Iliriana Sulkuqi te “Kuvendi” në Detroit

Pjeter Jaku

Në këtë mesqershori, që për nga vapa ia kalon dhe korrikut, Ilriana Sulkuqi, poetja e njohur për poezinë paqësore, që shkon përherë krah dhe ngjitur me dashurinë për njeriun, me të drejtë kritika e ka thirrur “ Poetja e dashurisë”, udhëtoi për Detroit.

Poetja që, edhe kur shkruan për vete, mendon  për të tjerët, poetja që nuk e ndanë njeriun, ( po njeriun ama ), dhe gjithë shumëllojshmërinë e tij të kompleksuar, nga bota e saj shpirtëtore dhe krijuese. Gjithë fokusi i saj është njeriu, se si duhet të jetë ai, se si duhet të rrezatojë vetëm mirësi. Formimi i saj, si një arketip, që ka ndikuar e ndikon në krijimtari, që njeh vetëm lule e fjalë të mira, metafora dhe krahasime, nënkupton dhe çmon, veçanërisht  universin shpirtëror dhe ndjesitë më të mira, që e bëjnë njeriun të ndjehet komod.

Iliriana nuk mund të rrinte pa ia kushtuar dy ditë “ Kuvendit” në Michigan, këtë vit, pasi ia kishte  premtuar që para tri vitesh. Ia kishte premtuar se do të merrte pjesë në 15 vjetorin e Revistës Kuvendi por, si gjhithëmonë, do të ishte e zënë me punët për të tjerët ( për krijuesit ), që fizikisht na kanë lënë, por krijimtaria e tyre jeton. Edhe pse , me mundësi të kufizuara shëndetësore dhe monetare,  publikon librat e saj dhe bën shumë aktivitete e botime, si të ishte një Shtëpi Botuese, por edhe një axhensi shpërndarëse e krijimtarisë dhe frymës poetike të miqëve tanë. Ata nuk ishin dhe nuk janë vetëm miqtë e Ilirianës, por ne s’u kujtuam ta ndihmojmë atë. Me paratë e pensionit ( aq sa është një pension në Shqipëri ), në kolanën “ KUJTESË”, i shumëfishoi krijimet më të mira të Frederik Reshpjes, Ndoc Gjetjes, Betim Muços, Milianov Kallupit dhe Murat Isak, duke pritur edhe liberthat e Martin Camaj, Drita Çomos, Qazim Shemes, Bajazit Cahani, Vasil Dede etj, në ditët që vijnë. E, me çanta në kurriz, vrapon duke iu marrë fryma nga ditët e nxehta dhe, duke u mbledhur sa një grusht, në dimrat e ftohtë, sa në Greqi, sa në Kosovë sa në Amerikë. Pra, Iliriana nuk është vetëm Ilirianë, por një Institucion rrezatues i poezisë së miqvëve te saj, në gjithë vendet ku ka shqiptarë.

Aktiviteti për Ilirianën u kthye në një aktivitet për të gjithë

Me datën 16 Qershor 2018, poetja Iliriana Sulkuqi arriti në Detroit, e pritur nga poeti Gazmend Kishta.  Kontaktin e parë  e bëri në Kafe Kuvendi, ku funksionon edhe revista me të njëjtin emër. Nexhip Ejupi , Elinda Marku, Ruzhdi Gurra, Gazmend Kishta e miq të tjerë, shijojnë kafen me Ilirianen e biseda  për librat, si dhe shkëmbejnë mendime për punët e tyre. Gjithësesi, fjala nuk rrin pa përmendur edhe emra që nuk janë të pranishëm, dmth  krijimtarinë e tyre. Poetët janë vëzhguesit më të mirë të ngjarjeve. Ata i ndjejnë gjithë termetet shoqërore dhe politike, e gjithësesi flitet edhe për këto. Kafja ka nevojë për fjalën, si sherbimi i parë për mikun, për njohjen, për diskutimet e  veprimtarive tona. Në dy netët e para ishte e ftuar e Gazmendit, ndaj edhe nuk vonojmë për ta lënë Ilirianën të qetësohet. Mbasdite do të vizitonte Festivalin Shqiptar në Hard Plaza, Detroit, ku rastësisht  do të takonte poetin Visar Zhiti dhe artistët e njohur Merita Halili e Rauf Hyseni, me të cilët u takuan në Aeroportin e Detroitit, edhe pse kishin qënë në të njëjtin avion.

Pak rreshta për Ilirianën

Eshtë lindur në qytetin e Elbasanit. Mbasi mbaroi gjimnazin “Dhaskal Todri”, në qytetin e lindjes, vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake  dhe, më pas,   studimet universitare  për gjuhë-letërsi dhe filozofi. Ka punuar si gazetare në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Aktualisht, jeton në  SHBA-New York (Brooklyn)

-Iliriana Sulkuqi,   është vlerësuar nga Bashkia e Qytetit të Elbasanit,  me titullin: “Artist i Shquar i Qytetit” me motivacionin-“Për një kontribut të  shquar e cilësor në krijimin e promovimin e vlerave artistike në fushën e poezisë, duke mbetur një qytetare e denjë e qytetit të Elbasanit”, është shpallur “AMBASADOR I PAQES” nga Federata Botërore për Paqen (tetor 2011), nderuar me Titullin  « MATHER TEREZA », me motivacionin « Reflektim i Mirësisë, i Paqes, i Dashurisë, për një kontribut të veçantë në art, Kulturë dhe Humanizëm », Shkup, 2016

Është vlerësuar disa herë me çmime  Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë si : italisht, anglisht, greqisht, suedisht, maqedonisht, bullgarisht dhe arumanisht.

Në krijimtarinë e saj të pasur mban 17 libra poetik. Gjithashtu është vlerësuar me 9 çmime të ndryshme për krijimatrinë e sajtë pasur dhe me larmi tematike.

Në kolanën : “Kujtesë” ka publikuar me shpenzimet e saj, Albumin  Poetik “Kujto Poetin”, me poetët e të gjitha trojeve, që nuk jetojnë (bashkëautore me K. Traboini)

– Kalendarin  krijues: “Autorëve të Fjalës së Shkruar”  ( art, kulturë, shkencë, pedagogji) , të qytetit të Elbasanit

 Vlerësimet e poezisë së Ilirianës

Një listë shumë e gjatë krijuesish të njohur në fushëmn e letrave e kanë vlerësuar më nota të larta poezinë e Ilirianës, si: Dritëro Agolli-poet, shkrimtar, akademik; Perikli  Jorgoni – studiues, kritik, përkthyes; Bedri Dedja- shkrimtar për fëmijë, akademik; Odhise Grillo- shkrimtar për fëmijë; Skënder Hasko- shkrimtar për fëmijë, Naum Prifti – shkrimtar, studiues; Anton Çefa-poet, shkrimtar, gazetar, analist(Amerikë), Pëllumb Kulla-Mjeshtër i Madh, Faruk Myrtaj-shkrimtar, përkthyes; Dr.Klara Kodra – poete, studjuese, përkthyese; Dr.Fatmir Terziu –shkrimtar, gazetar, editor,  analist, përkthyes( Londër-Angli ), Nase Jani-poet, shkrimtar, botues, në Greqi, Lirim Deda – poet, publicist; Sokol  Jakova-shkrimtar, kritik e disa të tjerë në Evropë dhe Amerikë.

Poezitë e Iliriana Sulkuqit, kanë hyrë në repertorin e zgjedhur të aktorëve të shquar si: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Violeta Manushi, Roza Anagnosti, Besa Imami, Demir Hyskja, Ismail Hodaj, Eduart Çala, Ilir Borodani, Bujar Asqeriu, Justina Aliaj etj..

Për jetën dhe veprimtarnë e Iliriana Sulkuqit është realizuar një film dokumentar (shqip – anglisht ) me autorë: Skenariste – Angjelina Xhara, Operator – Ilia Terpini , Mjeshtër i Madh, regjisor-Kolec Traboini, Mjeshtër i Madh.

Në këtë dokumentar, poezitë e Ilirianes  i ka recituar Margarita Xhepa, Artiste e Popullit.

Mbrëmja leximeve dhe poezia e Ilirianës në Kafe “Kuvendi”

Të dielen, me 17 Qershor 2018, në Kafe “ Kuvendi”, Këshilli Botues  i Revistes “ Kuvendi” organizoi aktivitetin e njohur  “Mbrëmje leximesh”, një traditë kjo e krijuar  vitet e fundit. Në munitorin e kësaj kafje, tashmë  një  klub kulturor, ishin vënë pjesë të krijimtarisë së autores, recituar ndjeshëm nga aktorja e njohur, Margarita Xhepa, si dhe fragmente nga biografia e saj krijuese. Për aktivitetin krijues të Ilirianës foli botuesi i Revistes “ Kuvendi “ poeti, prozatori dhe publicisti Pjetër Jaku, i cili theksoi se veprimtaria e  saj krijuese mbart me vete edhe një punë publikuese, që ente të mirëfillta botuese nuk e kanë realizuar, siç është kolana “ Kujtesë”, si dhe aktivitete e ndihmesa të shumta për letërsinë dhe, disa autorë që meritojnë vëmendje të veçantë. Veç kësaj, ai i dorëzoi poetës një Mirënjohje, që Revista “ Kuvendi” i ka akorduar që në vitin 2015, duke theksuar  ndihmën që ka dhënë për të realizuar një numër të posaçëm kushtuar poetit Ndoc Gjetja, me rastin e ndarjes fizike nga ne. Jaku theksoi, se te Iliriana, nuk ka pse numërohen vitet që ka të regjistruara, se për nga veprimtaria i ka kaluar të 100-tat prej kohësh. Më pas poeti i njohur, mjeshtri i fjalëformimeve që i ngjitin aq bukur poezisë, liriku i  shtruar, Nexhip Ejupi, solli shumë raste nga vitet shkollore me Ilirianën dhe pjesë të krijimtarisë së saj, duke u duartrokitur nga të pranishmit. Por, intersant ishte fakti që e tha vetëm në këtë mbrëmje, pengun që e kishte realizuar në dasmen e të birit. Me atë rast, –  thotë Nexhipi, hapa vallen, duke ftuar Ilirianen të më ndihmonte, pasi nuk mësova të kercej, kur Ilriana më lutej, veç për të qënë i pranishëm në mbrëmjen e matures, që sot e kësaj dite më dhemb humbja  e kujtimit më të mirë të asaj moshe. Njëmbëdhjet vjet në një klasë me Ilirianën, do të ishte i denjë për një titull libri! Pas Nexhipit, Iliriana ndërhyri duke kërkuar me çdo kusht, që në këtë mbrëmjë leximesh, autorët të lexonin edhe poezitë e tyre, por të pranishmit kërkuan të dëgjonin poezi nga krijimtaria e saj.

Poetet Arta Simoni, Elinda Marku, Ruzhdi Gurra, poeti dhe publicisti i njohur, Zef Pergega, Gazmend Kishta etj. lexuan poezi nga librat e Ilirianës dhe e falenderuan atë për pjesëmarrjen në Mbrëmjen e Kuvendit. Ndërsa, vet Iliriana, lexoi poezi te Drita Çomos dhe Elinda Markut. Julian Çefa, një nga veprimtarët e njohur të komunitetit shqiptarë të Amerikës, që prej disa vitesh ka drejtuar Radion “ Zani i shqiponjave”, solli disa kujtime për njohjen me poetet Martin Camaj dhe Ernest Koliqi. Me Martinin, Juliani kishte pasë korespodencë të vazhdueshme, duke e pasë dhe mysafir në shtëpinë e tij, në Detroit. Më pas,  u kalua në diskutime të lira për eksperiencat krijuese të secilit, si dhe u hodhen ide për realizimin e Ditëve të Letërsisë Shqipe të këti viti. Ndër krijuesit e  pjesëmarrës, ishte dhe Besa Rexhepi, e cila në Mbrëmjen e Leximeve të muajt Shtator do të jetë e pranishme me novelen “ Shpresa”, për ta diskutuar me krijuesit e këti komuniteti. Mediat nuk u ftuan, pasi poezia, është një media e veçantë, që ndjehet më shumë se shihet e shkruhet për të. Dhe, për më tepër, Kuvendi nuk ka bërë asnjëherë aktivitete përfituese.

E hëna e vizitave

Pas një mbrëmje dhe një dite të lodhëshme, për të hënën Iliriana kishte lënë  disa vizita. Ndër më të rëndësishmet ishte vizita në  mjediset e Kishës së Shën Palit, ku gjenden të përjetësuar dy monumentet historike të kombit shqiptar, GJERGJ KASTRIOTI- SKENDERBEU dhe  NËNË TEREZA, prej të cilave nderohet dhe identifikohet çdo shqiptar, kudo në botë. Pas fotografive me këto përmendore, dhe vizitës në mjediset e brendëshme të kësaj qendre, që është jo vetëm Kishë, Iliriana kthehet përsëri të Kuvendi e befasuar, nga ajo Shqipëri e vogël e bashkuar që kishte parë sot. Vetem në Amerikë, Shqipëria ( shqiptarët ) është e bashkuar, nga të gjitha trojet e saj, ndaj ka të drejtë poetja të ketë emocione.

Dy poezi nga Iliriana Sulkuqi

 

S’KAM AQ FAJ

 

Falmë, falmë trup i huaj,
mbrëmë pa leje të kam puthur …
s’kam aq faj kaq shumë të vuaj (!)
vetë në shtrat më ishe futur …

Kur dhe ëndrra shfaqet djall
unë jashtë ëndrrës, s’kam aq faj …

VETEM PER NJE KTHIM

Vetëm për një kthim do të jetoj,
për pak smog nga qyteti im,
për një nënë që ëndrrën belbëzon,
për një varr që prehet në vetmi,
për një lule që ka zënë të thahet.
për një zog që dimri po e ngrin,
për një gjuhëz lëçitur që foshnje.
për një lot tretur nën qerpik.

Vetëm për një kthim do të jetoj !…
vetëm për një muzg …
për një agim …

2 thoughts on “Iliriana Sulkuqi te “Kuvendi” në Detroit

  1. Pingback: Iliriana Sulkuqi te “Kuvendi” në Detroit

  2. Në jetën time më ka qëlluar të jem pranë e mes artistesh e një pjesë e emrave janë miqtë e mi… Njihja Ilirianes si poete, nga Elbasani, që kish kaluar në gjimnazin tim “Dhaskal Todhri”, si motra e artistit, violinisti të mirenjohur dhe mikut tim Zeqir Sulkuqi, si poete kolege e poeteve “të jeshiltë” Milianov Kallupi e Lirim Deda, nuk dija që paska qënë shoqe klase e një tjetër pene të madhe që me mall e dashuri më çon gurgullime të Shkumbinit tim e më mbush shpirtin me baltën e “lejthatën” e viseve të mia Nexhip Ejupi… U desh një shkollë shqipe në një qytet italian, e ngritur nga një shoqatë e grup atdhetaresh të mirë si AssoAlbania në Asti, ku të perballesha “tu per tu” me këtë kollose të shumë vlerave por që unë do ta batezoja me një emër: DASHURI! Dashuri për jetën, dashuri për njerëzit, dashuri për vargun, dashuri per mikun, dashuri për femijët, dashuri për të rriturit, dashuri për të ikurit, dashuri për të gjallët, dashuri për punën, kengen… Edhe pse me shumë pak kohë në dispozicion, sepse ajo është këtu, është atje, është kudo ku është fjala e buruar nga shpirti, bëri të pamunduren për të siguruar një kontigjent librash për këtë shkollë shqipe në tokë të huaj! I gjeti, i morì i siguroi dhe na i nisi së bashku me një dhuratë tjetër të madhe; letrën pergezuese për shkollën shkruar nga dora e mbretëreshës shqiptare të skenes dhe ekranit, Nderit të Kombit Margarita Xhepa. E pra me Margariten jemi miq shumë të vjetër, kurse me Ilirianën, më falni me Dashurinë kurrë nuk jemi takuar ndonjëherë! Bëj be për kokë të saj!
    Ajo nuk është vetëm nderi i qytetit të Elbasanit, por si një Mjeshtre e Madhe e penës parmendë që mbjell veç dashuri, ajo mbetet Nderi i Kombit tonë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *