Shkrimi i Olsi Jazexhiut botuar në MAPO-n e djeshme nuk ka qenë përpjekja e parë e tij për kontakt me lexuesit e kësaj gazete. Redaksia ia ka ‘mbyllur dyert’ duke qenë se shkrimet e tij, rregullisht, merren më shumë me individët sesa idetë. Jazexhi, duke mos dashur, apo duke mos mundur t’i kuptojë njerëzit si qenie të lira, me të drejtë zgjedhjeje, me frymëzime politike apo estetike i kall ata, rras e plas, brenda një rrethi të cilin, pasi i vizaton ca rrathë bardh e zi, e kthen në target duke marrë në shenjë përkatësi (të paqena) fetare.
Jazexhi është antishqiptari par excellence: ai bën të vetën një tezë serbo-greko-osmane duke e barabitur fenë më kombësinë. Nëse je ortodoks je automatikisht grek, nëse je musliman, turk e kështu me radhë.
Filoperëndimorët i sheh si katolikë e madje edhe origjinën e tyre e gabon, siç bën me timen, duke ia veshur një qarku për të cilin ka dëgjuar se është me shumicë të krishterë. (Nuk qëlloj të jem lezhjan as katolik; jam i tillë përgjysmë, dhe pranoj me dëshirë të jem gjysma e mirë e çdo të tëre.) Në pamfletin e tij në formë fatwa-je ai identifikon ‘bandën e katolikëve’, ku fut Henri Çilin, Ardian Ndrecën, Romeo Gurakuqin, Alfred Lelën, Agron Gjekmarkajn, Tonin Gjurajn e të tjerë. Një pjesë e tyre, përfshirë edhe mua, po është e vërtetë, kanë milituar në shtyp me artikuj kundër neo-otomanizmit si doktrinë, pranuar e tillë edhe nga autori i saj, ministri i Jashtëm turk, Davutoglu. Janë njëmijë e një arsyet se pse ne duhet t’i ruhemi e t’i shmangemi rënies nën sferën e kulturës dhe gjeopolitikës neo-otomane. Shumë prej jush që i lexoni këto radhë mund të gjeni arsyen ose arsyet tuaja. Të miat janë disa, por njërën e kam estetike: duke perifrazuar Kadarenë, mendoj se nuk u duhet zënë besë kombeve që mbulojnë fytyrat e grave.
Shumë kanë pyetur se si ka mundësi që MAPO, një gazetë centriste, aq centriste sa mua do më pëlqente të përdorja për të fjalët e një prej editorëve themelues të The Economist, Walter Bagehot: we belong to the extreme centre (jemi të qendrës ekstreme), të ketë botuar shkrimin vrer e ndot të z. Jazexhi. Motivimi i parë ka qenë i një natyre dinake: teksti i zotërisë, duke u munduar të mihë një varr për pro-perëndimorët i hapte vetes një zgafellë të mjerimit logjik. I dyti ka qenë motivim i llojit social: Jazexhi nuk është lunatiku e as fanatiku i vetëm ndër shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se atyre nuk u duhet dhënë një valvul prej nga ku ta shkarkojnë ndrydhjen e zemërimin e tyre. Mendojmë se në këtë rast, si gazetë, i kemi shërbyer interesit publik.
Nëse më thoni se po e teproj duke e quajtur Jazexhiun dhe sojin e tij si të ndrydhur e të çmendur me një copy/paste të thjeshtë po risjell përmbylljen dhe kreshendon e shkrimit të tij: …ashtu si gjyshërit tuaj në kohë të Skënderbeut, hipini anijeve dhe gjeni atë që doni matanë Adriatikut. Ne muslimanët, do jemi rehat këtu ku jemi, me apo pa Turqinë. Pasi e ka rrethuar për herë të pestë ‘Krujën e pro-perëndimorëve’ Jazexhiu shpreson që të hedhë në puset e kështjellës së tyre coftinën osmane, e cila do t’i detyrojë të rrethuarit që të dorëzohen e ‘ta shprishin edhe njëherë gjakun arbëror’ duke u vendosur përtej Adriatikut. (Veç kësaj ai merr përsipër të flasë në emër të muslimanëve shqiptarë!!!) Ironia e gjithë kësaj është se Jazexhi e shpall platformën e tij nga përtej Atlantikut. Në fund të emailit të tij shkruhet, Ontario (Kanada). E keni lexuar drejt: Kanada, jo Kandahar!
Pse pra, Jazexhi rreh të predikojë shpërnguljen e filoperëndimorëve shqiptarë që nga Kanadaja, një vend i Perëndimit, ndërkohë që e bën këtë nga pozitat e një filoorientali? Ja se pse: fondamentalistët islamikë, ashtu si komunistët, kanë mbetur pa atdhe. As të parët e as të dytët, nuk kanë një vend për be ku mishërohet ideologjia e tyre si histori suksesi. Parajsa e fundit, shteti i dështuar i Afganistanit nën sundimin e Mullah Omarit të Talebanëve, ka rënë tashmë. Sa u takon shteteve të dështuara komuniste, lista është paksa më e gjatë; gjithsesi mjerane: Kuba dhe Koreja e Veriut. Dhe, siç Olsi mençurisht ka bërë, mes Kandaharit e Kanadasë ka zgjedhur këtë të dytën. Çmenduri fare është kur, që nga Kanadaja, predikon Kandaharin!