
**********
sipër gjunjëve
arti vazhdon
ngjitjen
*********
mbi oqean
dielli than
hijen e tij
**********
bubullimës po i mbahet goja
*********
më mungon nëna
përqafoj veten
gjatë…
*********
volumi i hoxhës
me volumin e këmbanës
në garë
*********
një merimage qan butë-butë
*********
kompozitor i vjetër
me shkop drejton
dhe ecjen e tij
************
Pëlqej
Shiko më shumë reagime
Komento
*****************
Shkruaj një koment…