Intuita atdhetare – invencion i krijuesve të Rilindjes Kombëtare

Dr. ZEJNEPE ALILI – REXHEPI

 

Invencioni krijues i shkrimtarëve shqiptarë, kaherë bart frymën e lirikës atdhetare, të ngjizur në dramën sociale, veçmas para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë (1912). Krijimtaria shqiptare e kësaj kohe, sidomos poezia shqipe, pavarësisht shtrirjeve hapësirore ku krijohet, reflekton variacione të ndjeshme atdhetare. Nëse, vëmendshëm ndalemi në botën letrare, do të ndeshim misionin më madhor të poezisë së periudhës së Rilindjes, ku qartë përvijohet ekspozeja shoqërore.

S’ka poet që të mos jetë mikluar nga ëndrrat për atdhe, s’ka poet që të mos i ketë kushtuar të paktën ca vargje atdheut, ndonëse herë me nostalgji e përgjërim, herë plot entuziazëm. Mirëpo, Rilindësit, mbi të gjithë, ngrihen në pirgun e krijimtarisë shqiptare, si për kah kohështrirja, dimensioni tematik, vizioni kombëtar, veprimi i unjësuar intelektual rreth shoqatash e revistash të shumta.

Krijuesit e kësaj periudhe, motivin atdhetar e patën ide prioritare që i përndoqi deri në Pavarësinë e Shqipërisë dhe gjatë pas saj, sepse ajo erdhi si një Parajsë e gjymtuar. Nëse Shqipëria e 1912 njëmend qe “Parajsa e poetëve”, ata nuk rreshtin së shkruari për kohën kur ajo do të duhet t’i mbledhë copat e humbura të Parajsës. Me këtë, Shqipëria do të shkëputet nga miti i Atlantidës, me vetë idenë e shkëputjes së imazhit të saj nga e pamundura, e humbura, e vetmuara, për faktin që pohon E. Koliqi: “Nji komb qi përbuzë traditat e veta vendos vetvrasjen e vet”.

Po të hedhësh një sy mbi prurjet e shumta poetike, të vendosura në një linjë të pashkëputur midis përvojës krijuese dhe lirizmit ideor, vargjet e Rilindësve vijnë me një funksion të veçantë stilistik. Këtë brumosje poetike e gjejmë në poezinë e: Pashko Vasës, Z. Serembes, De Radës, Naimit, Fishtës, Nolit, Konicës, Migjenit, Lasgushit, Asdrenit, Çajupit, Mjedës… (nuk e di nëse ky vargan poetësh ka mbarim), poezi e cila e ndikuar nga situatat shoqëroro – politike, “Atdheun” e pati metaforë të dhimbjes dhe krenarisë kombëtare.

 

Kryevargjet që hapin imazhe të fuqishme atdhetare

 

Një imazh impresiv, metaforë e bukur me fuqi shprehëse, e sajuar nga refleksione të shumta poetike, qe “Atdheu” ndër shekuj. Në të vërtetë, atdheu në tërë letërsinë e Rilindjes Kombëtare, jo vetëm poezia, shquhet për “ideologjinë homogjene…, me një program kombëtar përbashkues”.

Të mbështetur në idenë e “bashkimit kombëtar”, shumë poetë e shpalosën botën poetike, teksa përmes mallit e rebelimi intelektual, atdheut i kënduan: Pashko Vasa, Jeronim de Rada, Gjergj Fishta, Asdreni, Noli e të tjerë. Poezia me motive atdhetare qe domosdoja e kësaj plejade poetësh.

Pashko Vasa (1825 – 1892) përshkohet nga pezmi dhe malli i poetit, sa herë që i kujtohet “Shqypnija dhe shqyptarët”. Për të, Shqipëria qe tokë e shenjtë, ndonëse përplot me “Trëndafila e gjemba”. Ndjenja atdhetare e Pashko Vasës qe lartësuar mbi çdo synim tjetër, andaj “besojma”, pra credoja poetike e tij përbëhej nga slogani: “(Mos shikoni kisha e xhamia) Feja e shqiptarit është shqiptaria”, megjithëse në përgjithësi, poezia e tij mban vulën e kontrastit të thellë, por mbetet një mesazh i fuqishëm që i reziston kohës.

Letërsia e Rilindjes u ngjiz si një “koleksion i përzier” simbolesh kombëtare që dekadë pas dekade e trevë pas treve, sinkronizonin një ide, një ideal e një synim. Si një flamurtar i kësaj ideje, përmes revistës “Fjamuri i Arbërit” shquhet atdhetari i devotshëm, Jeronim De Rada (1814 – 1903), që ndër arbëreshët e Kalabrisë mban të freskët kujtimin për stërgjyshërit. Brenga e thellë e mallit për atdhe e përshkon pa rreshtur ndë jetë dhe mbase i nxitur nga kjo brengë, De Rada e koncepton Shqipërinë si “mitin e atdheut të braktisur”. Madje, nga thelbi i veprës së De Radës, të mbetet mbresa se tërë letërsia arbëreshe përmban porosinë: “Lexoje arbënishten bir. Është si të kuvendosh me Skenderbeun”. Vepra “Skenderbeu i pafan”, sikur kulmon me frymën atdhetare, ndonëse u shkrua pas veprave: “Pellazgë e shqiptarë” dhe “Konferenca mbi gjuhën shqipe”, të karakterit patriotik e shkencor.  

Ky poet arbëresh, përmes poezisë nuk sjell vetëm ndërlidhje kulturore, por edhe vlerë letrare ku feks intuitën në profilin e tokës stërgjyshore. Dashuria për atdhe nuk peshohet, ajo është si një ëndërr e pafrenuar. Se kur do të ndalet së shtegtuari kjo ëndërr, e të zërë vend në një Shqipëri me tjera përmasa gjeografike, nuk dihet, por një gjë është e sigurtë, se do të portretizonte “zemrën e botës” për të gjithë krijuesit shqiptarë.

Përmes një “Kumti” drithërues që reflekton ngjyrat reale të atdheut, me dhuntinë homerike, që në poemën “Lahuta e malsisë”e shpall Epopenë e madhe shqiptare” dallohet Gjergj Fishta (1871 – 1940), që cilësohet edhe si  Homer i kohëve moderne”.

Kreativiteti autorial i Fishtës, atdheun dhe gjuhën, që shihet edhe nga poezitë: “Hymn flamurit kombëtar” dhe “Gjuha shqipe” e ka si referencë edhe atëherë kur frymëzimi poetik plekset në një imagjinatë artistike. Shqipëria e himnit të Fishtës, fillimisht shtrihet si një Parajsë, por më pas “…Modeli i kataklizmës merr status” interteksti “kur Fishta artikulon qëndrim moral, kur artikulon mospëlqimet, dëshpërimin”.

“Lahuta e malsisë” është një poemë epiko-heroike, një vepër epope, në të cilën përshkruhet fati i atdheut, i shqiptarëve, si “një fis që ka mbetur i pacënuar prej ideologjive të Lindjes dhe të Perëndimit”. Lirika e Fishtës e ruan pushtetin e krijuesit, edhe atëherë kur ai gjakon për të dialoguar për shqetësimet e tij të mëdha. Veçmas, sintagma poetike, gjegjësisht binomi i një kodi moral “Fe e Atme” ndez pezmin e poetit me një thellësi metaforike përmasash mitike.

Poeti, i cili nuk lejon që në mendjen e tij të farfurijë ideja e zhgënjimit, është Aleksandër Stavër Drenova – Asdreni  (1872 – 1947). Tema mbi atdheun, në poezinë e tij, merrte përmasa ekzistenciale. Poezitë e para, “Ardhi dita” dhe “Palla e Skëenderbeut”, të cilat i botoi në vitin 1900, vit kur vdiq Naim Frashëri, erdhën si një kushtrim për kryengritje, ndërsa 10 vite më pas e shkruan edhe “Hymnin kombëtar”, që vjen si paralajmërim i Pavarësisë, 1912 dhe po në prag të Pavarësisë botohet me titullin: “Betimi mbi flamur”, që realisht shënon projektin e unifikimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare të shqiptarëve..

Me qëndrimin intelektual të poetit të radhës, poezia sikur fiton peshë, racionalitet. Fan Stilian Noli (1882 – 1965) profilizon ikonën e shqiptarit të painstrumentalizuar. Ai e ruan harmoninë e idesë atdhetare dhe vazhdon të veprojë me atdhetarizëm edhe pas ngjarjesh të vështira, për të dhe Shqipërinë. Poezia “Hymni i Flamurit”, i paraprinë poezisë atdhetare, si një hymn ku Noli, më fuqishëm se kushdo, e afirmon konceptin e poezisë atdhetare. Në imazhin e poetit dhe gjithësecilit, flamuri, është simbol i madhështisë, është vetë pararoja shpirtërore e vlerave kombëtare, megjithëse Noli, Konica e të tjerë i takojnë atij brezi shkrimtarësh që “mbeti pa atdhe”.

Noli u ngjit si një figurë sfiduese e kohës mbi kontradiktat shoqërore. Në vargjet e tij tejet pasionante zbulohet sensi i poetit i ngitur nga një intelekt i thellë, ndonëse herë i rrëmbyer nga breshëri kritikash për prapambeturinë shqiptare, ai digjet nga një mal dëshirash për ta parë të lirë e të përparuar atdheun e tij.

Pra, tërë brezin e poetëve të Rilindjes kombëtare e përvijon ideja e bashkimit kombëtar, pavarësisht zbërthimeve psikologjike të ngjarjeve të kohës, atdheu mbetet thesari i përbashkët i tyre. Edhe Gjuha shqipe, poashtu mbetet intuitë më e spikatur atdhetare e krijuesve të Rilindjes. Ata krijuan një model letrar që sot, natyrisht me vonesë, e ndjekin popuj të vegjël, në kërkim të identitetit kombëtar.

Rilindësit, me sukses iu shmangën iracionaliteteve dhe konfuzioneve absurde edhe kur u jepen ëndrrave si mundësi poetike në shpërfytyrimin e realitetit objektiv. Pavarësisht peripetive që përjetojnë, për ta atdhedashuria qe esenca e jetës. Pa ndjenjën e dualitetit u shprehën për atdheun. Atdheu dhe imazhi për të, në të vërtetë qe filozofia e tërë brezit të Rilindjes.

 

Dimensioni i lirisë

 

Po të bësh një shfletim mbi krijimtarinë shhqiptare, pavarësisht periudhës kohore, situatave shoqëroro – politike, trevave gjuhësore…,  kjo krijimtari ka rëndësi të veçantë, megjithëse herë vjen e begatshme, herë e ngulfatur. Kemi bindjen se “ideja e pritjes së lirisë”, qe “credoja” më e fuqishme poetike e Rilindësve.

Për të arsyetuar, në një farë mënyre, përzgjedhjen në këtë kumtesë, të vetëm disa poetëve të Rilindjes si: Pashko Vasa, Jeronim De Rada, Gjergj Fishta, Asdreni e Noli, do të doja të shërbehem me një mendim të albanologut italian, Agostino Giardano, në lidhje me gjuhën arbëreshe. Në mes tjerash ai thotë: “S’jam kollecjonist i të Folmeve Arbëreshe. Më pëlqen t’i shkruanj: se të njihen, të sdudjohen, të mirësohen, të rrojën. Janë njera ndrishe ka jetra: kjo është bëgatëria e tyre”.

Natyrisht, të gjithë poetët e Rilindjes kanë stilin e veçantë krijues, por vargjet e tyre i përshkon obsesioni i përjetshëm i lirisë. Pashko Vasa, demaskon antivlerat, tani më Shqipëria në penën e tij s’ishte vetëm një “përrallë mashtrimi i artë”, ndonëse shumica mendojnë se: “Atdheu lirik është një pikë në hartë, një botë në zemër, dielli dhe gjaku i poetit. Dhe më shumë se realitet fizik, është realitet shpirtëror i idealizuar – Lulishte e Evropës”. Po ky mall e mbështjell atdhedashurinë e De Radës, për të cilin ndër dekada, Atdheu mbetet tempulli i kujtesës historike dhe kulturore.

Poeti, që përthyerjet e goditjet e jetës i pranon, jo me nënshtrim, po me ideale fisnike që e përshkojnë credon jetësore të tij, është Asdreni. Edhe për të, si mjaft të tjerë, “atdheu i lirë është esenca e idesë së Pavarësisë”. Edhe për Nolin, liria s’është iluzore, vetëm se përjetoi një kohë, kur triumfalizmi i lirisë u kthye në një piramidë të përmbysur. Ngjarja e Revolucionit të Qershorit, qe një “përkujtim i zgjuar se në të vërtetë je në robëri”.

Po gjakimi i lirisë vazhdon, veçmas në trevën këndej, ku krijuesit ende e shohin ëndërr lirinë. Në ëndrrën e tyre, metaforike, gjithmonë s’ka kamuflim, përmbysje tezash, as koncepte të konvertuara dhe ky është model i të gjitha kohërave, pikënisje e të gjithë krijuesve, ku për atdheun përherë të shkruhet me koherencën e mendimeve të kristalizura.

Sot, e ndër mote, poetët janë Emblema e kombit…, dhe urojmë që vargu i çdonjërit prej tyre “të bëhet fanar drite mbi mugëtirën e atdheut”.

 

 

Përmbyllje

 

Poezia e Rilindjes kombëtare ngërthen një sfond të pasur lirik, ku konteksti i përgjithshëm historik, hapësira shpirtërore dhe ajo gjeografike, universi shoqëror e kombëtar, bota intime e krijuesit…, qartazi, janë universi i këtij lirizmi.

Imazhi i poetëve të Rilindjes, sidomos: Pashko Vasës, Fishtës, e De Radës, ndonëse imazh i ngritur mbi pamjet tragjike të tokës sonë, qe sajuar nga shpirti i tyre i purifikuar, me vargje të purpurta, dhe e pati të pashkëputshme lidhjen shpirtërore të poetit me atdheun.

Mgjithëse plot vibrime të jetës personale, si Asdreni e Noli, shumë herë edhe tragjizëm, e tërë kijimtaria e Rilindësve është jetëgjatë, sepse duke pasur fatin të krijohet kryesisht jashtë Shqipërisë së kohës, natyrshëm iu shmang “refuzimit estetik”, në kushte trysnie e diferencimi shtetëror.

Si një koncentrat imazhesh vjen identiteti kombëtar, i kërkuar shumë më parë, por i shpalosur thekshëm para Pavarësisë, me ç’rast uni krijues i tyre shpalos botën e tërë të ngacmimeve poetike. Në po këtë përfundim vjen edhe studiuesi i madh i letarave shqipe, E. Çabej, kur… “kishte parasysh Rilindjen, literaturën nacionale, me tema të mëdha-heroike dhe me ide të forta politike, që mbante në hije temat personale e të tjera”.

Letërsia shqipe e periudhës së Rilindjes u ngjiz si një “koleksion i përzier” simbolesh kombëtare që dekadë pas dekade sinkronizonin një ideal…, teksa  vargu poetik i tyre qe kandil që e ndriçoi udhën për në Vlorë, për tek Pavarësia e 1912-tës. Një moment i bukur ky, që gjithësecili nga ne, sot e përjeton me një emocion të veçantë, megjithëse, do të parapëlqeja që kumtesën time ta përmbyllja me një metaforë të fuqishme të Ali Podrimes, i cili i pajisur me atdhedashuri pa fund për vendin e tij – Kosovën, për tërë truallin shqiptar, këtë brengë të madhe për copëzimin e atdheut e përmbledh në titullin e vëllimit poetik “Tkurrja e atdheut”. Ai, i pajisur me dhuntinë atdhetare dhe me qëndrimin intelektual, sikur orienton në faktin se s’është atdhetarizëm “të jetosh në absurdin e komoditetit shoqëror jashtë orbitës së interesave kombëtare”. Sot, vlen të yshtet bindja se poezia atdhetare e Rilindjes kombëtare shënon kodin e mbamendjes së vlerave letrare e nacionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *