Etruskët, një prej popujve më enigmatikë të historisë

Janë një prej popujve më enigmatikë të historisë sonë. Gjuha e tyre dhe origjina e tyre mbeten edhe sot, një rebus i padeshifrueshëm. U shfaqën në brigjet tokësore pothuajse 3 mijë vite më parë. Po nga vinin? Dhe, mbi të gjitha, si u zhdukën etruskët, qytetërimi më i lashtë i Italisë? Ndërkohë dokumentar italian i grupit “ECLISSIA”, il viaggio nel mistero” hedh hipotezën se ndoshta gjuha shqipe mund të deshifrojë gjuhën etruske.

Një hipotezë e re mund të hapë sot një të çarë në misterin e tyre të lashtë dhe të padepërtueshëm. Një e çarë e thellë tridhjetë metra, në thellësi të asaj toke që etruskët e konsideronin të shenjtë. Bëhet fjalë për të famshmet “rrugë minerare” ciklopike të tyre, gërmime shumë të thellë të fshehur në vegjetim dhe të gërmuar vetëm me ndihmën e daltave dhe çekiçëve të vegjël. Studimi i rrugëve minerare nxjerr megjithatë në pah pikëpyetje trazuese: Për çfarë mund të shërbenin këto vepra kolosale? Përse çdo rrugë minerare kalon për një nekropol? Përse nga muret e lartë dalin në mënyrë të vazhdueshme hapje të varreve të lashtë? Përse kisha templare dhe ndërtesa të tjera si këto janë ngritur në afërsi? Dhe si është e mundur që disa besojnë se, edhe sot, këto vende kanë një fuqi të veçantë, aq sa të celebrojnë në brendësi të tyre me rite spirituale? Shpjegimi i misterit duhet të kërkohet në ritet dhe në mitet etruskë. Perëndesha e Krijimit për etruskët ishte Uni, toka Mëmë. Fuqia e saj e shenjtë frymëzon në mënyrë të thellë të gjithë artin etrusk, tokësor dhe përtej tokësor. Sipas legjendës, ishte mbreti i parë, Tarkun, që mori udhëzimet e shenjtë drejtpërdrejtë nga një qenie mbinjerëzore, Tages, një djalosh me zë plaku, i cili doli që nga dheu. Tages, përpara se të rikthehej sërish në nëntokë u dha Tarkunit dhe dymbëdhjetë priftërinjve etruskë (Lukumonët) Librat Akerontikë: tekste të shenjtë që flisnin për udhëtimin e shpirtërave përtej lumit të Adilës, drejt mbretërisë së nëndheshme të Hadit dhe Persefonit. Është libri etrusk i të vdekurve, rruga drejt fundit. Pra, për etruskët ekzistonte në nëntokë një hyjni shpërndarëse e forcës dhe dijes. Gjithë kulti i tyre i Tokës është penetrimi fizik dhe ritual i botës së nëndheshme, në kërkim të dijes dhe të fuqisë së shenjtë. Por është edhe një tjetër qytetërim arkaik që nderon të njëjtin kult: janë inkasit e Perusë së lashtë. Mbretëria e nëndheshme e Ukupaçës është analoge me etruskët dhe zoti i tyre, Uasharinka, kur evokohet nga priftërinjtë inkas shfaqet ashtu si Tages, si një perëndi që shpërndan fuqi dhe dije. Por nuk është kjo e vetmja analogji mes dy qytetërimeve…
Rrugët minerare duhet të jenë në këtë mënyrë shtigje të shenjtë, pasazhe ritualë që lidhnin qytetet e të gjallëve me ata të të vdekurve. Thellësia e tyre duhet të ketë shërbyer për t’i bërë më të afërt me nëntokën, në kontakt me atë që etruskët e konsideronin burimi i drejtpërdrejtë i fuqisë së shenjtë. E në çfarë mënyre kjo hipotezë duhet të jetë ende e lidhur me zhdukjen e etruskëve? Harta e rrugëve të shenjta të zbuluara deri sot tregon se si shpërndarja e tyre dukej se i bindej një projekti të madh gjeometrik. Duket se të gjithë këto rrugë të nëndheshme shkonin drejt një qendre precize gjeografike: liqeni i Bolsenës. Velzna ishte emri i lashtë i Bolsenës, liqeni më i madh vullkanik i Evropës. Përreth liqenit ngrihej Fanum Voltumnae, pylli i shenjtë më i rëndësishëm i Etrurias, që i kushtohej perëndeshës së ujit. Liqeni u zgjodh nga priftërinjtë si omfalos, domethënë kërthizë e shenjtë e të gjithë qytetërimit etrusk. Këtu, një herë në vit, dymbëdhjetë Lukumonët mblidheshin për të festuar bashkimin shpirtëror të popullit etrusk. Në qendër të liqenit dalin dy ishuj: Martana dhe Bizentina. Ky i fundit konsiderohej nga etruskët si një ishull i shenjtë, zemra e vërtetë gjeografike dhe shpirtërore e të gjithë “kombit” etrusk. Tempulli i madh e i shenjtë nuk është gjendur asnjëherë dhe tekstet e lashtë të bëjnë të mendosh se ndoshta u fsheh nga vetë priftërinjtë bashkë me kullat e tij, si dhe me thesaret e tyre të fshehtë. Bolsena ka megjithatë një ngjashmëri mbresëlënëse me Titikakën e Andeve, që ishte liqen i shenjtë dhe qendër spirituale e qytetërimit inkas. Edhe në Titikaka dalin dy ishuj dhe edhe atje, inkasit zgjodhën njërin si kërthizën e tyre të shenjtë. Priftërinjtë thoshin se poshtë këtyre ujërave banonte shpirti i Uasharinkës. Pra për të dy qytetërimet, ishulli në liqen përfaqësonte portën e komunikimit me botën e shenjtë dhe të fshehtë të nëntokës. Tamam ashtu si për inkasit, disa mendojnë se një pjesë e popullit etrusk mund të ketë vendosur të zhduket duke shkuar drejt nëntokës. Në këtë hipotezë, që më shumë ka elementë të fantazisë, ishulli i shenjtë bizentin përfaqëson një prej hyrjeve në mitiken dhe të mrekullueshmen Agartë. Agarta është bota imagjinare nëntokësore ku, sipas besimeve ezoterikë, jetojnë zotat e mëdhenj antikë, njerëz që mbajnë sekrete arkaikë dhe që në fshehtësinë e saj mund të mbajë edhe priftërinjtë e zhdukur etruskë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *