Tirane, 26 korrik – Bujar Nishani, Presidenti i ri, ka përzgjedhur emrat e bashkëpunëtorëve dhe këshilltarëve, bën të ditur BW.
Burime të “Gazetes SHqiptare”, bëjnë të ditur se në pozicionin e shefit të kabinetit, presidenti Nishani ka emëruar Florian Nurin, i cili mban postin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, dikaster që drejtohej nga Presidenti i zgjedhur. Nuri do të zëvendësojë në këtë pozicion Dashamir Xhaxhiun. Në postin e sekretarit të përgjithshëm është emëruar Bardh Spahia, ish-zv/ministri i Shëndetësisë, që u lirua pikërisht dje nga detyra, dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
Gazetarja Irma Toptani është emëruar zëdhënëse e kreut të shtetit. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Besnik Konçi, presidenti Nishani i ka besuar detyrën e këshilltarit diplomatik.
Princi Leka do të jetë këshilltar politik i kreut të lartë të shtetit, ndërkohë që këshilltar për çështjet ushtarake është emëruar Baki Shehu, aktualisht këshilltar pranë Komisionit Parlamentar të Sigurisë.