- Markagjoni në krye të lëvizjes antikomuniste dhe paralajmërimet e klerit Katolik mbi rrezikun komunist
Enver Hoxha dhe klani i tij sllavo-komunist e dinin fort mirë se pushteti i tyre mund të konsiderohej i vendosur vetëm kur të ulej krenaria e fisnikërisë dhe e bajraktarëve të veriut, të zhdukej influenca e klerit katolik e më pas do mund të realizohej shtypja dhe nënshtrimi i katolikëve të veriut, i këtij populli që kish jetuar në liri për shekuj me radhë. Edhe pse kjo liri që gëzonin malësorët trima, kishte dashur gjak e sakrifica, prapëseprapë nuk mund të imagjinohej prej tyre ekzistenca pa të.
Që në fund të nëntorit 1944 forcat partizane(kryesisht nga jugu i vendit) të udhëhequra nga PKSH zhvillojnë luftime për shtypjen e rezistencës antikomuniste në territoret tradicionalisht të papushtuara si në Mirditë e Kthellë, në Malësinë e Madhe, Nën Shkodër, Pukë, Lumë e Lurë, Lezhë e Kurbin. Në funksion të këtij plani luftarak u dislokuan përqark territoreve në fjalë Korporatat me divizionet e brigadat partizane që e përbënin atë, komandant i së cilës ishte Shefqet Peçi. Ndërsa Mehmet Shehu qe caktuar komandant i operacioneve për nënshtrimin dhe pushtimin e plotë të Veriut.
Nga ana tjetër, në krye të luftës antikomuniste u vunë familje tradicionalisht fisnike dhe me emër në Shqipëri si ajo e Gjomarkajve-dera princërore e Mirditës e më gjerë, Melyshajt e Bajraktarët e Kthelllës, Vokrrajt e Fanit, Prek Cali e Llesh Marashi i Malësisë së Kelemendit, Jup Kazazi në Postribë e NënShkodër, Mirakajt e Pukës e Muharrem Bajraktari i Lumës, Dodajt e Reçit etj.
Mbi të gjithë për interesat e kombit qëndronin klerikët katolikë.
Që në kohën kur Enveri dhe klani i tij ndihmoheshin nga anglezët dhe amerikanët për të luftuar nazizmin, iu vunë pushkën vëllezërve të vet për hatër të Titos e Stalinit. E vërteta është që ata donin të vendosnin sundimin e tyre në Shqipëri.
Natyrisht as nacionalistët nuk mund të rrinin me duar kryq, ndërkohë që Balli e Legaliteti tërhiqeshin mbas qerres komuniste, qysh nga mbledhja e Mukjes dt 1-2 gusht 1943. Paria e Shkodrës tue pa lëvizjen e krahinave të tjera, që drejtuesit e tyre nacionalistë ishin grumbullue e ba bashkë me komunistët, për me u ba vorrin Shqipërisë, me dt 2 prill 1944, formuen në Shkodër grupin Indipendent Kombëtar të kryesuar prej Gjon Marka Gjonit…me qëllim që t’i vijshin në ndihmë të dy partive të tjera nacionaliste, për t’i bashkue të tria në luftë kundër komunizmit…Balli e Legaliteti mbasi e panë tek e mbramja iu kujtuen rrenës së komunistave, u mblodhën të tri grupet (Indipendenta, Ballista e Legalista për të studiue organizimin e një lufte të përbashkët kundra komunistëve. Kjo organizatë e përbërë nga tre parti u quajt “Lidhja e Shkodrës”.
Duhet thënë se bashkëpunimi mes tyre nuk qe në nivelin e duhur derisa vendi u çlirua prej okupatorit fashist. Pas kësaj brigadat partizane të drejtuara nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe banditë të tjerë komunistë, për të vendosur sundimin e tyre, por dhe të frymëzuar nga urrejtja krahinore dhe fetare, në mënyrë të pamëshirshme ndërmorën operacione kundër veriut të Shqipërisë, veçanërisht territoreve të Katolikëve të Veriut. Dhe kjo gjë ishte e natyrshme pasi këto ishin treva të pamësuar me pushtuesit e huaj dhe kundërshtuan dhunshëm vendosjen e sundimit sllavo-komunist në vend. Duhet thënë se forcat nacionaliste në gjithë rajonin e Ballkanit ishin në “darën” e komunistëve e cila gjithnjë e më tepër shtrëngohej dhe fundi i rezistencës së tyre nuk ishte i largët.
Në këto rethana, në fillim të këtij konflikti civil që nisi hapur pas largimit të okupatorit, me shtabin e kryengritësve u bashkuan dhe kontribuan dhe krerë të Ballit e Legalitetit si Ali Këlcyra, Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, legalistët Abaz Kupi, Fiqiri Dineja, Prengë Pervizi, Hysni Dema, etj.
Kështu u mbajt një mbledhje në fshatin Bulger ku u mor ky vendim: Me bashkue të gjitha forcat nacionaliste të tri grupeve politike për me përballues sulmet komuniste që kishin marrë hov të madh në disa krahina të Shqipërisë së Veriut tu caktue si qendër grumbullimi të tria forcave katundin Lurë, që prej komunistave ishte lënë i zbrazun dhe ende i pashkelur.
Personalitetet ballistë e legalistë përfaqësonin jo vetëm mendimin intelektual, por ishin përfaqësues të një fisnikërie të vendit tonë, po për fat të keq të pambështetur nga popullata.
Pra kur erdhën krerët ballistë e legalistë në Mirditë, jo vetëm smund të ndihmonin drejtimin e organizimin e luftës kundër komunizmit, por përkundrazi këta gjeneralë pa ushtri patën nevojë për t’i marrë në mbrojtje e për t’i përcjellë përtej detit.
Kleri katolik, nën udhën e një tradite të ndritur të udhëheqejes së popullit të tyre edhe në këto momente kritike të Kombit Shqiptar u përpoq të parandalojë pushtimin komunist të vendit.
Çlirimi i Shqipërisë nga nazi-fashizmi solli pushtimin gradual të vendit nga komunizmi.
Që gjatë luftës, madje më parë, klerikët katolikë e kishin paralajmëruar popullin shqiptar për pushtimin sllavokomunist. Mendja e hollë e At Gjergj Fishtës, At Anton Arapit, Mikel Gazullit, dhe e martirëve të tjerë të kishës e të kombit, kishin kuptuar demagogjinë dhe djallëzinë orientale të emisarëve të kuq, që i premtonin popullit lugën e floririt dhe lirinë që do të sillte vendosja e sistemit komunist në vendin tonë. Në objektivat e Enver Hoxhës dhe të klanit të tij goditja dhe asgjësimi i Klerit Katolik ishte një prioritet kryesor.
Vetë Enver Hoxha në takimin me Stalinin ishte shprehur kështu””Deri tani kemi luftue kundër dy shtyllave kryesore të reaksionit borgjez në Shqipëri:inteligjencës borgjeze dhe klerit katolik, armiqtë më të rrezikshëm të komunizmit. Besojmë se i kemi shpartallue përfundimisht. Tani kemi fillue Luftën kundër kulakëve. Mbasi t’i kemi shpartallue dhe ata, atëherë do të fillojmë ngritjen e pronës e jetës kolektive.”
(Antologji Historike, Gjet Ndoj)