Në gazetën më të madhe të shqiptarëve të Amerikës “ Illyria” të datës 21-23 Maj 2013, për shkrimin me titull “ Ekrem Bardha: Si organizova viziten e parë të Berishës në SHBA, 1991?”, pati disa reagime. Reagimet vijnë nga interesi i madh që ka pasë për të vërtetën e kësaj vizite, që përbënte kthesen historike të Shqipërisë për daljen nga dara komuniste e stalinizmit shembullor të regjimit diktatoril hoxhian. Disa shqiptarë të New Yorkut me rrethina thanë se Zoti Bardha nuk ka thënë të vërtetën?
Cila është e vërteta e kësaj vizite?
Unë, Kujtim Qafa jam një ndër protagonistët kryesor të kësaj ngjarje, që Zoti Bardha e vë në dukje në prononcimin e tij, bash ashtu siç ndodhi. Në fillim të muajt shkurt 1991, z. Bardha thirri një grup shqiptarësh nga Detroiti për të biseduar rreth sjelljes së një delegacioni ( delegacionit të parë ) demokratik nga Shqipëria. Pas disa takimeve, u vendos që në SHBA të ftohen dy figurat eminente të Partisë Demokratike ( sapokrijuar) Dr. Sali Berishen dhe ekonomistin e njohur, Gramoz Pashko. Shpenzimet e tyre do t’i mbulonte z. Bardha e, ne, më vonë, do t’i kthenim në njëfarë përpjestimi këto shpenzime, gjë që sot e kësaj dite nuk ka ndodhur. Shpenzimet prej 12 mijë dollarësh, Ekremit nuk iu kthyen asnjëherë.
Vetiu lind pyetja: Kush tjetër ka paguar, qoftë edhe një dollar për këtë vizitë? Është absurde të mendosh e, për më keq, të shprehesh e dyshosh për një gjë që mbahet mend, nga përjetimet që pati ajo vizitë. Kush nga New Yorku e solli këtë delegacion e kush u kujtua t’a sillte? Kush pagoi për këtë vizitë, veç Ekrem Bardhës?
Në mbarim të muajt shkurt, z. Bardha, dhe unë u nisëm për në aeroportin J.F.K, ku do të bashkoheshim me vëllezrit Bytyçi, Skender Perollin e disa shqiptarë të tjerë, për të pritur delegacionin nga Shqipëria, tanimë e liruar nga vargonjët Stalinist që Ameriken e quanin armikun me të madh, ose xhandarin ndërkombëtar të botës. Takimi i vetëm i bërë në New York me disa nga shqiptarët e atjeshëm është mbajtur në Resorantin e vëllezërve Bytyçi në Manhatan. Të nesërmen u nisën për Washington, z. Bardha së bashkut me delegacionin dhe z. Perolli, kurse unë jam kthyer në Detroit për të organizuar pritjen e këtij delegacioni disa ditë më vonë.
Nuk është puna se z. Bardha pagoi shpenzimet e këtij delegacioni, por edhe koha e angazhimi i tij për takimet në Washington kanë qënë në rend të parë, të cilat i mundësonte njohja e tij me kongresmenë e senatorë të këtij vendi, ku demokracinë e ka gjënë më të shejtë!
Ekremi, jo vetëm ka sjell këtë delegacion, por edhe disa delegacione të tjera, jo vetëm që ka ndihmuar për demokratizimin e Shqipërisë, por ka ndihmuar dhe për Pavarësinë e Kosovës.
Kujtim Qafa duke intervistuar Kryetarin e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi per ACTV, Prill 2013
Shenim i redaksisw: Kujtim Qafa, pas krijimit të Partisë Demokratike, në Dhjetor të vitit 1990 dhe, pas daljes së numrit të parë të Gazetës “ Rilindja Demokratike” u njoh së pari me Frrok Qupin, kryeredaktorin e kësaj gazete, të cilit i kërkoi të bashkëpunonte me Radion që e drejtonte ai, “ Zëri i Komunitetit Shqiptar në Detroit”. Kjo mundësoi që Kujtim Qafa të bënte intervisten e parë me Dr. Berishen dhe Gramoz Pashkun, para se të udhëtonin për SHBA. Më vonë, Kujtimi me Ekrem Bardhen dhe Gjeto Ivezaj do të ndihmonin zgjedhjet e njohura të 22 Marsit 1992, ku u mundësua fitorja plebishitare e Partisë Demokratike.