Fishta dhe Shteti

AGRON GJEKMARKAJ

Dje, më 23 tetor, Gjergj Fishta kishte ditëlindjen. Një grup dashamirësish nga Zadrima dhe zonat atypari u mblodhën dhe e përkujtuan së paku me dashuri, si ditën, me çka mundën. 
Ideologët e komunizmit dhe artilierët e realizmit socialist në Shqipëri, ndër të tjera, gjithmonë  janë munduar ta zhveshin Fishtën nga përmasa kombëtare e ndërkombetare drejt asaj lokale, për ta asgjësuar më lehtë e shtyrë drejt honeve të harresës.
Dështuan, kuptohet, me turp, pa turp, kjo është çështje etike dhe për etiken këtu pakkush e çan kryet. Por dështimi la pas një mentalitet i cili menaxhimin e kulturës e ka çuar drejt gjërave rastësore, sipërfaqësore e koniunkturale, duke lënë në hije jo pa dashje atë që është klasike e themelore, kjo si përligjje e heshtur e së shkuarës.
Çdokush është i denjë për historinë që kanë edhe armiqtë e Fishtës, edhe miqtë, edhe vetë Fishta, madje edhe shteti.
Historia e Fishtës mund të përkufizohet me atë thënien e akademikëve francezë për Molierin: “Lavdia e tij s’ka nevojë për asgjë, e jona ka nevojë për të”.
Por një paradoks shënon marrëdhënien e tij me shtetin shqiptar, i cili është themeluar e shpallur i pavarur falë edhe kontributit parësor të tij. Nëse pesëdhjetë ishin shqiptarët që e dinin se ç’është liria dhe kombi sipas Konicës, pa dyshim Fishta qe përtej saj.
Me veprën e tij së bashku me Naim Frashërin krijuan  Shqipërinë poetike, Shqipërinë ide, kohezionin kombëtar, dhe kështu përgatitën, natyrisht, terrenin e Shqipërisë politike. Naimi vdiq herët e “qe me fat”, ndërsa Fishta jetoi më gjatë dhe krijesa iu kthye kundër.
Një gjë të cilën ai e kishte parashikuar në prozën e tij publicistike, e cila e rilexuar sot pa ndoshta e pa sikur, është një betejë e vazhdueshme qytetrimore, kulturore, demokratike dhe europiane e nevojshme sepse m.q.s. u “ba Shqipnia, duheshin ba shqiptarët”.
Ahmet Zogu e detyroi të emigronte një herë haptas e një herë në mënyrë të padeklaruar. Shteti i Hoxhës dhe strukturat e tij kulturore e shpallën armikun e madh në ideologji dhe kulturë, ndërsa shteti demokratik filloi fabrikimin e miteve të rreme sipas nevojave politike të qeverive të ndryshme, duke iu qasur Fishtës gjithë dyfytyrësi dhe mediokritet.
Jemi dëshmitarë se në dy dekadat e fundit herë sajoheshin shkrimtarë disidentë e fap një dekoratë, e herë korifenj të realizmit socialist që qajnë ditëlindjeve e fap një tjetër dekoratë, një tjetër fjalim ministror plot patetikë e ndezulli, një tjetër vezullim i rremë dhe letërsia shqipe fluturon me presh…!
Fatmirësisht liria ka një përparësi, ajo e tejkalon shtetin dhe zyrtarët në raport me vlerat, dhe në këtë kontekst studiuesit më të mirë shqiptarë, po ashtu edhe lexuesit, kanë qasje të tjera.
Buxheti i Ministrisë së Kulturës, duke ndërhyrë në mënyrë të pakuptimtë në tregun shqiptar të librit, ka financuar në dekada lloj-lloj autorësh preferencialë, shtëpi botuese gjithashtu, librat e të cilave janë bërë “firar”.
Asnjëherë nuk pati lekë ky shtet demokratik ta nderonte Fishtën siç duhej. Është folur pa fund për shtëpinë e tij, e cila do të bëhej muze. Premtohet në çdo fushatë elektorale nga shumë parti, kurrë nuk bëhet. Për një moment njeriu beson në kulturimin e politikës, po kur fushatat bdaren, gjindja shkel mbi iluzionin e rradhës.
Kujtesa kulturore dhe historike e shtetit shqiptar duket se mbingarkohet, rëndohet nga shkrimtarët e saj të mëdhenj. Duket sikur ata e bezdisin atë.
Përvjetori i ditëlindjes së Fishtës, i festuar vetëm nga “bashkëfshatarët” e tij në Fishtë, sigurisht u bën nder atyre, por e çnderon shtetin, i cili nuk u kujtua të shprehë një fjalë kujtimi për atë që si pakkush kontribuoi që të bëhet Shqipëria dhe shqiptarët.
E kam dëgjuar ministren e Kulturës të flasë për “shtëpinë e përkthimit”, një shtëpi virtuale si “strehë” për përkthyesit, e nuk mund ta paragjykojmë në do jetë një gjë efikase apo jo, por  do të ishte më e besueshme nëse e nis punën e saj nga diçka konkrete, nga një shtëpi e vërtetë, e cila do të ishte shtëpia muze e poetit kombëtar Gjergj Fishta, i cili edhe përkthyes ka qenë, e kështu mund të kthehej në “shtëpinë e vet”.
E kështu më rradhë. Buxheti nuk është më një justifikim ose është vetëm një justifikim. Fishta nuk turpërohet se ai ka jetën dhe veprën si peng sigurie, ndërsa shteti po, sepse edhe ai ka jetën dhe veprën si peng sigurie. Fishta i ka dhënë shtetit të vet gjithçka, ndërsa ai atij pakogjë, siç thuhet në dialektin toskë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *