Tani që sipari i zgjedhjeve ka rënë, është shpallur fituesi, koalicioni i majtë dhe është pranuar humbja nga pala tjetër, nuk mund të mos shohësh në sfondin e fushatës elektorale, çfarë ishte moderne dhe çfarë ishte “popullore” në tridhjetë ditët e saj intensive. Padyshim që mbizotëroi qytetaria, komunikimi mbi bazë programesh dhe alternativash, por pa i shpëtuar dhe njëfarë fryme rapsodike. Liderët politikë nuk synonin si më parë t’i çonin peshë sallat e sheshet nga brohoritjet, me fjalime panegjerike e pamje shpëtimtarësh, pasi e kishin kuptuar se mitingjet përrallore nuk ishin më leximi i një fitoreje plebishitare. Prandaj udhëheqësit e dy koalicioneve kuvenduan “gju më gju” me njerëzit, duke dëgjuar dhe vërejtjet e propozimet e atyre që nuk ia kishin fort ngenë facebookut e twiterit, çka mund të quhet si risia e fushatës. Por, pavarësisht këtij shpalimi elektoral, prapë se prapë shumëkund, jo vetëm në komuna të thella, njerëzit visheshin si për festë, me kostume tradicionale, këndonin e kërcenin, pak a shumë si në monizëm kur mes popullit vente “arkitekti i Shqipërisë së re”. Në një komunë të largët, kryetari i saj dhe të tjerët që e pasuan me fjalime të nxehta, vajtjen atje për herë të parë të Kryeministrit Berisha e quajtën ngjarje historike, edhe pse kreu i qeverisë kudo në republikën e tij është në “shtëpinë” e vet. Ndryshe do të ishte nëse atje do të kishte vajtur Barak Obama. Por ngjyra partiake të ndryshme, zakone të njëjta. Edhe fushata elektorale e të majtës në kryeqytet u hap nën ritmet e dajres dhe lodrës, me njerëz të veshur me kostume të larmishme, gjë që ndodhi dhe në qytete të tjera, ku artistët popullorë pozonin hareshëm me zotin Rama, paçka sa ai mund ta kishte përzemër diçka të tillë si jashtë natyrës së tij.
Nga ana tjetër, gjithë ato ditë kemi dëgjuar për tradhti e tradhtar etj. Lideri socialist fshikullonte nga qyteti i lindjes një ish-deputet që kishte kaluar djathtas me nofkën tradhtar. Kryetari i një partie të qendrës së djathtë ankohej se Berisha e kishte prerë në besë. Një tjetër kryetar partie deklaronte se nuk e shkriva partinë për të mos prerë në besë elektoratin. Kohë e mbushur me besëprerës dhe besëmbajtës, si motive të folklorit politik bashkëkohor. Një tjetër dukuri folklorike përgjatë fushatës ishte prania e aq shumë “deputetëve” nëpër rrugët e qyteteve, në shoqërinë e mbështetësve të paktë, njerëz që besonin se do të mund ta shtynin derën e Parlamentit për të hyrë brenda. Sigurisht, një ëndërr mashtruese, një delir, një aventurë pa të keq, por e dështuar. Anonimë që nuk e kishin për gjë të zinin me portretet e tyre faqen e një pallati pesëkatësh në qendër të qytetit! Nuk kanë dalë më kot batuta të kripura me deputetë të tillë që kurrë nuk iu buzëqeshi fati. Një zot e di se kur do të shpëtohet nga deputetomania. Apo kur Shqipëria të “shpëtojë” nga mizeria e partive kotsëkoti, me vetëm kryetarin e siglën, që kërkojnë njerëz-numra për t’u përfaqësuar, çka do t’i zhbinte një sistem tjetër zgjedhor shumë më efikas që nuk nxit megallomaninë.
Po pse ndryshimi nuk ndodh natyrshëm pa “qeleshen” e gjyshit, dyzenin, dajren? Pse duhet të jemi “popullorë” si dikur, kur këtë nuk e kemi me gjithë mend. Si mund të jetë i tillë një ministër që ka tetë vjet në atë post (ka patur disa të tillë!) dhe nuk ka shkuar mes sazeve e fyejve më parë, por vetëm për fushatë. Pra, vallja në fushatë dorëpërdorë me mbështetësit i bie të ishte thjesht hipokrizi. Kësaj i thonë të fusësh në punë për qëllime elektorale ndjenjat dhe emocionet e njerëzve të thjeshtë, që ende nuk janë çliruar nga sindroma e udhëheqësve, e shtrëngimit të duarve me ta, por dhe nga njohja e drejtpërdrejtë për interesa të ngushta. Atëherë çfarë ka ndryshuar nga gjysmëshekulli i kaluar? Thjesht nuk ka rapsodë klasikë dhe tash në stilin e tyre ligjërojnë politikanët, duke lartësuar veten e nxirë kundërshtarin? Në njërën nga poemat e viteve ’60 Ismail Kadare e sheh republikën e tij në një zhvillim të dyzuar. “E shoh Republikën/ në mengjese industriale/ me kombinezonin proletar veshur./ Republikën time/ q’akoma mban qeleshe.” Do të ishte në stilin e kohës nëse ai do ta shihte republikën e tij ta flakte “qeleshën” nga furrënaltat e uzinave, por jo. Qeleshja është aty, mbi ballin e Republikës Popullore Demokratike të Shqipërisë, që prej Kushtetutës së 1976-s do të bëhej dhe Socialiste, por pa qenë as demokratike, as socialiste. Qeleshja e bardhë mbart një simbolikë të veten, si një shenjë e identifikimit të shqiptarëve që nga koha e Ilirëve. Pirro e Epirit mbante kësulë të bardhë. Por dhe Platoni. E mban sot e kësaj dite Papa i Romës. Ndaj çdo malësor shqiptar i Veriut apo Jugut është dhe ngapak Platon e Papë. Kësulën e bardhë e kanë vënë mbi krye sa për t’u fotografuar dhe Bajroni, Edit Durhami, Franz Nopça e deri ambasadori i BE-së në Tiranë. Veçse të gjitha këto nuk do të thonë që “qeleshja” të përdoret në elektorat, që njerëzit me apo pa qeleshe të vihen në be për vota, që votat të blihen me parà në fukarenj etj. Kjo nuk është kaq e lehtë, pasi sjell deformim, të madh apo të vogël, të procesit zgjedhor, rrjedhimisht dhe të posedimit të pushtetit nga partenerët e koalicionit.
Qeleshja është një shenjë e festivaleve të folkut, por neve na kujtohet se si udhëheqësit e djeshëm preferonin të hynin mes artistëve dhe të kërcenin valle popullore me qeleshën mbi krye, ku udhëheqësi komunist e pati bërë këtë dhe me fëmijët e vegjël të Dropullit. Por kjo ka ndodhur dhe më vonë, në përiudhën e demokracisë, në forma të ndryshme, çka jo rastësisht e shohim dhe në programet e humorit, ku imitohet politika me “qeleshe”. Ka pak rëndësi nëse politikanët e lartë mbajnë apo jo vërtet qeleshe kur venë në inaugurime, mitingje pupuliste, puna është të mos shtiren se janë sa më pranë popullit, të popullit, për popullin. Të ishte kështu, në ditët e fushatës, nuk do të shihnim maratonën e ngritjes së tribunave elektorale digjitale njëpërdorimshe, duke na kujtuar tribunat prej dërrase që qepnin me gozhdë dhjetëshe e beze të kuqe marangozët e komunales në çdo festë lokale apo 1 Maj.
Na duhet të dalim nga fushatat elektorale me përmbajtje folklorike e luk modern, ku politika shtiret si amerikane nga forma, por duke qenë arrogante nga përmbajtja. Kemi kaluar njëzet vjet me politikën non stop kundër kampit tjetër, pa harruar dhe letërsinë politike groteske, me “Natë të Krokodilave”, “Darkë të Ngjalave”, “Ditë e Tërheqjes së Veshit” e komedi të tjera politike. Ndaj Republika jonë ende është me qeleshe mbi krye, dhe pse duke lëruar në hullinë e integrimit.