TIRANE- Një hartë e detajuar nga një grup ekspertësh dhe analistësh të dalë nga CIA, GRU dhe burime të tjera gjeostrategjike bashkon tokat shqiptare në vitin 2035, shkruan sot gazeta Koha Ditore.
Në shkrim thuhet se, harta e proklamuar në disa media amerikane dhe ruse nxjerr në sipërfaqe bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, pjesët të Maqedonisë, si dhe trevat shqiptare të Serbisë, Malit të Zi, etj. Harta e përgatitur parashikon edhe ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.
Analiza dhe studimet për përgatitjen e hartës janë bazuar në analiza dhe studime speciale të shërbimeve prestigjioze amerikane dhe ruse si CIA dhe GRU, por edhe nga burimet e rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare që merren me studime gjeostrategjike, punimet e Zbigneë Brzezinskit, Samuel Huntingtonit, etj.
Në artikull theksohet më tej se, “ndarjet e reja do trondisin edhe Evropën. Ndryshimet territoriale do të fillojnë në Ishullin britanikë, ku Skocia do të deklarojë pavarësinë pas referendumit në vitin 2013. Kjo do t’i japë shtysë për bashkimin e Irlandës. Baskia dhe Katalonia, si shtete të reja, do të deklarojnë pavarësinë nga Spanja, duke marrë edhe një pjesë të territorit francez”
Kolapsi i multikulturalizmit do të fillojë në Francë, sic thekson Koha Ditore. “Në pamundësi për të asimiluar etnicitetet e ndryshme ish-koloniale, ajo do të duhet të përdorë masa për deportimin e tyre. Përqendrimi i lartë i grupeve islamike do të hapë një rrugë për një rritje të shtetit islam arab në jug të Francës. Lorraine, mbi baza federale do të bashkohet me Gjermaninë, transmeton gazeta Shekulli.Nga Belgjika më në fund do të ndahet Flamania, e cila do të bashkohet me Holandën.
Fat të keq, thuhet më tej, do pësojë Polonia, e cila do të heqë dorë nga Silesia, Pomerania dhe Prusia, të cilat do të jenë synime të marrëveshjeve midis Berlinit dhe Moskës. Nga ana tjetër, Moska gjithashtu nuk do të mund të mbajë rajonin Kaliningrad dhe do të transferojë atë në Gjermani.
Bjellorusia do të zhduket si një shtet dhe do të bëhet provincë e Rusisë. Rusia gjithashtu do të rrëmbejë pjesët lindore të Letonisë, Estonisë dhe Ukrainës (duke përfshirë edhe jugun e Ukraines dhe Krimenë). Ndryshimeve të mëdha do t’i nënshtrohet edhe Kaukazi, sepse Rusia nuk ka gjasa të jetë në gjendje për të mbajtur Ceçeninë dhe Dagestanin. Kufijtë e rinj do të nxirren me metoda staliniste ndoshta përgjatë lumit Terek, me prerjet e rajoneve të populluara malore larg nga Rusia.
(ma.ar/BalkanWeb)