Në vargun e gjatë të ngjarjeve historike që kanë ndodhur, një ngjarje e rëndësishme që ka lidhje me procesin historik të pavarësimit të shqiptarëve ka mbetur në hije. Bëhet fjalë për Kuvendin Ndërkrahinor të Fanit, të datës 26 prill të vitit 1911, ku u bë ngritja e flamurit kombëtar dhe pas pesëqind vjet robërie u deklarua vullneti i shqiptarëve për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Rezultat i atij Kuvendi është krijimi i Qeverisë së Përteshme (Përkohëshme) në Kimëz, ditën tjetër, me 27 prill të vitit 1911.
Kuvendi i Fanit ishte një akt historik në vazhdën e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare, që u zhvillua me devizën: “Shqipëria e shqiptarëve”, në bazë të cilit ishte thirrja për vëllazërim të shqiptarëve pa dallim feje dhe krahine. Edhe pse nuk mundi të mbijetojë si fakt madhor historik, ai i parapriu Kuvendit Kombëtar të Vlorës të datës 28 nëntor 1912. Nuk njihet në historinë e shqiptarëve para atij Kuvendi, për pesëqind vjet rrjesht, që të jetë bërë një mbledhje, madje as edhe një mbledhje e thjeshtë, ku të jetë artikuluar ideja e pavarësisë kombëtare. Nuk ka një datë tjetër para 26 prillit të vitit 1911, që flamuri të jetë ngritur solemnisht, në një kuvend krerësh, pas një betimi për luftë deri në vdekje, për të realizuar “Shqypninë e shqyptarëve”, siç ndodhi në Fanë të Mirditës, prandaj krejt natyrshëm Kuvendi i Fanit mund të konsiderohet si një ngjarje e rëndësishme historike, që shënoi një etapë të re në vetëdijësimin kombëtar të shqiptarëve dhe në procesin e çlirimit të tyre nga zgjedha osmane.
Ky Kuvend nuk është një ngjarje rastësore e krijuar nga njerëz rastësorë. Ai u mbajt në një krahinë që kishte luftuar edhe dyqind vjet pas pushtimit të Shqipërisë nga osmanët, madje edhe pas pesëqind vjetësh nuk ishte shkelur kurrë nga pushtuesit.
Pjesëmarrësit në Kuvendin Ndërkrahinor të 26 prillit ishin krerët dhe bajraktarët e Mirditës, Shalës, Shoshit, Berishës, Thaçit, Thethit, Mërturit, Nikajve, Toplanës, intelektualë shkodranë dhe disa arbëreshë me në krye Terenc Toçin. Në mbështetje të tyre ishin atdhetarët e shquar si: Isa Boletini i Mitrovicës, Sulejman Agë Batusha i Malësisë së Gjakovës, Osman Agë Berisha i Berishës, Beqir Halili i Krasniqes, Halit Brahimi i Gashit, Dedë Gjo Luli i Hotit, Zenel Shabani i Kastratit, Isuf Doda i Lurës, e të tjerë.
Ishte llogaritur se po të vinin ndihmat garibaldine në armë, fishekë dhe të holla, ushtria e Qeverisë së Përkohshme në fazat fillestare të veprimeve luftarake do të arrinte në 60 mijë vetë, ndërkohë që drejtuesit e Qeverisë së Përkohshme kishin hyrë në lidhje me krerë të Shqipërisë së Jugut, duke marrë premtimin që kryengritja të shpërthente edhe atje. Pra vendi ndodhej në prag të kryengritjes së përgjithshme.
Dështimi i kësaj sipërmarrje kurajoze shqiptare ka lidhje me përplasjen e interesave midis dy fuqive të mëdha: Austro-Hungarisë dhe Italisë. Ndërkohë që këto dy shtete kishin nënshkruar një marrëveshje sipas të cilës asnjëra prej tyre nuk do të ndërhynte në çështjen shqiptare, në të vërtetë secila punonte për interesin e vet. Austro-Hungaria përmes protektoratit të kultit bënte presion për ruajtjen e gjendjes ekzistuese, Italia shfrytëzonte ndjenjat atdhetare të arbëreshëve për të nxitur shqiptarët të ngriheshin dhe të kërkonin ndihmën e Italisë.
Ndër intelektualët shkodranë ishte pjekur mendimi se mund të ndiqej shembulli italian për një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri. Ata e kishin evidentuar Mirditën si një lloj “Piemonti” shqiptar, që duke qenë vetë e lirë prej osmanëve do të mund ta fillonte luftën kundër tyre dhe pastaj kryengritja shqiptare do të zgjerohej në formën e rrathëve koncentrikë, duke përfshirë krahina të tjera. Pavarësisht se kryengritja e Mirditës ishte projektuar dhe organizuar dy herë nga intelektualët shkodranë në bashkëpunim me arbëreshët dhe kishte dështuar të dy herët, ata e kishin pjekur mendimin se një sipërmarrje e tillë do të mund të ishte e suksesshme në kushtet e reja kur Perandoria Osmane në Ballkan po shkonte drejt fundit të saj, veçse kërkohej bashkim i shqiptarëve nën një udhëheqje politike të vetme, organizim i mirë i forcave dhe ndihmë e mjaftueshme nga jashtë. Afrimi i Ricciotti Garibaldi-t me arbëreshët e krijoi momentin e duhur për ta projektuar kryengritjen shqiptare që duhet të fillonte në Mirditë. Për kryengritjen e re ishte punuar prej një kohe të gjatë. Ishin grumbulluar fonde në mes të arbëreshëve në Itali dhe në emigracion; ishin krijuar qendra rekrutimi të vullnetarëve dhe duket se faktori arbëresh ishte i gatshëm të vinte dhe të luftonte. Radhën e kishte faktori shqiptar, që vazhdonte të ishte i përçarë; luftohej në krahina të veçanta, pa program të qartë kombëtar dhe pa udhëheqje të përgjithshme kombëtare. Arbëreshët do të sillnin në Shqipëri përvojën e organizimit të garibaldinëve, mbi njëmijë forca të stërvitura mirë, por që mund të arrinin deri në disa mijëra, me përvojë luftarake,që do të përbënin bërthamën e forcave kryengritëse, armë, veshje dhe ushqime. Dhe në kohën kur Consiglio Albanese që udhëhiqej nga Garibaldi po mendonte për zbarkimin në Shqipëri, Terenc Toçi, një arbëresh që kishte vite në shërbim të çështjes shqiptare, pa qenë pjestarë i këtij Këshilli dhe pa u takuar me Garibaldin, por me informacione të qarta për misionin e tij, i drejtohet Gjeneralit dhe e njofton se do të shkonte në Shqipëri për të mundësuar zbarkimin e garibaldinëve dhe organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Dhe pasi mori udhëzime nga Garibaldi, duke mos qenë formalisht i varur prej tij, Toçi erdhi në Shqipëri dhe iu vu punës për organizimin e kryengritjes.
Bashkimi i Italisë përmes luftës së garibaldinëve ishte parë me simpati nga qarqet intelektuale shqiptare, që kërkonin të veprohej në të njejtën mënyrë për çlirimin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, si pjesë e politikës lindore të tij, Kryeministri i Italisë arbëreshi Françesko Krispi e pati orientuar politikën italiane jo drejt pushtimit të Shqipërisë prej Italisë, por në pengimin e ndonjë fuqie tjetër të madhe që të vendosej në trojet shqiptare, çka do të thoshte se Italia kishte hyrë në rivalitet me Austrinë dhe synonte në të njejtën mënyrë si ajo të kishte ndikim mbi shtetin shqiptar që do të krijohej.
Lidhjet e shqiptarëve katolikë me Italinë nuk ishin ndërprerë asnjëherë dhe Shkodra si qendra e katolicizmit shqiptar kishte mbetur porta e lidhjes së shqiptarëve me këtë vend dhe me Europën në tërësi. Shumë intelektualë katolikë ishin formuar në Itali dhe ndikoheshin nga zhvillimet atje. Ata e shihnin këtë vend si model dhe si mbështetës për realizimin e aspiratave kombëtare të shqiptarëve, pasi vlerësonin rolin e madh të arbëreshëve në krijimin e shtetit të njësuar italian dhe mundësitë e tyre për të ndikuar mbi politikën italiane.
Misioni i Terenc Toçit pati ndikim në ngjarjet e mëvonshme, pasi i tregoi klasës së atëhershme politike se kishte ardhur koha e një strategjie të përgjithshme kombëtare. Pavarësisht nga pengesat e shumta, duhet thënë se ai ia arriti synimit të tij:institucionalizimit të lëvizjes kombëtare shqiptare me një programin politik të qartë. I ndërgjegjshëm për vështirësitë, vetë Toçi nuk u zhgënjye nga situata në terren dhe ishte i vendosur për të ecur përpara. Ai, vite më vonë, e përmend me nostalgji dhe respekt atë periudhë, por si njeri realist nuk i mbivlerëson ngjarjet ku vetë ishte protagonist. Por as modestia normale prej atdhetari të formuar e treguar nga Terenc Toçi dhe as modestia që iu imponua pjesëmarrësve shqiptarë të atyre ngjarjeve, nuk duhen parë si dobësi dhe të shërbejnë si argument se me 26 dhe 27 prill të vitit 1911 në Shqipëri nuk kishte ndodhur asgjë. Pavarësimi i kombeve, kushdo qofshin ata, nuk mund të jetë thjeshtë një akt që lind nga hiçi. Njëzet e tetë nëntori i vitit 1912 vjen pas një procesi të gjatë historik dhe ishte kurorëzimi përfundimtar i të gjitha përpjekjeve të shqiptarëve, të cilat duhet të vlerësohen. Futja e flamujve shqiptarë në vend, mbajtja e tyre nga atdhetarë dhe ngritja solemne e tyre në Deçiç të Malësisë së Madhe me 6 prill 1911 dhe në Bisakë të Mirditës me 26 prill të po atij viti; shpallja e Pavarësisë në një kuvend ndërkrahinor krerësh dhe krijimi i një Qeverie të Përkohshme tregojnë se lëvizja kombëtare shqiptare kishte hyrë në fazën e vetëdijësimit të plotë për pavarësimin e vendit. Ajo vetëdije e natyrshme e krerëve të malësive të vetëqeverisura shqiptare, në kushtet e reja historike, u përvetësua edhe nga krerë të tjerë, që e panë Pavarësinë si mjetin e vetëm të shpëtimit të kombit prej lakmive shoviniste fqinje.
Deklarata e Pavarësisë hapet me slloganin “Liri-Pavarësi-Barazi-Vëllazëri”. Në të jepen arësyet pse Shqipëria duhet të bëhet shtet i pavarur dhe theksohet domosdoshmëria e organizimit të luftës çlirimtare si mjeti i vetëm për arritjen e këtij qëllimi. Rëndësi aty i kushtohet vëllazërimit të popullit pa dallim feje, pasi kërkohet që shqiptarët të ndërgjegjësohen për domosdoshmërinë e bashkimit në mes vetes. Me rëndësi është betimi për luftë deri sa ushtari i fundit osman të largohet nga Shqipëria.
Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë u formua në shtëpinë e Zef Ndojës në Kimëz.
Terenc Toçi e mori detyrën e Kryetarit të Qeverisë me propozimin e Prengë Marka Prengës, ndërsa Zef Shantoja u ngarkua me detyrën e sekretarit. Ishte vendosur që Qeveria e Përkohshme të përbëhej nga 21 vetë, ku përveç Kryetarit të kishte edhe dy Zevendëskryetarë, ndërsa personat e tjerë do të quheshin antarë të Qeverisë së Përkohshme dhe do të kishin për detyrë ndjekjen e zbatimit të vendimeve të Qeverisë dhe organizimin e shtetit shqiptar.
Kimza do të ishte një vend, ku Qeveria do të qëndronte deri sa të çlirohej Shkodra, pasi atëherë shteti i pavarur shqiptar do të merrte pamjen e duhur dhe i duhej si kryeqytet një qytet i madh dhe Shkodra ishte në atë kohë qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë.
Historiografia zyrtare e nuk është ndalur ende në analizën e ngjarjeve që ndodhën në Mirditë në periudhën prill-qershor 1911, pavarësisht se në periudhën kur u bë pati jehonë të gjërë. Për ngjarjet historike të 26 dhe 27 prillit 1911, patën shkruar gazetat kryesore të Europës dhe Amerikës, falë edhe bashkëpunimit të vetë Terenc Toçit me shtypin dhe njohjes personale që kishte me disa drejtues gazetash të rëndësishme në Europë e Amerikë.
Jehonë pati edhe brenda trojeve shqiptare. Gazeta “Liri e Shqipërisë”, në një kryeartikull, të titulluar “Liri a vdekje” shkruante: “…Vetëm habitem kur shoh që Toskët edhe s`kanë marrë armët t`u venë në ndihmë vëllezërve të tyre, Gegëve, edhe s`e kanë kuptuar gjendjen e rëndë të kombit tendë, edhe s`e peshojnë rendësin e punës që lypset për t`u dalë ballë, që të mos humbasin për jetë nga faqja e dheut”. Në një numër tjetër, po kjo gazetë shkruan:“Mirditorët u mblodhëm dhe u betuan e deklaruan Veturdhnimin e Shqipërisë. U zgjodh një Qeveri e përkohshme nën kryesinë e gjeneralit Torenc Toçi dhe u shpërnda një qarkore nëpër konsullata kudo nga Qeveria e Përkohshme. …Trumpeta po na thërret, flamuri i veturdhnimit të Shqipnisë u ngrit e po valon në ato male të Gegërisë si në kohë të Skenderbeut”
Vite më vonë, Eqerem Bej Vlora, një personalitet i shquar dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare shkruan: “Në kohën e kryengritjes së malësorëve katolikë, në vitin 1911, në Cetinj mbërritën vullnetarë arbëreshë për t’u bashkuar me kryengritësit, e që për herë të parë mbanin një flamur kombëtar. Njëri nga krerët e këtyre vullnetarëve quhej Terenc Toçi. Në krye të një grupi vullnetarësh e malësorësh, ai çau deri në Mirditë, ku edhe shpalli një republikë shqiptare, doemos jetëshkurtër, që me ngritjen e flamurit shqiptar për disa ditë rresht ngriti fuqishëm moralin e popullit. Madhështore në këtë aksion, të thuash operetë, ishte besnikëria ndaj etnitetit shqiptar që arbëreshët dëshmuan me qëndrimin e tyre: “Ata luftuan me trimëri të rrallë e pa asnjë mëdyshje, thuajse me gëzim, rrezikuan jetën e tyre, duke u dhënë kështu zemër edhe vëllezërve në atdheun e lashtë e të braktisur para aq kohësh”
Po kështu për këtë ngjarje, Donat Kurti pati shkruar, një artikull me titull: “Flamuri që u ngrit në Kimëz në vitin 1911”, që u botua në revistën “Hylli i Dritës” Nr.11, viti 1937. E përmend gjithashtu Justin Rrota në artikullin “Si e bombarduen malazezët Shkodrën”.
U desh një artikull i Prof.Dr.Aurel Plasarit me titullin bombastik “Si (nuk) u shpall Pavarësia më 1911”, që opinioni publik të mësonte një të vërtetë të lënë disi në heshtje, se në prill të vitit 1911 kishte patur përpjekje serioze për të organizuar luftën e përgjithëshme antiosmane, duke deklaruar fillimisht vullnetin për shtet të pavarur dhe duke krijuar insitucione legjitime udhëheqëse për kryengritjen e përgjithshme antiosmane.
Pavarësisht nga këto përpjekje, historiografia zyrtare vazhdon ta trajtojë Kuvendin e Fanit dhe Qeverinë e Kimzës si “ngjarje lokale, që i bëjnë nder trevës dhe që ndihmuan në gjallërimin e veprimtarisë atdhetare në ato zona”, duke u kujdesur për të mos u dhënë atyre ngjarjeve asnjë dimension kombëtar.
Në errësimin e ngritjes së flamurit në Fanë të Mirditës ka ndikuar edhe pozicioni politik i pjesëmarrësve të Kuvendit të Fanit. Dihet se vetë Terenc Toçi u bë zyrtar i lartë i regjimit të Zogut dhe më vonë i fashizmit.
Studimet serioze që kanë dalë në dritë kohët e fundit edhe për këtë periudhë të historisë së Shqipërisë, por edhe shqyrtimi i materialeve të shumta që ndodhen në Arkivin e Shtetit na krijojnë një kuadër më të plotë rreth synimeve të arbëreshëve, marrëdhënieve të tyre me garibaldinët dhe misionit të Terenc Toçit. Prof. Dr. Ramiz Abdyli në librin “Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, Libri II, i kushton një hapësirë të gjërë dhe shfrytëzon raportet e Legatës Bullgare në Cetinë, të Ambasadës Austro-Hungareze në Stamboll, gazetat malazeze të kohës, si dhe hsitorianë si Gazmend Shpuza dhe Shukri Rahimi. Edhje historiani tjetër, Prof. As. Dr. Romeo Gurakuqi jep të dhëna nga Arkivi i Shtetit në Bari, Arkivi i Foreign Office në Londër, librin e Nikollë Ivanajt, Historia e Shqipërisë së re, librin e Rahim Shukriut “Lufta e shqiptarëve për autonomi”, si dhe një artikull me karakter historik të studiuesit Mehmet Drita, botuar në revistën “Studime Historike”, Nr.2, viti 1990. Edhe studiues të tjerë, vitet e fundit i kanë vlerësuar këto ngjarje në studimet e tyre.
Studimi dhe publikimi i ngjarjeve të Mirditës në vitin 1911, sidomos Kuvendit të Fanit dhe Mbledhjes së Kimzës ka rëndësi për t’u dhënë vlerë atyre ngjarjeve që përgatitën opinionin shqiptar dhe ndërkombëtar për nevojën e shpalljes së Pavarësisë. Vendimi historik i Kuvendit të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë nuk ishte një kat i shkëputur, por kurorëzimi i një procesi të gjatë historik, ku Kuvendi i Fanit dhe Qeveria e Përkohëshme e Kimzës, që ukrijuan 102 vjet më parë kanë vendin e tyre.
Disa dokumente: