Ndahet nga jeta poeti elbasanas, Milianov Kallupi

Eshtë ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare shkrimtari i njohur elbasanas, Milianov Kallupi. Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”, Milianov Kallupi, u nda nga jeta mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa miq e shokë, shkrimtarë të ndryshëm kanë shkuar në banesën e tij për t’i dhënë lamtumirën e fundit, si edhe për të ngushëlluar familjen e shkrimtarit elbasanas. Milianov Kallupi, poet, shkrimtar, njihet si gazetar në vitet 1983-1995, në gazetat “Luftëtari” dhe “Fjala e Mirë”. Është autori i disa përmbledhjeve poetike. Kallupi lëvroi hajkun, ku edhe u shqua më së tepërti. Ai themeloi shtëpinë botuese “Egnatia”, ndërsa renditet në enciklopedi dhe antologji të ndryshme të botuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kroaci dhe Greqi dhe së fundmi në antologjinë “Letrat moderne shqipe”, në gjuhën italiane. Profili poetik i Kallupit është ai i një krijuesi me një ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales, modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik. Si poet dhe njeri i letrave, Milianov Kallupi u dallua si një lirik sa i ngrohtë dhe i shtruar, aq i thellë dhe i rrëmbyer, me një diapazon të gjerë figurash, impresionesh, gjendjesh dhe mesazhesh, me teknika bashkëkohore vjershërimi, sidomos të hajkut, të cilit i ka dhënë një fytyrë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *