HOTI I VENDIT NË TRUALLIN ETNIK TË AUTARIATËVE

Nga: Ramiz Lushaj 

 

1.

Hoti i Vendit, djepi historik i fisit të Hotit e, tashti, fshat i vogël komunar, nja 5 km larg liqenit të Plavës, shtrihet në një nga luginat juglindore të krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë, në një sipërfaqe të mbetun së vonit vetëm në rreth 20 mijë ha toka vrrini e bjeshktare.

 

Kujtesa historike qyshse nga Mesjeta e Hershme ia njeh disa emra etno-gjeografik:[1] Hoti i Tarës e i Limit, Hoti i Stratiotëve, Hoti i Vendit, Hoti i Plavës, Hoti i Kunjit; ia njeh disa organizime etno-historike: mal, fis, bajrak; ia njeh disa (ri)organizime administrative me karakter politik-shoqëror-ushtarak-ekonomik-kulturor: Malet e Hotit (prej shek.VIII), Hoti i Stratiotëve (shek. IX-XI), Kontea e Hotit, Kapedania e Hotit, bajraku i Hotit, fshati komunar i Hotit.[2]

 

Në shekuj jete të përballjeve me vështirësi historike Hoti i Vendit u rrudh së tepërmi etnikisht derisa mbeti në një nga pesë gropat e mëdha pasakullnajore të Plavë-Gucisë, në pellgun e Jasenicës [3] me rrethina, në një nga krye/qëndrat e tij të kahershme. Në kohëra ma të afërta u përqëndrue pothuaj krejtësisht në një pjesë hapësinore të këtij pellgu, përgjatë dy faqeve të luginës të bukur lumore të Hotit, e cila niston me 1050 metra lartësi mbidetare.

 

2.

Krahina komunare e Plavë-Gucisë, njësi etno-gjeo-administrative e sotme e së cilës është edhe Hoti i Vendit, nëpër mijëvjeçarë ka pasë shtrirje territoriale etno-historike të madhësive të ndryshme. Në kohën e ilirëve Autariatë, të Perandorisë Romake, si dhe para, gjatë e pas Mesjetës, në fillimet e pushtimit otoman, shenon disa periudha përkohore që sipërfaqja i arrinte deri në tre apo katër herë ma e madhe nga ç’është në ditët e sotme (486 km).

 

Kjo krahinë etnike shqiptare herëpashere, qyshse në lashtësi, njihej me emra të ndryshëm. Në shek. XIV përmendet si “Zhupa e Plavës”, në shek. XV, në ato fillime të pushtimit otoman rregjistrohet si “Vilajeti i Plavës”,[4] në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dokumentohet si “Kazaja e Gucisë”,[5] në kohën e aneksimit zyrtar nga Mali i Zi (nëntor 1913) u quajt “Kapitenia e Plavë-Gucisë”,[6] në dekadat e fundit  vetëm “Komuna e Plavës” apo siç e fjalathemi në traditë: “Komuna e Plavë-Gucisë”.

 

Prej hejcekurit krahina e sotme e Plavë-Gucisë mbante e mbronte në identitetin e vet etno-gjeografik dhe njihej  e përcillej në traditë etno-historike, edhe si “Bjeshkët e Nemuna të Vizitorit e të Komovit”.

 

Vargmali i Komovit, pjesë e Alpeve Shqiptare dhe në hapësirën e Bjeshkëve të Bekuara (Nemuna), shtrihet në mes dy lumenjëve: kah lindja e tij në rrjedhën e epërme të Limit (komuna Plavë-Guci) kah perëndimi në rrjedhën e Tarës (komuna Andrijevica), shtrihet pothuaj në mes dy maleve: kah jugu e juglindja  deri kah mali Kollata e Keqe[7](2.534 m. ma i larti në Mal të Zi) në kufi me Shqipërinë Londineze dhe në veri deri kah mali Bjelasica (2.193 m) në kufi me komunën Beranë.

 

Në lashtësinë pellazgo-ilire, edhe në anë të vargmalit të Komovit me rrethinat lumore, banonin, jetonin e luftonin Autariatët, një nga fiset ma të fuqishme në historinë e kombit shqiptar e të kontinentit europian, paraardhësit genetik të fisit të sotëm të Hotit të Vendit.

 

3.

Pikërisht në masivin malor të Komovit nja 40 km i gjatë e 30 km i gjërë, në rreth 2.000 m. lartësi alpine, burojnë dy rrjedhat e vrullshme ujore të Opasanicës e të Verushës, të cilat bashkalidhen ndërveti e formojnë lumin e kthjelltë Tara, me histori e bukuri natyrore të rrallë.

 

Tara, pjesë e Trashëgimisë Botërore Natyrore të UNESKO-s dhe e Parkut Nacional Dutmitor (Mali i Zi), rrugëton 104 km nëpër luginë malore e kanionin e saj të madh e të gjatë, ma të madhin në Europë e të dytin në botë. Përgjatë këtij lumi alpin, në territorin gjeo-politik të Cerrnagores, shtrihen komunat e sotme: Plavë-Gucia, Andrijevica, Kolashini, Berana, Mojkovaci, Zhabljaku, Bijelo Polje, Plevla.

 

Në uljen kuotore  470 m. lartësi mbidetare, lumi Tara, bash në hymje të shtetit federal të Bosnje-Hercegovinës,  ndërmjet fshatrave  Shqepan Pole e Hum, ujëlidhet me lumin e Pivës. Aty ndryshon emrin  në “Drina” dhe ecën 40 km nëpër pjesën lindore të B-H multietnike në qytetet  Foçë (Republika Serbskja e B-H), Gorazhdë (Bosnja), etj .

 

Drina, si vazhdim i Tarës, në bashkësinë lokale  Megjegjë afër Vishegradit të Republikës Serbskja, e kryen bashkimin e tretë, në lartësi 300 m. mbi nivelin e detit. Bigohet me lumin Limi që vrellon nga Vermoshi i Kelmendit të Gurit e liqeni i Plavës, ujë-ecën nëpër tri komuna të shtetit malazez: Plavë-Guci, Berana e Bjello Pole dhe në tri komuna të Sanxhakut Shqiptar, nëpër Prijepolje, Sjenica, Nova Varosh, gjersa në Priboj kapërcen kufinin për në Vishegrad.

 

Drina, si lumë i bashkuar, prapë e ruan emrin e vet ilirian teksa shtegton, kryesisht si vijë kufitare, në mes Republikës Serbskja të B-H dhe Sanxhakut Shqiptar, Serbisë e Vojvodinës, ku – tek kjo e fundit, derdhet në lumin Sava e, prej këndejna, në Danub e në Detin e Zi aziatik.

 

Dy lumenjtë Tara (Drina) e Limi, si rrallkund në botë, burimojnë nga i njëjti vend, nga vargmale të Komovit me rrethina e, pasi nistohen në drejtime të ndryshme nëpër Mal të Zi, Sanxhak (Serbi) e Bosnjën lindore, bashkohen  prapë sëbashku në afri të Vishegradit, në  ultinën e atyshme me 300 m. lartësi mbidetare.

 

Edhe natyra i bashkon lumenjtë e lindur në tokën e vet shqiptare, po sllavët i duan shqiptarët etnik të ndarë në disa shtete në Ballkan.

Këta dy lumenj në hartë e në realitetin gjeofizik japin edhe konfiguracionin e një llampe gjigande.  Kjo do me thanë se në “gjeneratorët” e historisë etnike mijëravjeçare shqiptare duhen ndezë dritat e të vërtetave historike të fshehura, të manipuluara, të ridimensionuara që të ndriçojmë aq sa dijmë, aq sa mundemi, sa ma shumë e sa ma mirë në të gjitha kohërat e për të gjithë brezat.

 

4.

Hapësira gjeo-fizike ndërmjet  lumenjve Tara e Limi e, dekteri tek Piva në anën tjetër, ishte trevë e lashtë etno-historike e fisit ilir të Autariatëve, paraardhësve të fisit të sotëm të Hotit.

 

Tara (Drina), si të thuash, është gati në mes të Limit e Pivës.

 

Gjeografi e historiani emblematik i Antikitetit, Straboni, qyshe në shekullin e parë të mijëvjeçarit të parë të erës sonë, tek vepra e tij e shquar “Geographica”, shprehimon realitetin historik se Autariatët ishin “në një kohë njerëzit më të mëdhenj e më të fuqishëm ilirë”.

 

Akademiku austriak  Karl Ludwig Patsch  na jep dëshmi për praninë etnike të fisit ilir të Autariatëve në këtë trevë.  Ai, ndër të tjera, e lidh “qenësinë e Autariatëve” me emrin e “lumit Tara në verilindje të Malit të Zi” [8] (Au-Tara-iatët).

 

Ky autoritet i lartë shkencor, studiues edhe i historisë së Autariatëve ilirë, i ka përcaktimet e themelta pasi ishte një akademik i katërfishtë: ballkanolog, sllavolog, boshnjakolog, albanolog.  Ishte një nga studiuesit ma të mëdhenj të historisë mbi e nëntokë të B-H, themelues e drejtor për 14 vite (1904-1918) i Institutit Ballkanik për Bosnje-Hercegovinën, nga viti 1893 deri më 1918 kreu disa ekspedita arkeologjike të jehonshme në B-H (1893-1918),  etj. Në vendin e vet ishte antar i Akademisë së Shkencave të Austrisë, antar i Institutit Arkeologjik Austriak, profesor i historisë sllave e i arkeologjisë në Universitetin e Vjenës, etj., gjersa u vra në vitin 1945. Njëherash, ky akademik i njohur, ndihmoi në Muzeun Kombëtar të B-H  (1898) e në atë të Shqipërisë Londineze  (1922),  i botoi disa vepra shkencore edhe për ilirët në Ballkan, për B-H, etj.

 

Arkeologu i njohur shqiptar, prof. dr. Neritan Ceka dokumenton se “fisi i madh ilir i Autariatëve banonte në luginën e lumit Tara”.[9]

Ky fakt ka dy rrënjë shkencore: Është botuar në veprën shkencore mbarëkombëtare “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, punë dhjetëvjeçare kolegjiale redaktuese e botuese e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Tjetra: Autori është shkenctar, antar i Këshillit Shkencor në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, Institutin e Arkeologjisë në Berlin, dhe Institutin Koldeway-Gesellschaft në Gjermani, autor i disa librave shkencor për Ilirinë, etj.

 

 

5.

Vepra shkencore akademike “Historia e Popullit Shqiptar”, botimi ma i fundit i Akademisë së Shkencave të Republikës së  Shqipërisë (2002), tekst zyrtar mësimor për shkollat shqipe, dëshmon se Autariatët ilirë ndodheshin “në viset e Bosnjës së brendshme”.

 

Në ecje drejt kësaj të vërtete historike topografia e fiseve ilire jep shpjegime të qarta.

Në Bosnjën Jugore, në brigjet e lumit Neretva[10] deri në bregdet, ishte fisi i madh i Daorëve.[11]  Në Bosnjën e Epërme, përgjatë lumit Bosnja,[12] shtrihej fisi ilir i Dasaretëve,[13] ndërsa në brigjet e lumit Vërbas,[14] banonte fisi ilir i Breukëve,[15] prej të cilëve u shkëput edhe një degëzim tjetër, ai i Kolapianëve e u vendos në brigje të përtejme të lumit Sana,[16] kurse fisi ilir i Andizetëve [17] hodhi rrënjë jete në dy anët e lumit Speça.[18] Mitologjia e lashtë flet për lidhje gjaku në mes Autariatëve me Daorët e Dasaretët (e degëzime të tyre), të cilët ishin dajë e nipa ndërveti. Në verilindje të Bosnjës, në Mitrovicën e Sremit të provincës së Vojvodinës, përtej bashkimit të lumenjve Drina e Sava, ishte fisi ilir luftarak i Amantëve. [19]

 

Në kryerrjedhë fillestare të Limit, prej nga Vermoshi alpin e në anë të lumit Piva, jetonin Ardianët. Në afri të Limit, nga liqeni i Plavës deri në Vishegrad, ishin fiset dardane: Dardanët Alpinë ( Malësi e Gjakovës, Junik, Deçan, Peja, Rrozhaja, etj.); Skirtonët – përgjatë rrjedhës së lumit Valbona (degëzim i Dasaretëve, paraardhësit e fisit të Ponarëve), pirustët, etj.

 

Pra, në mes shtrirjes etnike gjeo-fizike të këtyre fiseve ilire, pikërisht në viset e brendshme të Bosnjës, krahashtrirë në dy anët e Limit e të Tarës (Drina) e Piva dhe deri në thellësi kah Sarajeva, drejt brigjeve të lumit Bosnja, ishte fisi i madh ilir i Autariatëve,[20] paraardhësit e fisit të Hotit të Vendit.

 

Autariatët, të cilët i përkasin kulturës kombëtare iliro-shqiptare të Glasanac-Matit, arritën të formonin një mbretëri gati perandorake, të ngrinin një qytetërim të madh si Piramidat në Visoko, të ndërtonin 100 kështjella e mijëra tumule, të ishin ndër tregtarët ma të fuqishëm në brigjet e Adriatikut e të Jonit, të luftonin deri në rrjedhën e fundit të Vardarit, në ishujt e Greqisë, në Itali, në Bullgarinë e sotme, në Dalmaci.

 

 


[1] Ramiz Lushaj. Hoti i Vendit në Plavë-Guci. Dosje vetiake me dokumenta arkivore, shënime, foto, intervista, kujtime, anketime, etj.

[2] Ma plotërisht për këto organizime etno-historike, politiko-shoqërore, etj. të Hotit të Vendit do t’i gjeni në një kapitull të veçantë në faqe të kësaj monografie.

[3] P. Gjuroviq, O. Gërgureviq, M. Gjuroviq, A. Petroviq. Gjeografia. ETMM. Podgoricë, 2008.

[4] Defteri I Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485. Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Përgatiti: Prof. Selami Pulaha. Tiranë, 1974.

[5] Sami Bej Frashëri. Enciklopedia e parë osmane e gjeografisë dhe e historisë…

[6] Zekeria Cana. Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin Shqiptar (Dokumente) Botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Prishtinë. 1997.

[7] Në kufirin etno-historik shqiptaro-shqiptar dhe në atë politiko-shtetëror Shqipëri-Mali I Zi lartngrihen dy Kollata: njana Kollata e Mirë 2.524 m. dhe Kollata e Keqe (2.534 m.)

[8] Hofrat Dr. Karl Patsch. Ilirët. Studim historik. Biblioteka Albanologjike. Përktheu: Karl Gurakuqi. Tiranë, 1923.

[9] Neritan Hasan Ceka. FESH. Tiranë, 2008, fq. 143. Ky autor ka botue disa vepra: Arkeologjia: Greqia, Roma, Iliria (1994), Ilirët (2001), Apollonia e Ilirisë (1982), Qyteti ilir pranë Selcës së Poshtme (1985), Udhëtim në kështjellat ilire (2006), etj.

[10] Lumi Neretva 224 km, buron në Jabuka (B-H), kalon nëpër qytetet Konjiç, Jablanica, Mostar, Çaplin, Pocitel në Republikën e sotme Serbskja, ecën 22 km nëpër Kroaci derisa në qytetin Plloçe derdhet në Detin Adriatik, ku, deltina e tij, është një nga ma pjelloret në Dalmaci.

[11] J. J. Wilkes, The Illyrians, 1992, p. 216

[12] Lumi Bosnja me 174 km gjatësi, buron në afërsi të Sarajevës e derdhet në Drina, përtej Odzakut. Kryeqytet i tyre ishte Breza  në kantonin e sotëm Zenica-Doboj, ku përfshihet edhe Visoko “Qyteti i Piramidave Ilire”. Ky fis luftarak i prirë nga Bato u hodh në kryengritje kundër romakëve në vitet 6-9 të erës sonë.

[13]  J. J. Ëilkes. Po aty, p. 80 / The Cambridge Ancient History, Volume 6: The Fourth Century BC. Editor: D. M. Lewis , John Boardman, Simon Hornblower, M. Ostwald , 1994, p. 423,

[14] Lumi Vërbas buron në afri të Gorni Vakëf e derdhet përtej qytetit Previç në lumin Sava.

[15] J. J. Wilkes. Po aty. P. 203,

[16] Lumi Sana është 140 km i gjatë.

[17] J. J. Wilkes, Po aty.  P. 256,

[18] Lumi Speça vijaecën në 112 km, buron në Kamenica-Zvornik dhe pasi iu kalon përskej Graçanicës etj., derdhet në lumin Bosnja në Doboj.

[19] Dalmatia Tome 2 of History of the provinces of the Roman Empire by J. J. Wilkes, 1969, p. 534

[20] The central Balkan tribes in pre-Roman times: Triballi, Autariatae… by Fanula Papazoglu, 1978, p. 217

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *