Diten e shtunë, me 31 mars 2018, Revista “Kuvendi”, në Kafe KUVENDI, organizoi promovimin e librit te autores së re nga Kosova Qendresa Halili, “WAR DIARY” -We Children of Kosovo.We Children of The War”, nga ora 5 Pm deri afer ores 8 Pm. Atmosferë festive, që e përcillte festa e Pashkëve e sapombërritur, e bëri më të bukur festën e këtij libri, që meriton vëmëndje.
Aktivitetin e drejtoi, mikja e Kuvendit, Aida Gjergji, me një falenderim të pranishmëve, për kohën që ia kushtuan librit të Qendresës, në një prag feste të tillë. Për librin e Qendresës folen poeti Ruzhdi Gurra, gazetari dhe shkrimtari i njohur Zef Pergega, publicist Rush Dragu, poetja Elinda Marku, gazetari i ACTV dhe veteran i Luftes së Kosovës, Luigj Gjokaj, dashamirësi i librit, Fran Vokrri, ish mësuesi dhe aktivisti Mark Loci, poeti dhe botuesi i Kuvendit, Pjetër Jaku si dhe vet autorja, e cila ia kishte besuar këtë aktivitet Revistes Kuvendi, Qendresë Halili, e ardhur nga New Yorku. “Ditari i Luftës” është botuar në gjuhën angleze nga një shtëpi botuese në New York, ku punon dhe jeton autorja. Qendresa, në fjalën e saj fëlenderoi Kuvendin, i cili dhe e kishte ftuar e pritur që në fillimin e saj në jetën amerikane, ( në vjeshten e vitit 2014). Poashtu, autorja falenderoi gjithë të pranishmit, në mesin e të cilëve ishte ndjerë mire, që kur kishte shkelur në Amerikë, në vendin e ëndrrave. “Libri është një përjetim dhe një mënyrë të pari të Luftës së Kosovës, nga një fëmijë vetëm 9 vjeçar, në atë periudhë. Një përjetim i trishtë, që sa herë e mendoj më çon në ato vite te frikshme!”- tha autorja. Poetja Elinda Marku, pasi foli për vlerat e librit, tha se Qendresa është një vajzë e talentuar që kërkon vazhdimishtë lirinë. Poeti Ruzhdi Gurra solli një rast që e kishte parë me sytë e tij, kur punonte në Kosovë, me forcat Amerikane të NATO-s, se si nga një familje kishte shpëtuar vetëm një fëmijë, e cila për disa ditë kishte mbijetuar në rrënojat e shtëpisë së shkatërruar nga lufta barbare e makinerisë ushtarake, antinjerëzore serbe. Zef Pergega theksoi rëndësinë e publikimeve të këtyre llojë librash që, veç e pasurojnë memorien kombëtare.
Në këtë promovim dinjitoz dhe të mirorganizuar merrnin pjesë me mjetët e tyre, televizionet e komunitetit, ACTV dhe ALBDREAMS TV, me pronarët Arben Spahiu dhe Rush Dragu. Aktivitetin e filmoi Kolë Vasili.
Pjesë nga libri u lexuan nga Mara Jaku, nxënëse në klasën e 7-të, Aida Gjergji, Elinda Marku dhe vet autorja.
Në fund, autorja ua nënshkroi librin të pranishmëve.
Një kokteil për të pranishmet, e kishte shtruar Kafe Kuvendi si dhe disa intervista nga Televizionet e pranishme, që u moren nga gazetari Luigj Gjokaj.
Fotot do publikohen mbasi te perzgjidhen e punohen nga Studio Albdreams
Bardhok Lleshi
Detroit, 31 Mars 2018