Zyra e shtypit te P.L.L. publikon kete deklarate:

Tiranë, më 14 korrik 2012

 


Deklaratë për mediat


Kohët e fundit, si vazhdimësi e atavizmave të trashëguara nga paraardhësit e tyre biologjik dhe ideologjik, disa “historianë” që janë pjesë e së majtës ideologjike dhe politike, kanë rinisur një fushatë të shfrenuar shpifjesh dhe denigrimi kundër figurave madhore të së djathtës historike shqiptare dhe veçanërisht ndaj Mbretit Zog I.

 

Ky sulm i shfrenuar ndaj figurave të shquara, të cilët jetësuan në shtet modern Pavarësinë e shpallur në vitin 1912 nga Ismail Qemali, buron si nga shterpësia intelektuale, ashtu edhe mllefi që kanë karshi këtyre figurave madhore. Ky mllef dhe nervozizëm që ata shprehin dukshëm, është i lidhur ngushtë me indoktrinimin e tyre dhe inferioritetin që ndjejnë, kur diferenca ndërmjet atyre që ndërtuan shtetin e parë shqiptar dhe veprës së baballarëve të tyre, të cilët ushtruan gjenocid për 50 vjet mbi shqiptarët, po del në dritën e diellit ditë pas dite.

Trillimet e Enver Hoxhës dhe lakenjve të tij, që po artikulohen sot nga pasardhësit e atij regjimi, nuk mund t’i qëndrojnë edhe për shumë kohë fakteve historike, që flenë akoma në Arkivin Qendror të Shtetit e që në mënyrë të përmbledhur, janë si më poshtë:

Mbreti Zog I nuk e pranoi ultimatumin e Italisë, ndonëse ai ultimatum i garantonte atij gjithçka, përfshi edhe Fronin. Përkundrazi, ai, me refuzimin e atij ultimatumi, de facto i shpalli luftë Italisë. Largimi i tij dhe i qeverisë në emigracion, u bë me vendim të Parlamentit Shqiptar dhe kishte për qëllim ruajtjen e vazhdimësinë juridike të shtetit shqiptar, por edhe përpjekjet diplomatike në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve pranë kancelarive të fuqive të mëdha. Nëse Mbreti Zog I do të kishte qëndruar në Shqipëri, ushtria serbe do të futej 25 km në brendësi të territorit shqiptar, gjoja në mbrojtje te interesave të veta. Rezistenca ushtarake e 7 Prillit është vepër e ushtarakëve dhe qytetarëve shqiptarë nën drejtim e major Abaz Kupit. Dëshmori Mujo Ulqinaku ka qenë pjesëtar i forcave ushtarake me gradën kapter dhe luftoi nën komandën e Abaz Kupit.

Avni Rustemi është vrarë nga Isuf Reçi, mullixhiu i sarajeve të Esat Pashë Toptanit. Vrasja e tij është një gjakmarrje e pastër, shtyrë dhe paguar nga byrazeri i Esat Pashës, Osman Bali, antizogist i njohur…

Luigj Gurakuqi mbas grushtit të shtetit të vitit 1924 u strehua në Itali tek kushëriri i tij Baltion Stamolla, i cili është dhe autori i vrasjes së tij për çështje nderi…

Bajram Curri, pas grushtit të shtetit të vitit 1924 nuk u largua nga Shqipëria dhe përmes Abaz Kupit, mori garanci nga Ahmet Zogu, se nuk do të kishte asnjë pasojë për shkak të veprimtarisë së tij. Kur ky fakt u zbulua nga shërbimet sekrete serbe, të cilët dërguan agjentët e tyre dhe asgjësuan fizikisht Bajram Currin, këtë patriot dhe antiserb.

Nëse Mbreti Zog I do të ishte hakmarrës për autorët e grushtit të shtetit dhe organizatorëve të atentateve që u kryen ndaj tij në Parlamentin e Shqipërisë dhe në Vjenë, më shumë se për këdo do ishte treguar i tillë ndaj kundërshtarit kryesor dhe udhëheqësit të grushtit të shtetit, Fan Noli. Por përkundrazi, Mbreti Zog I, jo vetëm që nuk u tregua hakmarrës, por si ai dhe Mbreti Leka I, e kanë ndihmuar Fan Nolin financiarisht deri në fundin e jetës së tij.

Për të gjitha këto ne i referohemi Arkivit të Shtetit Shqiptar dokumenteve përkatës, të cilat i zotërojmë dhe jemi të gatshëm të ballafaqohemi me këdo dhe kudo.

Do t’i sugjeroja Top-Channel dhe drejtueses se emisionit “Shqip” znj. Xhunga, që nëse vërtetë duan që të hedhin dritë mbi të vërtetat e historisë sipas dokumenteve, të mos ndërtojnë panele të njëanshme. Ne jemi të gatshëm që të bëhemi pjesë e debatit për të saktësuar të dhënat historike të cilat deformohen qëllimisht nga Milo me shokë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *