Vatra, pararendësja e Pavarësisë së Shqipërisë kremtoi 100 Vjetorin

  •  Ne foto Dr. Gjon Buçaj
  • NJU JORK : Shoqata Vatra, pararendësja e Pavarësisë së Shqipërisë kremtoi 100 Vjetorin

BEQIR SINA, New York

Bronks – New York : Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetet ku më së shumti vitet e fundit janë të përqendruar shqiptarët, në këto ditët të javës që lamë pas – në lokalet shqiptare dhe vendet e zgjedhura nga ata për të festuar, së bashku me familjet, miqtë e tyre shqiptarë e amerikanë, kanë kremtuar me madhështi 100 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, që është njëhereshit edhe festa më madhore që i bashkon të gjithë shqiptarët nga të gjitha krahinat dhe trojet të tyre prej nga kan ardhur në SHBA.

Por, për dallim nga vitet e tjera, këtë herë tek shqiptarët e Amerikës, kjo festë ishte një ditë edhe më e shënuar se heret e tjera.100 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, u shoqërua me fjalime patriotike, duartrokitje, brohoritje e këngë e valle nga të gjitha trevat tona. Si dhe me ngritjen e flamurit kuq e zi në sheshet qendrore të qyteteve më të mëdha Amerikane. Ndërkohë, që në New York edhe rrugët e qytetit të Bronxit janë hijeshuar me flamurin shqiptar vendosur në shtyllat e ndriçimit në dy anët e rrugëve, sikurse në, Vlorë, Prishtinë, Shkup, dhe Tiranë( një inisiativë personale kjo që pesëvjeçarin e fundit e kryen me shpenzimet e veta veprimtari i dalluar – anëtari i Kuvendit të New Yorkut zotit Mark Gjonaj)

Në New York, “kryeqendrën” e Shqiptarëve të Amerikës, shqiptarët të përbashkuar nga të gjitha trojet, Shqipëria, Kosova, Kraja Ulqini, Plavë – Gucia, Presheva, Bujanovci e Medvegja, Tetova e Gostivari, Struga, Kumanova e Dibra, Preveza, Filati – Çamëria, u mblodhën që të festojnë në mënyrën më madhështore 100 vjetorin e pavarësisë.

Darka e Vatrës një manifestim qëndror dhe ai që i bashkoi të gjithë shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, dhe të gjitha trojet etnike shqiptare, u mbajt nën “ombrellën” e shoqatës PanShqiptare e Amerikës Vatra në New York, me pjesmarrjen e më shumë se 20 grupimeve, shoqatave, enteve fetare në komunitet, organizatave të tjera politike dhe krahinore, në shenjë të përvjetorit të 100-të, të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ky manifestim u mbajtë të dielën më 25 Nëntor, në lokalin “Maestro’s” ne Bronks- Nju Jork, dhe morën pjesë rreth 500 veta.

Mes pjesmarrësve ishte dhe asamblameni i New Yorkut zoti Mark Gjonaj, klerikët e dalluar të komunitetit si dhe shumë personalitete të rëndësishme, biznesmen dhe afaristë të njohur të komunitetit shqiptarë në Amerikë, diplomatët e Kosovës dhe Shqipërisë në New York dhe Washington.

Kjo darkë ishte një manifestim shumë inkurajues dhe me nivel plot shpresëdhënës për organizimin e bashkësisë sonë në SHBA, organizuar nga Komisioni i organizimit të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nga Vatra, Bashkësisë shqiptare dhe Shërbimit Diplomatik Shqiptar në New York. Mbrëmjen festive të 100 vjetorit e përshëndetën në emër të Ambasadorit të Shqiperise ne Uashington diplomati Anton Koliqi dhe Ambasadori Ferit Hoxha Shef i Misioni i Perhershem i Shqiperise ne OKB. Në emër të qeverisë dhe kryeministrit Berisha tubimin e përshëndeti konsulli Përgjithëshëm i Shqipërisë në New York, zoti Dritan Mishto, sikurse me një mesazh të dërguar në emër të Ambasadorit i Kosovës në New York, zotit Bekim Sejdiu, konsulli i Konsullatës së Kosovës, në New York, zoti Fatmir Zajmi.

Shoqata Vatra, tha nënkryetari i saj zoti Agim Rexhaj me themelimin e saj “shtatë muaj para pavarësisë së Shqipërisë, ska dyshim që ishte pararendsja ose një lajmëtare e dritës dhe e simbolit të lirisë për shqiptarët, se po vinte ndarja nga vargonjët e robërisë, mbas pesë shekujsh – pra 28 Nëntori 1912 ngritja e flamurit nga Plaku i Vlorës i urtë dhe i mençëm – Islamil Bej Qemali “.

Duke hapur festën e flamurit nën/kryetari i Vatrës, zoti Agim Rexhaj, i cili tha se Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është një simbol i indentitetit dhe bashkimit të gjithë shqiptarëve, simbol i krenarisë kombëtare dhe i dashurisë për Atdheun tonë të dashur tha ai. Kjo ditë e veçantë, vijojë Rexhaj mbledh se bashku të gjithë Shqiptarët dhe miqtë e tanë, kudo që jemi në nder dhe respekt të thellë për të gjithë Kombin Shqiptar. Po, qe se nuk do të kishte qënë kjo ditë, tha Rexhaj, s’ka dyshim që edhe “Nëntori i dytë i Shqiptarëve – Pavarësia e shejtë e Kosovës – nuk do të kishte qenë”.

Drejtuesia e këtij manifestimi zonjusha Nazo Veliu, prezantoi mysafirët e nderit dhe disa nga personalitetet e njohura të komunitetit . Lutjen fetare dhe bekimin e festës së 100 Vejtorit e kreu sipas traditës së kësaj feste – I përdershmi Josuf Balaj nga Qendra Islamike Shqiptaro – Amerikane për New York dhe New Jersey.

Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, u kënduan nga këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Merita Halili, shoqëruar prej orkestres së drejtuar nga mjeshtri i firzamonikës Raif Hyseni. Më pasë me një minutë heshtje, për të nderuar kujtimin e dëshmoreve të kombit shqiptar, dhe për ushtarët amerikanë të rënë në luftërat për liri, paqe e demokraci, si dhe kundër terrorisimit ndërkombetar, u shoqëruan nga të pranishmit me qëndrim në këmbë, në shenjë nderi e respekti.

Në fillim të fjalës së tij kreu i Vatranëve në Amerikë, Dr. Gjon Buçaj, i urojë me këtë rast kremtimin të 100 vjetorit, ditës ma të shejtë të kombit shqiptar, Ditës së Flamurit që shënon pavarësinë e Shqipnisë, mbas përpjekjesh afër pesë shekullore,të gjithë pjesmarrësve.

“Etja për liri që nuk u shue kurrë, i shtyni shqiparët, tha Dr Buçaj, në kundërshtime e kryengritje të izolueme, derisa në Lidhjen e Prizrenit u krijue vetëdija e kombësisë së përbashkët që solli luftën e organizueme gjithëkombëtare, luftë e cila ushtarakisht humbi për mungesë mbështetje nga jashtë, por vazhdoi të frymëzojë kryengritje të herëmbashereshme. Ndërsa pushka kërciste dhe gjaku derdhej që nga jugu në veri nga Kosova në Çamëri në Malësi dhe pothuej në të gjitha trevat shqiptare, në kancelaritë e Europës e në Ëashington, memorandume e delegacione të ndryshme sillnin mesazhet e luftës për liri, ku dhe Vatra ka dhanë kontributin e saj të fuqishëm.”

Më pas ai vuri në pah faktin se e ushqyeme me gjak e sakrifica të mëdha në shtegtimin e gjatë, andrra shekullore e lirimit nga robnia u ba realitet, kur Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe nji plejade fatosash të tjerë të kombit nga të katër vilajetet, tue pasë mbrojtjen e armatosun të Isa Boletinit me luftarët nga Kosova, ngriti Flamurin e Gjergj Kastriotit Skanderbeut dhe shpalli Shqipninë shtet të pavarun me 28 Nandor 1912, në Vlorën historike.

Në fjalën e tij kryetari i Vatrës kujtojë që të mbledhun këtu me atë gëzim që po e përjeton e gjithë bota shqiptare në këto ditë, përkujtojmë ata të cilët na sollen si dhe ata që me gjak e sakrifica e mbrojtën pavarësinë dhe integritetin e shtetit shqiptar, ku Vatranët si u shpreh ai nxanë vend nderi përsëri por disa prej tyne që u riatdhesuen në shërbim të kombit, i persekutoi atdheu i tyre Shqipëria, ose regjimi në shërbim të ideologjisë së huej.

“Pra, i burgosi, i vrau dhe i quejti armiq të popullit, reaksionare, kuislinge e trathtarë; të gjithë ata që ecën pandërpremje drejt realizimit të aspiratës shekullore edhe për pjesën e lanun jashtë kufijve të 1913-ës, në veçanti elitën e kosovare t’udhehequn nga dr. Ibrahim Rugova dhe luftarët e popullit liridashës me komandant Adem Jasharin që i sollën Kosovës lrinë”.

Ndërsa, festojmë dhe me gëzim e krenari kombëtare përjetojmë arrijtjet e këtyne 100 vjetëve, tha Dr Gjon Buçaj, kujtojmë me mirenjohje të thellë edhe miqt të cilët na ndimuen, sidomos Shtetet e Bashkueme të Amerikës që na u gjetën në momentet ma të rëndësishme të historisë sonë dhe të ekzistencës sonë kombëtare.

Me këtë rast kryetari i Vatrës në emër të vatranëve tha se përshëndesim edhe kthimin e eshtnave të Mbretit Zog në Atdhe dhe përgëzojmë qeverinë dhe shtetin shqiptar për këtë akt kombëtar, duke shpresuar që ky të jetë ky fillimi i një procesi për riatdhesimin e shumë figurave të tjera dhe vëlerësimin objektiv të figuravet kombëtare, në vijim me porosinë e Kryeministrit Berisha dhënë Kimisionit Ndërministror për Pavarësinë.

Në fund të falës së tij Kryetari i Shoqatës VATRA, Dr. Gjon Buçaj tha se :”Urojmë që kjo festë e shejtë dhe e kujtimit të atyne që i kushtuen jetën kësaj dite, të jetë një 100 vjetorë i bashkimit tonë kombëtar, i frymëzimit për të gjithë shqiptarët që të bashkohen në harmoni drejt nji ardhmenije ma të mirë dhe ma të drejteë”.

Kjo shoqate me rastin e ditës së pavarësisë sipas traditës, së hershme të saj 100 vjeçare nderojë për këtë 100 vjetor me çmimin e nderit “Fan S. Noli”, ish kongresmenin republikan dhe mikun e dëshmuar të shqiptarëve në SHBA Beniamin Gillman, për kontributin dhe rolin e tij te madh në dobi të çështjes shqiptare.

Anëtari i Asamblesë së New Yorkut, në emër të kongresmenit demokrat Eliot L. Engel mori çmimin “Fan S. Noli” akorduar nga shoqata atdhetare VATRA. Eliot Engel është anëtar i Kongresit për New York-un që nga viti 1989, i cili shërben sot si Kryetar i NënKomitetit të Çështjeve të Jashtme për Hemisferën Perëndimore në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkohë që Shqiptarët e njohin më mirë si kryetar i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres, si një luftëtar i hershëm për pavarësinë e Kosovës dhe si një mik i madh i shqiptarëve në Washington

      Të përbashkuar tek Vatra, dje valle, kënge e melodi nga të gjitha trevat, kanë vijuar pbr gjatë gjithë mbrëmjes nën argëtimin e hareshëm të grupit muzikor, Grupi i mjeshtërve të muzikës popullore shqiptare Bilbili i këngës së “Shqipërisë së Mesme ” Merita Halilit me frizamonicistin e mrekullueshem Raif Hysenit,këngëtarin e njohur të komunitetit Mithat Salihu (Kino-Gara), si dhe këngëtarët të tjerë të komunitetit. – I ftuar special ka qenë këngëtari i ri i talentuar: Bledar Maqellara dhe me një preformancë mbresa lënëse këngëtari nga Struga – Haxhi Dauti – i cili këndoi dy këngë enkas për këtë 100 vjetor një për Pavarësinë e Shqipërisë dhe një për Vatrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *