TUBIMET E SHKOLLËS SË PARË SHQIPE TË KOSOVËS

NDUE DEDAJ

Amik Kasaruho: “Shkolla e Stubllës përbën një fakt simbolik që tregon lidhjen e ngushtë mes gjuhës, fesë, kulturës dhe arsimit në Shqipëri”. 

Ka kohë që “Takimet e Dom Mikelit” në Stubëll të Epërme, komuna e Vitisë, nuk janë një ngjarje vetëm lokale. Ato lidhen me shkollën e parë shqipe të Kosovës të vitit 1584, që asokohe njihej si Kolegji i Shën Lukës (njëri nga katër ungjilltarët biblikë). Sa duket Kosova është e bekuar si asnjë vend tjetër, pasi kohët e fundit në zonën e Ulpianës arkeologët kanë zbuluar rrënojat antike të kishës së parë të botës. Dhe është e pritshme abetarja atje ku e para ishte fjala, siç ka ndodhur në Europë me krijimin prej kishës katolike të insitucioneve të para arsimore nga niveli fillestar te universitetet. Edhe ndër shqiptarë kanë qenë misionarët e fesë ata që kanë shkruar të parët shqipen dhe e kanë futur atë nëpër shkolla. Kësisoj dhe në Stubllën e Karadakut nuk mund të ndodhte ndryshe. Por ajo që ia vlen të vihet në dukje është se misionarët dhe arsimtarët e sotshëm ecin në gjurmët e traditës diturimbjellëse. Në Zym të Hasit prej dyzet vitesh zhvillollen “Takimet e Gjeçovit”, me nismën e intelektualëve vendas dhe të shoqatës kulturore “Katerina Josipi”, në Stubëll “Takimet e Dom Mikelit” organizohen prej më shumë se një çerek shekulli po prej faktorit kulturor atje. Duket se ka një ringjallje të traditës së kohëve të shkuara, ku shkolla, kërkimet shkencore, botimet fetare-kulturore ishin me parësore për emancipimin e kombit. Rasti e ka sjellë të jemi pjesëmarrës herë pas here në këto takime ku kemi parë vërtet diçka për t’u marrë shembull, pasi ku e ku përkujtimoret janë zbehur ose zhvillohen pa ndonjë risi, si një herë një tjetër. Në Stubëll veprimtaria publike e përvitshme, krahas meshës, përmban një akademi shkencore, orën letrare dhe programin artistik, ndërkohe që në ditët paraardhëse zhvillohen koncerte për fëmijët. Don Albert Jakaj dhe shoqata kulturore kanë menduar për çdo detaj, duke u kujdesur jo vetëm javën e festës. Shkolla, nxënësit, të rinjtë janë fokusi kryesor i veprimtarive me ndikim dhe në jetën social – kulturore të banorëve, duke nxitur nismat për më shumë zhvillim ekonomik dhe më pak emigrim.

Për të mësuar për Stubllën, shkollën e parë të saj, martirët e Karadakut e të tjerë nuk e ke të vështirë pasi tashmë ka muze, guida, botime nga studiuesit e shkrimtarët stubllanë: Isak Ahmeti, Dom Gjergj Gjergji, Engjëll Koliqi, Albert Ramaj, Ndue Ukaj, Sarë Gjergji, Zef Ahmeti etj. Stublla, Binça, Letnica dhe mbarë ajo zonë është e begatë për nga visari kulturologjik i së kaluarës dhe të tashmes. Ndaj nuk është e rastit që Stublla, si një lartësi historike e lakmuar, ka shkuar përtej vetes dhe të vetëve. Profesor Engjëll Sedaj duke kumtuar në “Takimet e Dom Mikelit, para dymbëdhjetë vitesh, do ta quante “një shkëndi në errësirën e thellë” shkollën e saj. Duar-duar dija rreth historisë së kësaj shkolle prijetare erdhi e kulmoi në studime të plota. Një vit më parë, studiuesi i përkushtuar Sarë Gjergji, njëherësh dhe poet i talentuar, me rastin e 430-vjetorit të Kolegjit të Shën Lukës, botoi në Prishtinë librin studimor “Stublla me shkollën e parë shqipe” që u përcoll dhe nga mediumet shkencore të Tiranës. Autori shkruan se viti 1584 shënon themelimin dhe ekzistencën e shkollës së parë në gjuhën shqipe në hapësirat mbarëshqiptare, ku me rëndësi është fakti se pavarësisht ndërprerjeve të herëpashershme, për shkak të rrethanave historike në të cilat u gjend populli shqiptar, shkolla e Stubllës mundi të mbijetojë nga viti 1584 deri më 1905.

Janë të shumtë studiuesit që janë marrë me këtë shkollë emblematike. Kështu Jashar Rexhepagiq shkruan se “sidomos Stublla afër Gjilanit, fshat që flet gjuhën shqipe, ka qenë i përshtatshëm për hapjen e një kolegji të tillë katolik”. Shefik Osmani: “Në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në Stubëll (1584), Himarë (1627), Kurbin (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Blinisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (1665)” etj. Dhimitër Shuteriqi gjykon se kolegjet si i Shën Lukës ishin shkolla të larta dhe përveç teologjisë, në to mësohej filozofia dhe studioheshin klasikët”. Kurse Amik Kasaruho praninë e të parës shkollë shqiptare në Stubëll, tridhjetë vjet mbas botimit të librit të parë shqip, e sheh si “një fakt simbolik që tregon lidhjen e ngushtë mes gjuhës, fesë, kulturës dhe shkollës në Shqipëri”. Mungesa e dokumenteve ka bërë që të mos i kemi emrat e themeluesve të kësaj shkolle nismëtare, në vargun e shkollave dioqezane shqiptare, dhe pse kërkimet vërtiten rreth emrave të prelatëve të kohës.

Ndërkohë në vitet e para të shekullit XX shkolla e rilindur ka dhe emrat e mësuesve që i dhanë jetë. Ajo në këtë periudhë ka fatin e lum të bjerë në dorën e një mësuesi të ndritshëm, Dom Mikel Taraballuzit, që në ato malësi të Karadakut gëzon një nderim të madh, gati shenjtëror, ashtu si dhe mësuesi tjetër i njohur Dom Zef Ramaj, pagëzuesi i Nënë Terezës, kur ishte famullitar i Shkupit. Përgjatë Rilindjes shkolla shqipe mori përmasë gjithëkombëtare, ku tashmë do të spikaste fort dhe roli mësimdhënës i figurave të komunitetit ortodoks: Naun Veqilharxhi, Papa Kristo Negovani, Teodor Haxhi Filipi, Petro Nini Luarasi, hoxhëve atdhetarë Hafiz Ali Ulqinaku në Shkodër e Lezhë, Hafiz Ibrahim Dalliu në shkollën shqipe të Tiranës në vitin 1901 etj. Vullâjt dhe kopshtet e para të abc-së tani po shndërroheshin në ara të dijes plot bimësi të frytshme.

Stublla e Epërme është një qytezë e vogël në një pallajë të bukur. I ruajmë ende të freskëta mbresat e para dy viteve atje, në kremtimet e Dom Mikelit, ku kishim shkuar bashkë Dom Nik Ukgjinin dhe mjedainin Mentor Quku, që nuk rron më, i cili ashtu si ne vente për herë të parë në atë zonë të Vitisë. Një tubim masiv ku mblidhen të gjithë, i madh e i vogël, me shtëpitë dhe zemrat hapur, ku nuk mungojnë dhe emigrantët që vijnë nga Zvicra e Gjermania. Parvjet Dom Lush Gjergji sapo kishte botuar librin e tij me titullin domethënës “Dashuria që nuk vdes”, kushtuar njerëzve më të shquar të shekullit XX dhe me shumë emocion ua jepte të ftuarve, mes të cilëve dhe këngëtares Hanë Nikprela që kishte ardhur nga SHBA për të përshëndetur me këngën e saj. Ndërsa kësaj here të pranishmit do të njihen, ashtu si mbarë lexuesi shqiptar, me librin më të fundit të tij, “Miqtë e mi në amshim”.

Takimet i këtij fillimtetori 2015 i kushtohen 110-vjetorit të shkollës së parë legale shqipe në Kosovë (1905), që asokohej financohej nga Vjena, si shumë shkolla shqiptare në Shkodër, Lezhë, Mirditë, Milot etj. Sarë Gjergji na njeh me një letër të Dom Mikelit, që njofton konsullatën e Austro-Hungarisë për mbarëvajtjen e shkollës së Stubllës: “Me shumë kënaqësi ju njoftoj se progresi i përditshëm i shkollës sonë në Stubëll është gjithnjë e më i dukshëm dhe nuk lë asgjë për të dëshiruar, gjithçka shkon më së miri. Frekuentimi i shkollarëve që mbërrin në numrin 42 (25 meshkuj dhe 17 femra) është i përditshëm dhe i rregullt dhe rrugëtimi i tyre për arsimim është i tillë, një mrekulli, çfarë rrallë mund të shihet gjetiu. Prandaj mund të konfirmoj se shkolla e Stubllës, e kultivuar me zell të madh, me vullnet, këmbëngulësi dhe durim në kohën e saj, do të japë fryte të mëdha, që me arsye i pret Ministria e Juaj”, shkruan ndër të tjera mësues Don Mikel Tarabulluzi, të cilin Engjël Sedaj e rreshton ndër veprimtarët e shquar të shkollës shqipe, si: Shtjefën Gjeçovi, Pandeli Sotiri, Preng Doçi, Mati Logoreci, Konstantin Kristoforidhi, Luigj Gurakuqi, Parashqevi Qiriazi etj. Akademia shkencore këtë vit në Stubëll organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike Tiranë, ku përmes kumtesave të disa studiuesve të njohur do ta ndriçojë më tej kontributin e paçmuar të misionarëve të fesë që koha i shndërroi në misionarë kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *