ALBUMI MONOGRAFIK “AZEM HAJDARI DHE TROPOJA” NË 55 VJETORIN E LINDJES SË TIJ

Ramiz Lushaj

 “Azem Hajdari dhe Tropoja”, album monografik me njëqind faqe format A4 e me ngjyra, botim i posaçëm në 55-Vjetorin e Lindjes (1963-11 mars-2018), pasqyron me kapituj të veçantë jetën e veprimtaritë, kontributet e meritat e tij si bir i Tropojës, si një nga politikanët shqiptar demokrat e atdhetar kombëtar.

Trualli i tij epik deri në kufijtë e legjendave, lidhjet genetike të gjakut e pragut të Azem Hajdarit jepen për herë të parë me anë të pemëve gjenealogjike, i cili shkon deri në nëntë breza me Haxhi Zekë Byberajn e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe me Heroin e Popullit Bajram Curri; në dhjetë breza me Heroin e Popullit Mic Sokoli dhe prijtarin e pleqnarin Binak Alia i Krasniqes e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Thuhet për herë të parë se Azem Hajdari, si rrallë kush tjetër në politikën shqiptare, në rrënjët e degët e tij, i ka pesë “Dëshmorë të Atdheut”, që nga gjyshi i tij Tahir Niman Hajdaraj, dy kusherinjtë Syl e Sokol Hajdaraj dhe dy dajët e tij të vllaznisë Neziraj të Luzhës së Tropojës: Kadri dhe Bek Neziraj, të cilët paraqiten me CV-të përkatëse. Azem Hajdari është Heroi më i ri i tyre, Hero i përmasave kombëtare, eshtrat e të cilin prej 12 shtatorit 2013 prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.

Azem Hajdari ishte njeri i madh i punës, njeri i punëve të mëdha. Deri në risi, sakrifica, vetmohim. Ai kur ishte specialist galanterist në NRSHK të Tropojës e ngriti Shtëpinë e tij dykatëshe në qytetin alpin të Bajramcurrit, e cila tashma është “Monument Kulture i Kategorisë së Parë”dhe pritet të kthehet në Shtëpi Muze. Ai kur ishte kryetar i Komisionit Nismëtar të PD-së ndërmori nismen faktkryer për ndertimin e Tyrbes së Dervishit të Luzhës – Nderi i Kombit e, tevona, të Shtatores së tij, që tashma është “Monument Kulture i Kategorisë së Parë”, kthye në një vend pelegrinazhi fetar, një vend i shenjtë.

Azem Hajdari ishte i dhanun pas dijes, pas shkollimit, pas letërsisë, historisë, shkencave politike. Me zgjuarsi gjenetike natyrore, me përkushtime përtej të zakonshmes. E kreu gjimnazin në Tropojë me notë mbi nëntë, çka i mundësoi vijimin e studimeve të larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku u diplomua për Shkenca Politike (1991) e Juridik (1994). Ishte njeri besimtar, një besimtar i madh, si pak kush, si rrallëkush, edhe kur Shqipëria ishte ateiste. Ai merrej shumë me sportet: me futbollin, notin, shëtitjet deri në lartësitë alpine, etj. Në këtë botim kemi një fakt interesant: më 1981, Azem Hajdari 18-vjeçar, u ngjit në skenën e Pallatit të Kulturës “Dardania” në qytetin Bajramcurri, në rolin e personazhit Maliqi tek drama e njohur “Familja e Peshkatarit”.

Në këtë album monografik, në faqe e kapituj të tij, pasqyrohet roli i madh dhe veprimtaria elitare e Azem Hajdarit si Lider i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90 (në Qytetin “Studenti”, në takimet me liderin e fundit komunist – Ramiz Alinë; në ballë të mitingjeve, protestave, demonstratave; etj.); si kryetar i Komisionit Nismëtar të PD (në ngritjen, shtrirjen e forcimin e degëve të PD-së në rrethe; në propagandimin e zbatimin e Programit të PD-së, në Grevën e Urisë në “Qytetin “Studenti” dhe në rrëzimin e Shtatores së E. Hoxhës; etj); në kontributet e tij për ndërkombëtarizimin e Lëvizjes Demokratike në Shqipëri (vizitat në Senatin e Kongresin Amerikan, në institucione e organizma ndërkombëtare në Europën Perëndimore; në vende ballkanike e mesdhetare, në diasporat shqiptare në botë). Njëkohësisht e njejtësisht kemi veprimtarinë atdhetare e politike të tij në Tropojë, në vendlindjen e vet: Në shtëpinë e Azem Hajdarit, më 3 janar 1991, themelohet dega e PD-së  e Tropojës, një nga degët e para në Shqipëri. Ai merr pjesë qyshse në të parin miting të madh  e të veçantë të PD e popullit të Tropojës më 10 janar 1991. Ai ishte dhe deputet i rrethit të Tropojës në Kuvendin e Shqipërisë, ku në vitin 1998 shkoi për t’u interesuar dhe për të ardhurit nga Kosova, për shqiptarët e shpërngulur prej gjenocidit e terrorit sllav të Millosheviqit.

Në këtë Album monografik ka një kapitull të veçantë: “Azem Hajdari u rrit me dashurinë për Kosovën dhe kontribuoi për Lirinë e saj”, sepse kishte traditën e familjes e të vendlindjes së tij, sepse ishte mik i afërt i Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova; se kishte lidhje atdhetare dhe me Adem Jasharin e figura të tjera të shquara të Kosovës; sepse më 1998 mori dhe plagë në trup kur shkoi në Tropojë për t’u interesuar për të ardhurit nga Kosova, për shqiptarët e shpërngulur prej gjenocidit e terrorit sllav të Millosheviqit. Ai, në shtator 1998, kishte nistue punën për t’i hyrë rrugës së marrjes të gradës shkencore “Doktor i Shkencave” me një temë për Çështjen Kombëtare Shqiptare, por nuk ia mbrrini për shkak të jetës së tij të shkurtër. Aty gjejmë dhe faktin tjetër, se si Azem Hajdari e shprehu publikisht gadishmërinë për të shkuar për të luftuar me armë në dorë në Luftën e Kosovës, por për shkak të pozicionit të tij politik në Shqipëri nuk iu lejua ndërmarrja konkrete e një akti të tillë.

Albumi monografik “Azem Hajdari dhe Tropoja” i kushton një vend të veçantë përurimit të Shtatores së Azem Hajdarit në Tropojë (27 tetor 2017), e cila ishte nismë e nisur vite më parë nga dy biznesmenët atdhetare shqiptaro-amerikanë Harry Bajraktari – Nderi i Kombit dhe Rrustem Gecaj – Nderi i Kombit, nga Besnik Dushaj – kryetari i sotëm i Bashkisë së Tropojës dhe av. Rasim Hasanaj – vllai i Azem Hajdarit, ish-kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve të Shqipërisë.

Aty, në këtë veprimtari solemne e festive përshendetën: nga Tirana, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta; nga Amerika Federata Panshqiptare “Vatra” dhe Harry Bajraktari – Nderi i Kombit; nga Tirana, Azem Hajdari – djali i vogël i Heroit të demokracisë. Në fjalën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha, theksoi: “Azem Hajdari jeton dhe do të jetojë përjetë në idealin e lirisë, në ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari”. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në fjalën e tij, pohoi: “ Azem Hajdari e shënoi hapjen e epokës së re të demokracisë shqiptare”. Gjeneral Daut Haradinaj, deputet i Kosovës, teksa solli përshendetjet e tij nga Kosova, shtoi: “Qindra mijëra luftëtarë të Kosovës dhe jo rastësisht e kishin frymëzim heroin e Kombit Shqiptar, Azem Hajdarin”. Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, tha në fjalën e tij: Edhe ne, shqiptarët në Malin e Zi, njësoj si Ju e nderojmë figurën e Azem Hajdarit”. Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, do ta krahasonte Azem Hajdarin si “një shpërhtim vullkani…”. Deputetja Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit, tha se” Azemi dhe Studentët e Dhjetorit, nuk e mësuan demokracinë nëpër shkolla apo universitete. Por, historia e Tropojës, historia e Kombit Shqiptar, historia e Kosovës ishte baza mbi të cilët  ata ngritën idealet e Dhjetorit dhe luftuan për një Shqipëri të Lirë, Demokratike dhe të integruar…”.

Në kapitullin e fundit rendohen dekoratat e titujt e lartë dhënë nga presidentët e Shqipërisë: “Urdhri i Flamurit”(2013), Urdhri “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” (2008); titulli “Nderi i Kombit” (2002), “Pishtar i Demokracisë” (1993); nga Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova me dekoratën e lartë “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit” (2003); titujt “Qytetar Nderi” në Tropojë – vendlindjen e tij dhe në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Kavajë, Berat, Elbasan, Peshkopi, Mallakastër, Lezhë, Delvinë, Librazhd, Kukës, Lushnje, etj., pothuaj në të gjithë Shqipërinë.

Në përmbyllje po due me e risjellë një thanie të regjizorit të njohur Mevlan Shanaj (2008), e cila është në faqen e parë të këtij albumi monografik dhe shprehimon realisht e mrekullisht për Azem Hajdarin: “Erdhi si një meteor” dhe “solli një ndriçim, ndriçimin e madh të Lirisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *