Dy tragjedi dhe një katarsis

Dy tragjedi dhe një katarsis

Ag Apolloni

Romani “Gurit të varrit ia rrëfej” i Agron Tufës është vepër që gërsheton dëshminë me trillimin, epikën me lirikën, dashurinë me urrejtjen dhe anamnezën individuale me amnezinë kolektive, për t’u artikuluar si denoncim estetik që nuk ka për qëllim të linçojë, por të shkaktojë një katarsis kombëtar

Letërsia shqipe postkomuniste shfaqet si letërsi postmoderniste, e cila, duke mos përfillur distinksionin e diskurseve metaforike dhe metonimike, thënë me fjalë të David Lodge-it, dhunon ligjin e Jakobsonit. Edhe pse termi postmodernizëm për herë të parë shfaqet në vitet ’70 të shekullit XIX, kur J. W. Chapman e përkufizoi impresionizmin si “stil postmodern të pikturës”, letërsia postmoderne lindi pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa diskursi mbi postmodernizmin kulmoi në vitet ’70 – ’80 të shekullit XX.

agron-t
Në Kosovë, kjo poetikë u aplikua që në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kurse në Shqipëri, për shkak se realizmi socialist ishte metodë zyrtare e regjimit komunist, shfaqja e postmodernizmit u bë e mundshme vetëm pas rënies së diktaturës. Një emër i dalluar i periudhës postkomuniste dhe i poetikës postmoderniste është Agron Tufa, i cili me jetën dhe veprën e tij është pozicionuar kundër komunizmit. Ai krahas “denoncimeve estetike” me vepra letrare, drejton edhe Institutin e Studimit të Krimeve të Komunizmit, nëpërmjet të cilit shpesh hap çështjen e pastrimit të ndërgjegjës kombëtare dhe sjell të dhëna të rëndësishme për rehabilitimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Duke e ditur që “postmodernizmi është mosbesim ndaj metanarrativave” (Lyotard), Agron Tufa e fshikullon ashpër metanarrativën komuniste, aq sa sot ai mund të konsiderohet, pa dyshim, autori më antikomunist shqiptar.
Autori

Agron Tufa (1967) është autor që ka ndikuar fuqishëm në jetën kulturore e letrare nga vitet ’90 e këndej. Fillimisht si njëri nga themeluesit e revistës avangarde “E për7shme”, pastaj edhe si editor i revistës “Fjala” dhe ko-editor i revistës “Alef”, me përzgjedhjet, përkthimet dhe shkrimet e tij kontribuoi në ngritjen e vetëdijes letrare te lexuesit shqiptarë. Me librat poetikë, si “Aty te portat Skee” (1996), “Rrethinat e Atlantidës” (2002), “Avangardë engjëjsh” (2005), “Fragmentet e Gjësë” (2012) dhe “Kafsha dhe fantazma” (2016), sjell një sensibilitet të ri në poezinë shqipe dhe promovon një model shkrimi krejtësisht të ndryshëm nga modelet e mëparshme të poezisë shqipe; me librat eseistikë/studimorë, si “Thembra e Akcilit” (2009), “Kuja e Mnemozinës” (2010) dhe “Nga hiri i të vdekurve” (2014), sjell një qasje që harmonizon intuitën me dijen dhe talentin me guximin; me romanet, “Dueli” (2002), “Mërkuna e Zezë” (2005), “Tenxherja” (2009) dhe “Gurit të varrit ia rrëfej” (2015), sjell një mënyrë të re reflektimi dhe strukturimi. Romani “Dueli” mund të kategorizohet si roman psikologjik, apo si aventurë e guximshme nëpër subkoshiencën e njeriut; “Mërkuna e Zezë”, pa dyshim një prej romaneve më të bukura të letërsisë shqipe, është roman që tejkalon diskursin psikologjik dhe ngrihet mbi paradigma mitike, legjendare, për t’u shndërruar në diskurs fantastik; “Tenxherja”, një histori rrëqethëse familjare dhe një vepër që rri si urë mes romanit paraprak dhe romanit pasues (bora, Firuzja e shoqëruar nga dhia, rrëfimi nga perspektiva e fëmijës etj., janë elemente që e afrojnë me “Mërkunën e Zezë”, ndërsa hipokrizia, egërsia dhe gatishmëria e komunistëve për t’i dënuar familjet jo të devotshme ndaj regjimit socialist, e afrojnë me romanin e fundit); “Gurit të varrit ia rrëfej” është roman që rrëfen nga perspektiva e femrës tmerret që kanë përjetuar femrat shqiptare në burgjet komuniste.
Si element paratekstual, emri i autorit paralajmëron autenticitet, prandaj Agron Tufa mund të shihet si një intelektual antikomunist dhe si shkrimtar me profil postmodernist, sado që në romanin “Gurit të varrit ia rrëfej” ai është vënë në kërkim të një spiritualiteti të ri që paralajmëron se po bëhet kapërcimi në modelin e ri, për emërtimin e të cilit sot konkurrojnë shumë terma: post-postmodernist, rimodernist, performatist, dixhimodernist, metamodernist etj.

Titulli

Si univers diegjetik, romani godet me një paradoks që shfaqet në titull dhe zgjat deri në fund të rrëfimit: gurit të varrit ia rrëfej. Për ta kuptuar këtë paradoks, duhet të shohim relacionin narrator (fr. narrateur) – narrater (fr. narrataire), ku narratori nënkupton destinuesin, kurse narrateri receptuesin.
Titulli sugjeron që narratori historinë ia rrëfen narraterit të pajetë. Së këndejmi, ai kthehet në titull me katër kuptime: 1. narratori (Lirika Mërtiri) i rrëfehet gurit të varrit (objektit); 2. narratori ia rrëfen të vdekurit (Arsenios) historinë për vetveten; 3. (pasi guri dhe i vdekuri s’mund të pranojnë mesazhin), narratori i rrëfehet vetvetes; 4. narratori derisa rrëfen për së gjalli, domethënë jo në varr, këtë histori nuk e ruan për gurin e varrit (objektin), por për ata që heshtin si varri përballë tragjedisë së femrave të përdhunuara, domethënë Lirika i rrëfehet shoqërisë. Paradoksalisht, rrëfimi i saj është protestë e heshtur. Kështu, narrateri katërfishohet: guri (varri), i vdekuri (Arsenio), vetvetja (Lirika) dhe shoqëria (shqiptare). Të katër rastet dëshmojnë për mungesë të komunikimit.
Sipas Genette-it, narrateri, ashtu si edhe narratori, është qenie e trilluar dhe ekziston në tri forma: narrateri intradiegjetik (me tipare të një karakteri), narrateri i invokuar (pa tipare, por i apostrofuar) dhe narrateri ekstradiegjetik (me të cilin identifikohet çdo lexues). Në romanin “Gurit të varrit ia rrëfej”, nëse pajtohemi që “storja” i tregohet Arsenios, mund të themi se kemi narraterin intradiegjetik, por meqenëse Arsenio është i vdekur, rrëfimi, në vend të komunikimit, shfaq pengun e moskomunikimit. Titulli shfaq vetëdijen e narratorit për pamundësinë e komunikimit me të vdekurin, prandaj rrëfimi i rezervohet gurit (varrit), çka e zhduk shpresën e narratorit për t’u kuptuar nga ndokush. T’i rrëfesh gurit domethënë ta mbash rrëfimin për vete. Teksti edhe pse është thurje gjuhësore, nuk paraqet komunikim, por qëndrim, pasi, sipas psikanalistit Jacques Lacan, funksioni i gjuhës nuk është të komunikojë, por ta pozicionojë subjektin folës.
Titulli, në relacion me romanin, shfaq karakterin e shumëfishtë të narraterit: guri i varrit si dëgjues i historisë, Arsenio i vdekur si narrater i dëshiruar dhe lexuesi real si qenie nga e cila ka frikë narratori. Destinimi i historisë për gurin e varrit sugjeron që historia është tepër intime dhe nuk mund të tregohet; destinimi për Arsenion (të dashurin e rrëfimtares) tregon pengun e narratorit për t’u sqaruar me narraterin, kurse destinimi për lexuesin mund të aludohet nga konteksti i dorëshkrimit. Meqenëse, guri dhe i vdekuri nuk mund ta pranojnë mesazhin e narratorit, mundësia e vetme për komunikim mbetet me lexuesin. Por edhe pse narratori ka frikë të komunikojë me lexuesin bashkëkohës, nuk e zhduk dorëshkrimin. Mbijetesa e dorëshkrimit, apo thjesht shkrimi i një teksti, sipas Eco-s, tregon që autori/narratori e fut një mesazh në shishe dhe e lë në duar të fatit.

Zhanri

Triada e arkigjinive në antikitet, sipas Platonit, njihej si triadë e mënyrave të rrëfimit: ditirambi – narrativë e pastër (shprehja e rezervuar për poetin), epopeja – narrativë e përzier (shprehja alternohej mes poetit dhe personazhit) dhe drama – mënyrë mimetike (imituese dhe paraqitëse), e cila rezervonte shprehjen ekskluzivisht për personazhet. Te mënyra e dytë (epopeja) më vonë subordinohet romani, që nënkupton zhvillim brenda epikës.
Postmodernizmi e shpall romanin formë dominante dhe përfaqësuese të letërsisë. Për shkak të poetikës së kombinimit dhe teknikave të montazhit, kolazhit dhe brikolazhit, romani postmodern thyen ligjet zhanrore dhe përfshin brenda vetes të gjitha trajtat letrare. Kështu, romani, duke u hapur ndaj të gjitha llojeve të shkrimit, përzien jo vetëm arkigjinitë e antikitetit, por edhe domenet e ndryshme.
Agron Tufa, si autor me vetëdije postmoderne, romanin që për nga natyra është epik, e shkruan si një monolog lirik, të cilin e deklaron si dialog të nënkuptuar. Pra, epika rrëfehet nga Lirika. Duke e ndërtuar epikën nëpërmjet optikës së Lirika Mërtirit, autori e bën zhanrin epik (romanin) të lexohet si zhanër lirik (elegji). Nëse mënyra është narrative e përzier, nënmënyra – homodiegjetike, gjinia – roman, kurse nëngjinia – roman psikologjik, atëherë tonaliteti dhe destinacioni (të alternuar me temën) prodhojnë diskursin elgjiak. Tmerri, tortura, poshtërimi dhe dhimbja nëpër të cilat kalon narratori homodiegjetik dhe rrëfimi drejtuar të vdekurit, i japin romanit temën dhe tonalitetin e elegjisë, për të krijuar kështu statusin paradoksal: roman lirik.

Epigrafi

Një shenjë tjetër paratekstuale është edhe epigrafi. Në këtë roman kemi dy epigrafe, njërin si besim artistik, tjetrin si justifikim juridik. Epigrafi i parë është marrë nga një intervistë e regjisorit Quentin Tarantino: “Unë nuk shkruaj dialog; unë bëj që personazhet të flasin me njëri-tjetrin.” Ky epigraf kthehet në moto të romanit dhe u referohet sa bisedave të shumta mes personazheve, aq edhe komunikimit të synuar ndërmjet Lirikës dhe Arsenios.
Ndërsa, epigrafi tjetër vendoset për t’u ironizuar: “Ngjarjet, personazhet dhe situatat e pasqyruara në këtë libër janë të trilluara. Çfarëdo ngjashmërie apo përafrimi me ngjarje reale, situata apo persona, gjallë a vdekur qofshin, është krejtësisht i rastësishëm (dhe nuk i bie ndesh së vërtetës).” Derisa ky distancim, që e ka origjinën te gjyqi që iu bë kompanisë MGM për filmin “Rasputin and the Empress”, është një tekst që shërben si mburojë nga gjyqi eventual, pjesa e vënë në kllapa, nëpërmjet ironizimit, tregon që distancimi i plotë mes artit dhe realitetit është i pamundshëm dhe i padëshirueshëm.
Për ta kuptuar talljen me epigrafin juridik, mjafton të shohim një epitekst publik.

Epiteksti publik

Sintagma “epitekst publik” nënkupton tekstet dhe deklaratat e ndryshme të autorit apo të kritikëve për veprën që kemi zgjedhur për objekt studimi. Epitekstet e autorit quhen autorefleksione, kurse epitekstet e të tjerëve i shohim si tekste kritike. Në këtë rast, për të sqaruar njërin epigraf, na nevojitet vetëm një autorefleksion, të cilin mund ta shkëpusim nga një intervistë e autorit, e botuar në gazetën “Panorama” (2 dhjetor 2015). Pyetjes së gazetares: Sa të vërteta janë dy historitë e romanit tuaj?, autori i përgjigjet: “Them se janë 100% të vërteta (as që duhet vënë në dyshim). Kuptohet, këto të vërteta, nëse flasim për faktografi të pastër, për rrëfim të drejtpërdrejtë apo për dëshmi të dokumentuar, u janë nënshtruar ligjeve të transfigurimit artistik. Por meqenëse po i referohemi “të vërtetës”, atëherë realiteti i asaj që ka ndodhur në burgjet, kampet apo dikasteret e komunizmit e tejkalon shumë herë edhe imagjinatën artistike.”
Siç mund të shihet, në këtë intervistë autori në roman ka bërë të kundërtën e asaj që ka deklaruar në epigrafin e dytë. Madje, më tutje në intervistë ai tregon se ka shfrytëzuar shumë regjistrime të rrëfimeve të femrave të përdhunuara. Si për ta përforcuar ngjashmërinë e librit me realitetin, romani u botua pikërisht në kohën kur në Tiranë po ziente debati i nxitur nga deklaratat e një këngëtareje shqiptare të përdhunuar në burgjet komuniste.
Pra, epiteksti publik zbulon dhe lidh së bashku kontekstin historik me debatin aktual për krimet e së kaluarës, për dhunën sistematike dhe përdhunimet e shumë femrave shqiptare nga “veglat” e pushtetit komunist. Në këtë mënyrë, teksti artistik tingëllon si dëshmi drithëruese: “Çdo natë nëpër qelitë e katit të parë dëgjoheshin ulërima, ankime, rënkime grash e vajzash që përdhunoheshin, derisa trokëllinin dyert e qelive dhe shuajt e rëndë të këpucëve të epsheshkrehurve largoheshin nga fundi i korridorit, drejt shkallëve, për të vazhduar ngjitjen në katet e tjera më lart”.

Dorëshkrimi

Një prej praktikave më të shpeshta të autorëve postmodernë, në letërsinë botërore dhe në atë shqiptare, është paraqitja e veprës si një dorëshkrim i gjetur. Edhe “Gurit të varrit ia rrëfej” ndjek këtë model, pasi në “Prolog” autori pasi tregon sesi rastësisht e ka gjetur dorëshkrimin tek një shitës librash në trotuar, sqaron se si e ka organizuar rrëfimin në kapituj, si e ka ndarë në dy pjesë, si dhe pse ia ka vënë titullin idiomatik dhe pse ka vendosur ta botojë librin e gjetur: “[meqë] autorja e këtyre shënimeve e ka fshehur emrin e saj të vërtetë pas një emri tjetër dhe, meqë kërkimet tona në media nuk e ndeshën asnjëherë emrin Lirika, vendosa ta botoj dorëshkrimin. Në tekstin e shënimeve të dorëshkrimit nuk kam vënë dorë, përveç një epigrafi në hyrje, që m’u duk në funksion të rrëfimit. Mandej, rrëfimin vetëm sa e organizova në kapituj, e ndava në dy pjesë (…) këto zhvendosje i bëra në të mirë të rrjedhshmërisë dhe unitetit të rrëfimit (…) E fundit ndërhyrje ka qenë titulli.”
Nëpërmjet dorëshkrimit autori ia atribuon vetes rolin e kompilatorit, ndërsa personazhit ia jep jo vetëm rolin e narratorit, por edhe të autorit. Kjo strategji e forcon besimin në temën e trajtuar dhe e arsyeton erudicionin e derdhur brenda strukturës së veprës.

Metafiksioni historiografik

Ndryshe nga romani historik që glorifikonte historinë dhe retushonte heronjtë deri në shenjtërim, metafiksioni historiografik paraqet një qëndrim kritik ndaj historisë dhe trajton jetën e personazheve të viktimizuar, të tëhuajësuar, apo edhe të kriminalizuar. Siç thotë Linda Hutcheon, metafiksionet historiografike janë më të afërta me romanet dokumentare sesa me romanet historike.
Kështu, romani “Gurit të varrit ia rrëfej” krijon iluzionin e veprës dokumentare, duke përdorur dokumente nga dosjet e femrave të përdhunuara, por, për nga funksioni (duke mos pretenduar denoncimin për t’i hapur rrugë proceseve gjyqësore, por duke imponuar thirrje për katarzë shpirtërore) artikulohet si vepër fiksionale. Ngjashmëria mes romanit dokumentar dhe metafiksionit historiografik qëndron në përdorimin e materialit të njëjtë (materialit faktografik), ndërsa dallimi mes tyre vërehet në funksionet e ndryshme që kanë: njëri ka qëllim pragmatik, tjetri qëllim estetik; njëri strukturohet si vepër letrare, por synon të pranohet si dosje dokumentare, kurse tjetri strukturohet si vepër dokumentare, por synon të lexohet si vepër letrare.

Kodimi i dyfishtë

Umberto Eco, duke e sjellë termin “double coding” nga arkitektura në letërsi, shënjoi parimin themelor të poetikës postmoderniste, e cila e ka kusht të domosdoshëm kodimin e dyfishtë, i cili lakmon përvetësimin e dy tipave të lexuesit: linja semantike tërheq lexuesin e pasherr (inoçent), kurse linja semiotike tërheq lexuesin profesional.
Sipas këtij parimi është strukturuar edhe romani “Gurit të varrit ia rrëfej”, i cili për lexuesin semantik është thjesht një vajtim femrash, një histori e parealizuar dashurie (Lirika), apo një histori e një karriere muzikore të ndërprerë dhimbshëm (Rita). Madje edhe emërtimi i personazhit Rita O. duket sikur luan me lexuesin semantik, pasi asocon me këngëtaren Rita Ora, por që ndryshe nga këngëtarja kosovare që ka realizuar ëndrrën e saj, këngëtares së mëhershme shqiptare i është thyer ëndrra në mes.
Në anën tjetër, lexuesi semiotik sheh strukturën e thellë të romanit, heton rrjetin e referencave, kupton përdorimin e pastishit si imitim të qëllimshëm të stileve të ndryshme dhe nuk çuditet me lojën autoriale të shenjëzimit. Një lexues i tillë e vëren që romani nëpërmjet Lirikës dhe diskursit elegjiak na çon deri në antikitet, kurse Arsenio na lidh me poezinë homonime të Montales. Leximi semiotik mundëson edhe identifikime të tjera të shumta: intertekstuale dhe intermediale. Në rrjetin intertekstual të këtij romani gjenden: Dante Alighieri, Robert Burns, Franz Kafka, Vladimir Nabokov, Boris Pasternak, Josif Brodskij, Eugenio Montale, Cesare Pavese, D. M. Thomas, Milan Kundera, Philip Roth etj. Ndërsa, në rrjetin intermedial (intersemiotik), veçmas në paraqitjen e seksualitetit, vërehet jehona filmike e regjisorëve Pasolini, Betolucci, Lars von Trier etj., por nuk mungojnë as referencat nga muzika, nga Vivaldi deri te Metallica, si dhe ndikimet produktive nga teatri dhe piktura.
Natyrisht, referencat e shumta të romanit nga vepra letrare, kinematografike dhe dosje të ndryshme, e thellojnë vertikalen kuptimore dhe e nxisin polivalencën e tekstit; i japin romanit karakter kaleidoskopik, apo, siç thoshte Roland Barthes, e bëjnë veprën të shkrueshme (scriptible). Kurse teknika e montazhit në këtë roman vjen herë si jehonë nga letërsia amerikane, herë si ndikim nga montazhi filmik, të cilin e ktheu në parim estetik regjisori rus Sergej Esienstein.
Po ashtu, edhe për nga funksioni romani synon një katarsis të dyfishtë, varësisht prej tipit të lexuesit: katarsisin homeopatik që lidhet me lexuesin semantik dhe katarsisn alopatik që lidhet me lexuesin semiotik.

Poezia e shtypur dhe muzika e ndalur

Romani “Gurit të varrit ia rrëfej” ndahet në dy pjesë: “Rrëfimi i Lirika Mërtirit” dhe “Rrëfimi i Rita O.” Në të dy pjesët është e pranishme Lirika, porse në pjesën e parë jepet tragjedia e saj, kurse në pjesën e dytë, ajo si gazetare, na e shpalos tragjedinë e një këngëtareje shqiptare. Historitë e të dy pjesëve flasin për femra të përdhunuara në dy kohë: në diktaturën komuniste dhe në demokracinë pluraliste. Në të dy rastet, shkrimi i tyre i hap shteg përdhunimit. Lirika, një vajzë që sapo ka hyrë në moshën e adoleshencës, shkruan lirika dhe ka nevojë për vlerësimin e tyre, kështu që poezitë e ia jep profesorit të saj, Mariglenit, i cili, duke e shfrytëzuar naivitetin e saj, e përdhunon në zyrën e tij. Pasi që vajza e bukur është nga një familje e deklasuar, ndërsa profesori një person i devotshëm i Partisë, kuptohet që ajo s’ka ku të ankohet, ndërsa ai s’ka ndërmend të ndalet. Prandaj, përdhunimi i saj bëhet sistematik. Jo rastësisht emri i profesorit është një deformim i akronimit shumë të përhapur në Shqipëri, të përbërë nga emrat e ideologëve dhe diktatorëve komunistë: Marengelen – Marksi, Engelsi dhe Lenini (madje dy shkronjat e fundit asocojnë edhe me diktatorin shqiptar). Ngjashëm ndodh edhe pas rënies së diktaturës. Lirika, tashmë studente, bie viktimë e herëpashershme e përdhunimeve në konvikte, hotele dhe anije. Lirika, siç e thotë edhe emri i saj, është njeriu fragjil që nëpërkëmbet nga mizoria e dy periudhave. Autori ka zgjedhur pikërisht një shpirt lirik për të na treguar se sa i egër ka qenë sistemi tiranik dhe sa i rrezikshëm kaosi demokratik.
Edhe historia e këngëtares Rita O. vjen si një rrëfim vajtues para një të përdhunuare. Derisa në pjesën e parë, historinë e femrës së dhunuar “e dëgjonte” një i vdekur aksidentalisht, në pjesën e dytë, historinë e këngëtares së përdhunuar e dëgjon gazetarja e përdhunuar. Prandaj, dy pjesët shkon si rrëfime të dy shpirtrave binjakë të përdhunuar. Ngjashëm me historinë e Lirikës, edhe Rita është një femër që ia sheh sherrin shkrimit. Ajo mban një ditar, si formë e shkrimit privat, ku shpalos të fshehtat e mendjes dhe zemrës së saj. Ai ditar bie në duart e një sigurimsi që ishte fiksuar ta shtinte në dorë vetë autoren e ditarit. Pra, është ditari që e çon “zogun” në kafaz dhe është skifteri ai që e përdhunon sistematikisht (“skifterë më kobure” quheshin sigurimsat, kurse “zogu” është epitet që ia vë sigurimsi Ritës).
Ashtu siç ndodh me Lirikën, edhe tragjedia e Ritës nuk merr fund me rënien e diktaturës. Ajo përdhunohet edhe në demokraci nga i njëjti person, i cili tashmë është pjesë e strukturave të reja politike. Këngëtarja Rita, e martuar më një të huaj jashtë shtetit dhe e rikthyer përkohësisht në Tiranë, duke mos e ditur që gazetarja Lirika është duke e regjistruar rrëfimin në diktafon, thotë: “rrëfimet tona, Lirika, nuk t’i zë besë kush në Europë! Na i zënë për ndikime të leximeve, si me bestsellerat horror. Kaq larg të paskemi shkuar vallë në modelimin e së keqes, sa të mos na besojë kush? E meqë kush nuk mund të na zërë besë, atëherë mbetet të bëjmë diçka vetë: t’i groposim kujtimet tona dhe ta shpërfillim faktin se ato kanë ngjarë pikërisht me ne. Dhe vërtet, iu vura me mish e me shpirt të bëja diçka, të kërkoja psikoterapetë, psikanalistë, e më në fund, kur mbeta vetëm, e pakuptuar prej askujt, e rrezikuar të më klasifikonin të sëmurë me mani persekutimi, vendosa ta mbaja për vete depozitën e këtyre kujtimeve (…) vendosa të jem vetë varri i kujtesës sime”.
Pra, Lirika dhe Rita janë dy femra që nuk kanë kujt t’i rrëfehen, pos gurit të varrit, dhe kjo është tragjedia e tyre e radhës.
Romani “Gurit të varrit ia rrëfej” jep dy linja narrative paralele që përfshijnë dy persona të përdhunuar në dy periudha. Së këndejmi, kuptohet që romani i shkruar me tone elegjiake, vjen si një homazh për femrat e përdhunuara dhe si një kritikë e rreptë për shoqërinë aktuale, që udhëhiqet nga njerëzit e ricikluar të komunizmit. Romani që vjen si anamnezë e përsonazheve, nxjerr në shesh amnezinë e shoqërisë shqiptare.
Romani “Gurit të varrit ia rrëfej” i Agron Tufës, duke qenë roman lirik mbi fate tragjike, promovon një diskurs të ri letrar dhe artikulohet si thirrje për katarsis kombëtar. Nëse pajtohemi me një mendim të njohur që populli është një individ i madh, atëherë dhunimin e një kategorie njerëzish, do të duhej ta shihnim si dhunim të një pjese të trupit tonë kombëtar. Ky identifikim do ta bëjë edhe më tronditës këtë roman dhe ndoshta kjo tronditje letrare mund të na zgjojë nga letargjia kombëtare dhe, ndoshta, nëpërmjet këtij romani do ta kuptojmë që Todorovi kishte të drejtë kur thoshte se letërsia mund ta transformojë nga brenda secilin prej nesh./KultPlus.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *