Bujar Nishani zgjidhet President i Republikes

Kush është Bujar Nishani
Kush është Bujar NishaniTIRANË- Bujar Nishan është zgjedhur mwe 73 vota pro , President i ri i Republikës nga Kuvendi i Shqipërisë.
Por kush është Kreu i ri i Shtetit?

– Familja

Z.Bujar Nishani është i martuar me znj. Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani

– Arsimimi

• Z. Bujar Nishani është diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988

• Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni/SHBA, në “Menaxhimi i Resurseve të Mbrojtjes” në vitin 1996

• Në vitin 2004 diplomohet “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

• Në vitin 2005 merr titullin Master, në Studimet Europiane

– Eksperienca ne pune

• 1988 – Pedagog, Akademia Ushtarake “Skënderbej”;

• 1993 – Ministria e Mbrojtjes, Marrëdhëniet me Jashtë;

• 1994 – Ministria e Jashtme, Marrëdhëniet me NATO-n;

• 1996 – Ministria e Mbrojtjes, Kabineti i Ministrit;

• 1997 – Në profesion të lirë; Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë;

• 2005 – Zgjidhet deputet ne Kuvendin e Shqiperise

• Mars 2007 – Shtator 2009 Minister i Brendshëm

• Shtator 2009 – Prill 2011 Minister i Drejtesise

• Prill 2011 e ne vazhdim Minister i Brendshem

– Jeta dhe veprimtaria politike

• Bujar Nishani anëtarësohet në Partinë Demokratike në vitin 1991

• Në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën

• Në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike

• Në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas dhe anëtar i Kryesisë Qëndrore të kësaj Partie
(e.m/BalkanWeb)

Kuvend, Bujar Nishani zgjidhet President i Republikës, Topi: Urime për detyrën e re

TIRANE – Kuvendi zgjodhi pasditen e së hënës z. Bujar Nishani si Presidentin e ardhshëm të Republikës. Zoti Nishani, i cili do të jetë presidenti i 6-të i vendit, mori mbështetjen e 73 deputetëve, nga 76 që morën pjesë në votim, ndërkohë që një deputet votoi kundër, ndërsa dy fletë ishin të pavlefshme.

Në votim morën pjesë kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, deputeti i Partisë Socialiste Kastriot Islami dhe përfaqësuesit i grupit nismëtar të FRD Gazmend Oketa.

Ndërsa, deputetët e Partisë Socialiste të opozitës, të pranishëm në sallën e parlamentit, nuk morën pjesë në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Kreut të ri të shtetit.

Pas votimit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke uruar presidentin e ri të Republikës, Bujar Nishani tha se “për procedurën e betimit të tij në parlament deputetët do të njoftohen për datën”.

Më herët kandidatura e zotit Nishani, i cili gëzonte statusin e ministrit të Brendshëm mori ‘OK’ në mbledhjen e grupit parlamentar të Partise Demokratike, ku siguroi dhe 26 firma pro për të vijuar më pas me Komisionin e Ligjeve, i cili gjithashtu ligjëroi kandidimin. Mes firmëtarëve pro kandidatures së Bujar Nishanit rezultonte dhe Ilir Meta, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi dhe Vangjel Tavo.

Zgjedhja e z. Nishani erdhi pas një procesi të vështirë, ku Kuvendi konsumoi pa asnjë votim tre raundet e para të garës presidenciale, edhe pse me kandidatura joformale, si në rastin e z. Xhezair Zaganjorit dhe formale në rastin e Artan Hoxhës.

Gjatë paradites së sotme procesi i zgjedhjes së presidentit të ri mori një zhvillim të papritur, ndërsa pritej të niste raundi i katërt i votimit në parlament. Kandidati i shumicës, Artan Hoxha, i zyrtarizuar dje pas takimit Berisha-Rama, njoftoi tërheqjen nga gara, duke pasuar kështu dorëheqjen e gjyqtarit Xhezair Zaganjori, pas raundit të tretë në Kuvend.

Pas këtij zhvillimi, maxhoranca njoftoi se kandidati i ri i saj për Kreun e shtetit do të jetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, emri i të cilit ishte paraqitur edhe mbrëmë në bisedimet mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës socialiste, Edi Rama.

ZHVILLIMET E PARADITËS
Mazhoranca mblodhi firmat e nevojshme për Bujar Nishanin, aktualisht ministër i Punëve të Brendshme, si kandidat për Presidentin e ardhshëm të vendit, pas tërheqjes së kandidatit Artan Hoxha. Pasi shqyrtoi kriteret për kandidatin e mazhorancës, Komisioni i Ligjeve miratoi kandidaturën e Bujar Nishanit dhe e dërgoi raportin në Kuved. Nis votimi i fshehtë. Edhe opozita në sallë, por nuk merr pjesë në votim.

Në prag të votimit të tij në Kuvend, kandidati i zgjedhur nga mazhoranca mbrëmjen e së dielës, Artan Hoxha, u tërhoq nga gara presidenciale. Mazhoranca bëri të ditur menjëherë se kandidati i radhës do jetë Bujar Nishani. Aleatja e PD, PDIU dhe ajo e PS, PBDNJ, kërkojnë që të merret parasysh kandidatura e Fatos Nanos. Raundi i katërt i votimit, i parashikuar për në orën 10:00, pritet të zhvillohet pasditen e sotme.

Lenia e procesit gati të përfunduar nga Hoxha u konsiderua si zhvillim surprizë. Tërheqja vjen pak minuta pasi Komisioni i Ligjeve dërgoi raportin me 40 firma të mbledhura në Kuvend ku ky i fundit do e votonte me 71 vota presidentin e ri të zgjedhur nga mazhoranca, z Artan Hoxha, por që nuk e mori pëlqimin e opozitës. Artan Hoxha doli mbremjen e se dieles si kandidature pas tri orë diskutimesh me opozitën në kërkim të konsensusit të saj. Mazhoranca miratoi sot dhe ne Komisionin e Ligjeve kandidaturën e ekspertit të njohur të ekonomisë dhe publicistikës, z.Artan Hoxha për postin e kreut të ri të shtetit. Emri i tij mori dakordësinë e LSI-së, PR-së dhe PDIU-së, sot mblodhi 40 firma, por nuk mundi të marrë konsensusin e opozitës. Mazhoranca qeverisëse, në zbatim të plotë të Kushtetutës kishte të drejtën ta votonte sot, në raundin e katërt, me 71 vota, por pak para votimit Hoxha u tërhoq.

Kuvendi konsumoi të premten e kaluar pa votim edhe raundin e tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, në mungesë të një kandidati konsensual. Konferenca e Kryetarëve vendosi me konsensus që raundi i katërt i votimit të zhvillohet ditën e hënë, 11 qershor, në orën 10:00.

SEQUI: PRESIDENTI TË PËRFËQËSOJË UNITETIN E POPULLIT
Ora 20:00
Kreu i Prezencës së BE-së në Tiranë, Ettore Sequi nëpërmjet një njoftimi për mediat, uroi Bujar Nishanin për zgjedhin e tij si President i Republikës së Shqipërisë.

“Dëshiroj t’i uroj z. Nishani suksese si President, post i cili përfaqëson unitetin e popullit”, shprehet z. Sequi.
“Roli i Presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e të gjitha përpjekjeve do të jetë me rëndësi të vendimtare për Shqipërinë për të përballuar me sukses sfidat në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, shprehet Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori, Ettore Sequi.

BREGU: NISHANI PRESIDENT ME 73 VOTA, RAMA TË KUPTOJË CFARË DO
Ora 19:31
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu vlerësoi jo vetëm figurën e zotit Nishani, por dhe mënyrën sesi maxhoranca erdhi deri tek ky emër. Sipas saj procesi i presidentit kaloi me negociata dhe zgjedhja në raundin e IV ishte një shans i fituar

“Procesi për zgjedhjen e presidentit nuk mund të rrezikojë statusin. Statusi nuk përdoret dot si “gogol” nga Rama. Zoti Rama duhet të respektojë ligjet që ka propozuar dhe miratuar vetë ai, duke treguar vullnet, mos të pengojë reformat”, vlerësoi Bregu.

‘Uroj që z. Rama nëse nuk e ka kuptuar se çfarë do, ka kohë për ta kuptuar. Përndryshe po nuk e pati kuptuar që 3 vjet i ka harxhuar kot duke bërë bllokuesin, ndoshta do ketë mundësi ta kuptojë më mirë në 2013-ën, që politika e bllokimit nuk e çon larg, dhe që e çon tek humbja’,- vijoi Bregu.

TOPI URON NISHANIN
Ora 19:19
Pak minuta pas votimit në Parlament, Presidenti në detyrë Bamir Topi uroi pasuesin e tij Bujar Nishani. Përmes një mesazhi telefonik Topi përshëndeti vendimin e Parlamentit për zgjedhjen e zotit Bujar Nishani me 73 vota në krye të shtetit shqiptar. Mandje në mesazhin e publikuar shkruhet: ‘Presidenti Topi i uron Nishanit suksese në detyrën e re.

WOLLFARTH: NISHANI PRESIDENT, LAJM I MIRË
Ora 19:16 Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti sot zgjedhjen e z. Bujar Nishanit në postin e Presidentit të Shqipërisë.
“Zgjedhja e z. Nishani si president i ardhshëm i Shqipërisë është lajm i mirë. Ne e çmojmë punën e vendosur të Ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t’i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive,” tha Wollfarth

META: PROCESI TRANSPARENT, FALENDEROJ BERISHËN
Ora 19:15
Menjëherë pas zgjedhjes së Bujar Nishanit, si president, lideri i LSI, Ilir Meta e vlerësoi procesin tranparent.

“Parlamenti ka ushtruar sovranitetin e tij për të zgjidhur këtë çështje dhe ky President i ri quhet Bujar Nishani, një emër i njohur, shumë i respektuar dhe jam i sigurtë që do të sigurojë një frymë bashkëpunimi me opozitën dhe njëkohësisht me të gjithë aktorët e tjerë politikë e socialë në vend, sepse z. Nishani, punën bazuar në ligj dhe formimin institucional, mendoj se e ka në bazë të të gjithë eksperiencës së tij të treguar deri tani edhe nëpërmjet detyrave të rëndësishme që ka mbajtur”, tha Meta.

Ndërkohë duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve sesi do të reagojë maxhoranca ndaj një bojkoti të mundshmën nga ana e opozitës meta tha: ‘Bojkoti nuk ka të ardhme dhe këtë e ka treguar historia. Pati përpjekje nga aktorë të ndryshëm për të arritur maksimumin në këtë garë, në fund demokracia është kompromis’.

“Procesi i integrimi është rrezikuar më parë nga fryma e bojkotit dhe kjo mund ta rrezikojë sërish në të ardhmen”, tha Meta, duke shtuar se “gara presidenciale përfundoi dhe tashmë duhet ecur përpara me reformat që i duhen Shqipërisë”.

Meta ka përjashtuar çdo synim të tij për Ministër i Brendshëm, duke theksuar se “LSI synon më tepër se kaq, synon integrimin e vendit në BE”.

NISHANI PRESIDENT ME 73 VOTA
19:00
Kuvendi zgjodhi pasditen e së hënës z. Bujar Nishani si Presidentin e ardhshëm të Republikës. Zoti Nishani mori mbështetjen e 73 deputetëve, nga 76 që morën pjesë në votim, ndërkohë që një deputet votoi kundër, ndërsa dy fletë ishin të pavlefshme. Ndërsa, deputetët e Partisë Socialiste të opozitës, të pranishëm në sallën e parlamentit, nuk morën pjesë në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Kreut të ri të shtetit.

Pas votimit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke uruar presidentin e ri të Republikës, Bujar Nishani tha se “për procedurën e betimit të tij në parlament deputetët do të njoftohen për datën”. Zgjedhja e z. Nishani erdhi pas një procesi të vështirë, ku Kuvendi konsumoi pa asnjë votim tre raundet e para të garës presidenciale, edhe pse me kandidatura joformale, si në rastin e z. Xhezair Zaganjorit dhe formale në rastin e Artan Hoxhës.

PËRFUNDON VOTIMI
Ora 18: 45 Përfundon votimi për kandidatin Bujar Nishani, i propozuar nga shumica për postin e presidentit të ri të vendit. Deputetët e opozitës, prezentë në sallën e Kuvendit, nuk morën pjesë në votim.

PS NUK VOTON, DULE DHE ISLAMI MARRIN PJESË NË VOTIM
Ora 18:30 –
Deputetët e Partisë Socialiste nuk morën pjesë në votimin për kandidatin e mazhorancës pwr president, Bujar Nishani. Ndërkohë aleati i PS-së, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule dhe deputeti Kastriot Islami morën pjesë në votim.

AMBASADORI ARVIZU NUK NDJEK VOTIMIN NGA SALLA
Ora 18.20
E ndërsa seanca e votimit për kreun e ri të shtetit vijon në Kuvendin e Shqipërisë, vihet re mungesa e kreut të prezencës së SHBA, Alexandër Arvizu, ndërkohë në llozhat e Kuvendit kamerat e Neës24 fokusojnë prezencën e ambasadorit të Bashkimit Europian Ettore Sequi, dhe ambasadorit italian në Tiranë Masimo Gaiani.

NIS VOTIMI I FSHEHTE PER PRESIDENTIN
Ora 17:45 –
Ka nisur rreth orës 17:30 raundi i katërt i votimit për presidentin e ri të vendit, në Kuvend. Të gjithë deputetët janë të pranishëm në sallë, por opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim. Votimi është i fshehtë.

Në nisje të seancës, kryeparlamentarja Topalli njoftoi se Komisioni i Ligjeve ka shqyrtuar kandidaturën e paraqitur nga mbi 20 deputetë të zotit Bujar Nishani.
“Kjo kandidaturë plotëson të gjitha kërkesat formale, juridike dhe kushtetuese. Thërras sekretariatin për votimin, i cili organizon dhe zhvillon votimin për zgjedhjen e presidentit. Sekretariati përbëhet nga Viktor Gumi, Arenca Trashani dhe Armando Subashi.”- deklaroi Topalli.

ZYRTARIZOHET NISHANI, KOMISIONI I LIGJEVE IA PARAQET PËR MIRATIM KUVENDIT
Ora 17:21-
Komisioni i Ligjeve miratoi vetem me votat e të djathtëve, raportin e mazhorancës për kandidaturën e ministrit Bujar Nishanit. Mësohet se mazhoranca ka depozituar në Kuvend kandidaturën me 26 firma të mbledhura. Raporti është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita ndryshe nga votimi i paradites për kandidatin Artan Hoxha ka votuar kundër.

BUJAR NISHANI MBLEDH FIRMAT E NEVOJSHME, KANDIDATURA NË KOMISIONIN E LIGJEVE
Ora 17:03-
Partia Demokratike zyrtarizon kandidaturën e ministrit Bujar Nishani për postin e Presidentit të ri të vendit. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së u siguruan firmat e nevojshme të deputetëve për t’i paraqitur Komisionit të Ligjeve kandidaturën e zotit Nishani. Mbledhja me dyer të mbyllura e grupit demokrat, nën kryesimin e kryeministrit Berisha, ka mbledhur 26 firma për kandidatin e propozuar për kryetar shteti.

26 FIRMËTARËT PËR BUJAR NISHANIN
Florian Mima
Mark Marku
Ilir Meta
Aurel Bylykbashi
Rajmonda Bulku
Luçiano Boçi
Genc Strazimiri
Sherefedin Shehu
Genc Ruli
Arenca Trashani
Astrit Bushati
Shpëtim Idrizi
Fatmir Mediu
Mehmet Xheka
Ardian Turku
Sokol Olldashi
Flamur Noka
Selami Xhepa
Ndriçim Babasi
Sybi Hida
Kreshnik Çipi
Dashnor Sula
Dashamir Tahiri
Vangjel Tavo
Ylli Lama

PARTIA DEMOKRATIKE MBLEDH GRUPIN PARLAMENTAR
Ora 16:40 –
Partia Demokratike mblodhi grupin parlamentar, pak minuta përpara zhvillimit të raundit të katërt të votimit për presidentin e ri të vendit. Deputetët e PD-së pritet të firmosin kandidaturën e zotit Nishani, që do t’i paraqitet më pas Komisionit të Ligjeve.

MINISTRI NISHANI MBËRRIN NË KRYESINË E KUVENDIT
Ora: 16:30
– Kandidati i mazhorancës për president, Bujar Nishani mbërriti në Kryesinë e Kuvendit rreth orës 16:30, ndërkohë që pritet mbledhja e grupit kuvendor të PD-së, pak minuta para fillimit të raundit të katërt të votimit në Kuvend.

Deputetët e PD-së pritet të firmosin kandidaturën e zotit Nishani, që do t’i paraqitet më pas Komisionit të Ligjeve, ku anëtarët do të shqyrtojnë nëse kandidati i plotëson kriteret e domosdoshme. Mësohet se edhe deputetët që firmosën paradite për kandidatin Artan Hoxha, i cili u tërhoq rreth mesditës, mund të votojnë për kandidatin Bujar Nishani.

NANO: MINISTRI NISHANI S’MUND TË KANDIDOJË PËR PRESIDENT
Ora 16:00Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një Ministër i Kabinetit Qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen’, bëri me dije ‘Lëvizja Nano për president’, në një njoftim të shpërndarë për mediat mesditën e sotme.

Fatos Nano, pas konsutimeve me nje grup konstitucionalistësh, i bën apel dhe i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse se kandidimi i fundit i paralajmëruar me kandidat te rradhës për President, Ministrin Bujar Nishani, është një gafë e rëndë kushtetuese dhe rrezikon të kthehet në një shkelje të rëndë kushtetuese’.

LSI, VASILI: PËR PRESIDENTIN NUK LËVIZIM NGA MARREVESHJA ME PD
Ora 13:50-Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) njoftoi sot me anë të nënkryetarit Petrit Vasili se në procesin për zgjedhjen e Presidentit, kjo parti do i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara me PD dhe një qëndrimi në përputhje me kushtetutën e vendit.

“Në qëndrimin tonë do të mbizotërojë kushtetuta dhe respekti ndaj saj por njëkohësisht edhe respekti ynë ndaj marrëveshjes politike që ne kemi nënshkruar me Partinë Demokratike” theksoi Vasili.

Ai ka theksuar më tej se për muaj të tërë LSI-ja ka kontribuar në mënyrë konstruktive dhe aktive për ndërtimin e një procesi të hapur dhe transparent për të gjetur një gjithëpërshirje. “Është një fakt evident që ka pasur një dialog kontruktiv për të stimuluar një proces të një komunikimi të gjërë dhe të hapur” shtoi Vasili.

RAMA: KANDIDATURA E NISHANIT, E PAPRANUESHME. TË MOS RREZIKOJMË STATUSIN
Ora 13:40-
Pas tërheqjes së kandidatit zyrtar të mazhorancës, Artan Hoxha, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nënvizoi gatishmërinë e opozitës për arritjen e një konsensusi për presidentin e ri të vendit, në mënyrë që siç tha ai, vendi të mos rrezikojë statusin kandidat për në BE.

“Ky është një proces që po degradon hap pas hapi dhe po rrënon më shume akoma besimin e qytetarëve tek parlamenti. Nga ana tjetër po godet më shumë akoma besimin e familjes europiane tek Shqipëria. Kandidatura sapo tërhequr ishte një kandidaturë që ne e refuzuam sepse nuk kishte asnjë mundësi, për plot arsye, që ne të jepnin mbështetje. Por kiza po thellohet, unë e përsëris një krizë është edhe një mundësi, një shans për të dalë prej saj përmes një hapi të ri në drejtim të kundërt me inercinë e krizës.”- u shpreh Rama në një konferencë për shtyp nga selia rozë.

Më tej kryesocialisti theksoi se kandidatura tjetër e paraqitur nga mazhoranca, ministri Bujar Nishani, është e papranueshme.

“Është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet president dhe presidenti të kthehet në ministër. Është e papranueshme në kohë normale dhe jo në një kohë si kjo, që dikton domosdoshmërinë që përfaqësuesit e shqiptarëve në parlament të vendosin interesin e vendit mbi interesin e palëve. Është tërësisht misteri i një pale të vetme, si mund të imponohet një kandidaturë që nuk përfaqëson asgjë më shumë se PD dhe nuk përbën asnjë lloj baze për të krijuar kushtet për konsensusin më minimal dhe kjo për konsensusin maksimal që ne vazhdojmë të kërkojmë jo për interesin e PS-së, por për interesin kombëtar dhe publik në këtë moment kaq të rëndësishëm.”- u shpreh Rama.

‘PRESIDENTI’, NANO: PS, BASHKË MUND TA FITOJMË KËTË GARË
Ora 13:05-Ish-lideri historik i PS, Fatos Nano, njeherazi kandidat nga Shoqëria Civile për President reagoi pas zhvillimeve surprizë për zgjedhjen e Presidentit.
Lëvizja Nano për President tha se procesi për zgjedhjen e Presidentit është shndërruar në një turp.
“Fatos Nano po ndjek me vëmendje të gjithë këtë kaos total që po shkaktojnë Kryetarët e Partive të cilët tashmë për shkak të llogarive e axhendave të tyre të ngushta partiake, po e kthejnë proçesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në një proçes të turpshëm dhe në një rrezik të madh për fatet e vendit dhe të integrimit europian”.
Nano bëri thirrje që krerët e partive të ngrihen mbi interesat personale dhe të zgjedhin me përgjegjshmëri. Nano deklarons e i qëndron ofrimit për President, duke shtuar se është mundësia për konsensus.
Gjithashtu Nano ka deklaruar se mbetet i vetëofruar për klasën politike shqiptare dhe publikun shqiptar për të patur mundësinë për të synuar konsensusin, ose për të garuar e për ta fituar këtë garë”.
Në një thirrje drejtuar për PS, Nano thekson se është gati që me këtë parti të lartësojë vlerat e socialistëve dhe së bashku të fitojnë garën për president.
“Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që kërkon momenti, e të mos i shmanget e as druhet garës. Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që së bashku me Fatos Nanon duke bashkuar traditën, historinë, vlerat më të mira të Partisë Socialiste në këto 22 vite, ta fitojmë këtë garë bashkë, bashkë, bashkë. Fitorja e përbashkët e sotme le të jetë parathënie e hyrjes në historinë fituese të mëtutejme për Partinë Socialiste, për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë. Së bashku të bëjmë fituese Shqipërinë”, citon Lëvizja Nano për President.

RAUNDI I 4 ORA 17:00 NE KUVEND
Ora 13:00-Raundi i 4 per votimin e Presidentit do te zhvillohet ne oren 17:00 ne Kuvend.

OKETA: PRESIDENTI DUHET KONSENSUAL, HERËT PËR NISHANIN
Ora 12:50-Zgjedhjen e sotme të Presidentit e ciësoi një proces të dështuar edhe nismëtari i FRD-së Gazment Oketa. Në një prononcim për mediat, Oketa theksoi se klasa politike nuk tregoi seriozitetin e duhur për këtë process. “Është një proces i cili u ka lënë shqiptarëve një shije të hidhur. Klasa politike nuk tregoi seriozitet e duhur për zgjedhjen e një personi i cili do të drejtonte shtetin shqiptar” theksoi Oketa.

I pyetur nëse do ta votojë kandidaturën e Bujar Nishanit, Oketa u përgjigj: “Është herët për të treguar kandidatë. Presidenti duhet të jetë konsensual dhe të përfaqësoj unitetin e shqiptarëve. Procese të tilla nuk i shërbejnë integrimit në BE dhe duhen parë si një funksion të interesave të shqiptarëve”.

ERJON BRACE: DEGRADOI ZGJEDHJA E PRESIDENTIT. SKANDAL QË PO SOT VOTOHET NISHANI
Ora 12:40-Pas tërheqjes nga gara për president të kandidaturës së mazhorancës, z Artan Hoxha, deputeti socialist Erjon Brace ka reaguar duke e cilësuar këtë proces të degraduar. Më tej Brace theksoi skandali vijon me vendimin që po sot të votohet dhe raundi i 5, me emrin e Nishanit.
“Degradoi përfundimisht zgjedhja e Presidentit të Republikës! Artan Hoxha kandidati i legjitimuar sot në mëngjes nga Komisioni i Ligjeve u tërhoq sapo nga kandidimi! Komisioni I Ligjeve refuzoi të verifikojë pastërtinë e figurës së tij! Raundi digjet përfundimisht. Por ndërkohë Patozi kërkon të votojë Nishanin pasdite.
Ky është skandal. Nuk mund të bëhen dy raunde brenda dites. Procedura nuk është keshtu. Po shkelet cdo rregull! Së dyti, zoti Nishani nuk përmbush kushtet e kushtetutes. Lexojini nenet për kushtet e Presidentit e pastaj shihni Nishanin!”

MALAJ: LIDERET POLITIKE TE TAKOHEN PER NJE PROCES SA ME TE BESUESHEM
Ora 12:35 –
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, tha sot pas tërheqjes së kandidaturës së Artan Hoxhës për President të Republikës se, ” liderët politikë duhet të ulen e të flasin dhe të krijojnë një garë sa më të denjë në parlament në mënyrë që procesi të jetë sa më i besueshëm dhe presidenti i ardhshëm të jetë sa më kredibël”.

Në një prononcim për mediat, Malaj i pyetur nëse PS do të kandidonte Fatos Nanon për president theksoi se, “besoj se krerët e të gjitha partive politike parlamentare duhet të ndiejnë përgjegjësinë e rrezikut që edhe raundi i katërt të shkojë drejt zeros. Sigurisht është momenti për të diskutuar për kandidatuara me një mandat edhe më të qartë, qoftë edhe politikë. Le të jetë vota që parashikon kushtetuta, vota e fshehtë, jo thjesht deputetët të votojnë mbi një detyrim partiak, por midis kandidaturave alternative të zgjedhin më të mirin”
“Është më mirë të fillojmë të diskutojmë brenda forumeve politike për atë që është më mirë edhe për forcat politike edhe për vendin”, tha deputeti i PS-së, Malaj.

WOLLFARTH: BUJAR NISHANI, KANDIDAT DINJITOZ PËR PRESIDENT
Ora: 12:30 –
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth i ka dërguar një mesazh urimi kandidatit të mazhorancës për president, Bujar Nishani.
“Urimet më të mira për ju. Kandidat dinjitoz për President”- shkruan ambasadori Wollfarth.

PATOZI: BUJAR NISHANI KANDIDATURA TJETER
Ora 12: 25-Kreu i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi konfirmoi tërheqjen e z. Artan Hoxha nga kandidimi për presiden dhe theksoi se kandidatura e radhës së mazhorancës për President do jetë, Bujar Nishani.

DULE-IDRIZI: FATOS NANO ZGJEDHJA OPTIMALE, FIGURË QË NDERON VENDIN
Ora 12:20 –
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule përsëriti qëndrimin e tij në favor të kandidimit të Fatos Nanos për presidentin e ri të vendit. Në një deklaratë për mediat pak minuta pas tërheqjes së kandidaturës zyrtare të mazhorancës, Dule theksoi se tërheqja e Artan Hoxhës dëshmon se mazhoranca nuk mund ta zgjedhë presidentin as me shumicë të thjeshtë.
“Mazhoranca dëshmoi pamundësi. Opozita nuk mund të fshihet më. Kandidatura e zotit Nano besoj se ka shume shanse, në mos zgjedhje të sigurt.”- u shpreh Dule.

Në të njëjtën linjë me kreun e PBDNJ-së, edhe kryetari i PDIU-së, aleat i mazhorancës qeverisëse, deklaroi se opozita duhet të kandidojë liderin saj historik, Fatos Nanon, të cilin e cilësoi si një figurë që nderon vendin.
Në lidhje me kandidatin e ri të propozuar nga mazhoranca, që pritet të votohet pasdite në Kuvend, Idrizi tha se PDIU ka dhënë dakordësinë për ministrin e Brendshëm Bujar Nishani.

TËRHIQET ARTAN HOXHA
Ora 12:20-Në prag të votimit të tij në Kuvend si President i Republikës, kandidati i zgjedhur nga mazhoranca Artan Hoxha tërhiqet nga gara presidenciale. Zhvillimi surprizë vjen pak minuta pasi Komisioni i Ligjeve dërgoi raportin me 40 firma të mbledhura në Kuvend ku ky i fundit do e votonte me 71 vota presidentin e ri të zgjedhur nga mazhoranca, por që nuk e mori pëlqimin e opozitës.

DEKLARATA E PLOTË E HOXHËS
“Deri pas mbledhjes se mbrëmshme kam shpresuar se procesi presidencial do te mbante frymën minimale të mirëkuptimit dhe konsensualitetit, madje dhe sot ne mëngjes pasi kam marrë me qindra e qindra mesazhe urimi një pjesë e mirë e të cilave më kanë ardhur nga individë brenda dhe pranë Partisë Socialiste, kam vazhduar të shpresoj se procesi presidencial premtonte ende mirëkuptim dhe konsensus, por duke parë qëndrimet e eksponentëve socialistë dhe pranë tyre të cilët filluan të përdorin me agresivitet dhe egërsi të gjitha llojet e akuzave të bajatosura në këto 22 vite, përfshi shpifje dhe shantazhe arritën në përfundimin se procesi presidencial nuk mund të ketë as minimumin e civilizimit dhe aq më pak të vullnetit të mirë për zgjidhje të arsyeshme dhe konsensuale. Arrita të kuptoj se në procesin presidencial për shkak të interesave politike nuk lejohet të kontribuojnë faktorët civilë. Unë e kam ndjekur nga shumë pranë procesin presidencial, kam komentuar dhe pak shkuar në favor të zgjidhjes së arsyeshme dhe konsensuale. Mendova të kontribuoj në instancën e fundit për të njëjtin qëllim, por për gjithçka çfarë shpjegova më lart deklaroj se nuk mund të se nuk mund të jem më pjesë e vazhdimit të këtij procesi, i cili me sa duket paralajmëron furtune.”- deklaroi Hoxha.

ZYRTARIZOHET ARTAN HOXHA, KOMISIONI I LIGJEVE IA PARAQET PËR MIRATIM KUVENDIT
Ora 10:40
-Komisioni i Ligjeve miratoi vetem me votat e djathta, raportin e mazhorancës për kandidaturën e z. Artan Hoxha. Viktor Gumi bëri të ditur se mazhoranca ka depozituar në Kuvend kandidaturën me 40 firma të mbledhura. Më tej, përfaqësuesi i së djathtës në komision, Gumi duke lexuar raportin e mazhorancës, vlerësoi figurën e Artan Hoxhës duke e cilësuar si një ndër ekspertët më të mirë të administratës publike. Sipas Gumit, Hoxha plotëson kriteret juridike, të përcaktuara në Kushtetutë për President.
Firma përvec përfaqësuesve të koalicionit kanë dhënë dhe deputetët, Gert Bogdani, Ndue Paluca, Igli Cara, Aldo Bumci, Ridvan Bode.

Nga ana e PS në Komisionin e Ligjeve diskutoi Sajmir Tahiri që e vlerësoi të pamjaftueshëm informacionin e PD për z. Artan Hoxha.
“Të pamjaftueshme informacionet që keni për kandidatin
për president, ka të dhëna kontradiktore. Kërkojmë të dhëna shtesë për ata që mandatohen, duam të dimë procedurën e verifikimit mbi kriteret, duam më shumë të dhëna se ato të pasqyruara këtu, duam informacion nga prokuroria dhe SHISH.”.
Por, Rusmajli theksoi se ‘na intereson të verifikojmë kriteret formale juridike, si shtetësia, ditëlindja , dhe qëndrimi në Shqipëri, cështjet e CV nuk janë pjesë e diskutimit tonë”.
Me pas Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi vetëm me votat e maxhorancës, raportin që formalizon kandidaturën e z. Artan Hoxha për postin e Presidentit të Republikës, të cilën do t’ia paraqesë seancës plenare të Kuvendit në raundin e IV-t të votimit për zgjedhjen e Kreut të Shtetit.
Sipas rregullores parlamentare, deri në ora 09:00 të ditës së sotme procedura ishte e hapur për të paraqitur kandidaturat, ndërsa pas kësaj ore fillonte detyrimi i komisionit të Ligjeve për të marrë në shqyrtim kandidaturat eventuale dhe për t’i paraqitur raportin përkatës seancës plenare të Kuvendit.
Deri në afatin që përcakton rregullorja, në Kuvend ishte depozituar vetëm kandidatura e z. Artan Hoxha, si kandidaturë konsensuale e maxhorancës.

40 FIRMAT PER ARTAN HOXHEN
1. Astrit Patozi
2. Fatmir Mediu
3. Dashamir Tahiri
4. Ilir Meta
5. Vangjel Tavo
6. Shpetim Idrizi
7. Albana Vokshi
8. Kosta Barka
9. Sokol Olldashi
10. Ndue Paluca
11. Edi Paloka
12. Gerd Bogdani
13. Fatos Hoxha
14. Luan Skuqi
15. Ridvan Bode
16. Genc Ruli
17. Edmond Spaho
18. Igli Cara
19. Aldo Bumci
20. Majlinda Bregu
21. Mesila Doda
22. Fatbardh Kadilli
23. Lajla Pernaska
24. Besnik Dushaj
25. Lefter Maliqi
26. Arben imami
27. Adriana Gjonaj
28. Tritan Shehu
29. Myqerem Tafaj
30. Gjergji Papa
31. Lediana Aliolli
32. Spiro Ksera
33. Ramiz Cobaj
34. Bujar Nishani
35. Vasillaq Ngresi
36. Ilir Bano
37. Osman Metalla
38. Ismail Hoxha
39. Rrajmond Hoxhaj
40. Rrahim Çota

MAZHORANCA NIS MBLEDHJEN E FIRMAVE
Ora 10:00-Në radhët e mazhorancës ka nisur mbledhja e firmave për kandidaturën e mazhorancës, z Artan Hoxha. Pas mbledhjes së firmave, kandidatura do të depozitohet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Deri tani është konfirmuar firma nga Vangjel tavo dhe Ilir Meta për z Artan Hoxha.

PS: DO JEMI NE KUVEND, POR NUK DO E VOTOJME
Ora 09:20-Partia Socialiste njoftoi se do te marre pjese ne seancen e Kuvendit ku pritet te votohet kandidatura e mazhorances per President te Republikes, por nuk do marre pjese ne votim. Ky vendim u mor ne mbledhjen e grupit te PS te zhvilluar rreth ores 09:00 te paradites.

BERISHA: RAMA NUK DONTE PËR PRESIDENT ASNJË QË E KISHTE KRITIKUAR
Ora 09:00-Kryeministri Sali Berisha u kërkoi sot deputetëve të PD në mbledhjen e grupit të kësaj partie të votojnë me unanimitet ne Kuvend kandidaturën e z. Artan Hoxha për President të Republikës.
Berisha bëri të ditur sot se mbrëmjen e kaluar Rama nuk dha pëlqimin për asnjë kandidaturë edhe pse kërkoi që në atë takim të silleshin emra.

“Dje tentuam në frymën e kushtetutës të arrihej një konsensus në mirëkuptim të saj. Pikërisht në respekt të këtij procesi u vendosën kandidatura, u përzgjodhën duke besuar se opozita mund t’i besonte t’i votonte. E vërteta është se megjithë përpjekjet tona të jashtëzankonshme ishte pamundur që të bindje z Rama të pranonte një kandidaturë. Kriterët e tij, kuptova se ishin shumë speciale, duhët të ishte një njeri që se ka kritikuar kurrë z Rama, ose duhet të ishte që e kishte të ndaluar me ligj kritikën, ose që si ka shtrënguar kurrë dorën Sali Berishës”.

Më tej Berisha theksoi se Rama eshte i pasinqerte me deklaratat e tij per Presidentin.
“Ai tha se z. Artan Hoxha është i oborrit të qeverisë. Po dhe ti ke qënë i oborrit, ca do thuash për këtë. Së dyti, ai vuan nga misoginia, në greqisht do të thotë, urrejtje e grave. Po të vijë puna tek personat, ju siguroj më parë kalon detin në këmbë sesa të nxjerrë një kandidat me të (Ramën). Mbrëmë më thoshte të kthehemi tek modalitetet. Në fakt të na thoshte, pse s’na pyete më parë për Zaganjorin, por më tha, nuk e bëre si duhet pse se prure më parë. Ne e kuptojmë. Kërkoi 3-4 emra dhe do përzgjedhim. Shkuam sic kërkoi ai, jua them me sinqeritet, mirë zotëri, ja ku janë. Jo thoshte sot duhet të diskutojmë modalitete. Ja pra ai është i pasinqertë. Hyri edhe z. Nano në lojë dhe e burgosi më tej për të mos nxjerr kandidatura. Ne bëmë të qartë qëndrimin tonë ndaj z. Nano. Unë kisha kërkuar që ne të kishim kandidatin tonë dhe ai të vetin. Por këtë se pranonte kurrë. Tre orë përpjekje për të arritur një marrëveshje, qe e pamundur. Përveç Zaganjorit është ofruar edhe një kandidat tjetër, i cili ishte universalisht i pranueshëm konsensual. Nuk e pranoi!”.

Me tej në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha tha se koalicioni vendosi që sot të votojë në unanimitet të plotë Artan Hoxhën, që si drejtues i një instituti të studimeve bashkëkohore ka kontribute madhore në reformat ekonomike gjatë 12 viteve të fundit
“Koalicioni vendosi që sot të votojë në unanimitet të plotë z. Artan Hoxha, i cili si drejtues i një instituti i Studimeve Bashkëkohore, ka kontributet më madhore në reforma, kryesisht në fushat ekonomike, por edhe në reforma të tjera në 12 vitet e fundit në këtë vend. Ky ka qenë instituti kryesor për hartimin e ligjeve. Ai ka qenë një partner shumë i rëndësishëm në fushën e reformave në qeverinë socialiste, por edhe me qeverinë që unë drejtoj”, shtoi.

Berisha tha se Artan Hoxha ka kontribute të shumta dhe bashkëpunime të mëdha si me qeverinë socialiste, ashtu edhe me atë demokratike. “Kryetari i Partisë Socialiste, kur e ndan kohën, e gjen veten jashtë kohe, duke thënë se koha e Nanos, koha e Berishës. Kur thotë se ai ka bashkëpunuar në kohën e Nanos, ai e quan të pavlerë. Është një nga opinionistët më të vlerësuar dhe kuotuar nga publiku shqiptarë, me mendim të qëndrueshëm dhe bindës në argumentet e tij. Tani nuk do të mund të merret më me opinionet, por jam i bindur se kjo kandidaturë nderon plotësisht shumicën që e voton dhe jam i bindur se ai do të jetë një shërbëtor i qytetarëve të tij.

One thought on “Bujar Nishani zgjidhet President i Republikes

  1. Urime Urime zoti Bujar Nishani per detyren e re qe te eshte besuar,Te pershendes per detyren e re si kryetar i pare te shteti shqiptare,Me ty besoj qe cdo qytetar shqiptare eshte krenare,Ti te gjitha detyrat qe te jane besuar i ke kryer ma se miri,Te pershendes nga larg Luvigj Sterbyci,MI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *