Pal Gazulli, humanist dhe ambasadori mendjendritur i Gjergj Kastriot Skandërbeu ne Raguze dhe Itali

Nga Gjon Marku

Krahas Gjon Gazullit në shekullin e XV një meritë të çmuar dhe të vyer ka dhe vëllai i tij Pali (Pavlo de Gazulis). “Ai është i njohur si “orator” (i deleguar) i Skëndërbeut dhe si “miles”, që do të thotë sekretar, ose madje dhe zëvëndës i tij. Kjo tregon njëheri dhe për aftësinë e tij të jashtëzakonshme dhe për pjesmarrjen e tij në luftë kundër turqve” shkruan Prof.  Jashar Rexhepagiq.(1)

Në Fjalorin Enciklopedik Shiptarë Pal Gazulli (rreth 1405-1470) cilësohet si Humanist shqiptar i shek.XV, diplomat, petagog, orator dhe një ndër bashkëpunëtorët e Skëndërbeut.(2)

Pal Gazulli (1405-1470) (në burimet e kohës: Paulus Gazullus) I lindur nga prindër të mërguar në Raguzë ku punët i kishin vajtur mbarë. Bashkë me vëllanë e tij më të madh, Gjon Gazullin (Johannes Gazullus) kreu studimet e larta në Padovë në një nga universitetet më të shquara të shek. XV. Pasi përfunduan studimet, të dy vëllezërit u kthyen në Raguzë ku hynë në rrethet e intelektualeve humanist të Republikës Dalmatike. (3)

Kur në Shqipëri mori hov lufta çlirimtare nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, të dy vëllezërit hynë në shërbimin të diplomacisë, me ndryshim se Gjoni, ndërkohë astronom i njohur, u bë Ambasador i Raguzës i dyti, Pali, i cili për disa kohë kishte shërbyer si rektor i shkollave të Republikës (detyrë e ngjashme me ministrin e arsimit) u bë ambasador i Skenderbeut, madje dhe supervisor (mbikqyrës) i depozitave financiare që kishte kryekapidani shqiptar në Bankën e Komunës së Raguzës. (4)

Për veprimtarinë e Pal Gazullit si rektor i shkollave të Republikës “… tregon edhe një dokument, që ruhet ne Arkivin e Dubrovnikut, e që daton në viti 1442. Sipas këtij burimi, dhoma e vogël e Dubrovnikut kishte vendosur të merrte në shërbim Pal Gazullin vëllain e mesuesit Gjon Gazulli, si mësues dhe rektor të shkollave të qytetit, për dy vjet 1442-1444. Për këtë punë iu caktuan lokale të veçanta, si dhe rroga prej 250 perperësh në vitë. Si thuhet në këtë dokument, Pal Gazulli ishte “njeri i zgjuar dhe i ngritur” që u zgjodh rektor i shkollave të Dubrovnikut fill pas mësuesit humanist Filip de Diversis (1434-1440), i cili ka meritën për zhvillimin e shkollave të Dubrovnikut”.(5)

Pal Gazulli ishte i vetmi ambasador i Skëndërbeut që qëndroj vazhdimisht në selinë ku ishte akredituar. Ai shkëputej nga selia e Raguzës sa herë që merrte porosi nga Skëndërbeu për të kryer misione diplomatike.

“Se fisi i gazullorevet kje jetik, e në ç’kohëna të lashta bujar, nuk mund të mohohet, kurse Pal Gazulli ishte besnik i të madhit Skëndërbeg, të cilin, ndo e shoqnite ndo shkote n’emen të tij në Romë te papa, e të cilit papa, nëpërmjet Zyrtarve të naltë të vet, i dorëzote 2000 dukatë për Skëndërbegun, por si ndihmë për luftën kundra Turqve.(6Shkruhet në  revistën “Kumona e së djellës” në vitin 1938.

Administrata financiare ishte pa dyshimshim e thjeshtë dhe numerimi i funksionarëve tepër i pakët. Në krye të këtij dikasteri në fillim të sundimit të Skëndërbeut ishte Ninc Vukosaliq. Disa vite më vonë dalin dhe emrat e dy pjestarëve të tjerë të sektorit të financave të shtetit të Skëndërbeut, Rajani dhe Pal Gazulli e pas tij At Dhimiter Frangu.

“Jo me pak aktiv është treguar Pal Gazulli; dhe ai u shqua në kryerjen e transaksioneve financiare dhe të dërgatave të vështira; kështu në shtator 1453 ai tërhoqi një shumë të madhe nga depozita raguziane e despotit serb Gjergj Brankoviç.(7)

Prof. Dhimitër Shutëriqi pohon se: më 25.IX.1453 Pal Gazulli e Theodor Jafet-i, ambasadorë të Skëndërbeut, janë në Raguzë. Vendoset t’u epen 100 livra nga argjendi i depozituar aty (prej despotit serb), me shkresen e despotit.(8) Dihet se Gjergj Brankoviçi e depozitonte një pjesë të thesarit të tij në ar e argjendë pranë Republikës Dalmate. (9)

Para tyre, po në shtator, Skëndërbeu kishte dërguar në Raguzë një tjetër ambasador të vetin “peshkopin e Arbëris” me sa kuptohet, pa ndonjë sukses.(10)

Siç del nga vendimi i këshillit të Raguzës, më 25 shtator 1453 thuhet: “Së pari t’i jepen zotit Pal Gazulli e Theudoro Jafetit, ambasador të Skëndërbeut, nga sasia e argjendit… që është depozituar në komunën tone”.(11)

Prof. Jahja Drançolli në librin e tij Gjin Gazulli astronom dhe diplomat i shek. XV pohon se: më 25 shtator 1453 qeveria Raguziane i dorëzoi Pal Gazullit afro 35 kilogram argjend që kishte marrë nga depozita e Stefan Brnkaviqit. (12)

Po në këtë vit (sipas një dokumenti që mban datën 8.II.1453), Pal Gazulli u bë në Raguzë si misionar i princ Vladislav Kosaçës. Në këtë kohë Raguza kishte rënë në zjarrin e luftës me princin Stefan Vukçiq Kasaça (1451-1454). (13)

Në fillim te vitit 1454 Skëndërbeu, tepër nevojtar për ndihmë ushtarake, pasi ushtritë turke arritën në viset shqiptare dhe po i afroheshin Durrësit, nisi për në Romë dhe në Napoli Pal Gazullin.

Më 29.III.1454 Alfonsi V lajmëron Skëndërbeun, se me Pal Gazullin i dërgon një ndihmë nga Papa dhe se do ta ndihmojë vetë. Së shpejti do të dërgojë dhe mëkëmbësin Ramon de Ortafa, i cili do të sjellë dhe ndihme në një masë që Skëndërbeu të mbetët i kënaqur. Pali do të informojë me holësi. (14) Alfonsi njofton dhe për ndihmën që do t’i dërgonte për së shpejti Papa nga Roma. (15)

Më 18.VII.1456 Skëndërbeu i shkruan Dukës së Milanos. E falenderon për pritjen që i ka bërë Pal Gazullit, ambasadorit të tij, në kthimin nga Burgonja. Ai gëzohet për paqen dhe krushqinë midis tij dhe Alfonsit. I dërgon një kal dhuratë me anë të Gjergj Petriçi.(16)

Leter që ruhet në arkivin e shtetit të Milanos ku më parë kishte qënë pjesë në vitin 1830 në Bibliotekën Imperiale  të Vienës (sot Biblioteka Kombëtare), dhe kaloj në Milano më 1923. Ajo është me grafinë korsive të Humanizmit, me elemente gotik. Mban vulën e Skëndërbeut, e rrumbullakët e me shqiponjën dykrenare, rrethuar me një tekst që nuk arrihet të lexohet vulosja është mbi dyll.(17)

Sipas Pall, Gjergj Petriçi, “nuncius” i Skëndërbeut duhet të jetë abati që më 11. IX.1457 është i dërguar i Skëndërbeut te papa (18) (shif Raynaldi, an 1457, 23-5). Është fjala sigurisht për Gjergj Pelinin, abat i Manastirit të Rotezit.(19)(shif për të dhe 15. VIII. 1456, Radoniçi 125)

Më 1456 u gjend në oborrin e Burgandit e të Milanit, më 1458 sërish në Romë së bashku me abatin e Kuvendit malor të Shën Mëris së Trifantinës dhe në Raguzë, në pranverën 1449, në qershor në Romë”. (20)

Në vitin 1457 ishte ndalur në oborrin e Sforzave ambasadori tjetër i Gjergj Kastriotit  Pal Gazulli, në kthim e sipër nga oborri i Burgundit, përderisa në korrik Skëndërbeu do ti shkruante përsëri dukës Francesko Sforza për ta falenderuar  për pritjen që i kishte bërë atij  nëpërmjet një të derguari tjetër. I dërguari i korrikut ishte përsëri një klerik, Gjergj Petriçi, më sa duket po ai (George Petri abbats) që do të dergohej vitin e ardhshëm nga Skëndërbeu të Papa Kalisti II për të kërkuar ndihmë kundër turqve ose Gjergj Pelini sikurse ja lexon emrin Hopfi i shfaqur ne lidhjen e paqes së 1448-s me gjasë si përfaqësues i Nikoll Dukagjinit dhe jo i Skëndërbeut.(21) Në rrafshin politik situata kritike e 1457-s e kishte shtyrë Gjergj Kastriotin të orvatej për një hapje më të madhe të aleancave për ç’i përket politikës ushtarake. Orvajtja e re synonte Dukatin e Burgondit. Më 1456 Skëndërbeu dhe Duka i Burgondit qenë ndodhur përkrah në projektin ushtarak të përgatitur nga Papa për ekspeditën në lindje. Atë vit është regjistruar të ketë qënë përsëri në oborrin e Filip-të- Mirit siAmbasador Pal Gazulli.(22)

Pa më 1458 papa jep një shumë prej 50 florinjsh  për Gjergj Kastriotin  Abatit të Shën Mëris së Ndërfanës dhe Palit të Gazullit (duhet të kenë qënë emisarët  që i kishin quar papës lajmin e fitores tek Ujët e Bardh) të cilët shoqëroheshin në oborrin e tij nga kalorësi Johan Ov Nevvport. Serra, që ka lexuar aktet dokumentare origjinale dhe librin e llogarisë se Dhomës Apostullore.(23)

Dhimitër Shuteriqi pohon se: më 15.II.1458 Pal Gazulli, ambasador i Skëndërbeut gjendet në Romë, ku i jepet njësudsid fare i vogël për të zotin, vetëm 50 florinj. (Serra, në Archivostor.it.1956, 732. Pall, Rapporti it –alb.160, sh.154)

“Na zotni Gjergj Kastroti thirrun Skanderbeg i deshmojm kujdo që t’i përkasë e kujtdo t’i paraqitet kjo letër e jona e çilun e shkelun me vulen e unazes s’onë mjes nesh e komunës së Raguzës për punen e depozitimit qi ka depozitue në komunen e Raguzës kancelari i jonë Rajani e zotni Pal Gazulli për urdhën t’onë, se kena tërhek 900 dukat ara prej fort të ndritunit Princ e prej se lartës komunë të Raguzës me anë të sekretarit t’onë Ninec Vlukosaliqit e për  përforcim ma të madh un kanceljer Nineci e kam shkrue me dor t’eme në qytetin e Raguzës e për urdhën të zotnis s’em Skanderbegut. Shkrue në vjetin e lindjes së Krishtit 1458 me 13 Qërshuer shkruhet ne hyllin e Dritës në vitin 1940.”(24)

“Në mbështetje të tri dokumentave (që mbajnë datat 17.II|; 2.IV dhe 13.VI. 1459 të shkruara në alfabetin cirilik, të cilat ruhen sot në Arkivin e Dubrovnikut), Palin e ndeshim n Raguzë si të deleguar të Skëndërbeut. Sipas vendimit të Senatit Raguzian që mban datën 27.II. dhe 2.IV.1459, Pali terhoqi 500 dukat nga depozita  e tyre në Raguzë, në mënyrë që kjo shumë  të shkonte në llogari të despotit Gjuragj Brankoviqit. Pagesa u bë permes komunës Raguziane dhe me pjesmarrje të Palit, si i deleguar i Skëndërbeut, dhe të Nincit. I deleguar i despotit serb nga poklada e njejtë e Skëndërbeut, e cila ruhej në arkën shtetërore raguziane, më 13 qërshor Nincit iu pagua dhe një shumë prej 900 dukatësh.(25)

Gjithashtu në “Hyllin e Dritës” në vitin 1940 shkruhet … se Pal Gazulli tërheq nga Dubrovniku 1001 dukatë për Skëndërbeun ”…. kjen tërhjek prej depozitimit qi teproi edhe 1001 dukatë prej 12400 dukatëve të depozitimit të naltpërmendur nuk tepron ma kurgja as nuk tepron ma kurgja prej çë do depozitimi tjetër qi asht ba në komunën e Raguzës përvec dashtënis  e miqesis. E për me e përforcue ket leter une Ninec e kam shkrue per urdhen te zotni Shkanderbegut. Kje shkrue kjo flet në vjetin e të lemit të krishtit 1459 me 13 mars” (26)

Po nga i njëjti burim nëpërmjet Pal Gazullit Skëndërbeu tërheq nga Dubrovniku 500 dukat të tjera më 2 prill 1459.

Për shkak të sigurisë, në Raguzë i depozitoj Gjergj Kastrioti mjetet e veta financiare. Por prej këtej ka mundur ti tërheqë mjetet në shtete të ndryshme sidomos Italia, Hungaria dhe Austria. Nga banka e Raguzës vetëm gjatë vitit 1459, Pal Gazulli dhe Celniku Rajan kishin tërhequr një shumë prej 2400 dukatësh.(27)

Pal Gazulli më 1460 gjendet në afërsi të Skëndërbeut, në skelën e vogël të Shufadës. (28)

Pali doli edhe një herë para qeverisë raguziane dhe ardhja e tij lidhet me autoritetin e Skëndërberut. Këtë e gjejmë në Raguzë më 28.II.1461 ku Rektori i Këshillit të vogël obligohet t’i përgjigjet Palit, të cilin e kishte dërguar Skëndërbeu lidhur me strehimin e familjes së tij në Raguzë në rast rreziku nga osmanët.(29)

Në mars më 28.III.1461 zhvillon sërish bisedime me zotërinjtë e këshillit të Raguzës. Senati i Raguzës lejon Rektorin e Këshillit të Vogël t’i përgjigjet Ambasadorit të Skëndërbeut, Pal Gazullit.  (Radonic 203) (30)

Në qershor përsëri në Romë, në dhjetor 13.XII.1463 paraqitet para senatit të Venedikut. (31)

Pal Gazullit ambasadorit të Skëndërbeut, Senati i Venedikut i pergjigjet për kërkesën e të zotit. Nuk mund t’i dërgojmë ushtarë, dhe pse i kan premtuar. Brenda 2-3 muajve do t’i dërgojnë të hollat e nevojshme, për njerëzit e tij “që ti shërbejn sa me mirë”. Skanë menduar aspak të dërgojne në Shqipëri provizorin, vecse për të biseduar me madherinë e tij për ndihmat e nevojeshme.

Skëndërbeu kërkon përgjigje të prerë rreth galerave dhe anijes, që ti dërgohen në portin më të përshtatshëm e më të mirë. Venediku në Dalmaci dhe Shqipëri ka shumë galera të cilave, u është dhënë urdhër që të jenë në cdo rast në dispozicionin e tij, prap kërkesa e tij do të kënaqet, duke i dërguar një galetrë të kontit të Kotorrit, të armatosur e që të jetë nën urdhërin e tij. Ai kërkon që konti i tyre të ketë gati, për të dy ose më shumë anije, “ku të jenë më të mirat”, sa herë që ti kërkohen pa afat të caktuar.  Kontit po i shkruhet

Kërkon të mos bëhet paqe me turqit pa e përfshir edhe atë. Kështu do të bëhet, po dhe ai të mos bëj paqe me ta pa pëlqimin e Sinjorisë. Po të dëbohet nga turku, ai, siç e kërkon, do të ketë provizionin që ka, për gruan dhe fëmijën, dhe 500 dukat vjetor më shumë. Janë të kënaqur që, në rast nevoje të tillë, ai ka zgjedhur për të banuar ishullin Lezina ose atë Kurçola ku do të ketë një banesë të përshtatshme për të.

Për pushtimet që mund të bëjnë Skëndërbeu dhe Lek Dukagjini nuk flitet, pra të hiqen nga këto kapituj U pranua me 90 pro. Një këshilltar deshi që të thuhet se ata mund të mbajnë pushtimet që do të bëjnë, përveç Vlorës, Kaninës e Pirgut. Nuk u pranua.(32)

Në Prill 1465 Pal Gazulli ishte para papës Pal II.(33) Skëndërbeu ka dërguar në Romë Pal Gazullin për të marrë njësubsid për të.(34) Sipas Regjistrit (35)(Senta Cruciata 1465-72, f 126,) papa i kishte dhuruar dy mijë dukatë më 19.IV.(36)Pal Gazulli luajti një rol të rëndësishëm dhe në mbajtjen e lidhjeve diplomatike të shtetit të Skëndërbeut me Hungarinë, nëpërmjet zyrtarëve të saj që vizitonin herë pas here Raguzën, ose të misioneve raguziane kur këto shkonin me detyrë në Hungari.

 

Literatura

  1. Rexhepagiq, Jashar. “Kontributi për njohjen e disa artistëve, shkrimtarëve dhe punëtorëve petagoge shqiptar të shekullit XV -Simpoziumi për Skëndërbeun 9-12 maj 1968”, fq. 389, Insituti Albanologjik, Prishtinë, 1969.
  2. “Fjalorin Enciklopedik Shiptar” Tiranë 2008
  3. Frashëri, Kristo. “Gjergj Kastriot Skandërbeu Jeta dhe vepra (1405 1468)”, Botimet Toena, Tiranë, 2002.
  4. Frashëri, Kristo. “Gjergj Kastriot SkandërbeuJeta dhe vepra (1405 -1468)”, Botimet Toena, Tiranë, 2002.
  5. Rexhepagiq, Jashar. “Kontributi për njohjen e disa artistëve, shkrimtarëve dhe punetorëve petagoge shqiptar të shekullit XV -Simpoziumi për Skëndërbeun 9-12 maj 1968”, fq. 389, Insituti Albanologjik, Prishtinë, 1969.
  6. Kumona e së Djellës, nr. 8, fq. 99-100, Shkodër, Gusht, 1938.
  7. Oliver Jens Schmitt “Skëndërbeu”,“shqip nga Ardian Klosi” fq.142.
  8. Shuteriqi, Dhimitër. “Moti i madh”, Radonic70, fq. 189, Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë, 2006.
  9. Drançolli, Jahja. “Raguzianët në Kosovë”, Prishtinë, 1986.
  10. Plasari, Aurel. “Skëndërbeu një histori politike”, fq. 473, Tiranë 2010.
  11. Kristo Frashëri Skëndërbetu dhe lufta shqiptaro turke në shekullin.XV Vël.I Akademis së shkencave të Shqipëris Tiran 2005.fq 66
  12. Drançolli, Jahja. “Gjin Gazulli astronom dhe diplomat i shekullit XV”, fq 75. “Rilindja”, Prishtinë, 1984.
  13. Drançolli, Jahja. “Gjin Gazulli astronim dhe diplomat i shekullit XV”, fq. 75, “Rilindja” Prishtinë, 1984.
  14. Radoniç,77. Jorga, NotesII 49. Pisko67”; Shuteriqi, Dhimitër. “Moti i madh”, fq. 192, Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë, 2006.
  15. Plasari, Aurel. “Skëndërbeu një histori politike”, fq.473, Tiranë 2010.
  16. “Pall, Rapporti it. Alb. 4 boton dok. E plot latinisht Skëndërbeu quhet Domenus provinciarum Albanie”
  17. Jep faksimilen Radoniçi, tab. VII, i cili, në nr. 122 e mbledh ne dy tre rreshta. Është një document i till i rrallë autentik. Shuteriqi, Dhimiter. “Moti i madh” fq. 226, Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë 2006
  18. Shuteriqi, Dhimiter. “Moti i madh”, fq. 248, Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë, 2006.
  19. shif për të dhe 15. VIII. 1456, Radoniçi 125
  20. Oliver Jens Schmitt “Skëndërbeu”, “shqip nga Ardian Klosi” fq. 142.
  21. Plasari, Aurel. “Skëndërbeu një histori politike”, fq. 510, Tiranë 2010.
  22. Plasari, Aurel. “Skëndërbeu një histori politike”, fq. 510, Tiranë 2010.
  23. Plasari, Aurel. “Skëndërbeu një histori politike”, fq. 510, Tiranë 2010.
  24. “Hylli i dritës”1940, Nr 7-9, fq. 396; T. Geci, Mbi SfragjistikëneKastriotëve, në: “Simpoziumi për Skëndërbeun”, Prishtinë, 1969.
  25. Jahja Drançolli “Gjin Gazulli astronim dhe diplomat i shekullit XV” fq. 75, “Rilindja”, Prishtinë, 1984.
  26. Hylli I dritës, Nr 7-9, 1940. F 397
  27. Radoniç, “Djuradja Kastriot Sjkanderbeg i Arbanija u XV veku”, p.108-110, No. 187.
  28. Oliver Jens Schmitt “Skëndërbeu” shqip nga Ardian Klosi” fq. 143.
  29. Drançolli, Jahja. “Gjin Gazulli astronom dhe diplomat i shekullit XV”fq. 75, “Rilindja” Prishtinë 1984.
  30. Shuteriqi, Dhimiter. “Moti i madh” fq. 269, Shtëpia Botuese “Dituria” Tiranë, 2006.
  31. Oliver Jens Schmitt “Skëndërbeu”, “shqip nga Ardian Klosi” fq. 143.
  32. Ljubiae X 293-4. Radoniç 258 AV XXV 7634.”
  33. Shuteriqi, Dhimiter. “Moti i madh”, fq. 299, Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë, 2006.
  34. Oliver Jens Schmitt “Skëndërbeu”, “shqip nga Ardian Klosi” fq. 143.
  35. Pall, Rapporti it-alb.160, sh.154
  36. Senta Cruciata 1465-72, f 126,
  37. 30 Shuteriqi, Dhimiter. “Moti i madh”, fq. 303, Shtëpia Botuese “Dituria” Tiranë, 2006.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *