Publikohet vëllimi i dytë i fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Sistemit Komunist (D-G), të shkruar nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, me mbështetjen financiare të Fondacionit politik gjerman Konrad Adenauer.
Gjatë aktivitetit për prezantimin e këtij vëllimi, i cili u zhvillua në repartin e genocidit të sistemit komunist, pranë Muzeut Kombëtar Historik, morën pjesë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Thomas Schrapel, Kreu i Fondacionit Konrad Adenauer, Kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, si dhe intelektualë, ish-të përndjekur, diplomatë, etj
Ministrja e Kulturës, MIrela Kumbaro, tha se krijimi i një literature të tillë është i rëndësishëm për historinë e vndit tonë. “Unë jam e emocionuar që e mbaj në dorë këtë libër, jo vetëm për vlerat e tij historike, por edhe për vlerën e tij shkencore. Ky libër i ndërtuar me parametra shkencore dhe sipas të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me një kërkim shkencor, përmban një informacion mjaft të vlefshëm që i thotë jo harresës”, tha Kumbaro.
Sipas saj, kjo vepër është e rëndësishme jo vetëm për ne që e kemi përjetuar atë periudhë, por edhe për ata që nuk e njohin errësirën e diktaturës komuniste.
“Ne nuk duhet të lejojmë që të harrohet kjo histori. Jeta e të gjithë shqiptarëve dhe vuajtjet e tyre nuk kanë shanse të harrohen. Unë do mbështes me të gjithë instrumentat në dispozicion promovimin e kësaj vepre dhe vëllimeve të tjera pas kësaj”, vijoi Ministrja Kumbaro.
E emocionuar me libër në dorë, ajo kujtoi se i përkiste një familje ku prangat e terrorit komunist i ka ndjerë në duart e gjyshit të saj.
“Unë jam pjesë e një familje që ka vuajtur nën terrorin e prangave të sistemit komunist. Gjyshi im u dënua si tradhtar dhe familja ime vuajti pasojat, prandaj emocionohem kur kam një vepër të tillë në dorë. Shpreh mirënjohjen time karshi z. Tufa dhe institutit gjerman Konrad Adenauer, të cilat mundësuan realizmin e kësaj enciklopedie”, tha Kumbaro.
Agron Tufa, Kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, tha se ky vëllim vjen 6-muaj pas publikimit të vëllimit të parë.
“Në faqet e këtij Fjalori, të nisur 6-të muaj më parë, i bëhet me dije gjithkujt që interesohet për përmasat e krimit, dhunës, terrorit, shtypjes, sikundër dhe formave të përndjekjes që shteti komunist njëpartiak ka ushtruar mbi qytetarët shqiptarë gjatë gjithë ekzistencës së tij, para dhe gjatë ushtrimit të pushtetit”, tha Tufa
Sipas tij, përveç përmbushjes së kësaj detyre të dëshmisë dhe kujtesës, si detyrim moral ndaj të vdekurve, sidomos kur ata janë viktima të pafajshme e të pambrojtura, ISKK synon, njëkohësisht, krijimin e një bazë të dhënash kombëtare me të dhënat më të plota për numrin e përgjithshëm të qytetarëve shqiptarë të persekutuar politikisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Hartimi i këtij Fjalori Enciklopedik niset nga një ide e thjeshtë, në mbarim të çdo lufte, veprimi i parë që kryhet, është numërimi i viktimave, hartimi i një liste zyrtare të viktimave.
Nën një regjim terrori, i cili zgjati për afër 50 vjet, përmasat e plojës tejkalojnë çdo betejë të thjeshtë. Prandaj, duke patur parasysh se nuk ekziston një bazë të dhënash të plotë të viktimave që shkaktoi persekutimi komunist ISKK vendosi të fillojë projektin e këtij Fjalori në shtatë vëllime plus një vëllim me shtojca e plotësime.