Dy shkrime per Gjergj Kastriotin , nga: NDUE DEDAJ

KALAJA E VIGUT NË MIRDITË DHE NJË QASJE

RRETH ORIGJINËS SË SKËNDERBEUT

 

NDUE DEDAJ

 

Kemi shtegtuar drejt Kastrit (Vigut), në pjesën perëndimore të Mirditës, për të kundruar nga afër kalanë e këtij vendi, pak e njohur për ne shqiptarët e sotëm, por jo për paraardhësit tanë. Shkodra është vetëm 30 kilometra prej këndej, kurse Vau i Dejës mbase as dhjetë. Këtë kala iliro – romake, afro dymijëvjeçare, vendasit e thërrasin “Kalaja Qytet”, siç hasen këtu dhe toponime të tjera me fjalën qytet. Ka gërmuar në mars-prill të këtij viti një grup studentësh gjermanë, udhëhequr nga profesori i tyre, si dhe arkeologu i Institutit të Arkeologjisë Tiranë, Gëzim Hoxha. Nga gërmimet kanë dalë në pah disa nga mjediset e brendshme të kalasë, dy portat hyrëse e dalëse, kullat e vrojtimit (gjithësej 12 të tilla), dhomat, muret rrethuese, qeramika të ndryshme, është zbuluar dhe ndonjë monedhë, që përforcon datimin e kësaj kalaje si e shekullit IV të erës sonë etj. Me gjithë njëfarë vëmendjeje të kohëve të fundit, duhet thënë se është ndër kalatë më të harruara të vendit, materiali ndërtimor i së cilës është dëmtuar në vazhdimësi, ku rreziku më i madh i saj ka qenë lumi i rrëmbyeshëm i Gjadrit, që bashkohet aty me përroin e Vomës, duke ia gërryer muret anësore etj.

Sot zor se gjen të moshuar që mund ta lidhin këtë kala fushore me ndonjë ngjarje a figurë historike madhore, por nuk ishte kështu njëqind e pesëdhjetë vite më parë. Albanologu i shquar Johann Georg von Hahn, gjatë kalimit të tij në këto anë, në vitin 1863, përshkruan një bisedë interesante të tijën me famullitarin e asokohshëm të Vigut, Dom Engjellin, i cili i bën me dije albanologut austriak “një vendlindje të re të Skënderbeut”. Ai thoshte që Skënderbeu kishte lindur në një qytet të madh, tashmë të shkatëruar, rrënojat e shpërndara të të cilit ndodheshin gjysmë ore në perëndim të famullisë së tij të Vigut dhe të cilin populli e quante dhe sot e kësaj dite “Kastri”. Këtu, sipas tij, kishte jetuar i ati i Skënderbeut, i cili kishte vazhduar të rronte aty edhe mbasi i ishte dorëzuar Sulltanit, deri sa u helmua me anë të një xhybeje (rrobe e mendafshtë) të kushtueshme, të cilën ia kishte dërguar Sulltani si dhuratë. Për këtë qytet-kala kishte pas marrë njoftim më parë dhe gjeologu e etnografi francez Ami Bue gjatë qëndrimit të tij si konsull në Shkodër dhe kërkimeve në terren. Dom Engjëlli i rrëfen Hahnit themelet e mureve rrethuese, që “mund të shihen gjatë dy anëve të këndit që formon derdhja e përroit të Vomës në atë të lumit të Gjadrit. Ato përbëhen nga gurë të palatuar, të lidhur midis tyre me gëlqere dhe të një madhësie të vogël, pikërisht ashtu siç ndërtohen dhe sot e kësaj dite”. (Bëhet fjalë për shekullin XIX.) Kalaja dhe një vendbanim i vjetër i saj gjendeshin aty ku kryeqëzoheshin rrugët nga Shkodra për në Orosh dhe nga Lezha për në Pukë e Prizren, çka garantonte kalimin e sigurtë të njerëzve dhe karvaneve nga kjo pjesë e malësisë në fushë dhe ndërsjelltas. (G. Hahn, Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, “Geer”, Tiranë 2001.)

Kjo gojëdhanë e vjetër mbi Kastrin si vendorigjinë e Skënderbeut është dëgjuar në popull nga Dom Engjëlli, ndërkohë që pak gjera kishin mbijetuar nga Moti i Madh. Por Kastri nuk ka mbetur një tezë vetëm në gojëdhana. Atë e mbështesin dhe një varg historianësh të dëgjuar, si akademiku gjerman i shekullit XIX Jakob Falmerajer (formuluesi i parë i kësaj teze), Athanas Gegaj, Fan Noli etj. Sipas Gegajt Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve dhe mbiemri Kastrioti lidhet më shumë më Kastrin e Mirditës, sesa me fshatra të tjerë që kanë të njëjtin emër. Për Selman Rizën zotërimet e Kastriotëve ishin në mes Shkodrës dhe Lezhës, kurse Aleks Buda këto zotërime i shtrinte nga Adriatiku në Mirditë, Lumë e deri në Prizren. Historania turke Bozbora specifikon se Gjon Kastrioti njihej si një nga princët katolikë të rajonit të Mirditës. Noli sjell në vëmendje Thaloc dhe Jeriçek, të cilët pohonin se llagapi i Kastriotëve i kishte rrënjët në një fshat të quatur Kastër. Tezës së vjetër të origjinës së Skënderbeut nga Mirdita, posaçërisht nga Kastri, pas njësoj shmangie nga historianët bashkëkohorë, këto njëzet vitet e fundit i ka kushtuar shumë artikuj e monografi studiuesi skrupuloz mirditor Preng Cub Lleshi, duke qëmtuar dëshmi të shumta e sjellë një varg argumentesh, përfshi dhe gjuhësor, si “në të folmen e Mirditës trajta Kastërjot na zbulon emrin Kastër të pashquar” etj. (“Mirdita”, Nr. 18, 2018). Duhet thënë se Kastri i Vigut kërkon një hulumtim serioz në rrënoja e dokumente, pasi burimet për të nuk shterrojnë, aq më tepër që sipas Dom Nikollë Mazrekut, në romanin e tij të njohur “Me flamujt e Kastriotëve”, në Kastër ka patur dhe një shkollë ku studentët mësonin retorikë etj. Dhe dihet se një shkollë e tillë në ato kohë të largëta mund të ishte veçse në një qytet të rëndësishëm e të zhvilluar iliro-arbnor, më pas krejtësisht i shuar.

Që ky monument kombëtar të mos dilte nga kujtesa, fatmirësisht rreth tij, shumë vite më parë, qe kryer një studim nga Gjerak Karaiskaj, sipas të cilit kalaja e Vigut është njëra ndër tre kalatë fushore të Shqipërisë, krahas asaj të Elbasanit dhe Paleokastrës. Këto kështjella u ndërtuan nga fundi e shekullit III dhe fillimet e shekullit IV, nën perandorët Dioklecian dhe Kostandin, në disa nga pikat më të rëndësishme strategjike të vendit. Kështjella e Vigut dëshmon për praninë e një rruge gjithaq të rëndësishme ushtarake nëpër territorin e Mirditës në shekujt e parë të erës së re. Ky është kuadri i hershëm historik i kësaj kështjelle të fshehur mes dy brigjeve lumore, po a ishte ajo dhe një kala e vendorigjinës së Skënderbeut? Nëse kjo mbetet një punë e thukët e historianëve dhe nesër, që të vënë pikat mbi “i” sa i takon së vërtetës skënderbegiane, ose jo të Kastrit, është e pafalshme që ky monument kulture (i shpallur si i tillë që në vitet e para të pas Luftës) po shkon drejt shkatërrimit të plotë, nga gërryerjet e rrëmbyeshme të Gjadrit. Nëse ka studiues vullnetmirë, të vendit dhe të huaj, që sakrifikojnë jo pak për të bërë gërmime arkeologjike herë pas here këtu, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Vaut të Dejës lypet ta gjejnë mundësinë që kjo kala të mbrohet më së fundi, me anë të ndonjë prite prej vërshimeve të dy lumenjëve të sipërthënë, si dhe të ruhen punimet e kryera deri më tash, sa të krijohet një mundësi gërmimesh shterruese. Është jo vetëm një vlerë historike e dorës së parë, por dhe një atraksion turistik me vlera të veçanta për zonën. Aty haset dhe toponimi “Tokat e Begut”, që thuhet se ka mbetur që nga koha kur Bushatlinjtë luftonin në këtë kala kundër turqve, çka do të thotë se funksioni i saj mbrojtës nuk është ndërprerë as shekujt e fundit.

Ky areal kulturor – historik, ku pikëpritën disa treva, si Mirdita, Shkodra dhe Puka, me një pozitë gjeografike nga më të lakmushmet, ka dhe një qasje tjetër skënderbegiane. Kisha e Shën Mërisë e Vaut të Dejës e shekullit XIII ka qenë ndër më të zëshmet e rajonit të Sapës e Danjës antike, kishë monumentale romanike-gotike, me plot afreska të vjetra, që u hodh në erë mbas vitit të mbrapshtë 1967, megjithëse prej vitit 1948 ishte shpallur “Monument Kulture – Mbrohet nga Shteti”, që do të thotë se shteti për intersa ideologjike shembte jo vetëm traditën e gurtë, po dhe “vetveten”. Nuk është e rastit që pamja e kësaj kishe u përdor nga Banka e Shqipërisë në prerjen e monedhës njëmijëlekëshe. Pikturat e saj të stilit bizantin krahasohen me ato të Kishës së Rubikut etj. Autorë të ndryshëm e vleësojnë atë si një monument të çmueshëm historik, pasi aty kishin qenë bërë pajtime mes princërve shqiptarë, po mbi të gjitha se në atë kishë besohet se kishte vënë kunorë Skënderbeu. Studiuesi gjerman Markus Peters shkruan se Gjergj Kastrioti u kororëzua në Vaun e Dejës në martesën e tij me Donikën. Edhe më intrigues e bën këtë pohim historiografik, teza e vendorigjinës së heroit kombëtar nga Kastri fqinj.

 

Maj 2018

 

 

 

 

PORTRETI I SKËNDERBEUT NË SHKOLLAT E KOSOVËS

 

NDUE DEDAJ

 

Skënderbeun e kanë njëlloj si nxënësit e Shqipërisë, si ata të Kosovës, por nëse për të këtushmit nuk përbën lajm kur portreti i heroit kombëtar nuk gjendet i afishuar në klasë, ndryshe ndodh me ata matanë Morinit. Shkruante me shqetësim qytetar e kombëtar në Facebook një arsimtar i njohur i gjimnazit të Klinës, Pal Canaj, njëherësh njeri i letrave, i dërguar për vëzhgimin e provimeve në njërën nga shollat e Pejës. “Sot, në Pejë, në shkollën “8 Marsi”, isha administrator në testin e Maturës dhe në klasën ku u ndodha i pranishëm mungonte portreti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Mendova se diçka e tillë ishte rastësi, por kureshtja me shtyu që të shihja edhe dhomat tjera mësimore të kësaj shkolle, ku për habi në secilën prej tyre mungonte portreti i Skënderbeut. Bisedova me drejtorin e shkollës dhe ai me tha se pas renovimit të objektit shkollor disa prej fotove mund të jenë dëmtuar dhe për të siguruar të rejat mungonin mjetet financiare dhe, sapo ato të gjendeshin, portreti i Skënderbeut do të rivendosej sërish në klasa. Shqetësimin tim ia paraqita edhe zyrtares së Ministrisë se Arsimit, që ishte aty për mbarëvajtjen e testit, mirëpo ajo shfaqi mosdisponimin e saj për t’u marrë me këtë çështje”.

Për lexuesin e painformuar sa duhet për punët arsimore andej, ky mund të duket thjeshtë meraku i një mesuesi në Vitin e Skënderbeut. Por nuk është kështu. Profesori i letërsisë, Canaj, kërkon të zbatohet rregullorja e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, sipas së cilës, për vendosjen e portretit të Skënderbeut në mjediset e tyre janë të detyruara të gjitha institucionet arsimore në shkallë vendi. Një vendim më se i vlefshëm, që do të ishte mirë të zbatohej, me apo pa rregullore të posaçme, dhe në shkollat këndej Morinit, duke filluar nga ato të Tiranës, një hap nga porta e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit. Sigurisht ka patur një kontekst historik që i ka shtyrë intelektualët e Kosovës ta kërkojnë një “nder” të tillë. Rexhep Osmani, ish – ministër i Arsimit i Kosovës, thotë: “Vendimi për vendosjen e portretit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në shkolla është nxjerrë në kohë robërie për shkollën tonë shqipe”, duke shtuar se heqja e portretit të tij nga objektet arsimore është veprim i papërgjegjshëm etj. Ndodhia në fjalë nuk ka kaluar pa komente. Dikush e ka quajtur rastësi, dikush tjetër është shprehur i gatshëm që të paguajë nga xhepi i tij që shkolla t’i  ketë sërish portretet e Skëndrebeut, aq sa i nevojiten. Por ndokush ka shfaqur dyshimin se gjera të tilla mund të ndodhin aty-këtu dhe nën ndikimin e ndonjë korenti fetar në Kosovë. “Mos u çuditni që është hequr portreti i Skënderbeut në vitin e tij, pasi ka nga ata që duan ta zëvendësojnë me portretin e Sulltan Muratit”, shprehet ashpër njëri nga reaguesit. Në pamje të parë, kur pranëvihen dy emra kundërshtarësh të mëdhenj historikë, duket se “lufta” mes tyre ende nuk ka mbaruar, dhe pse kanë kaluar gjashtë shekuj. Dhe sigurisht që në këtë mes nuk ka si të jetë faji i të zotit të vendit, që nuk ka qenë ai pushtuesi i tjetrit. Mund të dukej një shtjellim disi letraresk ky, nëse vetëm dy muaj më parë nuk do të kishte ndodhur, ditën për diell, deportimi i 6 shtetaseve të Republikës së Turqisë, arsimtarë dhe drejtues të kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, pa lejen e qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit të Kosovës, çka çoi në shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të shërbimit të fshehtë. Njerëzit jo vetëm në Kosovë janë të ndjeshëm ndaj çdo cenimi, me apo dashje, të figurës së heroit kombëtar. Vetëm katër vite më parë që postuar në rrjetet sociale një video ku paraqiteshin disa të rinj të indoktrinuar duke sharë dhe gjuajtur me shuplakë shtatoren e Skënderbeut në Kaçanikun e përmendur për lavdinë e tij, ku dhe pati lindur kënga himn “Xhamadani vija – vija”, e cila, edhe pse mban autorësinë e kompozitorit Zef Çoba, poetit Alfred Çapaliku dhe këngëtares Shkurte Fejza, ka tashmë “bashkautorësinë” e gjithë shqiptarëve. Siç mund të kuptohet, frika është tjetërkund e jo se portreti i heroit kombëtar u hoq nga ca klasa të një shkolle gjatë restaurimit të saj, për t’u vënë nesër prapë aty. Arsimtarët pejanë nuk do ta lejojnë mungesën e portretit të heroit kombëtar nga klasat ku japin mësim. Ata, siç thotë veprimtari i njohur i atyre anëve, profesori i gjuhës angleze Dodë Ndrecaj, kanë shpërndarë dije dhe kultivuar atdhetarinë tek ne që kemi mësuar në Pejë, ndaj u jemi mirënjohës për kontributin e tyre. Aq më tepër që pas Luftës së Kosovës, në komunën e Pejës kanë udhëhequr dhe janë në pushtet partitë e spektrit politik që kombëtarizmin e kanë temë që dorës së parë sa herë që ka zgjedhje.

Përtej rastit të shkollës së Pejës, loja me fotografitë është e vjetër, sidomos nga politika dhe politikanët. Duke qenë Viti i Skënderbeut është e pritshme që “fotografia” e tij të ketë shpalimin e vet gjithnurësh. Ka nga ata që mendojnë se duhej të ishte ajo fotografia zyrtare e shtetit shqiptar dhe jo e Ismail Qemalit, aq më pak e presidentit të radhës të republikës së Shqipërisë. Skënderbeu është e vetmja figurë e gjithëpranuar kombëtarisht. Mbase nga ky vështrim ndonjë ish-zyrtar i lartë publik, krahas fotografisë së kryetarit të shtetit të Pavarësisë (1912) varur në mur, në një siprinë të zyrës mbante edhe atë të Skënderbeut, si për të thënë se ky meriton një tjetër status zyrtar. (Teksa mjaft të tjerë mbajnë në tavolinat e tyre portretin apo buste të vegjël të Nënë Terezës, po kjo është një qasje shpirtërore.) Edhe pse është jo pak për t’u habitur, ka ndodhur që zyrtarë të shtetit të mbajnë në zyra portretin e Kryeministrit Edi Rama (!) Ashtu siç ish-zyrtarë të lartë mbajnë në zyrat e tyre fotografinë e Sali Berishës. Ka gjasë që dhe në Kosovë fotografitë e Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt të jenë më dominueset sot, të paktën nisur nga fasadat e pallateve në Prishtinë etj.

Nuk është se liderët politikë nuk kanë vendin e tyre në jetën publike dhe si imazh fotografik, por na duket se më së shumti këto qendrime shprehin njëfarë psikologjie parashtetërore, kur për funksionin që ke patur apo që ke ia di për nder liderit “historik” të së majtës apo të së djathtës që të ka vënë në ato këmbë. Nëse sot nuk duket askund fotografia e Fatos Nanos në mjediset e PS-së, në ato të LSI-së nuk është se mungon ajo e Ilir Metës. Përtej Skënderbeut, Ismail Qemalit, Nënë Terezës, Ismail Kadaresë, Ibrahim Rugovës, Arber Xhaferit zakonisht ato që “mbijetojnë” janë fotografitë e të “fortëve” të historisë, qofshin mbretërorë apo partipunas.

Ndaj fotografia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut na fton për një reflektim më të thellë të imazhit tonë historik dhe shtetëror.

 

Maj 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *