KA ARDHUR NJERIU “TEKNOLOGJIK”

Dedaj-Ndue-300x226NDUE DEDAJ

 

Po e nisim me një episod të thjeshtë. Një djalosh 15 – vjeçar pasi mbush shtambat e ujit te kroi që buron nga shpati, i kërcen biçikletës dhe atë copë rrugë prej 2-3 kilometrash nëpër asfalt deri në shtëpi e bën duke u marrë me telefonin celular, prit e përcill mesazhe, teksa në rrugë kalonin makina. Një njërën dorë timonin e biçikletës, në tjetrën celularin. (“Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, të vjen ndërmend.) Por kjo e djaloshit nuk është asgjë krahasuar me qindra drejtues mjetesh që ngasin makinat e njëherësh flasin në telefon, me gjithë gjobën e rëndë që mund të marrin. Do të ishte gjysma e së keqes nëse këtë ves do ta kishin vetëm të rinjtë, pasi ata me kohën e kalojnë “adoleshencën” e vonuar. Problemi është se mania e Facebook-ut ka kapluar që nga njerëzit e thjeshtë tek drejtuesit e vendit, mjafton të shikosh seancat parlamentare, ku deputetët “bubrrojnë” nëpër iphon-e duke u përhumbur aty teksa në podium flasin shokët e tyre për çështje të rëndësishme të shtetit, ekonomisë, vetingut etj. Asnjëherë nuk e gjetëm ekuilibrin, as në kohën moderne, se çfarë duhet bërë e çfarë është tejkalim i së drejtës mbi teknologjinë dhe jo vetëm.

Nuk është fjala për ndonjë robot të shekullit XXI, por për njeriun e sotëm të sunduar nga teknologjitë e fundit dixhitale, nga ai personi që rregjistron bisedat private për t’i përdorur nesër si shantazh ndaj dikujt, deri te gruaja që flet në telefon duke shkundur tapetin në shkallë e pluhurosur të tjerët poshtë. Nuk ka mbetur asgjë pa u filmuar në fshehtësi e bërë video kompromentuese ose për “shaka”. Kot doni ta ruani privacinë pas perdeve, hiqni më mirë ato, kështu si ka ardhur puna, se si i hoqet, si nuk i hoqët, po iu mbush mendja ndokujt aty e keni “çipin” mes çarçafëve. Nuk thonë më kot se çdo e mirë ka dhe një të keqe. A nuk u shpikën armët për t’u mbrojtur njerëzit nga sulmet barbare? Po sa jetë të pafajshme kanë marrë ndërkohë ato që nga fillimi! Dikur ndër ata që e thyenin rregullin ishin dhe nxënësit që lexonin libra tërheqës nën bankë. Ku t’i gjesh sot këta të fundit, kur leximi ka shkuar në pikën e fundit! E, pra, dhe libri ka qenë një shpikje e papërsëritshme, është dashur teknologji shumëshekullore nga papirusi antik te përpunimi i drurit të ahut për të prodhuar letrën, apo shpikja e makinës së shkrimit, Gutenbergu, kompjuteri, libri elektronik etj.

Por të rrimë te shpikja e fundit, komunkimi online, që, duam apo nuk duam, vret dhe ai. Shahen dy adoleshentë apo dhe reperë të dëgjuar në FB dhe fill lënë duel me thika apo armë në rrugë, ku gjakosin njëri-tjetrin. Telekomanda shërben dhe për të hapur e mbyllur televizorin, por dhe për të ndezur tritolin në makinën apo derën e apartamentit të iksit. Shkurt, ka lindur njeriu i klonuar me teknologji. Ndryshe nuk do të shihje të njëjtën pamje marroke kudo, njerëz që nxjerrin sytë në smartfonët e tyre deri në marramendje. Fëmijë 3 – vjeçarë dhe burra të shtyrë në moshë. Është magjia e teknologjisë së komunkimit sigurisht, por dhe shpërdorimi i saj. Pjesa më e madhe e publikut nuk punon askund, dhe se nuk ka ku të punojë, dhe se nuk e do punën, ama lodhet mbi tastierën e vogël online duke dhënë e marrë me botën, shpesh për kotësitë e saj, kinse po debatohet në rrjetet sociale, po ku ka ose sharje, o lavdërime dhe rrallë mendime të pjekura, fraza të arsyetuara, të shkruara me etikë. Ia nxorëm ujin e zi Facebookut, për gjera që njohim dhe për gjera që nuk ia kemi idenë. Mjafton të përzihemi me të tjerët, në tollovinë e rrjeteve sociale. Ej, jam dhe unë! Mos bëni sikur nuk më shihni! Kush na qenkeni ju që na jepni mend?… Dhe vazhdon të shihet lëmi mbarë e prapë. Njerëz që me orë të tëra nuk bëjnë gjë tjetër vetëm duke karratuar fjalë pa pikë e presje në “gazetarinë” e të gjithë atyre që dinë shkrim e këndim. Ku ka më mirë se kështu. Të shkrepi në kokë t’iu japësh ndonjë “flakureshë” qeveritarëve, kryeministrit, ministrave, deputetëve, ja ku e ke veglën, mëshoi! Dha pa e lexuar mirë atë që ke hedhur aty do të vërshojnë komentet pa brumë. E lagu, s’e lagu! Shpërthyen mediat dhe u shqyen rrjetet sociale nga një diskutim në forumin hibrid “parlamenti rural” (teksa nesër mund të ndodhë e njëjta gjë në “parlamentin urban”), pa u ndalur asnjëri te thelbësorja, kush e ka të drejtën ta ndajë popullatën në urbane dhe rurale, kur sipas kushtetutës banorët janë të gjithë qytetarë! Tjetër është të thuash zonë urbane dhe zonë rurale, zhvillim urban dhe zhvillim rural, dhe pse në shoqërinë e sotme këto nuk është se ndahen më si me thikë, se, bie fjala, Gjiri i Lalzit, është qytet apo fshat? Por kjo është një temë tjetër. Fjala është te stuhia e rrjeteve sociale për një fjalë goje, për një qëndrim edhe periferik, thënë ndryshe “shumë zhurmë për asgjë”. Aq më keq kur në këtë grackë minore tërhiqet dhe media e shkruar e ajo televizive, si të ketë ndodhur ndonjë gjëmë kombëtare. Një predikues fetar kumton diçka të diskutueshme, emocionale lidhur me femrën dhe pozitën e saj në familje, para njëqind vetëve në institucionin e tij të besimit dhe befas këtë ligjërim të tijin e përlajnë rrjetet sociale dhe për më tepër mediat serioze të vendit!? Mbytën të gjithë në një pikë uji, e nga çfarë, thjeshtë nga një postim i panevojshëm, aty ku është “logu” i kuvendit i të gjithëve. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që një lapsus i dikujt në provincë të ngjitet në mediumet më të mëdha, duke vërshuar në debat klasa e lodhur e moralistëve. Edhe në këtë rast një furtunë në gotë dhe asgjë më shumë. Se çfarë do të kishte ndodhur nëse ato fjalët e predikuesit të thjeshtë do t’i kishte thënë kreu i atij komuniteti fetar? Një ngjarje lokale duhet trajtuar si e tillë dhe jo t’i jepen artificialisht në media përmasa që nuk i ka. Padashur media profesioniste, ndonëse duke u përpjekur të vërë “rregull” në kakofoninë e rrjeteve sociale, ka rënë vetë në nivelin e tyre.

Edhe pse rrjetet sociale, të pakufishme për nga hapësira gjeografike, janë për të folur me “lagjen” e të njohurve të tu, do të ishte mirë që aty të mos kishte vetëm “qoka” miqsh. Për vetë specifikën ato nuk mund të jenë media, çka nuk është as qëllimi për të cilin janë krijuar, thjeshtë shërbejnë për t’i dhënë një dimension të munguar komunikimit njerëzor, që dhe kjo mënyrë “popullore” të shprehuri të prodhojë liri e prosperitet. Por nëse të mëdhenjtë duket se nuk do të shpëtojnë lehtë nga kjo varësi e re, të paktën të shpëtojmë fëmijët dhe të ardhmen nga një sindromë e tillë “gjithëpërfshirëse”. Duket paradoks, që të mbrohesh nga një e mirë planetare, por kështu ka ndodhur dhe me teknologjitë e mëparshme. Fëmijët duke lundruar në internet si në një botë me “çudira”, jo gjithnjë mund të ndajnë vetë se cila është e lejueshme në fushën edukative, morale, etike dhe cila është pornografike, abuzuese, e rrezikshme. Janë një varg faktorësh që e pengojnë dëmin që mund të sjellë interneti tek fëmijët, legjislacioni i duhur, qeveria e interesuar, grupet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, prindërit, edukatorët, klerikët etj. Sa i përket shkollës, është thënë disa herë veçmas nga sociologët e psikologët se nuk është normale t’iu kërkohet nxënësve, duke filluar nga më të vegjëlit, që ata t’i drejtohen internetit për çdo gjë. Na duket e tepërt që nxënësit 10-vjeçar të klasës së tretë t’i jepet detyrë shtëpie nga aparati pedagogjik i tekstit që të gjejë në internet materiale për Van Gogun!?

Për të shmangur teprimet brenda shkollës dhe abuzimet jashtë saj me fëmijët, një nga strategjitë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë këtë vit shkollor është pikërisht mbrojtja e fëmijëve nga interneti, ku krahas stafeve pedagogjike janë të ftuar të bashkëpunojnë dhe prindërit; pa harruar për asnjë çast rolin që duhet të luajnë mediat, shoqëria civile, kompanitë e administrimit të rrjeteve sociale etj. Një qëndrim në bllok sot kundër internetomanisë, do të thotë një shoqëri “dixhitale” e shëndetshme nesër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *