Projekti më 1800, shtet i pavarur shqiptar me katër pashallëqe

Fatmira Nikolli

Ali Pashë Tepelena ka pasur korrespondencë me mbretin dhe kryeministrin anglez të kohës së tij dhe iu ka rrëfyer atyre projektin për një Shqipëri të madhe e të pavarur, rreth 200 vite më parë. Ky është rezultati i studimit të prof. Irakli Koçollarit, që këto ditë boton librin “Burimet informative britanike për Ali Pashën dhe Shqipërinë”. Mbasi ka hulumtuar në arkivat londineze, ai ka mundur të sigurojë raportet që agjenti sekret britanik William Martin Leake iu ka dërguar eprorëve pas bisedave me Ali Pashën. Dokumentet që botohen për herë të parë, hedhin dritë mbi projektin e pashait për një Shqipëri të madhe, ku përfshiheshin tri pashallëqe. Shtet-kombi i Ali Pashës duket se do të kishte edhe mbështetjen britanike. Dokumentet që botohen për herë të parë, tregojnë bisedën mes Leake dhe Ali Pashës, përmes së cilës zbardhet edhe projekti që ka ky i fundit me pashain e Shkodrës, atë të Beratit dhe të Seresit (qytet i vogël në Greqinë e sotme) për një shtet të përbashkët shqiptar. DR. Irakli Koçollari flet për librin e tij të fundit…
Botohet dhe del në qarkullim këto ditë libri “Arkivat sekrete britanike për Ali Pashën dhe Shqipërinë”. Çfarë sjell të re për pashain e Tepelenës studimi juaj?
Ali Pasha vazhdon të mbetet edhe sot një pasuri e madhe historike dhe nacionale. Për të ka ende ç’të kërkosh, ç’të mbledhësh e të trajtosh. Tema e këtij libri ka një natyrë të veçantë për disa arsye. Është fakt se Ali Pasha e bëri Europën të kthejë sytë nga Shqipëria, për herë të parë pas shumë shekujsh heshtjeje dhe harrese. Pasi mori pushtetin rreth vitit 1782, shumë shpejt u kthye në një hegjemon të fuqishëm, aq sa pas dy dekadash u bë njeriu më i pushtetshëm në Ballkan. Ai bëhet faktor, jo vetëm për zonat përreth, Ballkanin, por edhe për Europën, e cila në këtë kohë përjetonte ndëshkimet e përgjakshme nga fushatat e Bonapartit. Trupat e këtij të fundit, pas pushtimit të Italisë mbërritën në Prevezë, Pargë, Butrint, morën Shtatë ishujt e Jonit, Korfuzin etj., që i takonin Venedikut. Në këto kushte dhe me synime ekspansioni, Napoloni çoi njerëz për të mësuar se si do të pritej një pushtim i mundshëm i territoreve të Pashallëkut të Janinës nga shqiptarët. Pas këtyre ndërmarrjeve franceze reaguan edhe anglezët, të cilët dërguan agjentët e tyre ushtarakë për të mësuar se cilat do të qenë hapat e mëtejshëm që do të ndërmerrnin armiqtë e tyre francezë. Anglezët mbërritën në këto anë si vëzhgues të kujdesshëm, si këqyrës dhe informatorë militarë, për të njohur terrenet, për të mësuar zakonet, traditat dhe bindjet e shqiptarëve, etj. Ndërsa francezët përgatiteshin për të zbarkuar si agresorë.
Një nga njerëzit e përzgjedhur që u dërgua personalisht nga mbreti dhe kryeministri anglez me këtë mision, pra për të vëzhguar situatën, ishte kapiteni i njohur William Martin Leake. Ai mbërriti në këto anë si një agjent ushtarak bashkë me një eprorin e tij, ushtarak dhe profesionist i talentuar, John Morier, një agjent vërtet i sprovuar.
Deri tani historiografia jonë, por edhe më gjerë ajo europiane, e cila është marrë me Ali Pashën dhe historinë e këtij gjysmë shekulli, ka njohur ato që janë thënë nga botimet legale, publike, që do të thotë se Leake është njohur më së shumti si udhëtar romantik, autor i kujtimeve të tij dhe jo si agjent sekret britanik, si një njeri i cili ishte dërguar me misione të caktuara ushtarake dhe politike.
Në librin e tij të kujtimeve të veta ai ka folur për Shqipërinë e shqiptarët, traditat, historinë, ilirët, trashëgiminë, zakonet, veshjet, etnografinë, gjuhën e tyre, etj., por në asnjë rast ai nuk na flet se kush qenë arsyet e vërteta të vizitës së tij në Pashallëkun e Janinës dhe çfarë çështjeje konkretisht bisedonte ai në mënyrë sekrete me Ali Pashën.
Përderisa Leake kishte mision dhe qëllime sekrete, si agjent sekret i Britanisë së Madhe, çfarë ka raportuar dhe nisur drejt Londrës?
Ka një numër të madh dhe periodik raportesh dhe informacionesh me anë të të cilave Kapiteni i Artilerisë Mbretërore Willim Martin Leake ka informuar mbretin e Anglisë, kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Xhorxh Kaninng për detyrat që i kishin ngarkuar. Këto asnjëherë deri më sot nuk janë bërë publike.
Tani pas 200 vitesh, të gjitha këto informacione sekrete i kemi marrë, përkthyer dhe analizuar, për të qenë pjesë e librit tim. Në këto kushte, tani për herë të parë mësojmë se:
Cilat qenë përpjekjet e Ali Pashës për të krijuar një shtet kombëtar shqiptar. Këto prirje dhe tendenca të tij për të bërë një shtet të mëvetësuar dhe indipendent patën natyrisht influencat dhe ndikimet e lëvizjes iluministe europiane, sepse në këtë kohë lindën tendencat për krijimin e shteteve të para kombëtare në Europë. Kuptohet, nga dokumentacioni që kemi siguruar, pra nga mesazhet që Liku i ka dërguar kryeministrit, mbretit, dhe ministrit të Jashtëm britanik, mësojmë shumë çështje të panjohura rreth synimeve të tij për konceptin ‘Shqipëri’ si një institucion territorial dhe etnik, për shqiptarët si popull, shtrirjen dhe vendshtrirjen e tyre. Dokumentet janë provë e rëndësishme për këto prirje të Ali Pashës dhe formimin nacional të tij.
Informacionet që do të vijnë përmes këtij botimi janë të gjitha të panjohura.
Materialet arkivore bëjnë të njohur dhe qartësojnë se marrëdhëniet e Ali Pashës me Britaninë e Madhe qenë më të mira sesa ato me rusët apo francezët. Tepelenasi i ka parë britanikët jo si një fuqi ogurzezë dhe as si një shtet me synime ekspansioni ndaj trojeve shqiptare.
Ndryshe i ka parë ai francezët. Tek Bonaparti ai shikonte një fuqi kërcënuese, kërcënimi i së cilës ishte serioz për territoret e vendit të tij. Ai kishte arritur në këto qëndrime sepse i kishte kontrolluar ata nga afër, kishte grumbulluar informacione rreth veprimtarisë së tyre dhe kishte konstatuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se cilat qenë misionet dhe qëllimet ndaj tokave të tij.
E kundërta kishte ndodhur me britanikët. Ai i ka parë britanikët si aleatë seriozë për qëllimet e tij të rëndësishme siç ishte krijimi i shtetit të pavarur – një synim ky që e kishte jo vetëm ëndërr, por edhe objektiv të palëviz-shëm – konstant, nga fillimi i karrierës dhe gjer në momentet e fundit të jetës. Dokumentet e këtij libri ofrojnë shumë të papritura rreth përpjekjeve të pashait për krijimin e një shteti të pavarur.
A ka folur për kufij të këtij shteti?
Në këto dokumente del indirekt se cilat janë synimet e tij territoriale. Ka një dokument interesant që zbardh një bisedë mes Ali Pashë Tepelenës dhe Kapitenit William Leake. Këtë të fundit Leake e ka raportuar menjëherë tek eprorët në Britaninë e Madhe. Leake e ka pyetur pashain se cili do të ishte qëndrimi i tij në rast të një invazioni të mundshëm të trupave të Napoleonit? Përgjigjja e tij ka qenë se, ai me shqiptarët e tij do t’i kundërvihej vendosmërisht.
Më tej, Leeke e ka pyetur se si do të reagonte ai nëse do të ketë një krizë të mundshme turke? Pashai është shprehur se, nëse do të ketë një krizë të mundshme osmane, dëshira e tij është që të mobilizohet për të realizuar shkëputjen përfundimtare nga Porta e Lartë dhe të shpallë independencën e shtetit të tij.
Në vazhdim, për të detajuar përgjigjen, Leake e ka pyetur Ali Pashën se “si do të reagonin dy pashallëqet e tjera shqiptare me të cilat kufizoheni, ai i Beratit dhe ai i Shkodrës?”
Përgjigjja e Ali Pashës ka qenë tejet interesante: “Unë, – është shprehur ai, – kam biseduar me dy pashallarët shqiptarë, atë të Shkodrës dhe të Beratit, madje edhe me Sulejman Pashën e Seresit (qytet i vogël në Greqinë e sotme), dhe kemi vendosur që në një moment të tillë të krijojmë shtetin tonë të përbashkët”.
Përmes këtij informacioni, Leake, ndërsa njofton qeverinë e tij për bisedën e mësipërme, shton se, “Ky qëndrim i Ali Pashës, na kujton një qëndrim të para 4 viteve të Ibrahim Pashës së Beratit, i cili na ka pohuar në bisedë direkte të njëjtën gjë”.
Kuptohet qartë pra, se ka pasur një lëvizje të gjerë për krijimin e një shteti shqiptar brenda trojeve të pashallëqeve shqiptare.
Është natyrisht një ngjarje shumë e rëndësishme dhe e panjohur, që shfaqet në këto dokumente që dalin për herë të parë në dritë.
Ka pasur pra një komunikim mes mbretit anglez dhe Ali Pashës. Ç’kuptohet prej letrave të shkëmbyera?
Në libër ka letra direkte edhe të kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm anglez për Ali Pashën. Në to pashai shqiptar vlerësohet në mënyrë të veçantë prej vetë atyre. Kuptohet që Ali Pashë Tepelena ka pasur një rol të rëndësishëm në ato dekada, për marrëdhëniet mes Anglisë dhe Turqisë, që në situata kritike mes këtyre Fuqive të Mëdha ai ka qenë interlokutori më i rëndësishëm në vendosjen e balancave dhe ekuilibrave mes tyre. Edhe këto fakte, ne i mësojmë për herë të parë nga ky dokumentacion. Ka letra të kryeministrit britanik, të mbretit dhe ministrit të Jashtëm, me vlerësime unikale për këto kontribute dhe të tjera, që i ka dhënë Ali Pasha Britanisë së Madhe.
Duhet të rikujtoj se interesi i qeverisë britanike në këtë kohë ishte të godiste ose të frenonte ekspansionin francez në këto anë të Ballkanit. Britanikët shprehen qartë se “goditja e brigjeve jugore të Shqipërisë cenon interesat tona, britanike”. Pra, ata e donin dhe e vlerësonin Ali Pashën si fuqi të rëndësishme për të ndaluar legjionet franceze, në rastin e një agresioni të mundshëm në këto anë, ndërsa ky i fundit kërkonte një aleat të fuqishëm nga jashtë për qëllimet dhe interesat e tij politike dhe ushtarake, si ndihmë dhe mbështetje në rastin e një sulmi nga jashtë apo edhe në rastin e shkëputjes dhe shpalljen e një shteti indipendent shqiptar.
Si përfundoi aleanca e pashait me britanikët?
Libri sjell dokumente dhe të dhëna, me të papritura dhe të panjohura, edhe në këtë aspekt që pyesni. Nga informacionet dhe raportet sekrete të agjentëve britanikë, del se Anglia e ka mbështetur fuqimisht Ali Pashën dhe idenë për pavarësinë e Shqipërisë, por ndryshimet e fundit politike në Perandorinë Osmane, fatkeqësisht imponuan tek qeveria britanike mendimin se për interesa të tjera më të mëdha dhe pragmatiste duhet braktisur Ali Pasha e duhet mbështetur Turqia. Kjo përkon me kohën kur pashai tepelenas pothuajse e kishte bërë fakt shkëputjen. Rrethanat e krijuar rishtazi në arenën ballkanase dhe më gjerë, ndërsa ardhja e një Sulltani të ri filloi qeverisjen me dorë të hekurt, i ndryshoi pozicionin dhe orientimin e politikës së jashtme britanike për këto anë ballkanike. “Foreign Office”-it i interesonte më shumë një aleancë dhe marrdhënie të mira me një perandori (sikundër ishte Perandoria Osmane) se sa një pashallëk. Në këto rrethana, Britania e Madhe e la pashain të ekspozuar ndaj hakmarrjes së egër osmane.
Ali Pasha, ishte një strateg, një diplomat i mençur, një misionar me prirje nacionale dhe indipendentiste, apo një gjakatar, tiran, nacionalist?
Në kohën kur ai jetoi, nuk kishte asnjë monark që brenda formës së vet të qeverisjes të mos kishte tirani. Monarkitë mesjetare, kudo ku ato vegjetonin nëpër Europë, nënkuptonin pushtet absolut: pra monarkë në duart e të cilëve përqendroheshin pushteti ekzekutiv, ai legjislativ, ai gjyqësor politik dhe mbase edhe ai moral. Këto ishin monarkitë mesjetare europiane me të drejta absolute të monarkut.
Për këto arsye, edhe tek Ali Pasha, ka brenda pushtetit të tij edhe elementë të tiranit, por pa më të voglin dyshim, edhe të vizionarit, të reformatorit, të njeriut me një kurajë të rrallë për t’u ngritur kundër një robërie shekullore, por edhe të një diplomati të talentuar dhe të një politikani të çuditshëm, si rrallë tjetër në trevat e Ballkanit dhe më gjerë.
Brenda këtij politikani vizionar gjallojnë të gjitha, por trendi dhe tendenca e tij dominohet nga ajo e një reformatori që zgjoi përgjumjen e popujve të Ballkanit dhe ushqeu kurajën e përpjekjeve për pavarësi. Nga këto s’përjashtohej Ali Pasha. Ai ka bërë shumë gjëra me vlerë për Shqipërinë e shqiptarët. Akoma s’kemi bërë evidente gjëra të tjera të tij, siç qe projekt-marrëveshja ligjore që ai bëri me rusët në vitin 1796 për krijimin e një shteti.
Tek ky njeri shohim pararendë-sin e formimit të ndërgjegjes nacionale. Lexuesi do shohë mendimin e tij se ç’janë shqiptarët e kombi i tyre. Ai është njeriu i parë që u mësoi shqiptarëve dhe grekëve rebelimin kundra Portës së Lartë, kundër robërisë osmane. Pashallëku i tij ato kohë pati lulëzimin më të madh ekonomik ndër zonat nën Perandorinë Osmane. Shumë prej ndërtimeve të tij ne i kemi monumente të trashëgimisë kulturore dhe një pjesë e madhe tjetër e ndërtuar prej tij janë jashtë Shqipërisë, në Greqi. Ali Pasha ishte njeriu që mbështeti ngritjen e shkollave të para, ai ngriti “Zosimea”-n në Janinë dhe shkollën tjetër “Bolano”. Ishte i pari që çoi studentë me bursë në Milano, Dresden, Vjenë, që u kthyen si mjekë, ndërtues, etj. Ai është kontribuuesi më domethënës në pavarësinë greke, pasi gjithë komandantët e tij u bënë luftëtarët më aktivë për pavarësinë greke dhe ministra në qeverinë e shtetit të parë grek. Kryeministri i parë grek, Koleti, ka qenë ministër i Financave te Ali Pasha.
Janina, pashallëku i fuqishëm i Ali Pashë Tepelenës, sot është në Greqi, bashkë me trupin e pashait…
Trupi është i varrosur në Janinë, ndërsa koka në Stamboll, dhe kjo është e sigurt. Ka një varr të kokës së tij në Stamboll. Pas procesionit që bëhej me kokat e prera të rebelëve, ato flakeshin. Por, në rastin e kokës së Ali Pashës ajo pati një fat tjetër. Ka qenë një dervish shqiptar, mik i familjes së tij, që e bleu kokën e tepelenasit, pra ka paguar për ta marrë kokën e prerë të Ali Pashës që ta varroste. Dhe kështu bëri. Natyrisht që unë disponoj të dhënat e mjaftueshme për vendndodhjen e varrit të kokës së tij. Aty ku është varrosur ajo, gjenden, në krah të tij, edhe varret e dy djemve dhe nipit të tij. Duke gjykuar si historian, vlerësoj se është me interes nisma për sjelljen e kokës së kësaj figure me vlera dhe rëndësi të veçantë për historinë e vendit tonë.

Gazeta Shqiptare, 05 Janar 2013

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *