Ja përse gjendemi nën pushtetin e bandave

Astrit Patozi

 

Po të kishim imituar Partinë Socialiste, mënyrën se ju si bëtë opozitë në tetë vjet, në diskutimin e këtij projektligji, do të ishim tani duke akuzuar Mimi Kodhelin, për ato që kishte bërë dhe do të bënte në të ardhmen, pasi Ministria e Mbrojtjes është dikasteri që merret me tregtinë e armëve. Ne sigurisht, që nuk e kemi atë mendje.
Dhe për të qenë i drejtpërdrejtë, pavarësisht se në këtë Kuvend sinqeriteti nuk është bërë ende zakon, më duhet të theksoj që në fillim të fjalës sime, se unë, ashtu si shumë të tjerë ndoshta, kam ndërmend të dal pak nga tema. Por besoj, se ky është një gabim fare i vogël, në raport me faktin që ne kemi një qeveri të tërë, që ka dalë plotësisht nga tema.
Sepse, në kohën që rendi dhe siguria e këtij vendi janë në pikë të hallit, kryeministri Rama bën inspektime të befasishme dhe thotë se problemi kryesor, që ka Shqipëria, është estetika e doganave.
Po marr përsipër, pa asnjë arsye të qenësishme, përgjegjësinë e Ridvan Bodes, apo dikujt tjetër, për vendstrehimin jodinjitoz të doganierëve. Bëjuani të reja dhe sa më luksoze doganierëve tuaj! Por ne të gjithë e dimë se problemi kryesor i kësaj shoqërie nuk është dhoma, ku punon doganieri, por trau që ulet dhe ngrihet me urdhër politik.
Unë e kam të vështirë të besoj në lulëzimin e doganave shqiptare, vetëm për faktin se shikoj drejtoreshën e re, që edhe kur lexon një raport rutinë për hyrje-daljet e zakonshme mujore, e shoqëron atë me gjejste dhe intonacion si të ishte në mitingun përmbyllës të ndonjë fushate elektorale.
Ky është një kryeministër jashtë teme, sepse ndërsa ekonomia dhe financat e shtetit janë rrëzuar përtokë, Edi Rama është sot dollibashi i cdo seminari bosh dhe pa bukë, që organizohet në Tiranë. Unë e kam të vështirë të besoj se tatimet e vendit po rimëkëmben, kur dëgjoj fjalitë e pafajshme të drejtoreshës së re, e cila ndjehet qartë që ende nuk e ka kuptuar se përse është caktuar në atë detyrë të rëndësishme. E lë më pastaj, kur kujtoj skandalin e serverave të tatimeve, i cili mund të jetë i vetmi rast në botë, kur qeveria vjedh të dhënat e arkivave të veta.
Kjo është një qeveri tërësisht jashtë teme, sepse në kohën që kryeministri deklaron se “më e keqja na paska kaluar”, ministri i Financave i kërkon falje biznesit për paketën fiskale, ende pa u botuar në fletoren zyrtare buxheti i shtetit. Është njësoj, si t’i thuash dikujt më fal, pasi e ke vrarë. Unë nuk jam i sigurt nëse e ka bërë me leje apo pa leje Shkëlqim Cani atë deklaratë, pasi nuk ka asnjë interes publik fati i karrierës së tij politike. Por ky shërben si një shembull tipik se kjo është një qeveri jashtë teme, është një qeveri e papërgjegjshme.
Por meqë jemi tek armët dhe tek ratifikimi i këtij traktati, Shqipëria, sot e gjithë ditën, nuk e rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon edhe po të merret, ndonjëherë apo herë pas here, me tregti armësh. Por ne jemi një kërcënim shumë i madh dhe shumë serioz për sigurinë në Ballkan e më gjerë, për shkak të eskportimit të krimit të organizuar, i cili bën qejf në Shqipëri. Jo më larg se dje, u provua se banda e kapur e tritolit kryente aksione dhe merrte porosi edhe në vendet fqinje me Shqipërinë. Por mbi të gjitha, për faktin se tritoli, ky lloj armatimi, që është kthyer në sport kombëtar, prej të paktën pesë muajsh në Shqipëri po përdoret me lehtësinë dhe dendurinë e fishekzjarreve gjatë ditëve të Vitit të Ri.
Të nderuar kolegë,
Dje, për herë të parë në këto pesë muaj, Saimir Tahiri u duk se e pa një ditë të bardhë, që nga dita kur u emërua si ministër i Brendshëm. Por entusiazmi i momentit i ngeli në grykë, kur një tjetër bombë tritoli shpërtheu mu në mes të Tiranës, pikërisht në kohën e lajmit të bujshëm për arrestimin e bandës nga Vlora.
Duke inkurajuar me gjithë forcën punën e policisë në luftë me krimin e organizuar dhe duke e përgëzuar atë edhe për aksionin e djeshëm, unë e kam shumë të vështirë të besoj në suksesin e kësaj qeverie në përballjen me mafian.
Sepse unë mendoj, se megjithë efektet, që ka pasur dhe do të ketë masakra politike në radhët e policisë, që qeveria e Edi Ramës ndërmori që në ditët e para të saj, ky shfrim i krimit në cdo cep të Shqipqërisë nuk është një problem thjesht policor.
Por sepse kjo është e vetmja qeveri në botë e cila nuk ka rrezatuar asnjë grimë entusiazmi në muajt e parë të mandatit të vet, e cila reflektohet kryesisht në këtë situatë dramatike të rendit dhe të sigurisë dhe në këtë gjendje të dëshpëruar të ekonomisë së vendit.
Kam bindjen se është rast unikal për një qeveri, kur ministri i Veprimit, se e tillë është Ministria e Brendshme, llap gjithë ditën ekran më ekran, si një prezantues spektaklesh televizive, kurse ministrit të Fjalës, dhe e tillë mund të konsiderohet Ministria e Kulturës, nuk i ndihet zëri i gojës. Me këtë dua të shmang cdo keqkuptim për zonjën Kumbaro, sepse e kisha thjesht si referencë krahasuese, dhe jo se kam ndonjë rezervë për punën e saj. Personalisht, do të doja që edhe për Kulturën, më shumë të bëhej, sesa të flitej. Me këtë, që po them, jam ndoshta në rregull edhe me Aleancën e Grave Deputete.
Por që të kthehemi në temë. Pse mund të thuhet sot, me plot gojën, se Shqipëria është shndërruar në Republikën e tritolit.? Dhe pse gjendja në rrugët dhe qytetet tona është njësoj e rëndë si në vitin 1997? Të gjithë e dimë, se janë rikthyer të gjitha fenomenet e asaj kohe, që nga maskat në rrugë, e deri tek vrasjet e sofistikuara me telekomandë, që nga vjedhjet banale e deri tek grabitjet e mëdha shtetërore.
Mendoj se arsyet janë disa, por më kryesoret janë dy. Së pari, sepse malavita kudo në botë e ka shumë të fortë instiktin e miut, i cili e parashikon i pari tërmetin. Miqtë e krimit në Shqipëri nuk kanë ndjerë ende asgjë. Sepse tërmet, as ka pasur dhe as nuk do të ketë për ta. Ata e kanë kuptuar të parët se këta kanë ardhur në pushtet të bëjnë ndonjë punë për vete dhe se nuk ka asgjë misionare dhe, aq më pak kombëtare, në konceptin e Edi Ramës dhe Ilir Metës për qeverisjen. Ndaj edhe miqtë bandave ndjehen të qetë në anijen e tyre, e cila është duke lundruar qetësisht drejt brigjeve të dëshiruara për ta.
Në vitin 2005, se ajo është etapa më e përshtatshme për t’u krahasuar midis nesh, në një kohë tmerrësisht të shkurtër, bandat më të rrezikshme të vendit u fshehën vrimave. Nuk jam aq naiv dhe aq patetik sa të mendoj se për këtë e kishte meritën kryesore ministri i asaj kohe, Sokol Olldashi, i cili sot nuk jeton më. E vërteta ishte se mafia e ndjeu në palcë se kishin ardhur kohë të vështira për të, ndaj edhe nxitoi të futet skutave. Dhe, është aksiomë kjo, sa herë që krimi ul kokën dhe trembet, policia e shtetit e ka më të lehtë të triumfojë dhe të ketë sukses në misionin e saj.
Bandat e kuptuan menjeherë se qeveria e Parrtisë Demokratike e kishte seriozisht. Dhe nuk e kishin menduar gabim, ndaj edhe u shpërtalluan. Kjo nuk po ndodh sot, dhe kjo është një arsye e fortë, pse krimi, jo vetëm persiston, por është bërë edhe më i fortë.
Arsyeja e dytë, dhe po kaq e rëndësishme është fakti se kjo qeveri ka shumë fije të dukshme dhe të padukshme, që e lidhin me botën e krimit. Ka zyrtarë shumë të lartë, që drekojnë dhe darkojnë me eksponentë nga më të rrezikshmit e bandave, ndërkohë që, ka killera serialë, që ruhen gati zyrtarisht nga policia për shkak të rivalitetit me bandat e tjera. E them me dhimbje dhe me keqardhje të thellë këtë. Natyrisht, që këtë nuk e them dot për të gjithë përfaqësuesit e qeverisë dhe të kësaj mazhorance, sepse do të isha i padrejtë dhe i pandershëm.
Dhe të jeni të sigurtë, që sa herë krimi i ndjen shpatullat e ngrohta, ai bëhet përditë e më kërcënues, për ditë e më imponues, fiks sic po ndodh këto kohë në Shqipëri. Sepse, për fat të keq, janë lidhje të vjetra dhe të reja që po konsolidohen nga flirti i pushtetit me bandat në këtë vend.
Por a kemi edhe ne si opozitë ndonjë përgjegjësi për këtë atmosferë mbytëse në Shqipëri? Unë mendoj se PO. Gjatë tetë viteve të qeverisjes sonë, 2005 deri 2013, ne denoncuam shpesh lidhjes e krimit me segmente të caktuar të opozitës së asaj kohe, por detyra jonë kryesore nuk ishte kjo. Ne ishim votuar që t’i prisnim rrënjët cdo bande, ndoshta edhe pa e thënë dhe deklaruar kurrë, por duke e bërë detyrën me të njëjtin përkushtim, si në ditët e para të 2005-ës. Dhe sot, kemi mbërritur në ditën e zezë, kur krimi, dikur në opozitë, tani është ngjitur në pushtet, duke u bërë kështu shumëfish më i rrezikshëm.
Këto janë, sipas meje, arsyet kryesore se pse Shqipëria përjeton sot një situate të frikshme dhe dramatike, gati sikur të ishim në luftë.
Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, ne jemi të detyruar të shohim cdo ditë shfaqje televizive me ministrin e Brendshëm. I cili vetëm dy ditë më parë, pati guximin të drejtojë gishtin tek Shërbimi Informativ, për gjendjen alarmante dhe katastrofike të sigurisë në vend. Pak kohë më parë kishte fajësuar prokurinë, dhe nuk do t’i nxihej fare faqja, jam i sigurt, po të vijonte edhe me ILDKP-në apo me cdo institucion tjetër, që kjo qeveri e konsideron si armik.
Unë, personalisht, nuk kam asnjë vokacion për shërbimet sekrete, si me ato të diktaturës, ashtu edhe për këto të sotmet, ndonëse diferenca mes tyre është shumë e madhe. Ndaj edhe nuk gjej ndonjë motiv të fortë për t’u bërë avokati i tyre. Por është sa e trashë, aq edhe e rëndë, që përgjegjësinë tënde direkte, ta shkarkosh mbi dikë tjetër, dhe këtë ta bësh publikisht. Kjo, të nderuar kolegë, nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Për më shumë se shtatë vjet, qeveritë e Partisë Demokratike, pas 2005-ës, nuk janë justifikuar asnjëherë nga mosbashkëpunimi i SHISH, i Bari Shaqirit apo dikujt tjetër, për suksesin apo mossukesin e luftës me krimin e organizuar. Sepse do të ishte, sa e padenjë, aq edhe e pabesueshme. Por ja që kjo qeveri po e bën në mënyrën më të përsëritur.
Por meqë nuk keni ndërmend të ndaleni, po ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë. Nëse do të arrini një ditë t’i shtini në dorë të gjitha institucionet e pavarura, që i kini futur në listë për t’i pushtuar, si do të justifikoheni pastaj? Do të tregoni gishtin tek ne, do t’u thoni njerëzve që nuk po na lë opozita? Dikush prej jush e ka bërë, paturpësisht, edhe këto ditë të nxehta, por kur njëra nga bandat e tritolit u zbulua, u pa qartë se krimi kulloste, në fakt, livadheve të pushtetit. E konfirmoi këtë edhe prefekti i Vlorës, zoti Besnik Dervishi.
Por, po ua them që sot, se ju që mburreni me 1 milion shuplakat e keni të vështirë të bindni njeri, kur të vijë ajo ditë. Sepse, opozita edhe po të dojë, nuk ju pengon dot, sepse ju i keni votat për të vepruar edhe të vetëm për gjithcka. Sepse këtë opozitë, do ta keni kurdoherë në mbështetje të policisë dhe të cdo organi tjetër ligjzbatues, sa herë të bëhet fjalë për luftën ndaj krimit dhe të korrupsionit, ndryshe nga c’bëtë ju në të shkuarën.
Por ju e keni të vështirë ta zhvilloni, e jo më ta fitoni, këtë betejë. Në radhë të parë, për motivet që thashë më lart. Kjo është edhe arsyeja se pse ministri juaj i Brendshëm është i vetmi në qeveri, përvec Edi Ramës, që nuk ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit, ndryshe nga gjithë të tjerët. Sepse i duhet, gjithësesi, një strehë ku të fusë kokën, kur t’i vijë fundi i pashmagshëm i karrirës së vet politike, për shkak të pamundësisë së kësaj qeverie për të luftuar krimin.

Fjala e mbajtur në Kuvend, më 30 janar 2014


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *